Shtetet anëtare të G7 pritet të ratifikojnë një marrëveshje afatgjatë të sigurisë me Ukrainën në samitin e NATO-s të mërkurën. Ajo do të përfshijë pajisje për mbrojtje, trajnim dhe shkëmbim të informacionit sekret.
Kryeministri britanik Rishi Sunak tha se marrëveshja do t’i dërgonte një “sinjal të fortë” presidentit rus Putin.
Kjo vjen pasi presidenti i Ukrainës Zelensky kritikoi hezitimin e NATO-s për t’i dhënë Kievit një afat kohor për t’u bashkuar me aleancën.
Z. Sunak tha se aleatët e Kievit po i shtojnë “marrëveshjet e tyre zyrtare për të mbrojtur Ukrainën për një afat të gjatë”.
“Ne nuk duhet të shohim kurrë një përsëritje të asaj që ka ndodhur në Ukrainë dhe kjo deklaratë rikonfirmon angazhimin tonë për të siguruar që ajo të mos lihet kurrë e cenueshme ndaj llojit të brutalitetit që Rusia ka shkaktuar ndaj saj,” tha ai.
Ai shtoi se mbështetja e “rrugës së Kievit drejt anëtarësimit në NATO”, si dhe “marrëveshjet zyrtare, shumëpalëshe dhe dypalëshe” nga anëtarët e NATO-s do të dërgonin një mesazh të qartë për presidentin rus dhe “kthimin e paqes në Evropë”.
Sunak tha se Mbretëria e Bashkuar kishte luajtur një rol udhëheqës në marrëveshjen që përfshin partnerët e G7, Kanadanë, Francën, Gjermaninë, Italinë, Japoninë dhe SHBA-në. Më shumë detaje priten të mërkurën.
Presidenti i SHBA Joe Biden sugjeroi më herët një model për Ukrainën të ngjashëm me marrëveshjen e vendit të tij me Izraelin. Sipas kësaj marrëveshjeje, Uashingtoni është zotuar të ofrojë 3.8 miliardë dollarë ndihmë ushtarake në vit gjatë një dekade.
Por ndryshe nga anëtarësimi në NATO – kjo nuk përfshin një klauzolë për t’i ardhur në ndihmë kombit në fjalë gjatë një periudhe sulmi.
Njoftimi i G7 vjen pasi NATO tha se Ukraina mund t’i bashkohet aleancës ushtarake “kur aleatët të bien dakord dhe të plotësohen kushtet” – një vonesë që Zelensky e ka quajtur “absurde”.
Kievi pranon se nuk mund të bashkohet me NATO-n përsa kohë është në luftë me Rusinë, por dëshiron të bashkohet sa më shpejt që të jetë e mundur pas përfundimit të luftimeve.
Duke iu drejtuar të mbledhurve në kryeqytetin lituanez të martën, Zelensky tha: “NATO do t’i japë Ukrainës siguri – Ukraina do ta bëjë aleancën më të fortë”.
Ai gjithashtu prezantoi një flamur beteje nga qyteti i shkatërruar i Bakhmut – vendi i betejës më të gjatë dhe ndoshta më të përgjakshme në pushtimin rus të Ukrainës.
Zelensky kishte postuar më herët në Tëitter se “pasiguria është dobësi” dhe tha se mungesa e një afati kohor të rënë dakord do të thoshte se anëtarësimi eventual i vendit të tij mund të bëhej një mjet pazaresh.