Në Tiranë, gazetarët po protestojnë me shqetësim ndaj të ashtuquajturës paketa ligjore anti-shpifje, që po përgatit qeveria.
Zyrtarët pohojnë se po mundohen të frenojnë lajmet e rreme, por gazetarët thonë se kjo është një masë anti-demokratike kundër lirisë së shprehjes.
Kalimi hap pas hapi i procedurave për të miratuar të ashtuquajturën paketa ligjore antishpifje po ngren një shqetësim përherë e më të rritur në radhët e komunitetit të medias për cënimin e lirisë së shtypit.
Aleksandra Bogdani, autore dhe redaktore e rrjetit të gazetarisë investigative BIRN, thotë se qëllimi i parë i paketës antishpifje është frikësimi i medias përballë qeverisë dhe shkelje është shkelje skandaloze e lirisë së shprehjes në media.
“Një numër i madh organizatash ndërkombëtare, – thotë zonja Bogdani, – e kanë quajtur nismën e qeverisë kundër mediave të paprecedentë dhe skadaloze, por thirrjet e tyre që paketa të tërhiqpet mbrapsht kanë rënë në vesh të shurdhët. Ajo kufizon hapësirën e të vërtetës dhe godet mediat kritike ndaj hapave abuzive të qeveritarëve”.
Një tjetër përfaqësues i komunitetit të mediave, Koloreto Cukali, drejtues i Këshillit Shqiptar të Medias, thotë se projekt ligji përmban disa projekte thelbësore që cënojnë lirinë e medias.
“Drejtuesi i AMA-s, Autoritetit Medias Audiovive, që do të dënojë mediat, zgjidhet nga kryeministri, çka e bën atë një institucion të varur nga qeveria. Medias i hiqet e drejta të mbrohet në gjykatë, sepse vendin e kësaj e zë AMA, e cila do t’i gjobitë mediat kritike për çdo pakënaqësi, ndaj po kthehemi 30 40 vjet prapa”.
Komisioni Parlamentar i Ligjeve nisi të premten shqyrtimin e dy projektligjeve për median të njohura si “paketa antishpifje”.
Në një deklaratë të organizatave mediatike dhe shoqërisë civile në Shqipëri theksohet nevoja për të patur një vetërregullim të medias dhe jo një rregullim ligjor të saj.
Komentet