Një nga gazetat më të rëndësishme në Gjermani, ‘Die Zeit’, raporton se mijëra qytetarë dolën në protestë mbrëmë në Shqipëri.
Gazeta shkruan se protestuesit kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama pas akuzave për korrupsion.
Po ashtu, ‘Zeit’ thekson se protestuesit kërkuan lirimin e liderit të opozitës.
“Në Shqipëri, mijëra mbështetës të opozitës protestuan kundër qeverisë dhe i bënë thirrje kryeministrit Edi Rama të japë dorëheqjen. Me pankarta si ‘Tirania nuk do të sundojë’, ata u mblodhën përpara selisë zyrtare të tij në Tiranë. Disa pjesëmarrës hodhën molotovë dhe gurë drejt selisë së qeverisë dhe rrëzuan një gardh. Nuk pati dëme të mëdha apo të lënduar.
Protesta zgjati rreth dy orë. Ndërkohë Rama ishte për vizitë zyrtare në Turqi.
Pikë qendrore e protestuesve ishte kërkesa për lirimin e ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili ndodhet në arrest shtëpie si lider i opozitës për shkak se nuk pranoi të paraqitej në pyetje. Ai i akuzua në tetor për ‘korrupsion pasiv të një zyrtari të lartë’ nga një gjykatë speciale.
Deputetët e Partisë Demokratike të Berishës kanë protestuar në parlament që nga tetori kundër refuzimit të Partisë Socialiste në pushtet për të formuar komisione për të hetuar korrupsionin. Ata bënë thirrje gjithashtu për protesta të reja. ‘Qytetarëve iu ka ardhur në majë të hundës nga kjo qeveri,” tha politikani i opozitës, Edi Paloka. Javët e fundit, deputetët kanë ndërprerë vazhdimisht seancat me tymuese dhe përplasje.
Demonstrata u zhvillua në një përvjetor të rëndësishëm politik. Më 20 shkurt 1991, shqiptarët rrëzuan statujën më të madhe të diktatorit Enver Hoxha në sheshin qendror ‘Skënderbej’ për të festuar fundin e sundimit komunist”, shkruan gazeta.sn