Refleksione për apologjinë e Idajet Beqirit
Me gjithë respektin që kemi për intelektualin Idajet Beqiri, na duket se apologjia e tij për Mehmet Shehun, ngjan si ato romanet policeske, që lexohen pas një dreke të bollshme, ndërkohë që populli shqiptar në përgjithësi sot, ka probleme të ekzistencës së tij sociale dhe kombëtare. Rrezikshmëria që e ndiejnë të gjithë, i ngjan një ajsbergu, që nuk dihet se çfarë do të na kurdisin nesër miqtë tanë të nderuar, që e duan aq shumë Shqipërinë, sikundër ja kurdisën Mehmet Shehut dhe grupit të tij agjenturor.
Brenda narracionit artistik të z. Beqiri, ka disa kontradikta që e shpartallon përfundimisht tentativën e tij dashamirëse për apologji, nga një person i jurisprudencës, që fatkeqësisht nuk ka mundur të futet në dokumente dhe argumente të besueshme. Z. Beqiri akuzon për vrasjen e Shehut: Ramiz Alinë, Kadri Hazbiun dhe Feçor Shehun, akuzë më se e pranueshme për ne, sepse Kadri Hazbiu dhe Feçor Shehu kanë drejtuar tërë veprimtarinë e fshehtë të Sigurimit të Shtetit, dhe nga ata, mund të prisje çdo gjë, aq më tepër që cilësori “Jago”, që i ka dhënë Mehmet Shehu në letrën e lamtumirës Kadri Hazbiut, është i besueshëm. Por, motivi i eliminimit, që sjell z. Beqiri, është i pabesueshëm: “Ramiz Alia i ofroi Kadri Hazbiut postin e kryeministrit. Ndërsa Feçor Shehun e garantoi për të qenë ministër të Brendshëm të përjetshëm. Kjo sepse Feçorri ishte mallakastriot”.
Shumë errësirë mund të ketë pasur në ndërgjegjen e atyre njerëzve, por mbetet e pabesueshme oferta e Alisë ndaj Kadri Hazbiut, i cili në vitin 1981 kishte një pozitë superiore karshi një sekretari të propagandës siç ishte Ramiz Alia. S’mund ta ulte kaq poshtë veten, Kadri Hazbiu, për të kërkuar si lëmoshë postin e kryeministrit nga Alia, në kohën që ky kishte në dorë jo vetëm Ramiz Alinë, por tërë shtetin shqiptar! E besueshme mbetet aksioma e z. Beqiri se “Feçor Shehu u bë mblesi” real i fejesës së djalit të ish-kryeministrit”, sepse ajo ishte detyra e tij, kompromentimi i kuadrove dhe dëmtimi sa më shumë i themeleve të shtetit socialist.
Për ta bërë të besueshme apologjinë e tij, Beqiri shkruan se Feçor Shehu i çoi Mehmetit me shkrim, vetëm biografinë e familjes së babait të Silva Turdiut. Por, në autokritikën e Mehmet Shehut më 17 dhjetor 1981, shkruhet: “Pavarësisht nga ato informata që mora për familjen e Qazim Turdiut (për vetë Qazimin, të shoqen, djalin dhe vajzën) dhe pavarësisht nga ato që m’u thanë se familja e ngushtë e Qazim Turdiut, nuk mban lidhje me fisin e arratisur e me qëndrim armiqësor, pavarësisht nga të gjitha këto, edhe me aq sa u informova në fillim nga vetë djali (Skënderi), ato të dhëna ishin të mjaftueshme për t’u refuzuar fejesa nga ana ime menjëherë dhe në mënyrë kategorike”.
Që këtu bie apologjia e z. Beqiri. Sikundër e pamë më lart, Shehu e njihte mirë biografinë e Familjes Turdiu, nga babai dhe nga nëna, megjithatë ai e pranoi fejesën e djalit me mbesën e antikomunistit të tërbuar dhe shërbëtorit të CIA-s, Arshi Pipës, pse? Z. Beqiri dhe shumë të tjerë, tentojnë ta trajtojnë problemin e eliminimit të Shehut për motive “të dobëta”, me prapavijë ambicien dhe karrierizmin e Kadri Hazbiut, duke shmangur thelbin e vërtetë të këtij veteliminimi terrorist, aspektin politik. Për këtë na bind vetë autori i shkrimit, cili me shumë vërtetësi dhe objektivitet, pohon se Enver Hoxha do t’i jepte një Vërejtje në Kartën e Regjistrimit për fejesën e nxituar, të cilën duhet ta prishte. Këtë ndershmëri dhe burrëri të Enver Hoxhës, Shehu e kishte provuar disa herë në jetën e tij, edhe kur kishte bërë krime të pamotivuara. Shehu në autokritikën e tij të 17 dhjetorit, ka shkruar: “E dhashë pëlqimin tim për fejesë, duke u nisur nga mendime e konsideracione të gabuara, siç do të mundohem ta shpjegoj më poshtë, kur të flas për arsyet dhe shkaqet, që më çuan në atë gabim të rëndë, duke e parë tash çështjen në dritën e kritikës së drejtë dhe të ndihmës shoqërore, që më ka dhënë disa herë me radhë, në këtë rast, shoku Enver. Shkaqet që më çuan në atë gabim të rëndë përbëhen nga disa faktorë të ndryshëm, që lidhen edhe me disa elemente negative të vetë karakterit tim, që, në raste të veçanta, shfaqen edhe gjatë punës dhe jetës time”.
Në këtë situatë, Shehu dhe familja e tij, duhet të ishin krejtësisht të qetë dhe të bindur se deri në çastin e autokritikës së tij, nuk ka motiv për alarmim, nuk ka frikë për arrestim, dënimi me vërejtje ishte i përsëritur, diçka e zakonshme, prandaj familja Shehu atë natë, duhej të flinte e qetë. Për ta përforcuar këtë, po sjellim edhe argumentin tjetër të z. Beqiri për reagimin e Shehut ndaj kërkesës së djalit Skënderit, për ta marrë në telefon në Suedi: “Kur erdhi Mehmeti në shtëpi, Fiqreti ia tha këtë gjë. Mehmeti gjakftohtë i tha që nuk ka asnjë problem se flasim nesër”.
Përkundër kësaj, z. Beqiri bie në grackë, na e përshkruan Fiqreten në gjendje alarmi: “Rreth orës 21.15 minuta, Kadri Hazbiu shkoi në shtëpinë e Mehmet Shehut, dhe bisedoi gjatë me Fiqiret Shehun, për ecurinë e mbledhjes dhe kahjen që ajo do të merrte ditën e nesërme… Madje i tha edhe një intrigë të gjallë të shpifur, sikur Enver Hoxha e kishte porositur që arrestimin e Mehmet Shehut të nesërmen, do ta bënte vetë Kadri Hazbiu… Analizuan shpejtë situatën me logjikën të shpëtojmë ç’mund të shpëtojmë. Fiqireti duke patur përvojën e rasteve të shumta të mënyrës së eliminimit të udhëheqjes së lartë të Partisë, para Mehmetit, për të shpëtuar fëmijët, veten dhe gjithë pjesëtarët e tjerë të familjes, e bindur se Kadri Hazbiu dhe Ramiz Alia do ta ndihmonin, siç i premtuan, e lëshoi veten në dorën e tij”.
Sikundër shihet, Fiqireti e lëshoi veten në dorën e Kadri Hazbiut, dhe jo në dorën e Enver Hoxhës, ndershmërinë dhe drejtësinë e të cilit e kishin provuar edhe shumë herë të tjera. Pse Fiqireti i besoi dhe e lëshoi veten në dorën e Kadri Hazbiut? Pse duhet ta ndihmonin vetëm Kadri Hazbiu dhe Ramiz Alia, dhe jo Enver Hoxha dhe gjithë Byroja Politike, nëse ajo, dhe i shoqi, do të ishin të pastër politikisht? Ku ishte Mehmet Shehu gjatë kësaj bisede të gjatë të Kadri Hazbiut me Fiqiretin në orët e vona të natës në shtëpinë e tij? Kjo është shumë kompromentuese për apologjinë e z. Beqiri, sepse na krijon bindjen që Fiqireti e njihte mirë trekëndëshin agjenturor: Shehu-Hazbiu-Shehu!
Të gjithë e dinë se ndihma në Byronë Politike përpara Enver Hoxhës, nuk mund të vinte nga një njeri, cilido qoftë ai, ndihma vinte vetëm nga drejtësia dhe zbatimi i parimeve dhe normave të Partisë. Nëse nuk shkeleshin normat e Partisë dhe ligjet e shtetit, askush nuk mund të dënohej, këtë e dinte mirë Fiqireti. Nëse shkeleshin normat, nuk kishte mbrojtës personal që mund ta shpëtonte në Byronë Politike, sepse Byroja nuk ishte një organizatë partie fshati, as një parti e tipit borgjez si këto të sotmet.
Në fund të fundit, çfarë ndihme priste Fiqireti nga Hazbi-Alia, që nuk do t’ia jepte Enver Hoxha dhe anëtarët e tjerë të Byrosë Politike? Për këtë nuk është i qatë z. Beqiri, i cili e thur përrallën, sikur të ketë për protagoniste një çupëlinë naive, dhe jo një drejtuese afërsisht 40 vjeçare të regjur të punëve të Partisë dhe të Pushtetit Popullor, për normat e të cilit, me të drejtë ai shkruan: “Njohësit e vërtetë të atij sistemi, njohësit e vërtetë të Partisë së Punës, të Statutit të saj, të parimeve dhe normave të saj, e dinë mirë që, Statuti ishte “Kushtetuta” e Partisë. Para tij dhe Partisë të gjithë anëtarët ishin të barabartë. Në këto kushte Mehmet Shehu edhe pse ishte Kryeministër, kishte gabuar rëndë, me “zbutjen skandaloze të luftës së klasave”, ndaj nuk mund t’i shmangej gjykimit”.
Këto parime i njihte mirë edhe Fiqireti, përse kërkonte ndihmë prapa krahëve të Partisë? Lind pyetja: kaq naive ishte Fiqireti, ish-sekretare e parë e Komitetit të Partisë së Tiranës, aktualisht anëtare e KQPPSH dhe Drejtoreshë e Shkollës së Lartë të Partisë, që u mësonte kuadrove të larta normat e Partisë dhe mësimet e Marksizëm-Leninizmit, që të mund të besonte shantazhet e Kadri Hazbiut, kur e kishte eksperiencën dhe mundësinë të shkonte dhe të bisedonte direkt me Enver Hoxhën?! Përse ajo besoi Kadriun, se do të arrestohej i shoqi për një gabim, që mund të korrigjohej, dhe nuk shkoi ta verifikonte këtë, direkt me Enver Hoxhën, sikundër shkoi për t’i thënë se Mehmeti ishte i shqetësuar? Përse u alarmua Fiqireti, nëse nuk kishte diçka të fshehtë mes tyre e Enverit?! Nuk kishte asgjë për t’u alarmuar, nëse do të ishin të pastër para Partisë; prishej fejesa lehtësisht dhe vazhdonte puna normalisht me një vërejtje. Fiqireti e dinte ndershmërinë dhe objektivitetin e Enverit, edhe në raste të tjera më të rënda, ai nuk e kishte arrestuar Mehmetin, pse do ta arrestonte për një fejesë të gabuar?
Profesori im në Institutin e Arteve, Albert Paparisto, dashuronte një vajzë me biografi të keqe, e thirrën dhe i thanë: “në rast se do të marrësh atë, do të dorëzosh dokumentin e Partisë”. Ai e dorëzoi dokumentin dhe mbajti për grua vajzën që dashuronte, duke e ruajtur dashurinë për Partinë, e duke vazhduar punën në Institut si edhe më parë. Por, biografia e saj, ishte e ngatërruar me probleme të brendshme dhe jo me agjentura të huaja, sikundër edhe e shumë të rinjve të tjerëve, që u dashuruan, u martuan dhe jetuan të qetë.
Fejesa e djalit të Mehmet Shehut, nuk ishte e ngatërruar me një biografi të njollosur dosido, me elementë të brendshëm, por e lidhur me agjentin e CIA-s dhe armikun e betuar të Partisë Punës, Arshi Pipën. Ky ishte një problem shumë serioz, sepse lind pyetja: me kë do të qëndronte pas kësaj Kryeministri i Shqipërisë më vonë: me Partinë e Punës, apo me CIA-n amerikane?! S’besoj se z. Beqiri do të pranonte rrugë të mesme!
Ajo që e kompromenton keq z. Beqiri, është pyetja: Përse nuk e denoncoi Fiqireti shantazhin e kryer prapa krahëve të Partisë nga Kadri Hazbiu, nëse i shoqi do të ishte i ndershëm politikisht dhe parimor? Përse nuk protestoi për këtë vendim të marrë nga jashtë vendimit të Byrosë Politike, nëse e ka besuar vërtet Kadri Hazbiun?! Nëse Fiqireti do të ishte e pastër, si mund të pranonte ndihmë nga veprime të dyshimta dhe të fshehta, që ishin në kundërshtim me vijën e Partisë?! Duhet të ishte i tillë brumë, që bënte pazare me Kadri Hazbiun!
Në mbledhjen e Komiteti të Partisë të Ministrisë së Brendshme, Shiku Enver veç të tjerash, shtroi pyetjen: “Ku po e çoni Partinë shokë të Ministrisë së Brendshme”? Dhe për devijimet politike në Ministrinë e Brendshme, duke i fshehur ato me punën e mbyllur dhe të verbër të karakterit të asaj pune, sekretari i Komitetit të Partisë së Ministrisë, në atë kohë, Bato Karafili, vrau veten!
Argumenti paralel që sjell z. Beqiri, se Fiqireti kishte përvojë nga internimet e familjeve të disa udhëheqësve të lartë të Partisë, të dënuar për veprimtari armiqësore, është një argument që na bind se kemi të bëjmë me raste të ngjashme, sepse ndryshe nuk justifikohet frika e Fiqiretit dhe lëshimi në duart e Kadri Hazbiut, për të eliminuar shokun e jetës! Ka diçka më serioze që ajo ra në prehrin e Kadri Hazbiut! Që shokët e saj të dënuar më parë, janë dënuar për faje reale, Fiqiretja është e bindur, se ajo dhe i shoqi, Mehmet Shehu, kanë ndikuar në dënimet e tyre, në të kundërt, do të ngriheshin në mbrojtje të së drejtës, në mbrojtje të vijës së Partisë, të normave juridike të sanksionuara në Statutin e Partisë dhe në Kodin e Procedurës Penale. Fiqireti ka pasur përvojë të hidhur nga dënimet e drejta të kolegëve të saj, prandaj e kishte zënë data dhe për të shpëtuar veten dhe fëmijët, pranoi të zbatonte planin B, sikundër ka shkruar z. Beqiri, për të vrarë burrin, si ledi Makbeth.
Ajo që duhet t’i themi z. Beqiri, është fakti se në Shtëpinë e Shehut, Kadri Hazbiu ka biseduar me Fiqiretin në prani të Mehmetit, duke i sqaruar situatën e vështirë: kërkesën e padronëve për vetëvrasjen, për të mos u kompromentuar rrejti agjenturor dhe burimi i këtij rrejti. Prandaj Shehu e cilëson “Jago” Kadri Hazbiun. Nuk ka shpjegim tjetër. Këtu përligjet frika e Fiqiretit dhe e vetë Shehut. E realizoi vetë apo me ndihmën e të tjerëve eliminimin, s’ka rëndësi.
Me gjithë urdhrin e padronëve, Shehu nuk mund ta vriste Enver Hoxhën, jo vetëm se kjo ishte e pamundur për popullaritetin e madh që kishte ai në popull si Prijës i tyre, dhe pa një pronë private dhe privilegje në raport me të tjerët, por edhe për faktin se trajtimi dashamirës dhe vlerësues i Enver Hoxhës ndaj tij, atë e obligonte shumë. Ai ishte i bindur se Enver Hoxha ishte shumë principal, shumë humanitar, shumë popullor, që s’mund të krahasohej me ata kriminelë që e detyronin ta vriste atë, dhe të kthente kursin e politikës shqiptare properëndimore, kthim që do t’i kushtonte shumë këtij vendi, sikundër i kushtoi Greqisë me luftën civile. Me aktin e tij vetëvrasës, Shehu bëri një gjest kalorsiak, duke denoncuar ndërhyrjet e agjenturave të brendshme, në mënyrën e vet.
Këtu duhet parë thelbi i çështjes, si çështje thellësisht politike, jo çështje karriere e Kadri Hazbiut, sepse aktualisht Kadriu, si ministër i Brendshëm, ishte mbi Mehmet Shehun. Në letrën e lamtumirës, Mehmet Shehu, në një çast “sinqeriteti”, e pranon se do të vriste veten për gabimet që i dinte ai dhe dëshmon se edhe në vitin 1981 në Byronë Politike dhe KQ të Partisë paska armiq që kërkojnë t’i bëjnë varrin Shqipërisë, socializmit dhe Enver Hoxhës. Përse nuk i zbuloi këta armiq sa ishte ministër i Brendshëm?! Ishte i paaftë?! Po gjithë ato epitete si “strateg” i madh, “gjeni”, si do t’i komentonte z. Beqiri dhe apologjetët e tjerë të Shehut?!
Mehmet Shehu e “ka dashur” Enver Hoxhën, e “ka dashur” Partinë, e “ka dashur” socializmin, i cili rrezikohej nga Kadri Hazbiu dhe Ramiz Alia, përse e la vetëm Enver Hoxhën në luftën kundër tyre, përderisa e donte dhe e vlerësonte Atë?! Përse nuk pranoi burrërisht ta arrestonte Partia, qoftë edhe i pafajshëm, veç të zbulonte me dokumente “Jagon” dhe “Hrushovin” që rrezikonin Shqipërinë?!
Me vetëvrasjen e tij, e ndihmoi apo e dëmtoi Enver Hoxhën, të cilit duhet t’i parashtronte faktet konkrete për rekrutimin e Hazbiut dhe Aliajt nga agjentura të huaja?! Çfarë kushte speciale kërkonte kryeministri nga Enver Hoxha, për të denoncuar Jago-Kadriun dhe Hrushov-Ramizin, ndërkohë që Partia kishte Statutin e saj, që detyronte cilindo komunist të mbronte vijën e partisë nga cilido që e rrezikonte atë?! Përse nuk e kishte bërë më parë këtë denoncim, por u kujtua t’i denonconte në letrën e fundit, fshehur Enver Hoxhës, si burracak! Nuk e bëri më parë këtë denoncim, sepse duhet t’ia dinte Kadri Hazbiu horllëqet, dhe të dy rrinin të terrorizuar se mos u zbulohej loja e dyfishtë, për të cilin një punonjës i Sigurimit të Shtetit, deklaroi në televizion, se: “Shehu ka qenë agjent i CIA-s me pseudonimin MISH–Mehmet Ismail Shehu”.
Mehmet Shehu kishte frikë, se edhe pse me një autokritikë, ai do të mbetej në vëzhgim dhe do të kërkoheshin mendimet e kuadrove dhe popullit për të, veçanërisht për vështirësimin e ekonomisë me iniciativën e famshme të tufëzimit të bagëtisë nga fshatarët. Kësaj analize, që po bëhej e domosdoshme, ai nuk mund t’i shpëtonte dot, sepse nuk do të mund ta justifikonte dot angazhimin e tij aq të madh, kur dihet se nuk ka një vendim të Byrosë Politike për tufëzimin, atë e parashtroi si iniciativë vetë Shehu. Qoftë edhe iniciativë nga poshtë, si nuk ishte në gjendje ky “strateg”, ky “gjeni”, të parashikonte rrezikshmërinë dhe katastrofën që po afronte si rrjedhim i kësaj iniciative. Prandaj e kuptoi se eliminimi i tij ishte i pashmangshëm.
Z. Beqiri shkruan se Arshi Pipa, ishte dajua i nuses që e aprovoi Mehmet Shehu. Ndryshe nga të arratisur të tjerë, Pipa ishte treguar aktiv në denoncimin e regjimit komunist të Tiranës në Perëndim. Merrte pjesë në konferenca kundër regjimeve komuniste dhe fliste dendur në radiot perëndimore që dëgjoheshin edhe në Shqipëri si “Radio Europa e Lirë”. Pipa ishte pedagog në universitetin e Nju Jorkut, e kishte të siguruar jetën, sikundër edhe intelektualë të tjerë shqiptar në Amerikë, përse duhej të lehte dhe të angazhohej kaq shumë kundër komunizmit në Shqipëri dhe personalisht kundër Enver Hoxhës?! Arshi Pipa nuk u arratis vetë, atë e dërgoi Mehmet Shehu së bashku me Kadri Hazbiun me urdhër të padronëve për të luftuar në opinionin botëror socializmin në Shqipëri, njëkohësisht dobësimi i opinionit për socializmin, lehtësonte nesër përmbysjen e socializmit dhe përligjte mbretërimin e tyre.
Si mund të lejonte antikomunisti i tërbuar dhe agjenti i CIA-s, Arshi Pipa, fejesën e mbesës së tij me djalin e “komunistit të tërbuar” Mehmet Shehut, kreut të pushtetit të diktaturës së proletariatit, nëse nuk do të ishin të dy në një linjë?! Pipa e kurdisi këtë fejesë me urdhër të padronëve të tij, pikërisht për të kompromentuar agjentin e tyre, djegia e të cilit do të dobësonte edhe më shumë pozitën drejtuese të Enver Hoxhës, në momentin historik kur lëvizja revolucionare në Kosovë ishte ndezur, dhe demonstratat e rinisë dhe studentëve kosovarë kishin tronditur shtetin jugosllav dhe krijonin premisa për çlirimin e Kosovës me anën e ndërhyrjes ushtarake të Shqipërisë dhe bashkimin e tërë kombit. Nëse do të arrihej ky objektiv i vendosur nga Enver Hoxha, agjenturat e huaja e kishin të humbur davanë për ta përdorur Shqipërinë si zonë influence.
Njeriu që mund të kenë dërguar tek Shehu, mbrëmjen fatale, përcillte mesazhin për të bërë zgjedhjen e paracaktuar qysh më parë prej padronëve të Shehut, mesazh fatal, të cilën tre vjet më vonë, Nikolla Bethel, gjyqtari ndërkombëtar për lirinë e informacionit, e ka denoncuar si praktikë terroriste nga ana e CIA-s: “Në qoftë se disa udhëheqës shqiptarë do të ishin eliminuar edhe me mision vetëvrasje, kjo gjë do t’ia vlente”. (N. Bethel, “The Great Betrayal”, Londër 1984, .f. 148)
Na bën përshtypje fakti se z. Beqiri përcjell bisedat e të tjerëve si të ketë qenë prezent në bisedat e Ramiz Alia me Enver Hoxhën, në bisedat e Ramiz Alisë me Kadri Hazbiun, në bisedat e Kadriut me Fiqireten etj. Kuptohet z. Beqiri nuk ka qenë i pranishëm në ato biseda. Mirë do të ishte që z. Beqiri të na sillte disa dokumente, kjo do të ishte kontribut në këtë çështje kaq të përfolur dhe të amplifikuar, po nga shërbimet e huaja, në arkivat e të cilave ekziston edhe ky dokument: Nëntor 1944: “Ndjenja probritanike është e dukshme në disa nga udhëheqësit më kryesorë, duket qartë se ka disa që janë krejtësisht kundër politikës së tanishme të Partisë, por të paaftë për t’i shprehur pikëpamjet e tyre hapur. Është megjithatë e rëndësishme të merret në konsideratë opozita potenciale brenda lëvizjes dhe udhëheqësve të saj të mundshëm, këta janë: Mehmet Shehu: është personalisht një njeri ambicioz e mburravec, ai është pa dyshim figura ushtarake më e respektuar dhe më e rëndësishme brenda lëvizjes, ai është komunist por ambicia e tij personale e kapërcen besnikërinë e tij ndaj Partisë… Duhet bërë çdo përpjekje për të penguar eliminimin e këtyre elementëve pro-britanikë tashmë të njohur nga ne dhe të përpiqemi t’i ngremë këta pareshtur”. (W.Bland – J.Price, A Tangled Web”, Londër 1986. f.285, dokumenti i departamentit të shtetit amerikan: A. M16/875.01/11-2244)
Sikundër shihet, tek ky dokument, shërbimet e fshehta amerikanë interesohen pikërisht për Mehmet Shehun, si probritanik, dhe jo për ndonjë shqiptar tjetër. S’kemi arsye përse të mos i besojmë përpjekjeve të zbulimit amerikan për ta ngritur pareshtur Shehun në hierarkinë e lartë partiake dhe shtetërore shqiptare.
Pak me siper ka nje shkrim tuajin per perdhosjen pas vdekjes se kritikut letrar Razi brahimi.
Tani, ju vete, perdhosni gjithe ata, qe Enveri vrau, per te lene ne fuqi Ramiz Aline dhe per te siguruar familjen e vet. Sigurisht Enveri, i shtyre edhe nga Nexhmija, e cila eshte shtysa e veprimeve tuaja sot, u gabua rende.
Ju nuk mund te ndryshoni historine, aq me teper nuk mund te perdhosni njerez si Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu. Ata kishin gabimet e tyre, por nuk u vrane per vepra tradhetie. Ata qe i vrane, sidomos Ramizi e Nexhmija, kane sekrete te erreta ne “biografine e tyre politike”, te cilat nisin qe nga casti kur u arrestuan ne nje demonstrate kunder fashisteve italiane. Cfare neneshkruan ne qelite fashiste dhe si dolen pa “asnje cen” nga qelia, nje dite do behet e njohur. Ka njerez qe po shkruajne.
Pse u denua Mehmeti, e pas tij edhe Kadriu, ka shume njerez qe e dine. Nuk ndihen sot, sepse Nexhmija te vret. Te vret me “opinione” te sherbetoreve si ti, te vret edhe me menyra te tjera.
Ka njerez te pushtetshem, te cilet preferojne te mos ndihen, sepse, ne regjimin komunist kane ngrene nga nje luge “me gjelle”, per te cilen mund te vjellin edhe sot. A nuk shkroi kadare dicka kunder Enverit e Nexhmijes dhe, ajo pra, zonja e zeze, i botoi nje leter, e shkruajtur me percartje (gje e zakonshme ne ate kohe) nga Kadare, ku ky cdo gje ia dedikonte Enverit e Partise?!
Nexhmija ka nje arkive te mynxyrshme ne sherbim te vet. Por, diten kur do ike nga kjo bote, njerezit do jene me te shlirshem dhe dokumentet e vulosura do te hapen.
Aty do dalesh edhe ti.
Ti dhe Idajeti jeni ane te se njejtes medalje. Ai genjen per Mehmetin, Hysniun, Kadriun…gjithnje ne sherbim te te njejtes zonje! Ti, duke kopjuar librat e saj dhe te Enverit, godet po te njejtet njerez. Do pyesesh: “cne Hysniu?”. Po edhe Hysniu, po te mos kishte vdekur do te vritej njelloj. Jo se Enveri nuk e shprehu nje gje te tille. Por, u tremb se ne Vlore pati reagime te forta.
Po e mbyll duke te thene se je per te ardhur keq. Nexhmijen sot nuk e do djali i saj, aq e tmerrshme eshte ajo grua. Se sa per popullin…ai do e kishte shqyer ne ngjarjet e rrezimit te bustit te Enverit. Kaq!!!