Të nderuar gazetarë, meqenëse dikur kam ëndërruar të bëhesha njëri nga ju, ëndrrat edhe dalin, dhe meqenëse këto vite rasti e ka dashur të jap leksionet e Të Drejtës Kushtetuese në fakultetin e Gazetarisë, më lejoni të bëj një përmbledhje për rëndësinë e të drejtave të njeriut në shoqëritë moderne, për funksionimin e demokracisë, por edhe për profesionalizmin në punën tuaj të përditshme.
Neni 13 i ligjit për organizimin dhe funksionimin e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) u bë nxitësi i këtij reflektimi. Konsiderojeni këtë rast dhe si një ftesë që, me hallin për një media të lirë, të mund të qajmë dhe hallin e të drejtave kushtetuese të individëve, që janë katandisur si mos më keq, në Shqipërinë ku jemi të destinuar të ndërtojmë jetët tona dhe të pasardhësve tanë.
Jo pa qëllim, Kushtetuta, akti më i lartë juridik në çdo shtet modern, brenda të njëjtit tekst, parashikon njëkohësisht edhe tërësinë e kompetencave të institucioneve publike dhe të drejtat themelore të secilit qytetar. Popujt, kur shkruan kushtetutat, kishin për qëllim së pari që kontrata sociale të garantonte se vetë ata do mund të zgjidhnin funksionarët që do t’i ushtronin përkohësisht pushtetet e tyre, me kushtin që ata t’i ushtronin pushtetet vetëm sipas parimeve demokratike të parashikuara në Kushtetutë dhe gjithmonë në përputhje me të drejtat themelore të vetë individëve të sanksionuara po atje, që në fakt përbëjnë vlerat kryesore të shoqërive moderne.
Në qoftë se të drejtat dhe liritë themelore nuk do të parashikoheshin në Kushtetutë, por në ligje të thjeshta, ato do të mund të përdhoseshin krejt lehtë nga pushtetarët. E drejta ime për të vendosur rregulla buron nga një akt më i lartë hierarkik se e drejta jote si individ e parashikuar nga ligji i zakonshëm, do të ishte logjika e pushtetit. Dhe në bazë të kësaj logjike, policia do mund të bastiste shtëpitë tona në çdo moment, të përgjonte edhe bisedat tona intime elektronike, apo të na burgoste, kur mendimi ynë nuk përputhej me interesat politike të funksionarit.
Por jo, e drejta e shtetit për të ushtruar pushtetet mbi çdo individ është e barabartë me të drejtat themelore të secilit individ, duke filluar nga ajo e mbrojtjes së të dhënave personale deri tek e drejta e jetës. Vetëm në këtë mënyrë, popujt garantojnë të drejtat e tyre, që jo pa qëllim janë quajtur natyrore, pavarësisht nëse funksionari, që po vetë e kanë zgjedhur, rastis të jetë apo jo “njeri i mirë”.
Të seleksionuara si vlerat kryesore të tyre, shoqëritë moderne e kanë diskutim të përditshëm dhe themelor nivelin e respektimit dhe të afirmimit të vazhdueshëm të të drejtave dhe lirive kushtetuese të individëve. Është e kuptueshme ýqë në Shqipërinë e postdiktaturës komuniste, ku njerëzit kishin vështirësi ekzistenciale, të kishte një neglizhencë edhe në debatin publik për të drejtat dhe liritë themelore, për nivelin e respektimit dhe për garantimin e tyre nga shteti.
Por është krejt e pabesueshme sot që për to të flitet kaq rrallë, ato nuk përbëjnë interes për veshët e publikut, që ndonjëherë angazhohet dhe në zgjedhjet presidenciale amerikane, madje sebep për të diskutuar mbi to të bëhet pikërisht Reforma në Drejtësi, një nen paradoksal i secilës duket të jetë formuluar nga dikush që jo vetëm nuk e ka lexuar asnjëherë Kushtetutën tonë, por s’ka haber nga jurisprudenca, sa kohë ka guxuar që të kërcënojë me burg çdokënd që përmbush një të drejtë themelore: atë të shprehjes apo të shtypit.
Neni 13 i ligjit të SPAK duket si një nen i harruar atje që nga projekti fillestar i Reformës në Drejtësi, që kishte një qëllim tinëzar, kapjen e pushtetit të drejtësisë nga një dorë e errët, shndërrimin e tij në një mashë që do mund të vinte nën thundrën jo vetëm klasën politike vendëse, por të gjithë organizimin shoqëror në Shqipërinë e vogël. Qëllimi për të futur në burg kundërshtarët politikë nëpërmjet një strukture me një emër perëndimor, siç ishte SPAK, realizohej më lehtë duke kërcënuar me burg çdo gazetar apo individ që denonconte këtë proces antidemokratik.
Opozita, që e vetme arriti ta fusë reformën në binarët demokratikë, nuk do të ketë vështirësi për të pastruar këtë nen që cenon të drejtën themelore të shprehjes dhe shtypit, sa kohë për këtë çështje duket se ju ka me vete të gjithë ju, komunitetin e madh të gazetarëve dhe medias. Dhe këtu ia vlen të thuash se në procesin e madh shoqëror për miratimin e Reformës në Drejtësi, media u tregua jo pak syleshe.
Ajo, për ca audiencë më tepër, gjatë gjithë procesit të reformës mbeti një amplifikatore e mendimit popullor se reforma duhet bërë me çdo kusht, qoftë dhe me koston që Ekzekutivi të kapte Gjyqësorin dhe të prishte parimin e ndarjes së pushteteve, apo se ambasadat kanë të drejtë dhe kur kërkonin që Operacioni i Monitorimit Ndërkombëtar të mund të shkarkonte nga detyra çdo gjyqtar apo prokuror, pa asnjë shkak të faktuar dhe pa arsyetuar vendimin madje.
Media nuk arriti kurrë të ngrihej në misionin e orientimit të opinionit publik për nga interesi i tij më i lartë. ýPor, pavarësisht kësaj, qëllimi i këtij shkrimi nuk është ky. Opozita gjithashtu e ka detyrim mbrojtjen e interesit publik dhe ajo ia arriti me ndryshimet kushtetuese ta mbrojë atë. As të merrem vetëm me kërcënimin me burg që i bëhet sot medias nuk kam ndërmend. Do të ishte njësoj si të regjistroheshe vullnetar, pasi ushtria e ka fituar luftën.
Sigurisht që me këtë rast ia vlen të thuash se neni 13 i ligjit të SPAK prek njësoj të drejtën e shprehjes, siç prekin të drejtat e njeriut të gjitha aksionet qeveritare këto 3 vite; është njësoj arbitrar si shumë vendime të këtyre kohëve, që i trajtojnë shqiptarët si kafshët e fermës së drejtuar nga derrat të Orwell, -ia vlen njësoj për t’u denoncuar, siç do t’ia vlente të denoncoheshin pothuaj të gjitha reformat e ndërmarra nga shteti që, si ariu në dyqanin e qelqurinave, shkelin dhe dhunojnë të drejtat tona themelore. Përpjekja për t’i mbyllur gojën medias është njësoj antikushtetuese si spastrimi masiv i administratës për arsye politike, që përdhos të drejtën e mbrojtjes së marrëdhënies së punës – disa për këtë shkak kanë shkuar deri në vetëvrasje- njësoj si blerja e votës në Korçë me 20 mijë lekë, që asgjëson lirinë për të zgjedhur, si aksioni i ndërprerjes së energjisë elektrike që pamundësonte ushtrimin e të drejtave elementare për mijëra fëmijë dhe familje, si kur ruspat u turren mbi pronat e shqiptarëve për t’i prishur ato pa i lënë askujt të drejtën e ankimimit në gjykatë si pjesë e të drejtës për një proces të rregullt ligjor.
Rikthimi i nenit të agjitacion dhe propagandës është njësoj antikushtetues, si në atë rastin kur qytetarët u rrahën pse protestonin për ndërtimin te Parku i Liqenit dhe nuk u lejuan të ngrinin një çadër për të ushtruar të drejtën themelore të protestës; si atëherë kur një rom 8-muajsh vdiq në Shkozë ende pa ardhur dimri, sepse nuk kishte një strehë mbi krye për shkak se ishte përzënë përdhunë nga Kodrat e Liqenit; si kur në Këshillin Bashkiak Tiranë nuk lejoheshin tregtarët të ushtronin të drejtën e informimit duke ndjekur live mbledhjen që u përcaktoi taksa të papërballueshme për bizneset e tyre; si atë natë kur një biznesmen u rrah nga policia bashkë me të birin pse, në të drejtën e tyre të lëvizjes së lirë, refuzuan të çonin me duart e tyre një makinë që kishte një gjobë të papaguar në Komisariatin e Policisë.
Kërcënimi i gazetarëve me nenin 13 të SPAK nuk është një akt më i tolerueshëm se ai kur një televizion u mbyll përdhunshëm nga shteti me arsyetimin e parave të pista të pronarit, pa përfunduar ende gjyqi, duke dhunuar kështu të drejtën e shprehjes dhe të shtypit të të gjithë gazetarëve që punonin aty, as se rasti kur pronarët e mediave pranuan miliona dollarë reklama televizive dhe favore të tjera nga kryetari i Bashkisë Tiranë, për t’i shndërruar redaksitë e tyre në stacione përforcuese të propagandës bajate të kryebashkiakut, as kur u bë një përpjekje e hapur për të ndaluar komentet e publikut në median më të madhe sot në botë, atë online.
Përpjekja për ringjalljen e nenit 55 të Kodit Penal komunist e dëmton demokracinë, njësoj si taksa për arsimin e fëmijëve të Tiranës, e vendosur ndërkohë që Kushtetuta ta jep arsimin falas; si ligji i arsimit të lartë qe shndërron të drejtën themelore për arsim ne një mall tregu; si ligji i pronave që u miratua pikërisht që pronarët të mos marrin pronën e paraardhësve të tyre me drejtësi. ýKëto kohë, media e ka vendosur qeverisjen përballë premtimeve të saj të pambajtura, edhe përballë dështimeve të saj, edhe përballë skandaleve të përditshme, askush nuk e mohon, por ajo ka folur pak ose aspak për të drejtat dhe liritë kushtetuese të individit.
Në Kontratën Sociale që kemi nënshkruar me pushtetarët tanë, nuk kemi vendosur asnjë pasojë ligjore për mosmbajtjen e premtimeve elektorale, asnjë ndëshkim për dështimin me reformat populiste në shëndetësi, arsim apo siguri, asnjë penalitet për rëndimin e gjendjes ekonomike, ama i kemi detyruar me ligjin themeltar që në veprimtarinë e tyre si funksionarë të respektojnë të paktën të drejtat dhe liritë themelore të individëve. ýGazetarët sot kanë të drejtë të rezistojnë kundër një neni që kufizon të drejtën e tyre të shprehjes. Në krah të tyre sot janë të gjithë ata qytetarë që kanë pranuar demokracinë si formë të organizimit të jetës shoqërore.
Por, të nderuar gazetarë, mos harroni: të drejtën e shtypit jua kanë garantuar me Kushtetutë pikërisht qytetarët, që përveç të tjerave, ta përdorni si mjet për të mbrojtur edhe të drejtat e tyre themelore, vlerat kryesore të shoqërisë moderne që po përpiqemi të ndërtojmë së bashku dhe ku ju, njerëzit e medias, keni ndoshta rolin më përcaktues në këtë përpjekje. Në shoqëritë demokratike media, jo pa qëllim, konsiderohet si pushtet, që qëllimin kryesor ka të garantojë vlerat më të larta të demokracisë.
Ajo është gardiani që ruan zbatimi e Kushtetutës, të ligjit, të vlerave demokratike dhe të të drejtave dhe lirive të individit. Në të gjithë filmat hollivudianë, ku heronjtë zotërojnë fuqi të mbinatyrshme, ata i përdorin aftësitë e tyre me përgjegjësi maksimale për të ndihmuar një të vobektë që u nënshtrohet padrejtësive, për të shmangur një aksident ku mund të humbin jetën të pafajshëm, apo dhe për të shpëtuar planetin. Ndonjëherë më kot rrekemi t’i gjejmë heronjtë tanë në letërsi apo kinematografi.
Ama sot, çdo gazetar në Shqipëri ka mundësi që, duke diskutuar më shumë për të drejtat e njeriut, duke shkruar më shumë për nivelin e respektimit të tyre, duke denoncuar më shumë rastet e përditshme të dhunimit të tyre, të kontribuojë njësoj si heronjtë hollivudianë apo dhe studentët e Dhjetorit që përmbysën diktaturën, për një Shqipëri më të drejtë, më moderne dhe më demokratike.
*Lektor i Të Drejtës Kushtetuese në Universitetin e Tiranës
Komentet