Nga Mimoza Dajçi
Tiranë, Shkurt 2018
Bazuar në programin e OKB për personat e vrarë e zhdukur nga komunizmi në Shqipëri, Stacioni Televiziv – BBC filloi xhirimet e një dokumentari, që pritet të shfaqet në mars. Në vitin 2016, gati dy vite më parë Organizata e Kombeve të Bashkuara i tërhoqi vëmëndjen qeverisë shqiptare se, duhet të bëjë përpjekje për evidentimin e 6000 personave të vrarë e zhdukur nga rregjimi komunist në Shqipëri. Përfaqësuesja e lartë e OKB, Zj. Houris EsSalmi tha se: “Ka ardhur koha që Shqipëria duhet të kthejë vëmëndjen edhe tek kjo faqe e dhimbshme e së kaluarës. Të gjithë personat e zhdukur dhe familjarët e tyre citon të ketë thënë Zj, Salmi kanë të drejtën e mirëkuptimit, rehabilitimit dhe garancisë për mos përsëritje të këtyre krimeve”.
Por edhe pse 28 vite pas përmbysjes së rregjimit komunist, akoma asnjë hap e asnjë lëvizje nuk është ndërrmarë në këtë drejtim. Eh, pikërisht për ti vënë rrotat mbi trarë Stacioni Televiziv BBC u angazhua për realizimin e një dokumentari që flet për të pushkatuarit pa gjyq dhe të zhdukurit nga diktatura komuniste në Shqipëri. Nisur nga kjo nismë gazetarët e BBC filluan hulumtimet rreth këtyre ngjarjeve e viktimave duke marrë kontakte edhe me familjarë e të afërm të tyre si dhe duke rrishikuar historinë e Shqipërisë mbi atë të kaluar të hidhur që ka përjetuar padrejtësisht populli ynë.
Si një ndër autoret shqiptare që pas vitit 1992 ka pasqyruar realisht jetën në diktaturë si për gratë, burrat, fëmijët, internimet, vrasjet, burgosjet qysh pas rënies së komunizmit në Shqipëri 1992 ishte përzgjedhur edhe emri im. U ndjeva mirë.
Bravo edhe për stafin e këtij Stacioni të fuqishëm mediatik, që ka përveshur mëngët, studion e kërkon materiale që mund ti vinë në ndihmë punës së tyre kreative. Një falenderim me këtë rast i takon SHBA, OKB, BBC për realizimin e kësaj ëndrre të shqiptarëve. Por nuk mund të le pa përmendur gazetarin e palodhur të BBC Z. Shkumbin Ahmetxhekaj si kryesori i këtij projekti prestigjos, i cili me hulumtimet e tij arriti të njohë jo vetëm realitetin e jetës në komunizëm, por edhe të kontaktojë personat që i duheshin për këtë dokumentar.
Por edhe pse qeveritë nuk kanë realizuar në kohë dëmshpërblimet e të drejtat e ish të persekutuarve politikë shumë personalitete të penës, ish të burgosur e të persekutuar politikë janë angazhuar në dritë zbardhjen e krimeve te komunizmit. Në Shqipëri kemi gazetat e ish të persekutuarve politikë “Iliria”, “Përndjekja”, “ku kam qenë edhe në staf të kësaj gazete,”Iliria A” dhe kam disa emra që kam bashkëpunuar nga afër qysh nga viti 1992 si zotërinjtë Uran Butka, Kostaq Xoxa, Vesel Kulla, Urhan Kostreci, Bedri Çoku, Pjetër Pepa, Tomorr Aliko, Çesar Malile, Lek Dosti, Abdyl Kërlulu, Njazi Lleshi, Hasan Drini, Lek Mirakaj, Bedri Myftari, Tanush Kaso, Agim Musta, Beqir Sina, Ilir Gjoka, Klajd Kapinova, Albert Vataj, Mujë Buçpapaj, Halil Rama, Mili Xhani, Ilir Kulla, Skënder Shkupi, Ylli Rakipi, Mero Baze, Dashnor Kaloçi. Kërkoj ndjesë sigurisht edhe për mos vendosjen e emrave të tjerë, por që nuk po më kujtohen për momentin.
Po ndalem pak tek puna e mrekullueshme në këtë drejtim që kanë bërë edhe disa femra, të cilat sigurisht janë të Rralla do të thoja për guximin e përkushtimin e tyre duke pasqyruar realisht jetën në diktaturë. Kemi ish të persekutuarat politike shkrimtaret Eglantina Mandia, Fatbardha Mulleti, botuesen, gazetaren, poeten e përkthyesen e njohur Zj. Elida Buçpapaj. E cila edhe ajo me shpirtin e saj karizmatik e zemër të madhe, e palodhur kurdoherë jo vetëm që shkruan artikuj e ngjarje kundër krimeve të komunizmit në Shqipëri, por mbështet dhe i inkurajon materialet publicitare të ish të persekutuarve politikë duke i botuar edhe tek voal.ch – Voice of Albanians, portali që sëbashku me bashkëshortin e saj botuesin, shkrimtarin, poetin e publicistin e njohur Z. Skënder Buçpapaj kanë vite që e kanë themeluar e po bëjnë një punë me nivel të lartë bashkëkohor. Kemi gazetat, “Illyria”, “Dielli”, revistat “Jeta Katolike”, ,”Kuvendi” në SHBA, “Rilindja Demokratike”, “Albania”, “Koha Jonë”, “Tema”, “Nacional”në Shqipëri, “Bota Sot” në Kosovë që janë media pro demokracisë dhe shtresës së ish të persekutuar politike të Shqipërisë.
Vepra nga burgu dhe për torturat nëpër burgje e kampe përqëndrimi shqiptare kanë shkruar edhe shrimtarët Astrit Delvina, Urhan Kalakulla, Bedri Çoku, Henrik Gjoka, Amik Kasaruho, Pjeter Arbnori, At Zef Pëllumbi, Sami Reishti, Fatos Lubonja, Elez Biberaj, Frank Shkreli, Maks Velo, Agron Tufa, Gëzim Çela, Makensen Bungo, Visar Zhiti, Tom Mriaj, Klajd Kapinova, Mark Shkerli. Ish Ish i burgosuri politik i burgut të Spaçit Pëllumb Lamaj, i cili jeton në Amerikë ka realizuar edhe një dokumentar për tmerret e burgut të Spacit.
Me krijueset Eglantina Mandia, Elida Buçpapaj, Rita Saliu e Merita Shkupi patëm rast të bashkëpunojmë edhe me rastin e 100 vjetorit të lindjes së heroinës sonë kombëtare ish të burgosur politike në Shqipëri Musine Kokalari. Ishte një koordinim i shkëlqyer i përpjekjeve tona, për vlerësimin e figurës shumë dimensionale të Musine Kokalarit, ku pikërisht për këto pregatitje madhore do të thoja, gjetëm menjëherë mbështetjen me materiale, foto dhe dokumente ekskluzive nga Muzeu Historik “Musine Kokalari” në Gjirokastër dhe vetë mbesat e Musinesë – Evi, Arjeta dhe Enit Kokalari, ku realizuam me sukses Simposiumin Shkencor për Musine Kokalarin në emër të Organizatës së Gruas “Hope & Peace” në SHBA dhe Kryetarin e “Vatrës” Dr. Gjon Buçaj dhe Federatën “Vatra”. Organizata e Gruas Hope & Peace në SHBA, është një grupim i pavarur që merret me të drejtat e gruas në SHBA.
Pra gazetarët e BBC më kontaktuan, më thanë se me ju jemi njohur nëpërmjet shkrimeve tuaja publikuar në media të ndryshme për ish të persekutuarit politikë dhe jemi të interesuar për të realizuar një dokumentar për të zhdukurit nga komunizmi, ku bën pjesë edhe xhaxhai juaj Rasim Dajçi, i pushkatuar pa gjyq, eshtrat e të cilit ju akoma nuk i keni gjetur.
U befasova, por ky bashkëpunim më ngjalli shpresën e fundit. Aq më tepër që është amaneti i tim eti, dhe obligimi im personal. E pashë si dritë jeshile në horizont, jo vetëm për gjetjen e eshtrave të xhaxhait tim që kemi shumë vite që po i kërkojmë, por edhe të shumë ushtarakëve të tjerë të lartë që u pushkatuan po atë natë të ftohtë dimri me xhaxhin tim nga forcat sllavo-komuniste me në krye Shefqet Peçin. Kjo masakër vëllavrasëse urdhëruar direkt nga diktatori Hoxha, si edhe shumë masakra të tjera që kanë ndodhur në Gjirokastër, Malësi e madhe, Tepelenë, rrëzë Malit të Dajtit, etj, ndodhi më 15 Nëntor të vitit 1945 në Prizren.
Takimi me gazetarët e BBC…
Për tu takuar e biseduar me gazetarët e TV-BBC më duhej të udhëtoja në Shqipëri. U shkëputa nga puna për disa ditë, lashë pa përfunduar edhe disa projekte që më duhej ti dorëzoja diku, e u nisa. Udhëtoja mes emocionesh, mbarta me vehte shumë brenga, kujtime të së shkuarës, duke patur parasysh edhe hallet që ka përjetuar familja jonë në atë periudhë të rëndë. Sigurisht nuk jam unë specifikisht personi që kam vuajtur më shumë gjatë atij rregjimi makabër, por luftën e klasave e kam përjetuar vërtetë shumë keq. E drejta për të ndjekur shkollën e mesme artistike për pikturë dhe e larta nuk mu dha. Edhe pse shumë e re në moshë fronti demokratik i lagjes atë kohë më dërgonte në punë tepër të rënda të detyrara. Mijra të tjerë të rinj e të reja u internuan, humbën jetën burgjeve, por doja të thoja se persekucioni politik në familjen time lindi pa ardhur unë ende në jetë, qysh me pushkatimin e xhaxhait tim Rasim Mehmet Dajçi si antikomunist, e më pas me përndjekjen që sigurimi i shtetit i bënte tim eti për shkak të pushkatimit të vëllait të tij, si kosovar me parime demokratike e atdhetare, që kjo për atë kohë fliste shumë. Pra gjithë jetën nën mbikqyrje deri sa erdhi dita e arrestimit edhe e babait tim, të cilin në burgun 326 në Tiranë munda ta takoj vetëm pas dy vitesh hetuesi… U dënua me nenin agjitacion – propagandë, armik i popullit dhe si kosovar që kërkonte bashkimin e Shqipërisë me Kosovën e trevat e tjera shqiptare…
Me gazetarët e BBC u takova në Tiranë. Në kamera filmonte Stivi, një djalë i ri, i shkathët e tepër i talentuar, fitues i disa çmimeve ndërkombëtare në profesionin e tij, Angela – gazetarja simpatike dhe një femër inteligjente e BBC, fituese edhe ajo e disa çmimeve të larta internacionale në disa dokumentarë. Sigurisht nuk mund të le pa përmendur Shkumbin Ahmetxhekaj, gazetarin shqiptar të TV – BBC, i cili bëri të mundur kontaktet me mua, bazuar tek hulumtimet e shumta për të persekutuarit politikë në Shqipëri, ku kishte parë shpesh ne media te ndryshme edhe emrin tim. Kjo ishte arsyeja që TV – BBC me qendër nē Britanin e Madhe më ftoi për të qenë pjesë e këtij dokumentari.
Tek Zyrat e Autoritetit…
Për të hedhur dritë mbi pushkatimin pa gjyq të xhaxhait tim sigurisht do të shërbente edhe hapja e dosjes së tij, ku në prezencë edhe të gazetarëve të BBC, firmosa tek Instituti i Autoritetit hapjen e dosjes së tij dhe hapjen e dosjes së babait tim. Hapja e të dyja dosjeve do ti shërbejë ngjarjes në fjalë.
Edhe pse Komisioni Tri Palësh në Shqipëri e ka njohur xhaxhain tim si i pushkatuar pa gjyq Grupi “A”, në nëntor të vitit 1945 nga forcat sllavo komuniste, përsëri duhet punë për tu bërë për gjetjen e eshtrave të tij, hapjen e një varri e vendosjen e një tufë me lule pranë tij.
Përpjekjet për gjetjen e eshtrave të xhaxhait tim nga ana ime dhe e babait tim nuk kanë rreshtur kurrë. Ato kanë qenë të pandërprera e të vazhdueshme si me kontakte në Shqipëri, Kosovë, me kërkime nëpër institucionet përkatëse, shkrimet e mia të herë pas herëshme publikuar nëpër media të ndryshme për të persekutuarit politikë, ku mes tyre kërkoja edhe eshtrat e xhaxhait tim të pushkatuar e zhdukur pa ndonjë vendim gjyqësor.
Për të zbardhur të vërtetën e kësaj ngjarje, para disa vitesh sëbashku me babain tim hapëm edhe një gjyq në Gjykatën e Tiranës, por më kot. Nuk po llogarisnim shpenzimet e një gjyqi e mundin tonë, por vetëm kërkonim gjetjen e eshtrave të tij në shënjë kujtimi e respekti për vetë atë e për familjen tonë, pasi ai nuk ishte kriminel, nuk ka fakte që ai të ketë vrarë njeri e të vendosim një tufë me lule apo të ndezim një qiri. Në librin me titull “Lidhja e Prizrenit” me autorë shkrimtarët Tom Mriaj e Klajd Kapinova, të pushkatuarit pa gjyq të masakrës – Nëntor 1945 në Prizren i kanë quajtur heronj, sepse kundërshtuan regjimin, diktaturën komuniste e nuk u bënë bashkëpunëtore të tij. Emrat e tyre janë; Kolonel Fuat Dibra, Kolonel Asllan Vela, N/kryetar Sadik Shkupi, Major Hasha, Kapiten Hajdar Planeja, Kapiten Rasim Dajçi, Kapiten Hysni Rudi, Kapiten Gjon Destanishta, Kapiten Mark Thani, Toger Musli Dobruna, N/toger Qazim Gostivari e Aspirant Reshit Kacaniku. Emrin e Rasim Dajçit, si i pushkatuar pa gjyq më 15 nëntor të vitit 1945 në Prizren nga forcat sllavo komuniste me ne krye Shefqet Peçin e kam parë edhe botimet krijuese të shkrimtares së njohur Eglantina Mandia.
Arrestimi e pushkatimi i tyre pati jehonë të madhe, fotografitë e tyre si antikomunistë e armiq të popullit u vendosën në çdo cep e shtyllë elektriku në Prizren, por megjithë vrasjet që kryenin serbët e komunistët shqiptarë nuk mundën t’ia arrinin qëllimit për të frikësuar popullin e Kosovës e për ta mposhtur atë. U arrestuan natën në të gdhirë të 15 nëntorit të vitit 1945, të dorëzuar për pushkatim nga rregjimi i Enver Hoxhës.
Rasimi Mehmet Dajçi, kishte kryer Shkollën Teknike Amerikane “Harry Fultz” në Tiranë dega arkitekturë, më pas Akademin e Lartë Ushtarake, dhe u caktua në detyrë, mbrojten e ruajtjes së rendit në Prizren. Ishte një i ri inteligjent, rrogëtar i kohës, patriot, atdhetar i flaktë, e donte jetën, e lirinë e vendit. Nuk kishte as një vit që ishte martuar kur e arrestuan, natën vonë. Nuk la fëmijë, ne jemi për atë fëmijët e tij, e që personalisht ruaj për atë kujtimet më të mira nga im atë e gjyshërit e mi. Sipas bisedave të grumbullurara në momentin e pushkatimit skuadra e pushkatimit e pat pyetur Rasimin: “a do të bashkëpunosh me ne apo do të vritesh si antikomunist. Dhe ai prerazi i është përgjigjur: “Unë do të vdes si antikomunist e me ju nuk bashkëpunoj kurrë”.
Mbi trupin e tij e ushtarakëve të tjerë të lartë vërshuan breshëritë e plumbave. Fillimisht i arrestuan, i torturuan në një shtëpi burg në Prizren, më pas i pushkatojnë pa gjyq. Ja kjo është ajo pjesë e historisë së dhimbshme që akoma nuk e merr askush mundin për të hedhur dritë, e të shkruhet siç ka ekzistuar në të vërtetë.
Përpjekjet tona dhe hapja e gjyqit për Rasimin ishte në një farë mënyre puna që po kryen sot Instituti i Autoritetit që u ngrit në Shqipëri pas 27 vitesh të përmbysjes së rregjimit komunist dhe si çdo individ e familjar që ka të drejtë të nënshkruajë hapjen e dosjeve të familjarëve e të afërmve të tij edhe unë morra iniciativën për hapjen e dosjes së babait e xhaxhait tim.
Shqipëria është vendi që ka kaluar diktaturën më të egër në Europë, flitet se shumë dosje janë zhdukur, i ka prishur koha, shpresoj që dosjet e babait e xhaxhait tim të gjenden. Cilido, që ka vënë dorë mbi këto dokumenta tepër sekrete e serioze të popullit tonë, duke abuzuar apo i zhdukur duhet të dalë përpara drejtësisë si një krim i dytë që i bëhet vendit tonë. Pasi nëse krimi nuk ndëshkohet, ka mundësi të përsëritet.
Ashtu siç e thashë më sipër kisha emocion bashkuar me hallet e familjes si edhe të mijra dramave e tragjedive që ka kaluar populli ynë gjatë viteve të diktaturës komuniste në Shqipëri, por takimi me gazetarët e BBC, biseda e ngrohtë e miqësore me ata si dhe pritja plot respekt nga drejtuesi i lartë i zyrës së Autoritetit Z. Selami Zalla mi larguan sado pak emocionet e çastit.
Udhëtim ne Burgun e Spaçit...
Gjatë qëndrimit tim të shkurtër në Shqipëri, pata rast që me grupin e gazetarëve të huaj të udhëtoja edhe drejt burgut famëkeq të Spaçit ose siç njihet sot Muzeu i Burgut të Spaçit.
Aty pashë tmerret pa fund, që kanë përjetuar ish të burgosurit politikë të Shqipërisë, male të thepisura, shkëmbore e pa asnjë shans “arratisje” që andej. Minierën, galeri e kapanone torturash, varre masive. Ish burgu komunist i Shqipërisë, ku bie në sy izolimi gjeografik i zonës, rrethuar nga të katër anët me male të lartë. Ndërtuar në vitin 1968 rrotull një miniere të vjetër shfrytëzuar në vitet 30 nga italianët për nxjerrjen e bakrit e piritit. Burgu i Spaçit njihet si burgu i terrorit, frikës e shtypjes dhe si një metaforë e goditur e persekucionit komunist, sepse të dënuarit politikë që dërgoheshin aty, ishin khtyer në skllevër pune pranë asaj miniere e nuk gëzonin asnjë lloj etike jetese. Në vitet 70 kur burgu punote me kapacitet të plotë numri i të burgosurve arriti deri në 1400. Jeta, kushtet mizerabël të punës dhe torturat pa fund bënë që të linin jetën aty mijra djem nënash, të cilët hynin aty në moshë të re, e dilnin të moshuar të sëmurë rëndë apo nuk dilnin fare, e personeli i burgut nuk u jepte as trupat familjeve, sikur ata të mos ishin qënie njerëzore. Të afërmit e të burgosurve që vinin për ti vizituar e bënin rrugën në këmbë 7 km nga Repsi në Spaç sepse kamionet e minierës e kishin të ndaluar t’i merrnin.
Një pjesë e mirë e të dënuarve politikë në burgun e Spaçit ishin intelektualë të klasit të parë, klerikë të nderuar, shkrimtarë, ekonomistë, fshatarë, qytatarë e djem të thjeshtë nënash e motrash të vuajtuara. Kishte edhe shumë shqiptarë nga Kosova. Në tynelet e nëndheshme gjetën vdekjen qindra njerëz, trupat e të cilëve nuk u jepeshin familjeve deri sa të vdekur të kryenin dënimin e plotë.
Më 21 Maj të vitit 1973 të burgosurit e Spaçit të lodhur nga puna e rëndë, ushqimi i pakët e dhuna fizike shpërthyen në një revoltë masive e cila zgjati tri ditë. Të burgosurit në kampin e braktisur nga policët dhe rojet brohorisnin kundër diktaturës komuniste, kundër ideollogjisë marksiste, e pro demokracisë. Nëpër dhomat e fjetjes e të torturave pashë e fotografova shumë vizatime e piktura nga vetë të dënuarit deri edhe në tavanet e mureve, si televizorë, libra, zogj, lule, simbole të paqes, jetës, të Amerikës etj…
Atje u artikulua për herë të pare shprehja; “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Një prej gjesteve simbolike e më domethënëse që shënoi edhe kulmin e revoltës ishte ngritja e flamurit kombëtar pa yllin e kuq komunist, mbi terracën e njërës prej fjetoreve. Flamuri u improvuzua me mjete rrethanore nga vetë të burgosurit. Revolta e 21 Majit 1973 u shtyp egërsisht nga autoritetet, duke përdorur trupa dhe mjete ushtarake.
Prej vitit 1990, burgu i Spaçit është kthyer në Muze i Kategorisë së Dytë…
Mijra e mijra krime e kalvare vuajtjesh të gjatë kanë parë e dëgjuar malet e lartë të Spaçit, Oroshit, Mirditës, Repsit, Qafë Barit, Ballshit, Tepelenës, Lushnjës etj nga kamxhiku i hekurt i xhelatëve shqiptarë, prandaj i takon qeverisë të lëvrojë fonde e kineastëve tanë për të realizuar filma e dokumetarë për të njohur bota e brezat e ardhshëm të kaluarën e errët të vendit tonë.
Mos të harrojmë Shqipërinë burg, ndarë nga bota e qytetëruar për afro gjysëm shekulli, izoluar e gjitha nën klonin e kuq. Ku “njeriu po hante njeriun” burri denonconte gruan, e gruaja burrin…
Shumë fonde dalin aty nga qeveria apo biznese për show vallëzimi e humori, por le të kthehet paksa vëmendja tek kjo faqe e historisë që na i ka vënë “Detyrë Shtëpie” bota e huaj apo Organizata e Kombeve të Bashkuara, për të Drejtat e Mohuara të Njeriut.
Miniera e Spaçit sot shfrytëzohej nga një kompani turke, e cila e ka marrë me konçesion për 10 vite për të ngritur aty fabrikën e pasurimit të bakrit. Unë rastësisht takova aty edhe vajzën Mirditore, ish studenten e Universitetit “LaSapinza” në Romë për dipllomaci, punësuar si menaxhere pranë firmës turke, Zj. Griselda Loku, e cila pak kohë më parë foli edhe në Parlamentin Shqiptar mbi fatin e të ardhmen e bujqësisë e blegtorisë së vendit.
Në Tiranë…
Gjithashtu në Tiranë u takova edhe me miken time të mirë, ish të persekutuar politike nga rregjimi komunist në Shqipëri Zj. Rozana Gjergji, pasi i ati i saj patrioti, shkrimtari dhe dramaturku i njohur Kolec Cima, u dënua për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor e vuajti dënimin në burgun e Spaçit. Rozana, në fëmijërinë e saj si shahiste e arstiste e vogël ka interpretuar tek filmi “Dy herë mat”. Sot ajo është shahiste e trajnere me famë boterore, avokate e aftë, bashkëshorte dhe nënë e mrekullueshme për tre fëmijët e saj.
Mimosa: te uroj thell nga zemra per punen tuaj mby te verteten e Spacit….Une,Kasim Hoxha vuajtja 10 vejet ne ate ferr qe ska njohur historia e botes …10 Viet pa ere,pa diell qe dermuan rinin time…Ne fotografit shoh vetem muret e atij burgu famkeq,dua te ju kujtoj se Munson dicka teper me rendesi me kompleksin e burgun museum,ajo me e llahtarshmja e llahtareve qe na pane syte tane…Nuk ka asnje fotografi per Galerit e Zeza gjith tym,aty ishe vuajtja tone me e madhe….shpresoj se dikush do marr mundimin ta krijoj nje imazh te atyre galerive primitive…kaq te uroj Sukses ne punen tuaj!..