Në një kohë kur shumica e aeroplanëve të pasagjerëve në botë janë ende të parkuar në aeroporte, për shkak të pandemisë së koronavirusit, linjat ajrore dhe aeroportet po shpallin masa shëndetësore për të parandaluar përhapjen e virusit.
Ka të ngjarë që pasagjerët do të përjetojnë një përvojë krejtësisht të ndryshme fluturimi, me kontrollet e temperaturës, shumë dezinfektues dhe mbajtjen e maskave mbrojtëse, njoftojnë media botërore.
Distanca fizike do të jetë e detyrueshme.
Në SHBA, Administrata e Sigurisë së Transportit (TSA) thotë se udhëtarët duhet të lajnë duart e tyre për 20 sekonda – në përputhje me udhëzimet zyrtare – para dhe pas procesit të kontrollit të sigurisë.
Por në Aeroportin Ndërkombëtar të Hong Kong-ut është duke u testuar një pajisje e dezinfektimit të plotë të trupit të pasagjerëve. Aeroporti ka thënë se një aparat i tillë mund të bëjë dezinfektimin e një personi brenda 40 sekondave, duke përdorur substanca që shkatërrojnë bakteret dhe viruset në lëkurë dhe veshje.
Aeroporti do të vë në funksion edhe robotë, të cilët përmes rrezeve ultravjollcë, do të dezinfektojnë hapësirën brenda aeroportit.
Shumica e aeroporteve në botë do të publikojnë udhëzimet për pasagjerët në hyrje të objektit.
James Thornton, shefi ekzekutiv i Grupit Intrepid Travel, i tha BBC-së se procesi i kalimit nëpër aeroporte ka të ngjarë të zgjasë më shumë për shkak të kontrolleve më të rrepta.
Në fillim të këtij viti, disa aeroporte njoftuan se do të zbatojnë matjen e temperaturës për pasagjerët, si një përpjekje për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Sidoqoftë, çështja e matjes së temperaturës është vlerësuar në mënyra të ndryshme për shkak të efektivitetit të saj, pasi shumë njerëz kanë raportuar se nuk kanë pasur simptome edhe pse ishin të infektuar me koronavirusin e ri.
Duke nisur nga data 4 maj, Aeroporti i Vjenës do të ofrojë mundësinë e testimit për koronavirusin e ri.
Deri tani, personat që hyjnë në Austri, është dashur të posedojnë një certifikatë shëndetësore që nuk janë të infektuar me COVID-19. Në të kundërten, ata detyroheshin të izolohen për 14 ditë.
Testimin në aeroport, i cili kushton 190 euro, mund ta bëjnë edhe udhëtarët që largohen nga Vjena.
Emiratet e Bashkuara Arabe u ofrojnë udhëtarëve teste të shpejta të gjakut Covid-19 në terminalet e aeroportit të Dubai. Testet japin rezultate brenda 10 minutave.
Brenda aeroplanit
Derisa jeni duke hyrë në aeroplan, pjesëtarët e ekuipazhit të aeroplanit mbase do të kenë maska mbrojtëse.
Një kompani ajrore koreane, planifikon që të obligojë ekuipazhin e saj të veshë pajisje mbrojtëse personale, siç janë: maskat mbrojtëse, dorezat dhe maska për sytë.
Shumica e kompanive ajrore kanë thënë se nuk do të shesin bileta për ulësen e mesme duke e lënë atë të zbrasët në mënyrë që të mundësohet distanca fizike mes pasagjerëve.
Derisa ministrat e Transportit të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian po shqyrtojnë mundësitë se si të rifillojnë trafikun ajror, disa linja ajrore kanë kundërshtuar duke thënë se lënia e vendeve bosh në aeroplanët si masë e distancës fizike është një ide e kotë dhe madje “idiotike”, raporton Politico.
Grupi i lobimit Airlines for Europe – A4E, përmes një letre drejtuar ministrave të transportit të BE-së, deklaroi se masat e distancës fizike në aeroplan nuk ishin as të nevojshme dhe as të realizueshme.
Ky grup argumenton se është e pamundur që ekuipazhi i aeroplanëve të ruajë distancën fizike dy metra larg nga udhëtarët, dhe se kjo do të ketë ndikime financiare për linjat ajrore, të cilat do të obligoheshin të mbushnin vetëm dy të tretat e vendeve për pasagjerë.
Zyrtarët e linjës ajrore me kosto të ulët Ryanair thanë se idetë ishin “idiotike” duke shtuar se nëse vendet në mes do të mbeten bosh, atëherë qeveritë duhet të paguajnë për to, por edhe nëse u imponohet një zgjidhje e tillë, ajo nuk do të siguronte distancë fizike.
Sipas Politico, ekspertët vlerësojnë se masat e detyrueshme të distancës fizike mund t’i japin fund udhëtimit të lirë ajror.
Ndërsa Rregullatori Evropian i Aviacionit po punon në udhëzimet e sigurisë, aeroportet në mbarë Evropën po shqyrtojnë masat më të përshtatshme të dezinfektimit, instalimin e pajisjeve të testimit dhe kontrollit të temperaturës të pasagjerëve.
Kompania ajrore Boeing ka thënë se nuk pret që udhëtimi ajror të kthehet në nivelet e vitit 2019 të paktën deri në vitin 2023.
Përgatiti: Kestrin Kumnova
Komentet