Zgjedhjet e 14 Majit, 2023 paraqesin një rëndësi të madhe për të ardhmen demokratike të Republikës së Shqipërisë dhe popullit shqiptar brenda dhe jashtë vendit. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) po ndjek me shqetësim raportet e qeverisë me median dhe fushatën zgjedhore, ku vihen re shkelje të Kodit Zgjedhor. Në mes të qëndrimit të UGSHPD, ju mund të ndiqni paraqitjen e shkeljes që vërehet dhe po e sjellim atë si shembull, pasi ky dokument publik qëndron i shtrirë prej ditësh në pasqyrimet e shumta mediatike që prej datës 29 Mars, 2023.
E ritheksojmë këtë fakt pasi jemi në fushatë zgjedhore dhe Kryeministri Edvin Rama është i pari që nuk përfill Kodin Zgjedhor të RSH, i cili, i miratuar nga Kuvendi Popullor, shpreh: 4. Katër muaj para datës së zgjedhjeve deri në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve ndalohet propozimi, miratimi ose nxjerrja e akteve ligjore ose nënligjore, të cilat parashikojnë dhënien e përfitimeve për kategori të caktuara të popullsisë, të tilla si aktet që parashikojnë rritjen e pagave, pensioneve, mbështetjes ekonomike apo sociale, uljen ose heqjen e taksave, vendosjen e amnistive fiskale, privatizimin apo dhënien e pasurive a të shpërblimeve, etj., përveçse kur nisma kushtëzohet nga gjendje të fatkeqësisë natyrore.
Mbi këtë bazë, edhe gazetarja e Euronews Albania i drejton kryeministrit Rama pyetjen;- se a ka shkelje të Kodit Zgjedhor?
Eksiola Shehu, Euronews Albania (38 sek): – Zoti Rama a mund të na tregoni diçka më shumë për sa i takon programit të pagave, a do të ketë një rritje tjetër pas datës 1 Prill ku do të aplikohet paga minimale prej 40.000 lekë brenda këtij viti… dhe së dyti ju thatë se herën e ardhshme kur pensionistët do të marrin edhe pensionin e tyre ata do të marrin edhe shpërblimin nqs do ta konsideroj të tillë. A jeni në shkelje të Kodit Zgjedhor i cili nuk lejon që qeveria katër muaj përpara zgjedhjeve të bëjë shpërblime të tilla, të ulë taksat dhe të ndikojë në këtë mënyrë tek qytetarët?
Tani, sëpari njëherë këto janë të gjitha çështje dhe janë të gjitha zotime që janë marrë denbabaden dhe s’kanë lidhje me kodin zgjedhor r nuk kanë asnjë lidhje me zgjedhjet. Dhe Mbi të gjitha për pensionistët që janë mbi të gjithë dhe që për 1 mijë e një arsye kanë dhënë më shumë se të gjithë dhe nga e gjithë kjo histori ndryshimi kanë marrë më pak të gjithë, as që nuk duhet t’i shkojë mendja njeriu ta bëjë këtë pyetje. Për më tepër që Ky për pensionistët është një adresim në vazhdim i një problemi që ekzisto, siç ekzistonte edhe më parë, por nëse nuk ndjehet, nuk ndjehet sepse se qeveria shqiptare është aty ,është aty në mbrojtje të gjithë konsumatorëve familjar në mbrojtje të të gjitha bizneseve të vogla, problemi i madh i krizës së energjisë dhe inflacioni dhe s’mund t’iu themi pensionistëve që nga taksa e jashtëzakonshme ju s’mund të merrni gjë se janë ca zgjedhje vendore dhe do prisni katër muaj se kështu kanë vendosur sëbashku partitë në ato kinezeritë e tyre për të bërë sisteme që janë ta panjohura në botë. Ne i respektojmë ato kinezëri që i kemi bërë vetë nuk ka asnjë diskutim. Por Kjo nuk mundet ti shkojë ne mend njeriu që mund të na pengojë ne që të se mund të shpërblejmë pensionistët, në kushtet kur për pensionistët që jo 5 mijë lekë të reja plus por 1 mijë lekë të reja plus për pensionistët janë të rëndësishme siç e dimë shumë mirë që të gjithë.“
Duam t’ju shprehim që në fillim se nuk nisemi aspak nga bërja e kritikës me qenë se na doli në shteg dhe, nga pakënaqësia, le t’i biem. Shikimi ynë bëhet kritik dhe shtrohet për të gjithë ata që flasin dhe dëgjojnë në Shqipëri dhe në diasporë. Nga reagimet e ndjekura mendohet se me situatën e përgjithshme ku ndodhet vendi, qeveria po vazhdon një teatër me lojë të dobët. Vërejmë qartazi vështirësinë e komunikimit dhe të transparencës së kreut të qeverisë edhe me mediat. Dhe atë mund ta lexosh dhe ta shohësh fare mirë edhe vetëm me një subjekt. Bombastik dhe premtues në titull. I qethur dhe i redaktuar me faqen online tek Shqiptarja.com, por jo i tillë dhe tradhtues në ekran për sa i përket kohës televizive në RaportTv (3min).
Ju lutemi që t’i krahasoni faqet origjinale dhe jepni vetë vlerësimin.
Një kaos i vërtetë, një hutim zgjedhor. Për dobi të zhurmës zgjedhore, flitet vetëm për arritje: me lekë të reja në rritjen e pensioneve, flitet me dollarë për metër katror për ndërtimet, paraqiten me ambicie për një rrogë 950 Euro deri në fund të vitit, etj. në një kohë kur, fare thjesht, si Kryeministri dhe kabineti i tij ashtu sikurse edhe media, të mund të flasin njëherë të vetme me një njësi më të qartë.
– A mund të na thonë se sa është vlera e 1ore punë?,… e pastaj le të bëjmë me qetësi të tjera llogaritje se me sa ushqim mbushet tryeza e familjes shqiptare, e më tej të llogarisim sa paguajmë për ujë, drita, vizita mjekësore dhe barna, funeral, veshje, libra shkolle, taksa e deri tek ekonomia e madhe që përfshijnë të tjera programe dhe politika sigurimesh ku zor se të zë veshi fjalën mirëqenie apo të jetosh me dinjitet.
Pra thjesht një lajm që duhet të jetë tërheqës, sa i gëzueshëm dhe i mirëpritur, del nga goja e kryeministrit me rrotullime, gjeste, pauza, arrogancë dhe mburrje. E gjithë kjo zhvillohet mes kreut të qeverisë dhe një grupi gazetarësh (video tregon vetëm tre prej tyre). Sigurisht e publikuar brenda ditës dhe mban si kohë mesditën e datës 29 Mars 2023. Saktësisht brenda 3 minutave. Vetëm 1 pyetje zë gati 1/5 e kohës dhe përgjigjja e redaktuar ngjan e pandërprerë.
Cili ishte mesazhi dhe çfarë u kuptua?
E parë me syrin e emigrantëve, rritja pritet mirë, pa çka se cila është realisht vlera e lekut dhe në çfarë raportesh lëviz ajo çdo ditë në lidhje me euron, dollarin etj. Nga ajo që mund të përfitojë publiku si informacion dhe si veprim i studiuar i politikave që ndjek qeveria, por fatkeqësisht ky lajm shmanget dhe zbret fund e krye në zotime propagandistike dhe demagogji ideologjike pragzgjedhore që, si asnjëherë, po i kalon Shqipëria, edhe pse sot mban statuse integrimi ndërkombëtar.
Niveli pasqyrues nga media përballë të tilla ngjarjeve duket se ka humbur guximin, ka ftohur nervin për të pyetur se si po qeveriset vendi dhe çfarë presioni dhe censure ushtrohet mbi to. Kryeministri ndjehet i vetëkënaqur dhe i plotfuqishëm pasi e di që Ai pëlqehet vetëm nga përkrahësit e tij dhe e ka treguar çdo herë nga mënyra se si u përgjigjet pyetjeve në kuvend, në studiot televizive, në social media, në podcast dhe në konferenca të porositura për shtyp.Në këtë rast Ai na dha vetëm një “raund 3 minutësh“-lajmi dhe u “godit” vetëm me një pyetje dhe pastaj me lëvizjet e duarve, pauzat e gjata dhe rrotullimin e mendimit Ai mendon se e arrin më së miri qëllimin e tij përmes ekraneve dhe mediave, pasi po punon qetësisht për të siguruar fitoren edhe në zgjedhjet e ardhshme të 14 Majit, 2023.
Sa po e tregon ajo veten në këto kushte vështirësish ekonomike që po kalojnë shqiptarët?
Cili është niveli i inflacionit?
Sa është numri i të papunëve?
Sa është numri i moshës së re që largohet nga vendi?
Këto pyetje i vijnë menjëherë nëpër mend lexuesit dhe shikuesit brenda dhe jashtë vendit, pavarësisht se ata presin që t’i gjejë fundin mesazhit propagandistik zgjedhor. Por mes fjalës së kryeministrit vështirë se do të munden(?!).
Atëherë ku është media e guximshme, e pavarur për të mos u bërë klienteliste dhe palë me pushtetin?
I vendosur dhe nënvleftësues në dukje pas pyetjes së gazetares Euronews Albania, kreu i qeverisë është aq i përqendruar në zgjedhjet e ardhshme saqë e ndjen se koha po i rrëshqet dhe nuk ka më as mundësi për të kapur dhe kuptuar gafat e veta. Dhe kjo ndodh vetëm brenda 2-3 minutave ligjëratë. Kryeministri bie në grackën e manifestimeve të mendjemadhësisë së vet, pasi ka përvojën që ua ka blerë mendjen shqiptarëve më parë dhe tani i duhet urtë e butë vetëm vota. Në rastin e rritjes së pensioneve, ajo motivohet edhe me më dhembshuri përsa i përket pensionistëve.
Këtu pikërisht dallon loja e dobët. Edhe kur merr përsipër dhënien e përgjigjes së zgjuar, Ai përzien zhargonin e pasur me “turqizma” dhe batuta të bordurave të para viteve ’90 në një vendim qeverie apo program ekonomik të saj përpara zgjedhësve. Madje, për të qenë “popullor” mbi zgjidhjen që po i bën çështjes (që është Ai dhe qeveria e tij që po hedhin 5 mijë lekëshin), dhe aleanca e kundërshtarëve politikë mund të goditet epitete raciste (edhe pse investimet kineze renditen të tretat), kryeministri të jep të gjithë ata tregues që të bëjnë të kuptosh se Edi i di të gjitha dhe flet pa letër.
Populli e kupton edhe kur Ai shfaqet në lajme. Kryeministri është gjithnjë edhe më i zoti pasi i ushqen me lajme gazetarët, sa edhe gojën ua mbyll me batuta. Është Ai që vazhdon të mendojë për pensionistët dhe ata duhet ta duartrokasin nga ekrani, pasi Ai përsëri përpara zgjedhjeve është ai që ua rriti pensionet (me turqizmën që e pasuron Ai e bëri edhe këtë rradhë “qokën” e vet,… e hodhi 5 mijë lekëshin), që me 14 Maj t’ua marrë pensionistëve urtë e butë votën. E pse jo! Janë 28% e popullsisë dhe tradicionalisht shumica e tyre voton majtas.
E habitshme! Nga 2015-2023, përsëri dinamikë programi dhe rritje pensionesh dhe zgjedhjet që afrojnë janë padyshim rastësi,… dhe lehtësisht për Ramën, qëndrim në pushtet.
Le ta shpjegojmë këtë dukuri. Dy janë vështrimet më të para. 1- Kush kujdeset për fjalimet e kryeministrit në një kohë kur rajoni dhe bota po kalojnë sprova ekonomike, sociale dhe diplomatike.
2- Nuk na intereson se nga anon Shqiptarja.com dhe autorët për shkrimin dhe video lajmin. Ajo që të vret syrin është krasitja dhe rrëshqitja e mesazhit elektoral në emër të gazetarisë si profesion. Teksti është i qëruar nga turqizmat “denbabaden”, por ka mbetur batuta “kinezëri”.
Ja, pra, le ta pranojmë të tillë dhe për të qenë të vërtetë le ta quajmë se ndoqëm vërtet ato që ndodhin. Por vetëm me këtë rast dhe vetëm me një “raund 3 minutësh“-lajmi, ju mund të qartësoni pas saj efektin e shtirjes dhe propagandën e pakujdesshme mediatike gjatë një fushate zgjedhore.
Edhe në qoftë se do t’ia linim me kaq vetëm rastësisë, frika është se media shqiptare sot gjendet e mpirë përballë pushtetit. Ajo ka në dorë të jetë e pavarur dhe kritike kur faktet flasin vetë. Media ka rastin dhe mundësinë që të nxjerrë në dukje gafën kryeministrore. Të kritikojë etikën e udhëheqësit, heshtjen dhe harresën pas gafave, aktrimin e dobët dhe batutat që, së paku, Ai të korrigjojë fjalorin dhe të kërkojë ndjesë kur, me këto fjalë dhe nivel dijesh, i drejtohet një publiku të lodhur dhe të varfër brenda vendit dhe ky mesazh shpërndahet kudo ku ka shqiptarë. Kryeministri, brenda këtyre viteve të gjata të karrierës në pushtet, besohet se e ka fituar edhe aftësinë e tërheqjes pa e zënë tatëpjeta. Por duket se mendjes së madhe as rrethi i këshilltarëve të vet, tashmë që janë të lodhur, nuk mund ta bindin dhe janë një mendje me të.
Me këtë gjuhë dhe sjellje me publikun, të mos pretendojmë se jemi me kulturë dhe marrëdhënie të qytetëruara e të përfaqësuar me të tillë udhëheqësi drejt Europës.
Nqs populli nuk zgjohet për të kuptuar se çfarë udhëheqje ka dhe çfarë drejtimi kërkon për jetën e vet, atëherë le të durojë “qokat vjetore” për të zbutur varfërinë e moshave të pensionit si edhe të atyre shtetasve që kanë mbetur pa punë deri sa t’u vijë mosha e pensionit.
Sa po e tregon ajo veten në këto kushte vështirësish ekonomike që po kalojnë shqiptarët?
Cili është niveli i inflacionit?
Sa është numuri i të papunëve?
Sa është numuri i moshës së re që largohet nga vendi çdo ditë?
… këta janë nja katër-pesë “grushta-pyetjesh” vetëm për një raund 3 minutësh për kreun e qeverisë nga gazetarët pa patur nevojë që të ndjekim më pas vazhdimin e viteve të tjera të qeverisjes së dobët.
Prej 2015, pensionet kanë reflektuar rritje, por mjerimi dhe varfëria ka mbetur mes pensionistëve. Jo vetëm kaq: trendi i premtimeve zgjedhore vazhdon nga kryeministri. Edhe pse gati një muaj para zgjedhjeve Ai vazhdon premtimet me rritje rrogash për mjekët, infermierët, mësuesit dhe ushtarakët, ku vazhdojnë “qokat” të pandashme nga gafat. Në qoftë se dikush pyet se nga dalin këto para, përgjigja vjen nga “taksa speciale mbi kompanitë e mëdha”. Nqs do të shihnim shifrat, numri i pensionistëve që presin rritje është rreth 700 mijë këtë vit.
Po shtresat e tjera të popullsisë dhe profesionet e lartpërmendura që vazhdohet t’iu premtohet?
Ky premtim, në se kritikohet – pasi këto akte bien në kundershtim me Kodin Zgjedhor të RSH, Rama kundërvë sulmin verbal duke i quajtur “analfabetizëm politik” vërejtjet për shkeljet që Ai vetë i bën.
Pra, thuajse 75% e popullsisë do të ndjejë rritjen pagave nga burime që qeveria mesa duket i ka. Frika është se shifrat flasin ndryshe. Tani popullsia me moshë të re po synon të largohet nga Shqipëria çdo ditë dhe pak prej tyre ndodh të kthehen. Në këtë pragzgjedhor të mos habitemi që votat kanë tashmë një çmim… Ndërsa pë pensionistët: -Çfarë mund të përballohet me “5 mijë lekë të reja plus” në Shqipëri.
Ka mbetur vetëm një “raund 3 minutësh” me “grushta-pyetjesh” për median, Komisionin Zgjedhor dhe për të gjithë ata që e duan demokracinë në Shqipëri.
Sa po e tregon ajo veten në këto kushte vështirësish ekonomike që po kalojnë shqiptarët?
Cili është niveli i inflacionit?
Sa është numri i të papunëve?
Sa është numri i moshës së re që largohet nga vendi çdo ditë?
Ndryshe dhe fatkeqësisht vendit do t’i mbeten politikanët e dështuar dhe të papunët që u mbetet të presin nga ekonomistët për t’ju treguar se ku gjendet puna dhe sa vlerë ka 1 orë punë, një refren i të papunëve në pritje deri sa t’u vijë mosha e pensionit.
A jetojnë dot sot shqiptarët me shumën e orëve të punës?
Referenca