Familja mbretërore ka qenë kryefjala përgjatë këtij viti. Ishin pikërisht festat e fundvitit, që zbuluan edhe ndarjen e Princ Lekës me Elia Zaharian. Pas një historie 15-vjeçare, duket se përrallës me princ i erdhi fundi dhe një fund me shumë zhurmë mediatike.
Në media u fol se ishte pikërisht Blerta Celibashi, shkaku i ndarjes së çiftit. Ndonëse nga burime pranë Lekës u mohua një fakt i tillë, duket se miqtë e Elias e konfirmuan se tradhtia ishte bërë shkak i fundit të martesës.
E tashmë që divorci i tyre është zyrtar, një tjetër dasmë duket se po afron. Lidhja e Princ Lekës me fotografen e tij, Blerta Celibashin, është tashmë e konsoliduar, pasi kanë nisur edhe bashkëjetesën prej disa muajsh. Mirëpo, duket se dasma e tyre po vjen shumë shpejt.
Në një foto të Blerta Celibashit, miku i saj i komenton se i ka rënë nuri i dasmës dhe ka qenë fotografja që me një “like” këtij komenti duket sikur e ka konfirmuar. Qëkur doli në skenë historia e saj me Lekën, Blerta ka zgjedhur që të heshtë, duke preferuar të mos japë detaje rreth kësaj lidhjejeje aq shumë të mediatizuar.
Që nga divorci i Lekës në fund të prillit, tashmë çifti nuk fshihet më. Në rrugët e Tiranës është shumë e zakonshme që t’i hasim të dy, ku herë të përqafuar dhe herë kapur prej dore, nuk e fshehin aspak dashurinë. Sa u përket planeve të dasmës, dyshja, por edhe miqtë pranë tyre janë shumë hermetik. Nuk dihet nëse ceremonia do të jetë e madhe, ashtu sikur edhe dasma me Elian vite më parë.
Apo këtë herë Leka dhe Blerta do të zgjedhin një ceremoni të thjeshtë, pa protokolle. Kujtojmë se pas ndarjes konfliktuale nga Princ Leka, një tjetër episod që shkaktoi shumë zhurmë ishte edhe përplasja fizike, që ajo dhe babai i saj patën me Princ Lekën.
Elia Zaharia dhe Princ Leka, të cilët janë pajisur me urdhër mbrojtje ndaj njëri-tjetrit, konfirmuan më 15 janar se kishin nisur procedurat e divorcit, pas disa muajsh thashetheme se i kishin dhënë fund martesës. Ndërkohë më 5 mars, çifti u përplasën fizikisht me njëri-tjetrin brenda rezidencës mbretërore, sherr ku u përfshi edhe babai i Elia Zaharisë, Gjergj Zaharia, pamje që u bënë edhe virale në media. Princ Leka hodhi në gjyq ishbashkëshorten, me të cilën ka një vajzë, Geraldina dhe ishvjehrrin. Gjithashtu, baba e bijë paditën për dhunë 42- vjeçarin.
Gjykata Civile e Tiranës firmosi dy urdhër mbrojtje për Princ Lekën dhe ish-bashkëshorten Elia Zaharia, në proces divorci. Elia Zaharia dhe Princ Leka janë zyrtarisht të ndarë, pasi Gjykata e Tiranës vendosi më 25 prill të zgjidhë martesën mes çiftit të njohur. Nga marrëveshja e divorcit, aktorja ka përfituar në një apartament 257 m2 , i cili është në emrin e të bijës.
Ndërsa artistja do të ketë në pronësi të plotë të saj një dyqan 134 m2 si dhe një parking rreth 47 m2 .Por në bazë të një marrëveshje që ish-çifti kanë arritur në 15 janar 2024, nëse Elia Zaharia do të martohet sërish, ose do të nisë një bashkëjetesë, do të humbasë të drejtat mbi pronat kur vajza e tyre Geraldina do të jetë në moshë madhore. Në vendim gjithashtu thuhet se aktorja ka s’do të mbajë më mbiemrin “Zogu”, por atë të vajzërisë “Zaharia”.
Marrëveshja e firmosur mes tyre përcakton edhe takimet që Princ Leka do të ketë me Geraldinën, ku sipas dakordësisë, vajza do të takohet me të atin 2 orë çdo ditë dhe do të shkojë në shtëpinë e tij në fundjavë. Sipas marrëveshjes, Princ Leka do të paguajë 1 mijë euro vlerë monetare mujore si detyrim ushqimor kundrejt vajzës, shumë e cila përfshin shpenzimet për nevojat e përditshme të fëmijës dhe do të paguhet në llogarinë bankare të nënës. Sipas vendimit të gjykatës, tradhtia nuk ka qenë arsye e fundit të martesës së çiftit të njohur, siç është aluduar pas bërjes publike të romancës së Princ Lekës me fotografen Blerta Celibashi, me të cilën ka nisur edhe bashkëjetesën.
Elia Zaharia dhe Princ Leka janë ndarë për shkak të konflikteve të vazhdueshme, mungesës së komunikimit dhe ndërprerjes së bashkëjetesës, fakte të pranuara nga aktorja si edhe 42- vjeçari. I pari që konfirmoi ndarjen ishte Princ Leka më 15 janar, ndërsa pak pas tij reagoi edhe aktorja Elia Zaharia, ndërsa nuk treguan arsyen pse marrëdhënia e çiftit shkoi drejt fundit. Si arsye për divorcin është aluduar marrëdhënia e re e Princit me fotografen Blerta Celibashi.
Ndërkohë që persona pranë Lekës janë përpjekur që ta mohojnë një fakt të tillë. Erion Teli, ish-shefi për Marrëdhëniet me Publikun në Oborrin Mbretëror foli në një intervistë për “Canapé” rreth divorcit të bujshëm. Teli ritheksoi që raporti ka nisur një muaj e gjysmë më parë, ndërsa martesa ka marrë fund para një viti e gjysmë. Ai ndau opinionin e tij personal për arsyen e divorcit mes çiftit dhe tha se karriera e Elia Zaharias mund të ketë qenë një shkak i mundshëm.
“Unë besoj, ky është opinioni im personal, nuk mund të them gjë zyrtare, është opinioni im personal që karriera e zonjës Zaharia ka qenë një moment që ka sjellë mungesën e saj në detyrat që ka pasur si ishPrincesha shqiptare. Karriera e saj si aktore dhe të gjithë kemi qenë pranë oborrit mbretëror kemi shpresuar që të kemi një Grace tjetër, një princeshë Grace që ka qenë e Monakos, pati një ‘boom’ në karrierën e saj artistike, ajo vendosi që të mbante rolin që tashmë kishte si Princesha e Monakos. Zonja Elia Zaharia për një moment, mund të ketë shumë arsye, duke e njohur personalisht është shpirt i lirë, nuk mund ta akuzoj për asgjë”.
Por teksa në gjykatë zhvillohej ‘lufta’ mes tyre, Leka shijonte një dashuri të re. Madje, pas shumë muajsh që dyshja fshihej nga sytë e kureshtarëve, tashmë ata e kanë formalizuar lidhjen, duke qenë së bashku edhe në aktivitet që organizohen në nivele mbretërore. Princ Leka pak muaj më parë ka marrë pjesë në një event bamirësie në Maltë, pas ftesës së Dukës së Rusisë, George Mikhailovich dhe bashkëshortes së tij, Princesha Victoria. Mirëpo mesa duket, në këtë event Princi është shoqëruar nga e dashura e tij e re, fotografja Blerta Celibashi.
Ndonëse në fotot e postuara nga eventi në rrjetet sociale Princi nuk ka ndarë me ndjekësit asnjë imazh me të dashurën, ka qenë Blerta ajo që ka postuar një foto në Maltë. Mesa duket, ky është eventi parë që pas ndarjes nga ishbashkëshortja Elia Zaharia, Princ Leka është shfaqur i shoqëruar nga partnerja e tij e re./Gazeta Panorama