Grupet ndërkombëtare për lirinë e shtypit ka reaguar fuqishëm për vendimin e kryeministrit Edi Rama mbi ndalimin e gazetarëve në konferencat për shtyp, duke i vendosur masa arbitrare dhe të pajustifikuara.
Në letrën e hapur dërguar Ramës, thuhet shprehimisht se në Shqipëri nuk ekziston asnjë sanksion administrativ zyrtar që lejon që gazetarët të ndalohen në mënyrë të njëanshme të marrin pjesë në konferencat e shtypit të qeverisë nga politikanë individualisht, apo edhe ata që mbajnë poste ekzekutive.
Lënda: Letër e hapur, Kryeministrit Edi Rama nga grupet ndërkombëtare për lirinë e shtypit për vendimin mbi ndalimin e gazetarëve nga konferencat për shtyp
Drejtuar: z. Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë
Për djeni:
Endri Fuga, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Medias dhe Informacionit
Teresa Ribeiro, Përfaqësues i OSBE-së për Lirinë e Medias
Olivér Várhelyi, Komisioner i BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin
Alexis Hupin, i Ngarkuari me Punë në Delegacionin e BE-së në Shqipëri,
Dunja Mijatovic, Komisionere e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut
Yuri Kim, Ambasadore e SHBA-së në Republikën e Shqipërisë
****
I nderuar Kryeministër Rama,
Organizatat e nënshkruara për lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes po ju shkruajnë për të shprehur shqetësimin tonë për vendimin tuaj të fundit për të ndaluar në mënyrë të njëanshme pjesëmarrjen e gazetarëve në konferencat e shtypit të qeverisë dhe për të kërkuar që ata t’i nënshtrohen “riedukimit” pasi ata drejtuan pyetje sfiduese për çështje me interes publik.
Organizatat tona janë të shqetësuara se këto kufizime arbitrare ndikojnë seriozisht në aftësinë e shtypit për të kryer rolin e tyre mbikëqyrës dhe për të kërkuar përgjigje për çështje sfiduese. Ato janë gjithashtu emblematike e problemeve më të thella në lidhje me aksesin në informacion për gazetarët dhe pengimin e gazetarisë së lirë dhe të pavarur në Shqipëri, e cila renditet e 103-ta në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit të RSF-së, duke rënë çdo vit me 20 vende.
Kemi vëmë re se gjatë një konference të përbashkët për shtyp me ministren e Jashtme Olta Xhaçka, më 1 korrik 2022, ju iu përgjigjët pyetjeve të gazetarit Klevin Muka të stacionit A2 degë CNN, duke i thënë se kishte shkelur kodin e etikës gazetareske dhe se ai duhej t’i nënshtrohej tre muajsh “riedukimit” përpara se të ishte i mirëpritur në konferencat e rradhës për shtyp.
Në vlerësimin tonë, pyetjet e zotit Muka përfshinin një çështje legjitime me interes publik mbi Kodin e Etikës të Këshillit të Ministrave të sapokrijuar dhe konflikte të mundshme interesi që përfshijnë ministren në fjalë, dhe për këtë arsye justifikonin një përgjigje. Në vend të kësaj, ai tani përballet me një ndalim arbitrar prej tre muajsh nga konferencat për shtyp, gjë që do të ndikojë seriozisht në aftësinë e tij për të kryer siç duhet detyrat e tij profesionale.
Me shqetësim, theksojmë se kjo nuk është hera e parë që një gazetar përballet me një kufizim të tillë. Gjatë një konference për shtyp jashtë selisë së Partisë Socialiste në mars 2022, ju i keni thënë gazetares së TV Syri.net, Ambrioza Meta se ajo kishte nevojë për “riedukim” dhe u ndalua nga konferencat për shtyp për 60 ditë, pasi ajo bëri pyetje me interes publik për arrestimin e një deputeti të Partisë Socialiste dhe një rast korrupsioni të lidhur me inceneratorët.
Në këndvështrimin tonë, në Shqipëri nuk ekziston asnjë sanksion administrativ zyrtar që lejon që gazetarët të ndalohen në mënyrë të njëanshme të marrin pjesë në konferencat e shtypit të qeverisë nga politikanë individualisht, apo edhe ata që mbajnë poste ekzekutive. Prandaj mendojmë se masat e vendosura si ndaj Klevin Mukës ashtu edhe ndaj Ambrioza Metës ishin arbitrare dhe të pajustifikuara.
Në një shoqëri demokratike, nuk është roli i zyrtarëve të zgjedhur që të vendosin personalisht masa disiplinore ndaj gazetarëve si individ mbi ato që ata konsiderojnë – me të drejtë ose jo – si shkelje të pretenduara të etikës. Ndaj ju bëjmë thirrje që të hiqni menjëherë kufizimin ndaj Klevin Mukës dhe të përmbaheni nga vendosja e masave të tilla ndaj të gjithë anëtarëve të shtypit në të ardhmen.
Organizatat tona besojnë fort në profesionalizmin dhe integritetin e profesionit të gazetarit, për të cilin janë duke u zhvilluar nisma të rëndësishme në Shqipëri. Megjithatë, respektimi i etikës dhe standardeve gazetareske duhet të respektohet dhe trajtohet nga brenda vetë komunitetit gazetaresk, në vend që të imponohet nga forcat politike.
Për më tepër, ne i shohim këto kufizime si ilustruese të problemeve më të gjera në lidhje me aksesin në informacion për gazetarët dhe lirinë e medias në Shqipëri, çështje për të cilat organizatat tona kanë ngritur vazhdimisht shqetësime. Vëmë re gjithashtu protestën e organizuar nga gazetarët në Tiranë më 4 korrik 2022, e cila kritikoi kufizimin emblematik të përpjekjeve më të gjera të forcave politike për të diktuar se çfarë pyetjesh mund dhe nuk mund të bëhen nga gazetarët në konferencat për shtyp.
Shpresojmë që kjo situatë të përmirësohet sa më shpejt që të jetë e mundur. Duke ecur përpara, organizatat tona do të vazhdojnë gjithashtu të monitorojnë situatën për lirinë e medias në Shqipëri dhe të nxisin masat që mbështesin një klimë më të mirë për mediat e pavarura dhe vëzhguese.
Ne mbetemi në pritje të përgjigjes tuaj dhe mirëpresim çdo mundësi për diskutim të mëtejshëm.
Nënshkruar:
Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF)
Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ)
Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI)
OBC Transeuropa (OBCT)
Reporterët pa Kufij (RSF)
Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt (SJN)
Komentet