Kufijtë e sfidës, që Rusia po i bën NATO-s, po zgjerohen me një ritëm që tejkalon edhe dinamikën e kohës së luftës së ftohtë. Ky është kuptimi, që mund t’i jepet nga pikëpamja strategjike serisë së provokacioneve të aviacionit ushtarak rus, të dislokuar në Siri, i cili në ditët e para të tetorit shkeli disa herë hapësirën ajrore turke. Është një sjellje e cila komprometon jo vetëm synimet dhe veprimtarinë ushtarake ruse në Siri, por që sinjalizon një plan më të gjerë rus, që shtrihet në gjithë Lindjen e Mesme, por edhe më tej se ky rajon.
Përtej klishesë diplomatike allakomuniste ruse, që dhunimet e hapësirës ajrore turke i justifikoi me motin e keq dhe me gabimet në navigacion, seria e provokimeve ushtarake ruse ndaj Turqisë ka një domethënie më të gjerë diplomatike, ushtarake dhe strategjike. Pse pikërisht Turqia dhe pse për shembull avionët ushtarakë ruse, të dislokuar në Siri, nuk shkelën “gabimisht” hapësirën ajrore të Izraelit apo të Libanit? Kjo do të thotë që ka një kthesë të politikës dhe të qëndrimit të Rusisë ndaj Turqisë. Suksesi diplomatik dhe ushtarak, që arriti Rusia me hyrjen në Siri, duke realizuar vendosjen ushtarake të saj në atë vend, ka turbulluar logjikën gjeopolitike Kremlinit për të ecur më thellë në një rrugë të gabuar.
Rusia dhe Turqia kishin arritur të ruanin marrëdhënie të qëndrueshme dhe bashkëpunim, me gjithë krizën ukrainase dhe aneksimin e dhunshëm rus të gadishullit të Krimesë, ku ka një popullsi autoktone me origjinë turkike në shifrën 20 për qind. Në kohën e izolimit ndërkombëtar të Rusisë për shkak të ndërhyrjes ruse në Ukrainë, qëndrimi miqësor turk ndaj Moskës kishte për diplomacinë ruse vlera shumë të mëdha. Të dyja shtetet kishin mundur të ruanin ekuilibrin e bashkëpunimit dhe shpallën disa megaprojekte të përbashkëta energjetike dhe ekonomike, me gjithë krizën e zgjatur siriane, për të cilën mbanin qëndrime të kundërta. Turqia i është përmbajtur pikëpamjes se zgjidhja e krizës siriane kërkon largimin nga pushteti të Asadit, ndërsa Rusia e ka mbrojtur dhe mbajtur në këmbë atë regjim nëpërmjet furnizimeve me armë, para dhe këshilltarë ushtarakë. Deri para ndërhyrjes së hapur ushtarake ruse në Siri, që ndodhi në fund të shtatorit, Rusia dhe Turqia kishin arritur të ndanin krizat ukrainase dhe siriane nga marrëdhëniet e tyre dypalëshe dhe të kërkonin intensifikimin e këtyre marrëdhënieve, në përputhje me interesat reciproke. Turqia, së bashku me shtetet perëndimore, shprehën kundërshtimin e tyre për ndërhyrjen ushtarake ruse në Siri dhe i cilësuan sulmet ajrore të aviacionit ushtarak rus në atë vend kundër pozicioneve të opozitës siriane si një gabim i rëndë i Moskës.
Tani kemi një thyerje të politikës ruse në marrëdhëniet me Turqinë. Rusia bëhet pjesë e problemit dhe e krizës siriane dhe në këtë perspektivë shfaqet e predispozuar të keqësojë marrëdhëniet me Turqinë për hatër të regjimit të Asadit. Është një llogaritje e keqe dhe një çmim vërtet tepër i lartë për t’u paguar nga pikëpamja strategjike, dhe që të habit për lehtësinë, me të cilën presidenti Vladimir Putin shkeli premtimet e tij të mëdha për “marrëdhënie të veçanta” me Turqinë.
Kremlini duhet ta ketë të qartë se kjo politikë e rrezikshme ruse kundrejt Turqisë nuk mund të jetë pa pasoja për të. Rusia vërtet i ka kthyer dhunimet e hapësirave ajrore të shteteve sovrane në një metodë tradicionale të presioneve dhe të shantazhit ndaj shteteve të tjera, siç ka bërë me Finlandën, Suedinë, Norvegjinë, Estoninë, Lituaninë, Letoninë etj. Tani harta e provokacioneve ushtarako-ajrore ruse shtrihet në krahun jugor dhe juglindor të NATO-s. Pasioni i provokacioneve ushtarako ajrore i ka bërë strategët politikë dhe ushtarakë të Kremlinit të harrojnë se Turqia nuk është as Estonia dhe as Finlanda.
Ankaraja reagoi me gjakftohtësi ndaj provokimeve ushtarake ruse, duke thirrur dy herë ambasadorin rus dhe duke paraqitur shqetësimin në një bisedë telefonike të ministrit të saj të Jashtëm me ministrin e Jashtëm rus. Por qeveria turke vendosi disa piketa të qarta dhe kryeministri Ahmet Davutoglu deklaroi se forcat ushtarake turke kanë udhëzimet e sakta për të ndërmarrë hapat e duhur, që asnjë zog të mos shkelë hapësirën ajrore turke.
Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, para tri javësh ishte në Moskë dhe zhvilloi bisedime me presidentin Vladimir Putin, i cili as e njoftoi për ndërhyrjen ushtarake ruse në Siri (në një kohë kur ia bëri këtë njoftim kryeministrit izraelit Netaniahu), dhe mori premtime të mëdha për rëndësinë që Kremlini u jep bashkëpunimit dhe marrëdhënieve me Turqinë. Përballë kësaj prerjeje në besë, tipike bizantine, nga ana e presidentit rus, Erdogan e bëri të qartë në 6 tetor se ajo, që do të humbte më shumë nga humbja e një shteti mik si Turqia, do të ishte Rusia. Për një qëndrim racional flet edhe fakti që presidenti turk iu kundërpërgjigj provokacioneve ushtarake ruse me një kartë civile, siç është karta energjetike. Ai ia bëri të qartë Rusisë se Turqia, e cila është konsumatorja më e madhe e gazit natyral rus, mund t’u drejtohet edhe burimeve të tjera për plotësimin e nevojave të saj. Gjithashtu, ai theksoi se edhe për centralin bërthamor, që Rusia do të ndërtojë në Turqi, dhe për të cilin ka shpenzuar deri tani 3 miliardë dollarë, pala turke mund t’u drejtohet shteteve të tjera. Nuk është vështirë për të nxjerrë llogaritë e humbjeve ruse nga një prishje e marrëdhënieve me Turqinë, kur vetëm kostoja e centralit bërthamor është 20 miliardë dollarë.
Duke acaruar artificialisht marrëdhëniet me Turqinë, Rusia bën një autogol të madh energjetik. Pikërisht duke u mbështetur në marrëdhëniet shumë të mira me Turqinë, Vladimir Putin shpalli në 1 dhjetor të vitit të kaluar në Ankara anulimin e projektit të gazsjellësit rus “South Stream”, që do të kalonte nga Bullgaria, dhe ndërtimin e një gazsjellësi të ri rus, “Turkish Stream”, që do të kalonte nga territori turk për në Europë. Por në këtë klimë jomiqësore, që Moska po krijon me Turqinë, perspektiva e këtij gazsjellësi të ri duket tepër e zymtë. Moska mund të humbasë një alternativë gazsjellësi, që është e vetmja pas asaj të Ukrainës, shtet të cilin Rusia po kërkon me çdo kusht që ta shmangë. Nuk duhet harruar se edhe gazsjellësi i anuluar rus “South Stream”, do të shkonte në Bullgari, duke kaluar nëpër zonën ekonomike ekskluzive të Turqisë në Detin e Zi.
Seriali provokativ ushtarako-ajror rus në hapësirën ajrore turke sjell një provë të kërcënimeve dhe rreziqeve, që përmban dislokimi dhe ndërhyrja direkte e forcave ushtarake ruse në Siri. Është thënë vazhdimisht se forcat ushtarake ruse në Siri do të jenë një faktor i acarimit të situatës dhe të konfliktit atje, por dhe i tensioneve në Lindjen e Mesme dhe më gjerë. Nuk mund të mos krijojë dyshime të mëdha fakti që Rusia ka dislokuar në Siri bateri të raketave tokë-ajër dhe sisteme të interceptimit të avionëve dhe të bllokimit të radarëve, armatime dhe pajisje këto, që nuk kanë asnjë lidhje me ISIS-in, sepse organizata ISIS nuk ka forca ajrore. Nuk është e rastit, që me sulmet ajrore ruse në Siri, të cilat po bëhen pa mandat të OKB-së, dhe të cilat po godasin jo objektivat terroristë të ISIS-it, por forcat demokratike antiqeveritare siriane, ka një aktivizim më të madh të organizatave terroriste kurde kundër Turqisë. Ekspertët presin që dislokimi i forcave ushtarake ruse në Siri të inkurajojë shtimin e veprimtarisë së grupeve dhe të organizatave terroriste antiperëndimore dhe antiatlantike, që ndodhen në Siri, Irak, Liban etj. “The Jamestoën Foundation”, në një analizë me titull: “A ka pasur ndonjë rol Rusia në sulmet e fundit ndaj gazsjellësve turq?”, botuar në 27 shtator, shkruan se “PKK (Partia Kurde e Punës, organizatë e listuar terroriste në SHBA, Turqi etj. dhe nga NATO) , nuk ka zhvilluar aktivitete të tilla në të kaluarën. Megjithatë, koha e kësaj vale të fundit sulmesh mbi gazsjellësit koincidon me tensionet në rritje në marrëdhëniet turko-ruse”.
Duke qenë se planet e Rusisë për të krijuar vatra tensioni me Turqinë janë një paralajmërim i politikave dhe i strategjive të rrezikshme me objektiva shumë të gjerë, që shkojnë përtej rajonit të Lindjes së Mesme dhe Mesdheut Lindor, Aleanca Atlantike reagoi me vendosmëri ndaj akteve provokative ruse dhe i klasifikoi si një provokacion ndaj gjithë Aleancës. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cilësoi si dhunime të papranueshme të hapësirës ajrore turke dhe atlantike dhe deklaroi se siguria e aleancës është e pandashme, dhe në 8 tetor paralajmëroi se NATO është e gatshme të dislokojë forca, nëse është e nevojshme të mbrojë Turqinë nga ndonjë kërcënim nga Rusia. “NATO është në terren. NATO do ju mbrojë ju. NATO është gati”, deklaroi ai.
Duke provokuar Turqinë ushtarakisht nga territori i Sirisë, Moska synon t’i bëjë presion lidhur me qëndrimin e drejtë, që Ankaraja mban ndaj regjimit të Asadit. Në të njëjtën kohë kërkon t’i demonstrojë Asadit një provë të re mbështetjeje përballë shteteve atlantike, që nuk e durojnë regjimin antidemokratik sirian.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, njëlloj si personazhet e famshme të modës, është i apasionuar në mënyrë narcistike pas sjelljes së sfidës ndaj çdo norme dhe kodi ndërkombëtar. Nuk është përjashtim në galerinë tipike lindore bizantine të sjelljes së udhëheqësve, që kanë drejtuar Kremlinin, në kohën e Bashkimit Sovjetik. Është një sjellje megalomane, e cila, e dashuruar pas imazhit të vetes, harron të respektojë parametrat, themelet dhe mundësitë reale të asaj politike. Kështu tentoi edhe kreu i dikurshëm i Kremlinit, Leonid Brezhnjevi, kur pushtoi Afganistanin dhe e futi vendin në garën e çmendur të luftës së yjeve me SHBA-të, dhe theu kurrizin e ekonomisë ruso-sovjetike. Në këtë lloj rruge pa krye duket se po afrohet edhe politika e ëndrrës imperiale të Vladimir Putinit, të cilin shkëlqimi i kurorës cariste po e pengon të kujtojë se drejton një shtet, që prodhon vetëm hidrokarbure, gjë që do të thotë se varet njëlloj nga tregu, siç mendon ai se varen të tjerët nga gazi rus. Në këto kushte, nuk është produktive të krijosh armiqësi me shtete e popuj, që janë arra të forta. Rusia nuk mund ta fitojë ndaj Perëndimit garën, të cilën e humbi kur quhej Bashkimi Sovjetik. Dhe Turqia, që ka mbajtur një peshë të madhe të mbrojtjes perëndimore gjatë luftës së ftohtë, është pjesë e rëndësishme e Perëndimit.
Komentet