Nga Jessica Eberhart, Jonas Oesch-NZZ.ch
Italia kërkon të strehojë emigrantët klandestinë në një kamp të mbyllur në Shqipëri, ndërkohë që kërkesat e tyre për azil janë do të trajtohen nga gjykata. Plani ka gjetur pengesa ligjore dhe Roma po përpiqet ta shpëtojë projektin, shkruan gazeta zvicerane NZZ.ch.
Imazhet satelitore ofrojnë njohuri mbi objektin e diskutueshëm që është ngritur në Gjadër të Lezhës në Shqipëri.
Objekti i sapohapur i Italisë për azilkërkuesit ndodhet vetëm 180 kilometra larg bregdetit italian në veri të Shqipërisë. Qendra ka për qëllim të strehojë refugjatët që janë kapur nga roja bregdetare italiane në ujërat ndërkombëtare, ndërsa kërkesat e tyre për azil janë duke u përpunuar.
Në teori, procesi funksionon si më poshtë. Emigrantët dërgohen me anije në Shëngjin dhe transferohen në një zonë porti të rrethuar. Këtu regjistrohen të dhënat e tyre personale, vendi i origjinës dhe gjendja shëndetësore. Menjëherë pas kësaj, ata dërgohen disa kilometra në brendësi të vendit, në Gjadër, ku zyrtarët italianë në një qendër pritjeje shqyrtojnë kërkesat e tyre për azil me një procedurë të shpejtë.
Italia është vendi i parë në Bashkimin Evropian që teston të ashtuquajturin model të vendit të tretë. Sipas këtij modeli, refugjatët do të akomodohen në një vend të tretë jashtë BE-së, në këtë rast në Shqipëri, ku do të shqyrtohen kërkesat e tyre për azil. Nëse autoritetet italiane miratojnë një aplikim, personi do të lejohet të udhëtojë në Itali. Përndryshe, ata do të dërgohen në vendin e tyre ose në një vend të tretë të sigurt.
Megjithatë, eksperimenti nuk po shkon siç ishte planifikuar. Javën e kaluar, 16 emigrantë që tentonin të kalonin Mesdheun për në Itali u kapën nga një anije detare italiane dhe u dërguan në Shqipëri për herë të parë.
Katër prej tyre u rikthyen në Itali pasi ishin të mitur ose vuanin nga probleme të rënda shëndetësore. Menjëherë pas kësaj, një gjykatë në Romë shpalli ligjërisht të palejueshëm ndalimin e 12 emigrantëve të mbetur në qendrën jashtë BE-së.
Gjykata vendosi se sipas ligjit aktual, vetëm emigrantët nga të ashtuquajturat vende të treta të sigurta mund të ndalohen në objektin shqiptar. Kjo për shkak se ligji i BE-së parashikon një procedurë të përshpejtuar kufitare për njerëzit me pak perspektivë për të fituar azil, gjë që u lejon atyre të ndalohen. Pritet që këto raste të zgjidhen shpejt dhe riatdhesimet të organizohen me shpejtësi. Për të gjithë emigrantët e tjerë, nuk ka bazë ligjore për t’i mbajtur ata në kushte të ngjashme me paraburgimin.
Qendra në veri të Shqipërisë është një kamp i mbyllur. Emigrantët e strehuar atje nuk kanë të drejtë të hyjnë apo të dalin lirisht nga ambientet. Objekti është nën juridiksionin italian dhe operohet nga personeli italian. Autoritetet shqiptare janë përgjegjëse vetëm për mbikëqyrjen e jashtme të qendrave.
sn