Gara e fundit e Aleksander Kondos.
Viti 1984.Si rralle here,ne bote,nje stadium i mbushur pertej kapacitetit,g je e rralle per sporte si peshngritja,por njerzit vinin te shikonin Sandrin.
Në datën 1 maj,1987,ditë e premte,Aleksander Kondo la këtë botë,për të hyrë në boten e legjendës.
Mbushen plot 30 vjet që ai nuk rron më,por legjenda e tij,është e pavdekshme.
I paharruar qoftë kujtimi i Tij.
“Aleksandër Kondo, historia e arratisjes”
Flet Muharrem Berisha: Ju rrëfej të gjithë aventurën tonë. Ndarja me Sandrin në Titograd
Dritan Lundra
Të mendoje ikjen nga Shqipëria që në vitin 1983 apo edhe disa muaj më vonë ishte një utopi. Shumë kishin menduar një gjë të tillë, po kaq shumë kishin tentuar, por pak ose aspak kishin arritur të realizonin një gjë të tillë.
Idetë kanë qenë të shumta, mendimet po të tilla, por realizimi ka qenë shumë i vogël për t’u marrë i besueshëm. Megjithatë, në një palestër të vogël mes kampionëve, të cilët shikonin rezultatet, por aspak frytin e punës së tyre, kishte kohë që ziente një bisedë. Një bisedë për largim dhe ikje nga vendi i mallkuar i komunizmit kishte kohë që piqej nga katër kampionë të mëdhenj. Ishin Aleksandër Kondo, kampion i padiskutueshëm dhe njeriu që për herë të parë kaloi limitin e 200 kilogramëve në shtangë; kampioni i vogël, por edhe ai absolut në peshën e tij, Muharrem Berisha; mjeshtri më i madh në përvojë, por dhe në rezultate, Asim Belinova dhe më i riu, por me shumë ambicie, Xhelal Sukniqi. Të gjithë donin të iknin, donin të ishin të lirë në një botë të lirë, donin të ishin kampionë të mëdhenj në një botë që respekton kampionët, por vetëm Sandri dhe Xhelali patën kurajon të mos ktheheshin më në Shqipëri. Një histori, e cila pavarësisht shumë fjalëve, shumë thashethemeve e po kaq shumë hamendjeve, sot për herë të parë në gazetën “Panorama” zbardhet një prej atyre që fatin e kishte të arratisej, por që po ai e ktheu përsëri në Shqipëri. Është Muharrem Berisha, një prej pokerit që duhej të ikte e madje ishte një prej protagonistëve, por që nuk u largua. Ai flet e tregon ngjarjen që nga ideja, nisja e deri në detajet më të fundit e nostalgjia për mikun e tij Aleksandër Kondo.
Berisha, si u njohët me Sandrin?
Një gjë normale, ishim të dy shtangistë të Dinamos e së bashku me Agron Haxhihysenin dhe Asim Belinovën, nën drejtimin e trajnerit të madh Ferid Berberi, bënin stërvitje së bashku. Unë isha më i vogli i grupit, por të tre së bashku arrinim dhe triumfin e Dinamos. Ky ka qenë impakti i parë me Sandrin.
Vetëm kaq pra, të qenit në të njëjtin grup?
Jo, jo vetëm kaq, shumë shpejt ne pamë se kishim shumë gjëra të përbashkëta. Më kryesorja ishte pasioni, ideali që të kërkonim maksimumin dhë bërjen kampionë të mëdhenj, si dhe puna e jashtëzakonshme në stërvitje.
Deklarata shumë teorike. Vetëm kaq ju lidhte?
E kuptoj ku doni të dilni, por duhet të kini parasysh se unë isha më i vogli i grupit. Dëgjoja shumë herë nga Sandri që më thoshte se e ardhmja jonë në Shqipëri është e zymtë. Mbaj mend se pas kampionatit evropian në Spanjë, Sandri më thoshte se gjithçka në Shqipëri kishte marrë fund. Kishte ngritur 200 kilogramë, peshë të cilën të gjithë, madje dhe në botë, do e kishin zili e vendi i tij nuk e përfillte. Ai ishte i pakënaqur. Një ditë, duke diskutuar bashkë ai më thotë: “Shikoji këta njerëz, si të duken ty”. Pashë fshatarë të drobitur, pashë njerëz të cilët vuanin për bukën e gojës, por nuk thashë asnjë fjalë. Isha vetëm 20 vjeç dhe shumë gjëra nuk i kuptoja.
Jemi në vitin 1984…
Pikërisht, megjithatë, prej kohësh edhe unë isha mërzitur shumë me mënyrën e të trajtuarit nga sporti. Të gjithë bashkë mbaronim stërvitjen dhe shkonim në shtëpi ku hapnim edhe një herë dollapet për të ngrënë. Ishte e tmerrshme, nuk ngopnim dot barkun me bukë. Pra, gjithçka të shtynte që të largoheshe.
Një vit mendime dhe asnjë tentativë?
Jo, nuk është e vërtetë. Thashë më lart se me Sandrin kishim kohë që diskutonim. Jo një herë, por shumë shpesh gjatë vitit 1984, por sidomos në vitin 1985, kemi bërë plane për t’u arratisur. Kemi detajuar gjithçka, kemi parë e vëzhguar pikat e kufirit, por nuk kemi vendosur thjesht, sepse e dinim që një ditë do kalonim kufirin me peshëngritjen e aty do ishte më e thjeshtë. Nuk e di, por personalisht kam pasur frikë, duke shpresuar në një dalje jashtë edhe me shokët kishim vendosur që më mirë të mos rrezikonim kaq shumë.
Të kthehemi të arratisja e bujshme e Kondos
Nuk e harroj atë ditë. Ka qenë 48 orë para nisjes për në kampionatin evropian në Katovicë të Polonisë. Sandri fliste shumë e pas shumë pëshpëritjeve atij i ishte hequr e drejta të dilte jashtë shtetit. Jo, më mirë isha dhe unë, por Sandri babanë e kishte shef dege të gardës. Mbaj mend se gjithçka ia kishte rregulluar Mihal Qipo, atëkohë kuadro i lartë në pushtet. Kemi qenë në qendrën e grumbullimit dhe Sandri erdhi me pasaportë e pa një pa dy na tha: “Do ikim në Poloni e që aty do arratisemi”. Në ato momente kemi qenë unë, Asim Belinova dhe Xhelal Sukniqi. Asimi tha po dhe kjo fjalë më ngrohu dhe mua. Ai kishte familje dhe unë isha vetëm 20 vjeç. Besova dhe duke qenë mik i Sandrit thashë edhe unë fjalën time, po.
Pse Sandri kishte vendosur arratisjen
Për mendimin tim për shumë arsye. Pa dashur të them ato që kam thënë më lart më duhet të kujtoj se një vit më parë, në çantën e tij, pas kthimit nga kampionati ballkanik, u gjetën disa fotografi e revista porno. Që atë ditë atij iu pre trajnimi i posaçëm, iu deklarua se nuk do të dilte më jashtë shtetit (gëzimi dhe premio e vetme për sportistët), si dhe pavarësisht rezultateve fantastike, gjithmonë ai kishte persekutimin prapa.
Pse vendosi Katovicën?
E thashë dhe më lart, ishim të katër bashkë, por më entuziasti ishte Sandri. Kur erdhi në qendrën e grumbullimit me pasaportë në dorë e na tha se mora viston për t’u nisur u gëzuam të gjithë. Megjithatë, Sandri ishte dhe shumë besimtar. “Ka ardhur dita, më tha, por më parë të njohim dhe fatin tonë”.
Çfarë do të thoshte kjo frazë e tij?
Në fillim nuk e kuptova, por menjëherë me natyrën e tij shumë ekspresive më tha ta ndiqja. Shkuam afër rrugës së “Fortuzit”, aty ku sot quhet “Dervish Hatixheja”. Nuk hyra brenda dhe nuk e di fallin që u hodh me letra, me filxhan kafeje, apo diçka tjetër. Sandri hodhi një triko (kështu ishte riti) e pas disa minutash doli me një fytyrë të ngrysur.
Përse kështu?
Sapo doli, mbaj mend se ishte natë dhe Sandri më tregoi edhe fatin që do na ndiqte. Nuk e di a të vërteta do jenë fjalët e fallxhores, por ajo më tha teksualisht kështu: “Ti do ikësh dhe shumë shpejt. Ke menduar të ikësh me katër veta; ke menduar me atë që ke shumë afër dhe ke bërë shumë plane, por ai nuk do vijë. Ke menduar të ikësh me një person më të madh, por edhe ai nuk do vijë. Do ikësh me një person, inicialet e të cilit janë XH.S. Nuk e ke parashikuar, por me të do të ikësh”.
Po më pas?
Më pas mbaj mend që Sandri për një moment heshti. Nuk tha më asnjë fjalë, por në ecje e sipër tha dhe diçka tjetër nëpër dhëmbë. Një fjalë që mua më tronditi dhe nuk mund ta harroj dot.
Çfarë tha?
Në fillim ndoshta nuk donte ta thoshte, por më në fund u zbraz. Ne do ikim më tha, por sipas fallxhores, unë do kërkoj të iki larg, por do jem shumë afër. Do vuaj disa muaj e më pas do iki shumë larg, por do vdes shumë shpejt. Miku yt, me të cilin je shumë i lidhur, nuk do vijë, por nëse ti do kesh lirinë, por shumë të shkurtër, ai do jetë gjallë, do ketë jetën, por do vuajë.
Këto fjalë ishin për ty?
Në fillim i mora si të përgjithshme, por në momentin e ikjes së tij në Titograd, kur unë nuk pranova e kjo dhe si pasojë e tërheqjes së Asim Belinovës, Sandri m’u drejtua: “Muharrem, unë po iki. Fatin e di, por më mirë një vit si luan sesa një jetë prej miu. Mirupafshim. Nuk e besova se po ikte, por treni që largohej më krijoi edhe idenë se Sandri po shkonte larg, aq larg sa unë nuk mund ta kapja dot më.
Të kthehemi tek arratisja, kishit bërë ndonjë plan?
Përpara se të mbërrij te plani (në fakt nuk kishim bërë ndonjë plan të madh) dua të them disa gjëra për karakterin e Sandrit. Një muaj para se të shkonim në Katovicë të Polonisë erdhi në shtëpinë time. Të gjithë e njihnin e Sandri fliste dhe e kishte zakon të mos kishte frikë. Babai ishte turni i dytë dhe në shtëpinë time ishte vetëm nëna. Sapo hyri, jo se nuk e kishte parë ndonjëherë, u irritua kur pa fotografinë e Enver Hoxhës varur në mur (kështu ishte koha) e mori dhe e theu. Mamaja ime u llahtaris dhe menjëherë kërkoi të lajmëronte policinë. Sandri me një ton të qetë iu kthye: “Mbaj fotografinë e burrit tënd, jo të këtij krimineli, qetësohu se ne jemi djemtë e t’u”. Në moment mbërriti babai. I lodhur nga puna na tha të bënim ç’të doni, por të kishim kujdes veten.
Keni ikur në maj të vitit 1985, një muaj pas vdekjes së diktatorit, çfarë bëri Sandri atë ditë?
Nëse një muaj më parë theu fotografinë e Enver Hoxhës në shtëpinë time, të njëjtën gjë bëri me të gjitha fotografitë e tij në Qytetin Studenti. Kishte urrejtje e për më shumë, kur kam shkuar ta takoj në dhomë e gjej me magnetofon të ndezur e me zë të lartë dhe ai me një kënaqësi të jashtëzakonshme. Ky ishte Sandri, njeriu rebel ndaj regjimit. Donte me çdo kusht të ikte. Në ato ditë, pasi unë isha i lëkundur ai më drejtohet: “Shikoji këta njerëz (ishin fshatarë të rropatur nga puna), shikoji, ti je kampion i madh, por një ditë edhe ti si ata do të përfundosh. Nuk e besoja në atë kohë, por realiteti ky ishte e Sandri kishte të drejtë.
Edhe një herë te momenti i arratisjes.
Që para nisjes mes nesh nisën polemikat. Unë një natë përpara ika dhe nuk u duka në qendrën e grumbullimit… Kur u ktheva shokët më hapën çantën e filluan kontrollin, nuk kuptova se ç’donin. Megjithatë, plasja kishte ndodhur. Kisha një ide se në vendin organizator nuk të mbanin, por të kthenin. Pikërisht për këtë arsye u thashë miqve se në Poloni nuk mund të kërkonim strehim politik. Duhej të gjenim një vend tjetër. Ngaqë Sandri kishte folur shumë e gjithë Qyteti Studenti e dinte se ne do të iknim dhe duhet të ishim shumë të sigurtë në veprimet tona. Në Poloni zhvilluam garën ku dolëm me rezultate të jashtëzakonshme e të mrekullueshme e duke përfituar prej tyre u drejtuam në një sportel polak për të prerë bileta për në Amerikë. Unë kisha rreth 100 dollarë, po kaq edhe Sandri, ose nëse nuk gaboj të dy bashkë kishim reth 300 dollarë, ndërkohë që Xhelal Sukniqi kishte një çek prej 1000 dollarësh.
Me kaq do shkonit në Amerikë?
Një natë para nisjes për në Beograd u mblodhëm të gjithë në dhomën ku ishte Sandri dhe Sukniqi. Vendosëm të pyesim për biletat për në Amerikë dhe më pas të vepronim. Në këto momente Asim Belinova u tërhoq. Ndikimi i tij ishte i madh, megjithatë vendosëm të pyesnim. Në sportelet e Katovicës, meqë dija fare pak rusisht, mësova se çeku i Xhelal Sukniqit prej 1000 dollarësh vlente vetëm për Shqipërinë dhe ishte i pavlefshëm për jashtë. U pezmatuam dhe u kthyem prapa. Unë me mendjen e dyzuar, pas tërheqjes së Asim Belinovës, Sandri me mendjen top se do largohej.
Nuk kishin rënë në sy përpjekjet tuaja?
Mbase, por të gjithë e dinin se Sandri kishte një idhull në jetën e tij e vdiste për të, ajo ishte e fejuara e tij. Për të mos rënë në sy, si Sandri ashtu edhe unë të gjithë dollarët që kishim me vete i blemë plaçka. Sandri të gjitha për të fejuarën e tij, gjë e cila mbuloi gjithçka. Të gjithë, duke ditur dhe debulesën e tij, menduan se mendja e tij është në Shqipëri. “Ai bleu plaçka për nusen, vdiste për të, edhe kur më kanë pyetur në hetuesi, gjithmonë kam thënë se asnjëherë nuk kam menduar se Sandri mund të arratisej. Kështu mendoja atëherë dhe kështu mendoj edhe sot”. (Ferid Berberi, trajneri i asaj kohe)
Ç’ndodhi pas largimit nga Polonia?
Unë personalisht nuk isha i vendosur, por më shumë anoja nga mosikja, ndërkohë që Sandri e kishte ndarë mendjen. Mbërritëm në Beograd e prej andej me tren u drejtuam për në Titograd, ku na priste dhe autobusi për të na sjellë në Shqipëri. Mbaj mend se ishte ora 6 e mëngjesit. Unë prisja, ndërsa ai i hipi trenit tjetër. “Ti lemë gjërat që kanë ndodhur, më tha. Për gjithçka kërkoj falje, por t’i mos gabo më. Kujto fjalët e fallxhores, unë do iki, fati qoftë me ty”. U largua dhe sot e kësaj dite e kam parasyve ikjen e trenit dhe dorën e Sandrit që vazhdonte të më përshëndeste. Ai iku, ta kthejmë edhe një herë në tokën tonë sot.
A u lidhët më me të?
Që nga ajo kohë më shumë kam qenë i lidhur me hetuesinë dhe kam ndjerë represionin se sa jam marrë me sportin, apo ,me familjen time. Megjithatë, këto nuk i përkasin kësaj historie. Nuk u lidha më me Sandrin, por në vitin 1987, një telefonatë nga Xhelal Sukniqi më habiti. Zëri i dridhej, më lajmëroi për vdekjen tragjike të Sandrit dhe më pas më dorëzoi një kasetë filmike nga ceremonia e varrimit. Ende më duket se jam në ëndërr. Nuk kam besuar kurrë në vdekjen e tij, madje edhe sot, kur po mundohemi të gjithë bashkë për të sjellë eshtrat e tij, më duket se shikoj edhe një herë Sandrin gjallë.
Çfarë ndjeni tani që eshtrat e tij do të vijnë?
Ka tetë vjet që të gjithë përpiqen për një gjë të tillë. Do të jem i qetë vetëm kur të kryhet ky mision. Kjo është një iniciativë e disa personave, në radhë të parë e trajnerit të tij, Ferid Berberi, e miqve të tij, e presidentit të peshëngritjes dhe besoj e gjithë njerëzve që duan sportin. Vetëm kur ky mision të ketë mbaruar, pra eshtrat të kthehen në tokën mëmë edhe unë do jem më i qetë.
Kush është Muharrem Berisha
Lindur në vitin 1964, në moshën 15-vjeçare Muharrem Berisha shpallet për herë të parë kampion. Që nga ajo kohë, pra në vitin 1979, ai bëhet kampion absolut në pesë pesha, duke nisur nga ajo 52 kilogram për të përfunduar në peshën 75 kilogram dhe duke thyer 100 rekorde kombëtare. Ai është bërë kampion absolut i pesë peshave. Në vitin 1984, në Spanjë zuri vendin e pestë, duke sjellur për herë të parë në Shqipëri një rezultat të tillë. Në kampionatin ballkanik në Shqipëri në vitin 1987, në peshën deri në 67 kilogram arrin të marrë për herë të parë në historinë e Shqipërisë tri medalje ari. Kishte deklaruar një muaj më parë rezultatin, por qenia e tij në dhjetë rezultatet më të mira të botës për vitin, ishte tjetër sukses. Ka titullin Mjeshtër Sporti, Mjeshtër i Merituar Sporti, por edhe medaljet për merita të shquara në sport, të marra pas lënies së karrierës, por rezultati më i mirë i tij është në vitin 1983, vetëm 19 vjeç, kur Muharrem Berisha ngre 140 kilogram, dy më shumë sesa kampioni i botës së atij viti. Një jetë e gjatë, shumë e lodhshme mes triumfit dhe dështimit, si pasojë e politikës. Një karrierë, e cila i ka dhënë shumë sadisfaksione, por dhe shumë frikë, sidomos një shterpësi e lodhje psikike, pas arratisjes së shokut e mikut të tij, Aleksandër Kondo. Një kalvar i gjatë vuajtjesh më shumë psikologjike, të cilat Berisha nuk i harron. Ai i kujton me një përpikmëri të rrallë të gjitha ngjarjet, të cilat flasin për arratisjen e Kondos. Për herë të parë publikohen të gjitha detajet që nga nisja dhe ideja e më pas tek arratisja e bujshme e majit 1985.
Karrieria e luanit të shtangës shqiptare
Aleksandër Kondo, shqiptari i parë që ngriti 200 kg
Në mesin e viteve ’80, Aleksandër Kondo hyri në histori si njeriu i parë në Shqipëri që ngrinte 200 kg. Atë ditë pallati i sportit “Partizani” (sot “Asllan Rusi”) ishte plot, dhe entuziazmi, i jashtëzakonshëm. Disa vjet më vonë, durrsaku Erlin Nikolla mbërriti në 210 kilogram, pesha më e madhe e ngritur nga sportistët para viteve ’90. Që nga ajo kohë Ilir Kafarani kishte arritur ta thyente atë rekord, deri në 212,5 kg. Kjo peshë ishte tabu, deri më 3 shtator 2003. Kafarani, i bëri një përmirësim të denjë për librin “Guinness”, duke shtuar në një ditë të vetme 7,5 kilogramë, ndërsa për 12,5 kg ishin dashur rreth 20 vjet. Bashkësportitët e Kondos e mbajnë mend mirë çastin kur ai dhe Xhelal Sukniqi u larguan nga ekipi kombëtar, duke lënë në stacionin e autobusit të Titogradit çantat e tyre. Atëherë data shënonte 25 maj 1985. Ekipi kombëtar po kthehej nga Polonia ku kishte marrë pjesë në Kampionatin Evropian. Shqiptarët e përfaqësueses sonë të peshëngritjes fillimisht udhëtuan me tren nga Katovica, vendi ku u zhvilluan garat e evropianit, për në Varshavë, më pas me avion udhëtuan për në Beograd, dhe me tren ose autobus deri ne Titograd. Në orët e paradites skuadra, trajnerët dhe shoqëruesit po prisnin autobusin shqiptar që do të vinte që nga Hani i Hotit, për t’i kthyer ne atdhe. Mungonin Aleksandri dhe Xhelali që u larguan për në SHBA. Kondo kishte kohë që përgatitej për largimin e tij nga Shqipëria, pasi urrente sistemin.
Eshtrat në Nju-Jork
Prej 17 vjetësh eshtrat e tij janë në një varrezë të Nju-Jorkut, ku gjeti edhe vdekjen. Kërkesa për t’i pasur eshtrat e djalit në një varr ku ta qante, erdhi nga i ati i Aleksandrit, pas tratativave të shumta në vitet e fundit që, për fat të keq, kishin dështuar. Përpjekjet për sjelljen e trupit në Shqipëri kanë nisur në maj të vitit 1994, kur i ati ka ndërmarrë edhe udhëtimin e parë përtej Atlantikuit. Më 19.10.1994. ka shkuar në Amerikë ku ka qëndruar 35 ditë dhe nuk ka mundur t’i tërheqë dot eshtrat. Për të tërhequr eshtrat duhet të paguhen rreth 10 mijë dollarë amerikanë.
Eshtrat e Aleksandër Kondos janë kthyer në Shqipëri në 2004.
Komentet