Një fill i kuq bashkon votën e Francës dhe rizgjedhjen e mundëshme të Donald Trump-it. Dy liberaldemokracitë më të lashta të Perëndimit rrotullohen në dy kriza paralele. Pothuaj dyzet vite më parë paralajmërimi I trampizmit ndodhte jo rastësisht në rrethnajën pariziane. Viti ishte 1986. Isha korrespondent nga Parizi kur president ishte François Miterrand, një vigan i së majtës evropiane, së paku si shtat kulturor.
Megjithatë nën sytë e tij ndodhte diçka që askush nuk e kuptoi atëherë në udhëheqjen e partisë socialiste franceze. Vitet Tetëdhjetë panë sukseset e para të Ballit Kombëtar, n’atë kohë i drejtuar nga babai i Marine Le Pen, Jean Marie. Ai arriti të bënte të zgjidhej në Ishullin e Francës, një departament që përfshin qytetin e Parizit. Filloi në këtë periudhë një zhvendosje e klasës puntore. Rrethnaja pariziane që kishte qenë komuniste prej një përjetësie, filloi të votojë djathtas. Dhjetëvjeçarë më parë se kjo dukuri të bëhej e fuqishme në të gjithë Perëndimin, kishte ndodhur aty dhe arsyeja ishte njëra: imigracioni.
E majta mitterrandiane nuk mund të kuptonte sepse ishte vendosur mirë në lagjet shik të kryeqytetit (si Bregu i Majtë), ku imigrantët janë vetëm të dobishëm: drejtojnë metronë, mbledhin plehërat, shërbejnë në restorantet, vijnë e pastrojnë shtëpitë, ndërmjet gjërave të tjera. Ndërsa në rrethnajë, ku jetojnë puntorët metalmekanikë të Renosë, algjerianë, marokinë e tunizianë ishin komshijtë e shtëpisë në sheshpushimin përballë. Bijtë e tyre ishin të rinjtë që trajtonin vajzat e bardha si plaçkë seksuale. Herë herë ishin shpërndarësit e drogës së lagjes. Ndonjëherë këta djem “beur” (brezi i dytë me origjinë arabe) ndiznin automobilët; por jo BMW e Mercedes të lagjeve të pasura. Vërshonte që atëherë një ligjësim “nga e majta” i agresivitetit në emër të gabimeve të kolonializmit për t’u ndrequr; edhe se puntorët francezë nuk kishin patur asnjë dobi, ishin ata të paracaktuarit e afruar të zemërimit e duhej t’a pësonin duke heshtur, në emër të “fajeve të të bardhëve”. Hapeshin xhami të reja dhe medrese fondamentaliste të paguara nga vajgurdollarët sauditë. Policia, e efektëshme në zonat shik të lagjeve pesë, gjashtë e shtatë, në rrethnajat rrezikonte sa më pak të mundëshme, duke i u lënë të tjerëve kontrollin e territorit.
Drejtuesit e së majtës tërheqëse, nga Mitterrani tek ministri Kulturës Xhek Lang, përuronin vepra të çmueshme në qendër, si Louvri i Madh dhe Muzeu d’Orsay. Puntorët filluan të dyshojnë se e majta kishte zgjedhur të tjera shtresa e të tjera interesa për të mbrojtur.
Çfarë gabimesh të së majtës kishin “fabrikuar” Le Penin? Një nga frazat më në përdorim që bënte të njiheshin opinionistët përparimtarë ishte që “duhet të qëndrojmë nga ana e më të dobtëve”. Nënkuptimi: me që të dobtit ishin të huajtë mundësisht edhe pa dokumenta, aq më mirë nëse kanë dhe lëkurën të zeshkët. Së paku një pjesë e së majtës, ka vendosur se janë gjithmonë e vetëm këta viktima të caktuara të padrejtësisë. Aq më keq për pensionistët e varfër, me nënshtetësi kombëtare, që në mbrëmje kanë frikë të kthehen në shtëpi se nën të komandojnë shpërndarësit e drogës. U përgjigjen me citime statistikash, për të treguar se nuk ka asnjë lidhje ndërmjet të huajve dhe kriminalitetit. Pra nëse ata shohin afrikanët veriorë që shpërndajnë drogë pa u hyrë ferrë në këmbë në këmbësoret e lagjes së tyre, është një iluzion optik. Për më tepër, të bëhen afrime ndërmjet zanatit të shpërndarësit dhe prejardhjes së tij etnike, është një refleks racist. Duhet të heshtë pensionisti i varfër, të ketë turp kur ka mendime të tilla të fëlliqura.
Kjo lidh votën në Francë me atë që mund të ndodhë në Shtetet e Bashkuar….. edhe duke mos mbajtur parasysh shpartallimin e Joe Biden-it në televizion.
Revolucioni amerikan i viteve 1765 – 1787 frymëzoi atë francez të 1789. Ato dy Republika së bashku i dhanë jetë deklaratave të të drejtave njerëzore që vazhdojnë të na frymëzojnë edhe më shumë se dy shekuj mbrapa. Binjakëria vazhdon në rënien.
Këmbëngulja për të thënë se një “baticë e zezë “ fashiste qëndron pezull mbi dy demokracitë më të lashta, është një justifikim për të mos sqaruar përgjegjësitë. Është e rehatëshme të flitet për “murtajën e zezë” sikur t’ishte një epidemi. Kështu shmanget përmëndja e emrave të fajtorëve, shmanget paditja e gabimeve t’atyre që po i dorëzojnë së djathtës këtë mbizotërim.
“Corriere della Sera”, 1 korrik 2024 Përktheu Eugjen Merlika