Projekti për ngritjen e Prokurorisë Evropiane njohu epilogun e tij këtë javë (08.06). Ministrat e Drejtësisë të Unionit kanë rënë dakord mbi legjislacionin, që mundëson ngritjen e kësaj strukture. 20 vende anëtare do të jenë pjesë e këtij mekanizmi juridik, që shënon një progres në fushën e bashkëpunimit të thelluar, në sferën penale. Vendet e tjera, që kanë refuzuar pjesëmarrjen në këtë projekt (Hungaria, Polonia, Britania e Madhe, Irlanda, Holanda, Danimarka, Suedia, Malta) mund t’i bashkohen këtij mekanizmi në çdo moment, që ato do të dëshirojnë. Selia qendrore e Prokurorisë Evropiane do të jetë në Luksemburg, një vend, që i ka ofruar tërësisht falas ambientet e tij dhe do të jetë funksionale në vitin 2020.
Por, ç’rol do të ketë Prokuroria Evropiane dhe deri ku do të shtrihen kompetencat e saj ?
Ngritja e saj, synon mbrojtjen e interesave financiare të Unionit. Këto interesa përfshijnë të gjithë të ardhurat, shpenzimet, të mirat materiale, që mbulohen ose përfitohen nga buxheti i Unionit dhe buxheti i institucioneve, zyrave dhe agjencive të tij, si edhe buxhetit të menaxhuar dhe të monitoruar prej tyre.
Prokuroria Evropiane, do të ketë kompetencë ekskluzive për hetimin, ndjekjen penale dhe çuarjen para drejtësisë të të gjithë krimeve, që prekin buxhetin e BE-së. Kompetencat janë ekskluzive, çka do të thotë se, zyra do të mbulojë jo vetëm çështje të natyrës që përfshijnë një-dy, apo më shumë shtete, por se do të mbulojë edhe çështjet kombëtare. Pra, zyra do të marrë përsipër përgjegjësinë, që aktualisht ushtrohet nga prokuroria kombëtare dhe autoritetet e përforcimit të ligjit, për të hetuar dhe ndjekur penalisht krimet financiare ndaj BE-së, duke e transferuar këtë kompetencë në nivelin e një zyre të BE-së.
Struktura është e decentralizuar dhe parashikon ngritjen e një njësie qendrore, pra të zyrës evropiane të prokurorisë dhe ngritjen e zyrave lokale në vendet anëtare. Ajo do të ketë një pushtet uniform hetimi në Union, të bazuar dhe të integruar në sistemin ligjor kombëtar. Prokurorë me eksperiencë do të delegohen nga sistemet kombëtare në zyrën evropiane. Prokuroria Evropiane dhe konkretisht Prokurorët e deleguar do të kryejnë hetimet dhe ndjekjen penale në vendin e tyre anëtar, duke përdorur stafin kombëtar, dhe duke aplikuar ligjin kombëtar. Por, veprimet e tyre do të jenë të koordinuara nga një zyrë qendrore e kryesuar nga prokurori publik evropian, që do të sigurojë koherencën dhe efikasitetin e nevojshëm, mes vendeve anëtare. Zyra do të ketë fuqinë për të kërkuar, ose për të urdhëruar masa hetimore, pasi një sërë instrumentesh janë vënë në dispozicion të saj. Masa, që përfshijnë kontrolle të ambienteve profesionale dhe private, të sistemeve kompjuterike, sekuestrim objektesh, përgjime të komunikimeve telefonike, ngrirje të transaksioneve financiare, etj. Gjykatat vendase, do të jenë gjithashtu kompetente për shqyrtimin e çështjeve penale.
Krime të pandëshkuara
Por, cila është arsyeja e krijimit të saj ? Në fakt, aktualisht ekzistojnë mekanizma të tjerë si OLAF (Zyra evropiane kundër mashtrimit) apo edhe Europol, por ato vlerësohen se nuk janë të mjaftueshme dhe për më tepër nuk gëzojnë kompetenca në fushën e kryerjes së hetimeve penale, apo për të bërë të mundur ndjekjen penale, në rastet e mashtrimit. Kompetenca e OLAF-it, është e kufizuar dhe lidhet vetëm me kryerjen e një hetimi administrativ, rezultatet e të cilit, iu komunikohen autoriteteve kompetente kombëtare, që vendosin më pas, në mënyrë të pavarur të nisin, apo jo, një procedim penal bazuar mbi këto konkluzione.
Në tërësi, bëhet fjalë për abuzime të larta, që prekin interesat financiarë të BE-së, dhe që kapin shumën e afro 500 milionë euro në vit, ndonëse kjo shumë vlerësohet të jetë më e lartë, pasi të dhënat mbi mashtrimet e ndryshme të raportuara, nuk mund të përfshijnë mashtrimin, që nuk arrin të zbulohet. Numri i çështjeve shkon deri në 2500 raste në vit, por me krijimin e zyrës së re dhe kompetencat që i ofrohen asaj ky numër konsiderohet se do të jetë edhe më i lartë, për shkak të mbledhjes më të gjerë të informacioneve dhe kompetencave më të larta që ajo do të gëzojë. Problematika shtrihet tek fakti se shpeshherë, rastet e abuzimeve financiare, që përmbyllen me konkludime hetimesh administrative nga OLAF, nuk ndiqen penalisht në vende të caktuara anëtare, për shkaqe të ndryshme, që lidhen sa me dosje komplekse, që kërkojnë bashkëpunim në fushën e hetimit penal mes vendeve të ndryshme, sa me juridiksionin jo shumë të qartë në këtë fushë, si edhe me faktin që nënvlerësohen, duke e konsideruar trajtimin e këtyre dosjeve si humbje kohe. Shembujt e dështimeve në këtë fushë, janë të shumtë. Ato, që ofrohen flasin për një standard të dyfishtë mbi dosje të njëjta. Një rast i njohur, lidhet me transferimet e konkluzionit të hetimit administrativ të OLAF, autoriteteve gjermane dhe bullgare, në një dosje që lidhej me abuzime të fondeve të zhvillimit rajonal të BE-së, në fushën e agrikulturës. Teksa autoritet gjermane nisin hetimin, ndjekjen penale duke përmbyllur procesin me dënimin e abuzuesve financiarë, autoritetet bullgare e mbyllin këtë proces, duke iu dhënë pafajësinë të gjithë të akuzuarve. Tashmë me krijimin e kësaj zyre, dosje të tilla komplekse, që kanë një dimension të gjerë dhe ku përfshihen disa shtete, do të udhëhiqen dhe do të koordinohen nga kjo zyrë.
Planet për krijimin e Prokurorisë Evropiane, fillimisht janë shfaqur në vitin 2009, me krijimin e bazës juridike që mundësoi traktati i Lisbonës, edhe pse proceset e konsultimeve mes vendeve anëtare datojnë që në vitin 2000. Por, me kalimin e viteve këto plane kanë hasur në rezistencë, nga vende të ndryshme anëtare si Polonia, apo Hungaria. Arsyeja lidhej kryesisht me frikën për humbjen e sovranitetit kombëtar në këtë fushë, pasi prokuroria do të kishte pushtet për të operuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në vendet anëtare. Por, përtej domosdoshmërisë së krijimit të kësaj zyre, si një mjet i nevojshëm, që synon të mbrojë më mirë financat e BE-së, të zbulojë dhe ndëshkojë autorët e abuzimeve, në vendet e saj anëtare, rëndësia e saj qëndron në krijimin e një faze të re avancuese, në projektin e integrimit të thelluar evropian. Në atë që tashmë ka marrë prej kohësh formën e Evropës së disa shpejtësive. Kjo pasi, fillimisht ajo do të mundësojë një integrim edhe më të thelluar të përforcimit të ligjit kombëtar, përmes përforcimit të ligjit të BE-së; së dyti do të shembë atë që tashmë njihet si “barrikada e territorit kombëtar”, pra themelit mbi të cilën ngrihen sistemet juridike kombëtare, duke krijuar në këtë mënyrë një territor unik dhe autonom veprimi; dhe së fundmi, do t’i mundësojë BE-së, të avancojë më tej në fushën penale, duke krijuar kornizën e një Unioni juridik.
Komentet