(Dromca kujtimesh, post mortum)
Pas vitit 1998, dy personalitete emblematike të Kosovës, Ibrahim Rugova dhe Adem Jashari u bënë arma kryesore për bisedat e Gani Azemit me politikanët e lartë europianë. Ai u thoshte atyre se tashmë lëvizja paqësore dhe lufta e armatosur për Kosovën Republikë janë të pandashme.
Tri ditë para festës së 100-vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, në botën shqiptare u përhap edhe një kumt i zi:Vdiq Gani Azemi. Kumtin e përjetuan rëndë, së pari familja, pastaj miqtë, bashkëveprimtarët dhe institucionet e Kosovës.Ky kumt goditi edhe njerëzit e vendlindjes së tij ku për shumë vite ishte fizikisht i munguar, por që hija e tij ishte prezente vazhdimisht. Gani Azemin e njoha qysh nga fëmijëria ime kur ai ishte nxënës i normales, pra shkollës së mësuesisë. Ishtë një djalë shtathedhur, me flokë të shpeshta dhe me një zë kumbues. Afër shtëpisë së vjetër të kulturës në Babush, ku ishin dy shitore, zyra e çështjeve civile dhe drejtoria e minierës së lignitit, në fund të viteve gjashtëdhjetë, shkollarët e mesëm prisnin autobusin që vinte t’i merrte përditë për t’i dërguar në Ferizaj, aty ku po lulëzonin shkollat e mesme. Ne nxënësit e fillores, me kureshtje i shihnim shkollarët e mesëm dhe na dukeshin sikur njerëz që nuk do t’i arrinim kurrë. Në një nga mëngjeset e vjeshtës, derisa prisnin autobusin shkollarët e mesëm, isha prezent në atë stacionin e imporovizuar, pasi klasa e pestë ishtë hapur pikërisht në atë shtëpi të kulturës në Babush, ku sot gati sa nuk është rrënuar. Duke dëgjuar Gani Azemin tek fliste mes shkollarëve, mes tjerash tha se një referat për një libër të lexuar e ka bërë në 30 faqe fletoreje. Nuk e di a i besuan bashkëbiseduesit, por mua m’u dukën mal ato 30 faqe, pasi fletoret e kohës kishin vetëm 52 faqe.Nuk shkoi shumë kohë dhe në faqet e revistës “Zëri i rinisë” lexova një poezi satirike me emrin e Gani Azemit. Poezia më bindte se Ganiu ka mundur ta bëjë referatin prej 30 faqesh, pasi në gazeta dhe libra, isha mësuar t’i shoh vetëm emrat e shkrimtarëve që më dukeshin sikur vijnë nga një botë tjetër.Unë tashmë shkruaja vjersha. Gani Azemi pas mbarimit të Normales, menjëherë filloi punën si mësues në shkollën fillore të Gadimes dhe atë, në Lëndën e Gjuhës Shqipe. Por nuk qëndroi gjatë. Me familje u shpërngul nga Babushi në Prishtinë, por nuk u shkëput nga kontaktet me vendlindjen. Në Prishtinë, ai studionte Gjuhën dhe Letërsinë Shqipe dhe punonte në Gadime. Në ndërkohë, në Fakultetin Juridik të Prishtinës, hapet edhe Dega e Gazetarisë dhe Diplomacicë, ku Ganiu regjistrohet edhe aty. Sa ishte student, na ra të takoheshim shpesh në Ferizaj. Në orët letrare që i mbanim në Ferizaj, vazhdimisht ftonim edhe grupin letrar të Fakulktetit Juridik. Aty vinin Xhemail Mustafa, Shaqir Foniqi,Ibrahim Shala, Afrim Morina , Gani Azemi etj.Lexime poezish, diskutime për letërsinë në lokalet shkollore në Ferizaj.
Por një ditë u përhap lajmi si nën dhè .Gani Azemi nuk është më në Kosovë. Ikja e një njeriu aso kohe përjetohej shumë rëndë. Ikja do të thoshte humbje e përjetshme nga atdheu.Gani Azemi në pushimin nga shërbimi ushtarak jugosllav, kishte lënë uniformën në shtëpi dhe ia kishte mësyrë Brukselit. Ai nuk kishte mundur më t’i durojë torturat që u bëheshin ushtarëve shqiptarë në armatën jugosllave. Nuk kishtë mundur as ta duronte robërinë kombëtare në një shtët totalitar.Që ta thotë të vërtetën për Kosovën, rrezikon të ikë jashtë shtetit, duke bërë shume sakrifica. Emri i tij tashmë lakohej në heshtje e me mall nga bashkëvendësit. Edhe nga ata që e njihnin gjatë shkollimit dhe veprimtarive të tjera. Por edhe në atë heshtje hija e tij kishte mbetur në Rrafshin e Kosovës. Në ndërkohë në Kosovë ndodhën shumë ngjarje. Viti 1981 ndërroi shumëçka në jetën e Kosovës. Emri i Gani Azemit filloi të dalë në shtypin serb, si veprimtar i emigracionit shqiptar në Evropë dhe atë herë pas herë.Shumë më vonë do të merrej vesh se Gani Azemi bashkë me Enver Hadrin e Reshat Sahitajn ishin ata që për çështjen e pazgjidhur të Kosovës i kishin mbushur plot informacione tavolinat e diplomacisë europiane. Prania e tyre në Parlamentin Europian, në grupe gazetarësh, në qarqe intelektuale dhe politike në Bruksel, do të thoshte prani e çështjes së Kosovës në Europë. Në fund të viteve tetëdhjetë, kur ra monizmi në ish-Jugosllavi dhe u formuan partitë shqiptare në Kosovë, pika e parë e takimit të liderëve kosovarë për të trokitur në institucionet europiane ishte Gani Azemi. Sidomos pas vrasjes së Enver Hadrit, ai me Reshat Sahitajn, sakrifikuan gjithçka nga vetja, që çështja e Kosovës të shihet drejt nga politikanët europianë. Autoriteti i tyre si luftëtarë të çështjes kombëtare ishte i pakontestueshëm sidomos te shumë deputetë të Parlamentit Europian.
Gani Azemin, pas njëzet vitesh të ikjes nga Kosova, e takova sërish në Bruksel. Kësaj radhe me një grup bashkatdhetarësh të mërguar në Aachen, morëm udhë që të bëjmë homazh te varri i atdhetari Enver Hadri, në përvjetorin e vdekjes, në varrezat në Sharleroi. Nuk më njohu. Kur i tregova se kush jam, veç sa nuk ma këputi qafën gjatë përqafimit. Takimet pastaj vazhduan shpesh me ditë e netë të tëra nëpër Bruksel e Aachen. Se sa autoritet kishte Ganiu te europolitikanët, dua ta tregoj vetëm një rast: Më 22 prill 1996 në Luxemburg po mbahej mbledhja e Këshillit të Ministrave të Unionit Europian. Gani Azemi me Hafiz Gagicën kishin thirrë shqiptarët për një demonstartë ku protestohej për pushtimin e egër policor të Kosovës nga Serbia. U mblodhën aty gati 10 mijë shqiptarë. Gjatë protestës, kur ministrant europianë ishin në pauzë dhe kishin dalur nga larg të sodisnin demonstrantët shqiptarë, gati një kilometër larg nga bina ku drejtonte demonstratën, Gani Azemi e identifikoi kryetarin e radhës të Parlamentit Europian, z. Klaus Hensen. Nga kumbimi i altoparlantëve z.Hensen e dëgjoi thirrjen e Gani Azemit për të dalë para protestuesve shqiptarë. Ai çau përmes njerëzve të tubuar dhe për disa minuta mbërriu në binën e improvizuar. Fjalët që shqiptoi z. Hensen, ishin: Parlamenti Europian ka qenë përkrahës i shqiptarëve dhe ju siguroj se edhe në të ardhmen do të angazhohet për të drejtat e shqiptarëve në Kosovë.Rruga e juaj paqësore do të shpërblehet.
Do të doja të shtoj me këtë rast se Gani Azemi, si më ka thënë për punën e emigracionit shqiptar në vitet tetëdhjetë, por edhe në vitet nëntëdhjetë sa e kam parë, ka insistuar që para politikës europiane e më gjerë, kërkseat tona të shtrohen vetëm me platformë kombëtare e pa asnjë shenj ideologjike. Ai ishtë i qartë, këmbëngulës dhe i prerë në këtë platformë madhore. Kur kujtojmë Ganiun, duhet ta kemi parasysh se ai ishte një njeri plot energji, aktiv në çdo moment, i gatshëm për çdo sakrificë. Në të gjitha institucionet ndërkombëtare, por edhe në takimet e niveleve të larta të burrave shtetërorë në Europë, e sidomos në konferenca shtypi, ai temë e bëntë çështjen e pazgjidhur të Kosovës. Ai një kohë me sukses udhëhoqi Zyrën e Qeverisë se Kosovës në egzil me seli në Bruksel, duke qëndruar përkrah politikës paqësore të Presidentit Ibrahim Rugova, por edhe duke përkrahur luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pas vitit 1998, dy personalitete emblematike të Kosovës, Ibrahim Rugova dhe Adem Jashari u bënë arma kryesore për bisedat e Gani Azemit me politikanët e lartë europianë. Ai u thoshte atyre se tashmë lëvizja paqësore dhe lufta e armatosur për Kosovën Republikë janë të pandashme. Këtë e thoshte në Bruksel, në Paris, në Londër në Brelin e ku jo tjetër. Ai ishte zëri më autentik I Kosovës në Europë. Vdekja e gjeti në detyrën e këshilltarit në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bruksel, pikërisht aty ku tërë jetën ia kushtoi shtetndërtimit të vendit të vet.