Agresioni në shkallë të gjerë i Presidentit rus Vladimir Putin ndaj Ukrainës nxiti një valë shtypjeje ndaj gazetarëve të pavarur brenda Rusisë, duke detyruar shumë prej tyre që të kërkojnë strehë në Letoninë fqinje. Një vit më pas, shpresat e gazetarëve për t’u rikthyer në Rusi dhe ushtruar profesionin e tyre janë të pakta.
Riga, kryeqyteti i Letonisë, është bërë një strehë e preferuar për qindra gazetarë rusë të larguar nga shtypja e Kremlinit që nga fillimi i agresionit ndaj Ukrainës. Por edhe nga larg, Moska vazhdon të minojë punën e këtyre gazetarëve të rinj.
Media e pavarur ruse, Meduza, e vendosur aktualisht në Riga, është përfshirë në listën e “agjentëve të padëshiruar” të Moskës, çka do të thotë se kjo media përballet me një listë të gjatë kufizimesh.
Kryeredaktorja Galina Timchenko shpjegon për Zërin e Amerikës se çfarë nënkuptojnë këto kufizime.
“Nuk lejohet shkëmbimi i parave me ne, ndarja e informacionit dhe çdo marrëveshje me Meduzën është e paligjshme. Madje nuk mund të ndash lajmet tona në rrjetet sociale. Kjo i frikëson njerëzit që të ndajnë të dhëna me ne, sepse druhen se mund të përfundojnë në burg”.
Qëllimi i Kremlinit është frenimi i penetrimit të medias së pavarur, media që ofron një pamje krejt ndryshe të realitetit, të pandikuar nga propaganda shtetërore. Moska i kërcënon me burg lexuesit që të mos ndajnë postime, por frika është një instrument që ka vënë në shënjestër kryesisht gazetarët.
Kremlini dëshiron që ta bëjë të qartë se zgjidhja është mes burgut ose largimit nga vendi, një taktikë e njohur për gazetarët e “Novaya Gazeta Europe”, emri i ri e gazetës historike ruse, që është zhvendosur tashmë në Riga. Ata thonë se ishte e pamundur vazhdimi lirisht i punës në Moskë pasi Vladimir Putini nënshkroi të ashtuquajturin “Ligji i Lajmeve të Rreme”.
“Ky ligj thotë se çdo qytetar, e veçanërisht gazetarët, mund të ndajnë vetëm informacione për luftën të ofruara nga Ministria e Mbrojtjes. Kam gati një vit këtu dhe nuk mund të kthehem në Rusi sepse do të përfundoj në burg”, thotë për Zërin e Amerikës Kirill Martynov, redaktor i gazetës “Novaya Gazeta-Europe”.
Aktualisht, Riga është kthyer në kryeqytetin e gazetarisë së lirë ruse. Gazetarët e mërguar rusë thonë se gazetaria e vërtetë është eliminuar në Rusi.
Një vit pas fillimit të sulmit rus në Ukrainë, shumë rusë që vendosën të tregonin të vërtetën rreth asaj që po ndodhte, janë detyruar të braktisin shtëpitë dhe familjet e tyre. Ata druhen se kjo situatë do të zgjasë për shumë vite.