VOAL

VOAL

FYROM – KY FQINJ I PANDREQSHËM – Nga BESNIK BAKIU

May 23, 2015

Komentet

“Dorëheqje, qeveri teknike dhe zgjedhje”- Ish-deputeti: Pushteti rrëzohet vetëm me revoltë popullore dhe bashkim opozitar

Qëndresë deri në fund! Janë me lakun në fyt

  Vetëm revolta dhe rezistenca e opozitës bashkë me qytetarët mund ta rrëzojë këtë qeveri, që e ka lakun në fyt.

 

Shteti është zhytur në afera korruptive dhe ka rënë, kurse zgjidhja do të ishin dorëheqja, qeveria teknike dhe zhvillimi i dy palë zgjedhjeve në të njëjtën kohë, lokaleve dhe të përgjithshme.

Kështu tha sot në studion e “News 24” ish-deputeti Lefter Maliqi. Ai e sheh suksesin e opozitës vetëm tek bashkimi dhe përballja, sepse në të kundërt Rama nuk ngopet me pushtete dhe do i kapë të gjitha.

“Sot do jetë vendimmarrje, revoltë popullore. Qeveria ka rënë, duhet vetëm qëndresë qytetare dhe opozitare e fortë. Së shpejti do të dalin edhe informacione e përgjime të reja të Ergys Agasit dhe të tjerëve dhe përgjimet që ai ka bërë”, tha ish-ligjvënësi, njëkohësisht kandidat për deputet i opozitës në disa zgjedhje në qarkun e Beratit.

Maliqi e konsideron situatën alarmante, kurse qeveria ka si plane të saj vetëm të përçajë opozitën, siç bëri me Berishën dhe Metën. Sipas tij, kjo qeveri nuk ka as mbështetjen ndërkombëtare, veçanërisht të SHBA-ve.

“Jemi në një situatë alarmante, shpopullim masiv, tenderët janë përqendruar në një grup të qeverisë. Duke blerë McGonigalin dhe përçarë PD-në. Duke futur në burg zotin Meta dhe duke vënë nën arrest liderin e opozitës Berisha, këto janë mënyrat e kësaj qeverie. Opozita e dha një shenjë bashkimi që në zgjedhjet e pjesshme lokale të nëntorit. Por ka edhe parti të tjera që duan të faktorizohen, si Lapaj dhe Shehaj, dhe mirë bëjnë, sepse edhe ato kanë nevojat e tyre”, vijoi ai.

Maliqi shtoi se qëllimi i opozitës duhet të jetë vetëm rrëzimi i qeverisë nëpërmjet dorëheqjes dhe synimi i një qeverie teknike që çon drejt zgjedhjeve të reja.

“Por synimi është dorëheqja e qeverisë Rama dhe Ballukut, qeveri teknike për një vit dhe më pas zgjedhje lokale dhe të përgjithshme në një kohë. Qëllimi është rrëzimi i kësaj qeverie. SHBA-të nuk i kanë bërë asnjë urim qeverisë Rama për zgjedhjet e 11 majit, ka lidhje të pushtetit me krimin e organizuar, niveli i lartë i korrupsionit. Rezolutën popullore nuk e ndalojnë dot”, tha ish-deputeti.

Ai informoi edhe për zhvillimet e fundit nga dosja e bujshme e AKSH-it, ku vuri theksin tek përgjimet që ka bërë i akuzuari nga SPAK, Ergys Agasi, por edhe tek aferat e zv/kryeministres Belinda Balluku, që gjithashtu sipas tij, mban peng kryeministrin me mesazhet e saj.

“Rama nuk ngopet me pushtet dhe kërkon që t’i marrë të gjitha. Kur Ergys Agasi ka bërë gjithë këto përgjime, imagjinoni se çfarë përgjimesh ka bërë Balluku, mjafton të shohësh edhe mënyrën se si komunikon, duke i thënë “palloshi i gjatë”. Atij i është afruar laku, tani po hetohet edhe AKSH-i, i kanë ikur shefat e kabinetit dhe po i hetohen. Ai po kërkon të mbrojë veten e tij me çdo kusht”, përfundoi Maliqi.

Me gjithë këto skandale të qeverisë, populli duhet të ishte në protestë në çdo qytet! Shqiptarët të refuzojnë talljen dhe fyerjen, opozita të frymëzojë

 

Qytetarët duhet të ishin ngritur në protesta në të gjitha qytetet e vendit dhe jo vetëm në Tiranë, përballë këtyre skandaleve qeveritare me abuzime në tenderë, buxhetin e shtetit dhe madje dyshimeve për lidhjet me krimin e organizuar.

Kështu shprehet analisti dhe gazetari Agim Baçi në studion e “News 24”, disa orë para protestës kombëtare të Partisë Demokratike, që do mbahet në orën 18:00 para Kryeministrisë, ku kërkohet dorëheqja e qeverisë pas skandaleve të zv/kryeministres Belinda Balluku.

“Duhet të kishim jo thjesht një protestë sot, por disa protesta mbarë shqiptarë, kur dalin ato përgjime ku implikohen zyrtarë të lartë, deri edhe te krimi i organizuar dhe grup i strukturuar kriminal. Shqiptarët duhet të kishin treguar refuzimin e tyre ndaj talljes, ndaj vjedhjes. Partitë politike mund të organizojnë dhe kanë tagër për protesta, në të gjithë vendin, por nëse do të shkojë deri te qeveria, e ka në dorë opozita. Mosbindja civile nuk shkoi siç duhej, pasi nuk prodhoi asgjë. Mund të kenë ndarje për shumë gjëra, PD dhe Lapaj, por për protesta, kauza është e njëjtë. Protestat janë për të rregulluar jetën e brendshme të partive”, tha ai.

Analisti nënvizoi se jo domosdoshmërisht protestat sjellin rrëzime qeverish, por krijojnë frymë qytetare, ku populli refuzon vjedhjet e zyrtarëve dhe u përgjigjet, por ai mendon se opozita ka problemet e saj, të cilat ndikojnë edhe në pjesëmarrjen jo të lartë.

“Në 21 janar nuk u rrëzua qeveria, edhe pse ndodhi ajo që ndodhi. Pse kjo pengesë dhe mospjesëmarrje në protestat e thirrua nga PD. PD nuk ishte e sinqertë me votuesit e vetë. Nuk bëri një analizë të fortë për zgjedhjet e 11 majit. Populli kur përmbys diçka, kërkon diçka tjetër. Por a nuk e ka kuptuar populli që Rama ka shkelur Kushtetutën? Populli ka përgjegjësinë e vetë, që mos të duartrokasë atë që e vjedh dhe mos të adhurojë atë që bën të fortin. Por përse nguron që të shoh opozitën si forcë fituese? Ja rrëzoi Ramën, thotë populli, por kë do të mbështesë?! Ne duhet të jemi kritikë ndaj pamundësisë që ka treguar opozita për t’u kthyer në një qeverisje alternative”, vijon Baçi.

Ai vë theksin tek përfshirja e sa më shumë qytetarëve përballë kësaj situate dhe tek një analizë e fortë brenda opozitës.

“Populli duhet të kishte reaguar ndaj këtyre shkeljeve. Nuk mendoj dot se ka shpjegim tjetër se përse nuk ka dorëheqje, shkarkime dhe largime!”, tha ai.

Baçi nënvizon se në fund të fundit luftën me padrejtësinë dhe shkeljet po e bën Drejtësia, por nuk është ajo që votohet në fund, por partitë, të cilat nga ana e tyre nuk krijojnë frymëzimin e duhur në popull, ndoshta edhe për shkak të mungesës së një transparence me mbështetësit, sidomos pas 11 majit.

“Kjo duhet të ishte një protestë pa nxitjen e Berishës apo të Agron Shehajt e Lapajt, qytetarët duhet të ngrihen vetë. Protestat janë gjithmonë të rëndësishme. Pyetja është pse kjo mospjesëmarrje në protestat e PD-së. Besoj se kjo vjen nga mungesa e analiza e thellë brenda PD-së për zgjedhjet e 11 majit dhe mungesa e sinqeritetit me mbështetësit e saj. Këta presin se çfarë do bëjë SPAK, por SPAK nuk votohet, Dumani nuk votohet dhe as Braho. Ndryshe kjo situatë kthehet në normalitet. Qytetarët duhet të refuzojnë talljen që u bëhet”, tha ai.

U filmua fshehur në zyrën e Ergys Agasit, Mirlinda Karçanaj: E kam takuar disa herë! Tregon edhe për lidhjet me Ermal Beqirin!

Drejtoresha  e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karaçnaj është pjesë e asaj që Prokuroria e Posaçme (SPAK) e konsideron grup i strukturuar kriminal. Ndaj saj është caktuar masa e sigurisë “arrest shtëpie”, ndërsa pak ditë më parë, konkretisht më 3 dhjetor ajo ka dhënë dëshminë e saj në SPAK.

 

Karçanaj është filmuar me zë dhe figurë nga Ergys Agasi, në zyrën e këtij të fundit, ku së bashku me biznesmenin Ermal Beqiri bënin pazaret.

 

Në asnjë moment në dëshminë e saj në SPAK Karçanaj nuk i ka mohuar takimet me Ergys Agasin në zyrën e këtij të fundit, madje thotë se të dy kanë njohje të vjetra. Ajo thotë se në zyrën e Agasit janë takuar për punë private.

“Raport miqësor nuk kam me asnjë por për t’i njohur i njoh të gjithë pasi janë pak dhe janë ekspertë të fushës. As nuk pi kafe dhe as nuk rri apo të shoqërohem me ndonjë operator ekonomik jashtë zyre. Ka patur një rast ku kam takuar një operator ekonomik të cilin e kam takuar rastësisht në zyrën e një të njohurit tim, të cilin e kisha takuar për një kafe në zyrën e tij, për shkak të një konsulence private, konkretisht në zyrën e shtetasit Ergys Agasi, me të cilin kam njohje të vjetra, të cilin e kam takuar disa herë në zyrën e tij, për çështje private.

Ergysi do të bënte një partneritet që donte të bënte me një kompani izraelite, dhe më pyeti për një zgjedhje teknike. Në këtë ambient ka qenë dhe shtetasi Ermal Beqiri, i cili rezultoi në mënyrë rastësore prezent në këtë takim.

Me shtetasin Ermal Beqiri mund të jem takuar vetëm një herë jashtë zyre në një ambient privat por jemi takuar në ambientet e AKSHI si me çdo drejtues të kompanive private, për të mirëmenaxhuar implementimin projekteve shtetërore.

Me shtetasin Ergys Agasi, mund të jem takuar disa herë në zyrën e tij, për shkak të raportit miqësor që ne kemi. Po kështu, deklaroj faktin se lidhur me njohjen time me shtetasin Ermal Beqiri, kam qenë gjithashtu në një udhëtim të përbashkët me shumë përfaqësues të tjerë të shoqërive të teknologjisë dhe informacionit, të cilat kanë krijuar një organizatë jofitimprurëse së bashku dhe gjatë kohës së fushatës, u kërkua nga kryeministri, që të shkohej në Greqi dhe t’u kërkohej emigrantëve që të ktheheshin në atdhe, me qëllim për t’u punësuar në institucione të ndryshme dhe institucionin tonë.  Në këtë eveniment në Greqi kanë qenë të gjithë operatorët ekonomikë, pjesë të shoqatës “Akti”, në të cilën edhe prezenca e kompanive në panairin e punësimit është kërkuar nga zëvendëskryeministrja në bllokun e ekonomisë…”

Për procedurat e prokurimit

Në SPAK ajo është pyetur në lidhje me ndjekjen dhe organizimin e procedurave të prokurimit, ku ka deklaruar se sipas ligjit për prokurimin publik, nuk lihet shumë hapësirë për veprime të tjera, pasi ligji e përcakton qartë se si funksionon kjo procedurë.  Ajo mohon të ketë ndonjëherë në hartimin apo modifikimin e kritereve.

“Në rastin kur sipas ligjit për qeverisjen elektronike, vijnë kërkesa nga institucione të ndryshme, ato diskutohen paraprakisht me AKSHI dhe në rast se vlerësohet nevoja, ne ndjekim të gjithë procedurën e prokurimit, si hartimin e termave të referencës e të gjithë pjesën tjetër të procedurës, sipas parashikimeve ligjore në fuqi. Në rast se buxheti miratohet, ne i drejtohemi institucioneve përgjegjëse për krijimin e grupeve të punës pasi na duhen përfaqësues të këtyre institucioneve, pasi është e nevojshme për shkak të problematikave ose nevojave që kanë këto institucione, gjithmonë në varësi të tipologjisë së nevojave apo procedurës  konkrete që do të prokurohet. Termat e referencës dakordësohen nga grupet e punës, përveç se mbledhjeve të drejtorisë së projekteve që bën mbledhje në mënyrë të vazhdueshme. Ndërhyrja ime në termat e referencës gjithnjë ka karakter teknik, lidhur me platformën e ndërveprimit. Projektet ndiqen edhe nga ne dhe nga ana e institucioneve kërkuese, me qëllim garantimin e integritetit dhe mirëfunksionimit të të gjithë sistemeve që do të prokurohen. Në përvojën time 12 vjeçare, nuk kam ndërhyrë ndonjëherë në hartimin apo modifikimin e kritereve“, ka deklaruar ajo.

Lidhur me vendosjen e emrave në grupet e punës të cilat hartojnë kriteret e veçanta të kualifikimit ajo deklaroi se: “..Në varësi të tipologjisë së sistemit, konsultohem me drejtorët e departamenteve apo shefat e sektorëve, pasi ata kanë dhe informacion lidhur me ngarkesën e punës së stafit të tyre, por dhe ekspertizën e gjithsecilit. Zakonisht janë tre veta në grup, gjithnjë me një përfaqësues të institucionit i cili do të marri dhe shërbimin. Në rastin e blerjeve të pajisjeve TIK, janë të gjithë drejtorët e drejtorive të institucionit tonë, të cilët janë pjesë e hartimit të termave të referencës, përcaktimin e kritereve të veçanta të kualifikimit si dhe përcaktimin e fondit limit…”

Anulimi i dy procedurave të prokurimit 

Lidhur me interpretimin e bërë në dy memo-t të datës 20.05.2025, si pasojë e të cilave u anuluan dy procedura prokurimi, pas njoftimit të shpalljes së fituesit, konkretisht BOE “Advanced Business Solutions-ABS” dhe “Synapse ATS, Mirlinda Karçanaj shpjegoi se kjo lidhet me CSP pasi oficeri i sigurisë së AKSHI-t ka marrë dijeni që operatori në fjalë i është hequr CSI dhe si rrjedhojë ka sugjeruar anulimin.

“Me thënë të drejtën në 12 vite punë, nuk jam marrë ndonjëherë me operatorët ekonomikë. Sipas argumentimit të kësaj memo, CSP fitohet ngushtësisht e lidhur me vendin e punës që kishte AKSHI. Në rastin konkret, shoqëria ABS, kishte CSP të pajisura vetëm për vendin e punës në Kuvend dhe vetëm për këtë ambient dhe për rrjedhojë nuk do të mund të kualifikohej dhe as të lejohej të hynte në data-center. Nuk di t’ju them lidhur me vendimmarrjen e KVO-së pasi ata kanë bërë punën е tyre sipas përcaktimeve ligjore. Memo në fjalë, është konsultuar me zëvendësdrejtoreshën dhe mе mua, sepse siguria e data-center është primare dhe unë i kam qëndruar këtij arsyetimi pasi nëse do lidhnim kontratën me operatorin në fjalë, ai do të ishte i paaftë ti përgjigjej kërkesave të kontratës së lidhur. Madje mund t’ju them se është bërë një problem i madh nga ky operator ekonomik pasi ka pezulluar punën e të gjithë institucioneve shqiptare, nëpërmjet ankesave që ka bërë për shumë procedura prokurimi dhe jo vetëm në AKSHI, fakt për të cilin kam rënë në dijeni, edhe nëpërmjet informacionit që është publik në faqen e KPP-së.”

Ndërsa u pyet konkretisht për bisedën e zhvilluar midis saj dhe shtetasit Ergys Agasi, Mirlinda  Karçanaj deklaroi se: “Ka qenë një projekt që nuk kishte të bënte me shtetin, një projekt izraelit, nuk më kujtohet saktë se për çfarë bëhej falë, por për shkak të njohurive të mia në këtë fushë, më kërkoi mendim teknik lidhur me çështjen…”.

Përsa i përket lidhjes shoqërore mes shtetasve Ermal Beqiri dhe Ergys Agasi ajo deklaroi se nuk ishte në dijeni të raportit që ata kanë midis tyre.

Gjithashtu, Mirlinda Karçanaj u pyet edhe për faktin nëse në bisedën e zhvilluar midis saj dhe shtetasit Ergys Agasi, a kuptoi që dhe shtetasi Ermal Beqiri do të ishte pjesë e këtij projekti, pyetje së cilës ajo ju përgjigj duke deklaruar se: “Jo, ai qëlloi thjesht aty dhe nuk mu duk sikur ai ishte pjesë e këtij projekti…”.

Ndërkohë, lidhur me faktin që shtetasit Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri kanë dhe bashkëpunim financiar, konkretisht se dhe shtetasi Ergys Agasi është ortak i një shoqërisë “EA Solution”, e cila ka objekt aktiviteti zhvillim, implementim dhe mirëmbajtje të sistemeve, programeve në fushën e teknologjisë së informacionit, shtetasja Mirlinda Karçanaj u përgjigj se nuk ka qenë në dijeni të këtij fakti, dhe se nuk ka enë pjesë e diskutimeve asnjë herë.

Përgjimet që fundosën Mirlinda Karçanajn! Takimet sekrete në zyrën e Ergys Agasit, si u zbulua nga “çimka” e biznesmenit

Zbardhet dosja e SPAK për aferën e Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), në të cilën përfunduan si grup i strukturuar kriminal, drejtoresha e Përgjithshme, Mirlinda Karçanaj, zv.drejtoresha Hava Delibashi, biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, dhe zv.drejtori i Policisë së Tiranës, Erjon Ismaili.

Në argumentet e SPAK, theksohet se Karçanaj ka njohur të drejtpërdrejta me Ermal Beqirin, ky i fundit ortak i shoqërive tregtare që marrin pjesë në tendrerat e AKSHIT.

Takimet e drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj janë konfirmuar nga kamerat e fsheta të instaluara në zyrën e Ergys Agasit.

Ndërkohë që një ndër bisedat e përgjuara mes Karçanajt, Agasit dhe Beqirit theksohet se: Znj. Mirlinda Karçanaj rezulton të ketë njohje të drejtpërdrejta me shtetasin Ermal Beqiri, ky i fundit ortak i shoqërive tregtare, operatorëve ekonomikë që marrin pjesë në procedurat e prokurimit publik të zhvilluar nga Autoriteti Kontraktor, AKSHI.

PO ashtu, ky shtetas është lidhje e shtetasit Ergys Agasi, i cili ka në pronësi, pra është ortak i shoqërisë “EA Solutions” sh.p.k. Edhe ky shtetas është njohje e znj. Karçanaj. Të dhënat e përftuara nga pamjet filmike, të cilat ndodhen në pajisjen kompjuterike të sekuestruar “4-Smart Battery Camera”, tregojnë se këta shtetas janë lidhje e njëri-tjetrit dhe flasin edhe për procedura apo detyra që lidhen me projekte në dukje prokurimi, pasi përmendin se “projekti bën 2 milion, ne do ta bëjmë 4”, ose “nuk futet as në eksperiencë”, të cilat nënkuptojnë përcaktimin e kritereve të procedurave të prokurimit, vlera e kontratave që do të publikohen (fondi limit) etj”.

mirlinda karcanaj

Në dëshminë e saj Mirlinda Karçanaj sipas SPAK nuk ka mohuar njohjet me Ergys Agasin dhe me Ermal Beqirin.

“Znj. Karçanaj ka deklaruar në deklarimet e saj, se me shtetasin Ergys Agasi ka raport miqësor, ka njohje të vjetra dhe e ka takuar disa herë në zyrën e tij, për çështje private. Po ashtu, nga të dhënat e përftuara, organi procedues ka ardhur në dijeni të faktit se shtetësja Viola Agasi (që rezulton të jetë në përbërje të grupeve të punës në procedurat e AKSHI-r), e punësuar te AKSHI, është e motra e shtetasit Ergys Agasi!

Lidhur me shtetasin Ermal Beqiri, znj. Karçanaj ka deklaruar se e ka takuar njëherë rastësisht në zyrën e z. Agasi, ku z. Agasi donte të bënte një partneritet me një kompani izraelite, dhe e ka pyetur atë për zgjidhje teknike.

Prezent në ambient ka qenë edhe z. Beqiri, i cili sipas deklarueses ka qenë prezent në mënyrë rastësore. PO ashtu, me z. Beqiri deklaron që ka patur një udhëtim të përbashkët, me shumë përfaqësues të tjerë të shoqërive të teknologjisë dhe informacionit, të cilët kanë krijuar një organizatë jofitimprurëse.

Në fakt, takimi në zyrën e z. Agasi konfirmon faktin se të tre këta shtetas janë lidhje e njëri-tjetrit dhe po ashtu znj. Karçanaj është në dijeni të plotë të faktit se z. Agasi dhe z. Beqiri janë njohje dhe lidhje e njëri-tjetrit” thuhet në dosjen e SPAK.

ergys agasi mirlinda karcanaj ermal biqiri OK(2)

ergys agasi mirlinda karcanaj ermal biqiri OK (1)

ergys agasi mirlinda karcanaj ermal biqiri OK (1)

 

“Jemi shumë lart! Nardi nxori sekretin…” Zbardhen detajet nga takimet e Agasit, Karçanajt dhe Beqirit. Biznesmeni kishte kthyer zyrën në Big Brother, regjistronte çdo mbledhje

Gazetarja Klodiana Lala ka siguruar për Neës24 detaje nga dosja hetimore ku janë regjistruar bisedat mes Ergys Agasit dhe Ermal Beqiraj dhe Mirlinda Karçanajn.

Regjistrimet janë bërë me kamera të vendosura në zyrë, e lidhur gjithashtu me telefonin.

Videot janë pamje filmike të ruajtura nga Agasi, megjithatë ka të dhëna për dhjetëra takime të tjera.

Pjesë nga bisedat:
Ermal Beqiri: Informacioni është një gjë shumë më e madhe se numrat
Ergys Agasi: Ueee
Beqiri: Ça me i bo atij…
Agasi: Nuk e diskuto fare mo burrë, tani jemi goxha shumë shumë lart

Agasi: E ke bërë gati kallëzimin penal për Nardin se ka nxjerrë sekret shtetëror Edhe filloi pastaj e pa situatën si shkoi, filloi prap jo Nardi kshu jo ashtu, filloi t’u shpjegu.
Karçanaj largohet.

“Komentin tim e kishte dëgjuar Enver Hoxha dhe…”- Dëshmia e rrallë e Ismet Bellovës Nga Uvil Zajmi

 Thashë se ishim në kushte të vështira atmosferike, më pas më takoi ministri Kadri Hazbiu, më kërcënoi me pranga

 

“Goool i Panos, një tjetër mrekulli e tij…..”; “Gooool, gooool,….ka shënuar Josa, Minga..Shqipëri-Belgjikë 2-0, entuziazëm i madh i pa përshkruar këtu në ‘Qemal Stafa’ të nderuar dëgjues të Radio Tiranës…”. Ky ka qenë zëri i Ismet Bellovës, zëri kryesor i radio-kronikës sportive, që për më shumë se një gjysëm shekulli i ka mbajtur “peng” shqiptarët brenda e jashtë kufijve të qëndrojnë pranë radios, ta ëndërrojnë takimin, të krijojnë imazhin dhe figurën, e të marrin informacionin e shumëpritur. Por, cili ishte ky djalë i ri, energjik të cilit Mazreku i besoi mikrofonin me premtimin se se “ky vend është i yti”? Nga minutat e para tek kronika e fundit, nga “Rubrika Sportive” tek “Nga njëra ndeshje tek tjetra”, nga transmetimet e paharruara, te golat e Panos, ato ndaj Belgjikës, kërcënimet, angazhimet, familja, një histori e papërsëritshme e legjendës së mikrofonit shqiptar, në një rrëfim unikal të “Profesorit” që dje u nda nga jeta në moshën 91 vjeçare.

Fillimet, as letërsi, muzike e teatër, por…!

Lindur më 1934, djalë i një familje pa traditë për të qenë radio-kronist, por me dëshirën për artin, letërsinë muzikën apo teatrin, si preference të adoleshencës, jeta, karriera brilante e Ismet Bellovës, pionierit që luante tek “Ura e Brarit”, te “Vija e ujit e Galipit”, apo te e Llagamëve pranë Spitalit ku kishte shtëpinë, do të ndryshonte, kur aktivitetet tek “Shallvarja”, pastaj Lojërat Ballkanike në Futboll, do të zbulonin pasonin e fshehur të tij për sportin, kryesisht futbollin. Aq më shumë për mikrofonin, aftësinë e zërin që kishte, të cilat do të shpërthejnë pak vite më vonë kur, nxënës në Shkollën e Fizkulturës, gjen mësues të futbollit e të gjeografisë, Anton Mazrekun, madje dikush i thotë atij se Bellova ka dëshirë dhe i pëlqen të transmetojë.

“Më thirri e fillova të shkoj rregullisht çdo të dielë në ‘Qemal Stafa’”- kujtonte Bellova. Dhe nga ato çaste përkrah Anton Mazrekut, në stol, apo kabinë do të shfaqej një i ri i pasionuar, që nuk është më shumë se 16-vjeç. Dhe ashtu siç i pati thënë Mazreku, se; “ky vend është i yti”, mikrofoni sportiv shqiptar në dekadat që do të vijojnë, do të ketë Ismet Bellovën zërin kryesor. “Me Mazrekun ka qenë një rrugëtim i gjatë sa profesional aq edhe jetësor, deri kur padrejtësisht në vitin 1966, në moshën 58-vjeçare e nxorën në pension dhe kur më 3 gusht të 1969, papritur u nda nga jeta” – kujtonte Bellova.

Për të gjithë ai është pasuesi i Mazrekut

Ndonëse nga Mazreku trashëgoi gjithçka ka mundur; edukatën, kulturën, sjelljen, marrëdhëniet, komunikimin, pasionin, anën profesionale, madje edhe atë publicistike, e drejtuese siç ishte ai një ideues dhe organizator i shkëlqyer, në mikrofon Bellova krijoi stilin dhe profilin e tij. “Ishte një ‘zanat’ që kërkonte kujdes, të zotëroje një fjalor të pasur e improvizues, duke i dhënë jetë çdo aksioni edhe atij më ‘banal’ të lojës” – thoshte Bellova. Korrekt, serioz para mikrofonit me radio-kronika direkte, ka mbajtur “peng” mijëra dashamirës, duke bërë që familjet sportistët, gazetarët, të qëndrojnë të grumbulluar para radiove në pritje të komentit të tij.

“Vështirësi në njohjen e futbollistëve kishim kur luanin skuadra të huaja. Shpesh me Mazrekun një ditë para takimit, shkonim në hotelin ku ishin grumbulluar skuadrat takonim lojtarët, për t’i njohur nga afër”- tregonte Bellova. Nga Mazreku ruan përgatitjen, kur dita fillonte me leximin e shtypit, bllokun me shënime, kujdesi për anën estetikën, një kravatë, një kafe pastaj me biçikletë për në stadium, te drejtori Osman Palushi, për të marrë çelësin e kabinës. Mazreku, zakonisht shkonte gjysëm ore para lojës, e në kabinë e gjatë transmetimit mbante edhe Adelinën, vajzën e tij.

“Pak ujë, ndonjë karamele në pushim, dhe pas saj shijonte një cigare, një kafe tek “Kafe-Reka”, pa harruar të merrte një akullore te ish-pastiçeria në Rrugën “Konferenca Peza” (Sot “Rruga Kavajës”), përballë Kishës Katolike. “Nuk më bënte asnjëherë vërejtje, kjo nga fisnikëria që kishte. Ndaheshim gjithmonë tek shtëpia e tij” –përfundonte Bellova, teksa na tregonte për Mazrekun. Dhe në fund, ruante një makinë shkrimi, atë tradicionalen. Nuk përdorte kompjuter, por vazhdonte të shkruaj mbi tastierën e “Olivettit”. “Kam shumë kujtime, një jetë me të e kam lidhur, nuk jemi ndarë dhe nuk do të ndahemi. Më ka shërbyer si asgjë tjetër. E kam një mik të mirë- më thoshte për të edhe Mazreku”- rrëfente Bellova.

Nga e para tek e fundit, falë edhe kordave vokale

Më 29 nëntor 1950, është finalja e Kupës së Republikës, “Partizani”-“Dinamo” 0-1, që regjistron vetëm 9 minutat e para në mikrofon për të riun Bellova. Nuk e njihte askush, por Mazrekut nuk i ndërhynte njeri në vendimet apo përzgjedhjet që bënte. Në vitin 1952, në “Qemal Stafa” luajnë përfaqësuesja e Tiranës dhe një skuadër çeke nga Praga, ku sërish disa minuta për Bellovën, për të ardhur te “Partizani”-“Vllaznia” 4-1, pas të cilës shumë shpejt ai do të jetë “ortak” me Mazrekun, gjysëm loje ai, tjetrën Bellova, shoqëruar me një shpërblim i vogël, 150 lekë, që i merrte te Posta në “Rrugën e Elbasanit”.

“Goool, goool, ka shënuar…”, – ishte shprehja, fraza mitike kur ai shpërthente e komentonte njëherazi golin e realizuar, emocione që do t’i përcillte me entuziazëm përgjatë karrierës radiofonike, duke mos iu ndarë mikrofonit deri te e fundit, ajo e 23 gushtit 2013, “FC Kukësi” – “Trabzanspor”. Një periudhë kohe rekord, për më shumë se një gjysëm shekulli, me mbi mbi 5000 ndeshje, një rast i papërsëritshëm nga askush tjetër, jo vetëm në Shqipërinë radiofonike sportive. “Ato që nuk më tradhtuan asnjëherë, kanë qenë kordat vokale”- na thoshte Bellova. Falë tyre asnjë ndeshje e munguar dhe asnjë moment shëndetësor shqetësues, pasi e ka karakterizuar një jetë korrekte, asnjëherë duhan dhe alkool. I ka qëlluar të transmetojë të shtunën, të dielë, të mërkurë edhe të enjte, deri katër herë në javë, gjithmonë ndeshjen më të rëndësishme.

Nga “Rubrika Sportive”, te “Nga njëra ndeshje tek tjetra”!

E tillë ka qenë e do të mbetet. Në Shqipërinë e viteve ‘60-të, “Rubrika Sportive”, ajo e të dielës në 21.00 të mbrëmjes, e ideuar e praktikuar fillimisht nga Anton Mazreku, kishte interesim të jashtëzakonshëm, madje në orën e këtij emisioni, shoferët ndalonin udhëtimet, ndërpritej puna, deri edhe dasmat, në veçanti momenti kur pas një sigle të shkurtër muzikore, vinte zëri i folëses: “Rreth ndeshjeve të javës së Kampionatit Kombëtar të Futbollit”, apo “Rreth aktivitetit futbollistik të javës”, – duke e shoqëruar me: “Në mikrofon komentatori ynë Ismet Bellova”. Në atë çast e gjithë Shqipëria ndalonte frymëmarrjen, heshtje totale për të dëgjuar atë koment sa sportiv e informues ku përshkruheshin ndeshjet njëra pas tjetrës.

“Ishte një punë intensive, gjithçka në pak kohë, pasi mungonte informacioni i shpejtë, madje shpesh vinte jo i plotë. Në Radio shkoja menjëherë pas ndeshjes dhe deri pak minuta para fillimit të emisionit, komunikoja në linjë telefonike ndërmjet Postës Qendrore, e cila ishte me prenotim si dhe Centralit Ushtarak të Ministrisë së Mbrojtjes, në pritje të më lidhnin me korrespondentët e qyteteve ku ishin zhvilluar takimet, të merrja madje edhe rezultatet e Kategorisë së Dytë, e të rinjve” – rrëfente Bellova. Në vitet kur televizioni shqiptar ishte ende eksperimental e kishte mungesë telekronistësh, Mazreku e Bellova alternoheshin një pjesë loje në radio, tjetrën në ekran.

“Ndërronim portat, si në ndeshje” – tregon mjeshtri mikrofonit sportiv. Deri kur me to u bashkua Skifter Këlliçi e më pas Ahmet Shqarri e Vladimir Grillo. Pastaj ndalet te; “Nga njëra ndeshje tek tjetra”, kur pas siglës hapëse për herë të parë shqiptarët dëgjuan: “Linja në ‘Qemal Stafa’, në mikrofon Ismet Bellova…! “Linja në ‘Vojo Kushi’ për Ymer Stërniqin…”! “Linja në Gjirokastër për Ficon….”! “Ishte një kryevepër e Ahmet Shqarrit, njeriut që e projektoi dhe e realizoi” – kujtonte Bellova. Ka qenë tetori i vitit 1983, kur mori udhë ky emision, që në pak kohë do të jetë më i ndjekuri me një rekord dëgjuesish, protagonist, madje në “vijën e parë” do të jetë Ismet Bellova. E bashkë me të edhe; Aleko Gjergo, Veli Rada, Ymer Stërniqi, Fatmir Mneri, Fico, Qiqi, Ymer Kurti, Rrok Preçi, Fatmir Efica, Sefedin Allkja, Arbër Emiri, Mikel Mbriçaj, Bujar Qesja, Ngjela, Moisi Dalipi, Fype, Agron Kaja, Q. Kurti, Xinxifi, Piro Ruvinën, etj, etj.

Komentet që shqetësuan Enver Hoxhën…!

Viti 1961, në Tiranë luajnë “17 Nëntori” – “Traktori”, koha e keqe me rrebesh, stuhi, së bashku me Mazrekun ndodhen në një kabinë dërrase. “Ishte një moment kur unë thashë se bën ftohtë, fryn erë, shi, duket sikur po bien kërcunj nga qielli, ne po transmetojmë nga një kabinë primitive, dhe po mprehim gozhdë. Fusha është bërë si një kënetë dhe po ngatërrohet futbolli me vatër-polin! Ndërsa ajo po luhej, në të njëjtën kohë po zhvillohej edhe mbledhja e Byrosë Politike e, duke qenë se mjaft anëtarë të saj ishin tifozë, pasi kanë ndjekur takimin në radio, vjen e më takon në sheshin përpara stadiumit, ish-ministri i Brendshëm, Kadri Hazbiu. Me një ton të ashpër më thotë se kjo që kisha bërë, ishte e rëndë dhe fjalët e thëna kishin mërzitur shokun Enver. Më kërcënoi duke më treguar prangat, e më tha se meritoja të shkoja në burgun e Spaçit”, kujtonte Bellova një nga momentet më të vështira të karrierës së tij si radio-kronist.

Ajo frazë thënë i kushtoi disa muaj larg mikrofonit. “Në një Kongres Rinie, në pushim, kam takuar Enver Hoxhën, i cili pasi më vlerësoi për talentin që kisha, më tha të tregohesha më i kujdesshëm me emocionet gjatë transmetimit në radio” – kujtonte Bellova takimin me udhëheqësin kryesor të Shqipërisë komuniste. Po kështu ai kujtonte edhe një rast tjetër kur Mazreku në koment e sipër, thotë se: “djaloshi Ramazan Rragami, la dasmën e shokët dhe shkoi në ndeshje”, dhe të nesërmen Thanas Nano, drejtor i RTSH-së i tërhoqi vëmendjen, duke i thënë se; “Rragami nuk është anëtar Byroje”.

Për një rast të tillë analog, edhe Bellovën e kanë pezulluar gjashtë muaj në vitin 1974, kur në ndeshjen e Shpresave, Shqipëri – Republika Federale Gjermane, u ka kujtuar dëgjuesve se atë ditë, mbrojtësi kavajas Naim Allaj, kishte 20 vjetorin e datëlindjes. “I treti, sërish 6 muaj pezullim, vjen në vitin 1990, kur djali im hyri në ambasadën gjermane”- tregonte Bellova. Ndonëse e kanë akuzuar si tifoz të “Partizanit”, por profesioni nuk ja ka lejuar të demonstronte publikisht se cilën skuadër simpatizonte. “Për mua të gjitha skuadrat ishin njëlloj, ndërsa ajo që më lidh me atë klub, është se kam qenë drejtues atletike dhe për shumë vite pedagog në Shkollën e Bashkuar”, -sqaronte ai.

Në Kavajë, në terren të hapur!

Në Kavajë në prillin e largët të vitit 1963, zhvillohet takimi i dytë final i Kupës së Republikës, midis “Besës” e “17 – Nëntorit”. “Transmetimin e kemi bërë jashtë, në mjedis të hapur. Terreni ishte i rënduar nga shiu, dhe luhej te fusha e vjetër. Interesim i madh jo vetëm nga kavajasit, por kishte edhe tifozë të Tiranës që kishin ardhur. Gjuajtjet e penalltive dhe pritjet e Ali Memës kanë qenë tejet dramatike, dhe në mikrofon kujtoj se ishte Mazreku, që vetëm stili tij mund t’i përcillte me aq emocion ato çaste”- tregonte Bellova. Pastaj i rikthehet një ndër ndeshjeve të paharruara, në veçanti për radio-kronistët kur në “Qemal Stafa” me 31 tetor të vitit 1965, luhet derbi “Partizani” – “17 Nëntori”, stadiumi i tejmbushur dhe “Partizani” pas pjesës së parë kryeson 1-0 me golin mitik të Qoljes.

“Ishte një moment kur papritur në pjesën e dytë dëgjohet një zhurmë rrëqethëse, shpërthejnë britma, dhe në pak sekonda ndeshja u ndërpre e njerëz që vërshuan në fushë. Çaste pasigurie, tronditje e madhe, situatë kaotike e pashpjegueshme, aq më shumë për ne që nga kabina që nuk kuptonim asgjë. Kujtuam fillimisht për një tërmet por Mazrekut, pa e dramatizuar situatën, qetë, sqaroi se nuk kishte ndodhur asgjë e rëndë, nuk ka njerëz të dëmtuar, por janë disa rreshta me shkallë dërrase të portatives përballë tribunës që janë shembur”, – kujtonte Bellova një koment tejet delikat dhe i pazakontë, me të cilat ai përshkoi ato 20 minuta të gjata ankthi, deri kur loja rifilloi.

Transmetimet e rralla, i pari jashtë vendit

Të parën radikoronikë jashtë vendit, e ka pak ndryshe: Ndonëse i njoftuar se do shkojë në Këln me “Partizanin”, por i zëvendësuar në minutat e fundit, Bellova do të priste 25 marsin e vitit 1987, për të regjistruar të parën radiokronikë jashtë vendit, me ekipet kombëtare, në Bukuresht, ku do të luhet Rumani-Shqipëri. “Një borë e madhe gjatë gjithë ditës e bënte të pamundur zhvillimin e saj” – kujtonte ai. “Por vendasit mundën ta pastronin fushën dhe në darkë ajo u zhvillua normalisht. Përfundoi 5-1 dhe golin për ne e realizoi Muça” – kujtonte Bellova. Pastaj në Spanjë, në nëntor, në harkun e pak ditëve dy takime: Në Sevilja, Spanjë-Shqipëri 18 nëntor dhe në “Camp Noë”, një vit pas Ahmet Shqarrit, ka transmetuar “Barcelona” – “Flamurtari”, 4-1.

Por, në karrierën e tij ka disa transmetime që nuk i harron. Ndodhej në Berlin si trajner i ekipit shqiptar të krosit e maratonës për amatorë, së bashku me tre atletët, Sokol Morina, M. Arapi dhe P. Keta. Pikërisht në ato periudhë atje është edhe “Partizani” për një turne miqësor, me “Forverstin” e Berlinit. “Kam transmetuar ndeshjen, por nuk e kishte dëgjuar njeri. I detyruar kam bërë një koment shtesë të shkurtër në darkë për Radio-Tiranën. Kur u ktheva më erdhi një faturë 37 mijë lek nga posta, për një bisedë telefonike nga Gjermania. Pasi ja shpjegova drejtorit, ai e grisi” – rrëfente Ismet Bellova.

I ka takuar të hipë edhe në një pemë (carac) e të komentojë një ndeshje me sovjetikët nga fusha e vjetër e Durrësit, apo në një kullë rreth 20 m. të lartë në qytetin e Laçit të Kurbinit. Edhe nga Pallati i Sportit ka transmetuar: Kampionatin Ballkanik të Basketbollit, atë të vitit 1965, ndeshjen e volejbollit “Dinamo” – “Bloker” të Hollandës. Kujton se ka “folur” edhe në gjuhën kineze, në transmetimet e ndeshjeve me miqtë kinezë, duke patur vështirësi në njohje e shqiptim të emrave të tyre. Por, edhe nga Delvina në vitin 1988, për Kupën e Republikës, takimin “Bistrica” – “Partizani”.

Nga golat me Belgjikën, tek Best, Pano, Bekenbauer, Myler, Përnaska, Boniek….!

“Në çastin e golave ndaj Belgjikës nuk e kam përmbajtur veten dhe gjithçka me doli jashtë kontrollit. Deri aty sa nga entuziasmi kam thënë se; Josa është një nxënës i imi ishkëlyer….”, – kujtonte Bellova. Pastaj, ato më Republikën Federale Gjermane, barazimi 0-0 në Tiranë dhe ndeshja në Hanovër, më 11 tetor 1997. “Ka qenë dramë e vërtetë, plot ankth dhe emocione, sidomos, fundi i saj. Deri në minutën e 91-të rezultati ka qenë i mbërthyer në 3-3.

Në Shqipëri, në ato çaste, ishin fikur dritat dhe njerëzit kanë gëzuar para kohe rezultatin e barabartë. Më vonë, unë kam dhënë një kronikë të zgjeruar dhe ata mësuan rezultatin e vërtetë, 4-3 për vendasit” -rrëfente Bellova. Ndërsa sfidat që nuk do t’i kujtojë, janë disa por ai veçon humbjet e thella në Tiranë me Republikën Demokratike Gjermane, Rumaninë, në Sevilje me Spanjën dhe Hungari-Shqipëri 12-0, radiokronikën e të cilës e ka dëgjuar bashkë me Ilia Shuken, te Sheshi “Avni Rustemi”. Memorie.al

2.4 mln euro nga Bashkia Tiranë për koncerte e sponsorizime, SPAK zbarkon te bizneset e lidhura me Arbër Veliajn

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka avancuar me hetimet në lidhje me veprimtarinë dhe përfitimet e kompanisë “Gogel” sh.p.k., e cila rezulton në emër të Arbër Veliajt, vëllait të Erion Veliajt. Në kuadër të këtyre hetimeve, SPAK ka ndërmarrë edhe disa veprime hetimore në disa kompani të tjera të lidhura ngushtë me shoqërinë “Gogel”.

Sipas burimeve, mësohet se SPAK ka zbuluar marrëdhënie financiare ndërmjet Bashkisë së Tiranës, shoqërisë “One Albania” sh.a. dhe shoqërisë “Gogel” sh.p.k. Në kuadër të këtyre hetimeve janë evidentuar disa lidhje tregtare dhe financiare me disa shoqëri që kanë pasur marrëveshje financiare gjatë viteve 2020–2024. Këto shoqëri kanë përfituar fonde për aktivitete të ndryshme që Bashkia e Tiranës ka organizuar.

Nga verifikimet e kryera rezulton se këto subjekte, përveç marrëdhënieve me institucionet publike, kanë pasur ndërveprime të vazhdueshme financiare edhe me shoqërinë “Gogel” sh.p.k., e cila zotërohet nga Arbër Veliaj, vëllai i Erion Veliajt, aktualisht i pandehur me 13 akuza.

Nga këqyrja që i është bërë disa dokumentacioneve të sekuestruara nga SPAK, rezulton se për katër vite Bashkia ka dhënë 2.4 milionë euro për aktivitete artistike dhe kulturore, si edhe për sponsorizime.

Nga analiza e të dhënave të deklaruara në Portalin Qendror të Kontrollit dhe Menaxhimit (Fiskalizimi), rezulton se shoqëria “Arts Lab” sh.p.k., me administrator Erald Simixhiu, i cili rezulton lidhje e afërt familjare e Ajola Xoxës, ka regjistruar një sërë faturash shitjeje gjatë vitit 2024, ndër të cilat përfshihet edhe ajo me një subjekt tregtar, me vlerë 698,285 lekë.

ARBËR VELIAJ NË AVION

Ndërsa Prokuroria e Posaçme ka zhvilluar këto operacione hetimore, “Ora News” ka siguruar pamje të Arbër Veliajt në avionin, sipas burimeve, të linjës Tiranë–Vjenë, ku mendohet se ndodhen edhe zyrat e bizneseve të tij.

Fotot janë të ditëve të fundit, por ajo që mbetet e paqartë nga të njëjtat burime është nëse bileta e prerë nga Arbër Veliaj është vetëm me “vajtje”, apo me “vajtje–ardhje”./Boldnews.al

Fatmir Mediu: Revoltë qytetare sot më 22 dhjetor: Zgjedhje farsë, shteti i kapur nga krimi dhe korrupsioni

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, bën thirrje për pjesëmarrje masive sot më 22 dhjetor, duke theksuar se beteja për ndryshimin e realitetit politik nuk i përket vetëm partive opozitare, por çdo qytetari që kundërshton krimin, korrupsionin dhe kapjen e shtetit.

Postimi i plotë në FB:

“Protesta e Opozitës në 22 Dhjetor

Në mbledhjen e kryesisë, Kryetari i Partisë Republikane theksoi se është koha që jo vetëm Partia Demokratike, Partia Republikane, por gjithë opozita pa dallim, çdo qytetar, të jetë prezent dhe të luftojë për të ndryshuar realitetin e dominuar nga krimi, korrupsioni dhe papërgjegjshmëria.

Raporti i OSBE/ODHIR denoncoi se zgjedhjet ishin një farsë, ku shteti dhe Partia Socialiste u bënë një, duke vjedhur paratë e taksapaguesve për të blerë vota, faljen e gjobave dhe bonusin për pensionistët në shkëmbim të votës. ODHIR deklaroi se krimi i organizuar, i lidhur me pushtetin, bleu vota, intimidoi votuesit dhe vendosi në parlament përfaqësuesit e tij. Po ashtu, deklaroi qartë se liderët e opozitës u proceduan dhe arrestuan përpara zgjedhjeve politikisht, në shërbim të pushtetit.
IDU (Unioni Ndërkombëtar për Demokraci), ku bën pjesë Partia Republikane Amerikane e Presidentit Trump, Partitë Popullore Europiane theksuan se zgjedhjet në

Shqipëri u manipuluan nga Partia Socialiste, e lidhur me korrupsionin dhe krimin, dhe Shqipëria duhet të gjejë mekanizmat për një qeveri që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Kongresi Amerikan, në seancën e Komisionit për Europën, deklaroi se në Shqipëri po shkatërrohet pluralizmi dhe zgjedhjet e lira; krimi dhe korrupsioni janë një kërcënim jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin e më gjerë. Ata kërkuan një drejtësi që i shërben qytetarëve dhe nuk përdoret si armë politike e pushtetit.

Të gjitha këto kanë vlerë kur opozita dhe shqiptarët të bashkohen në një lëvizje të fuqishme masive kundër qeverisë së Edi Ramës, e cila po zbraz Shqipërinë dhe po shkatërron të ardhmen e Shqipërisë dhe Kombit, duke e kthyer atë në momentet më të errëta të historisë shqiptare.”

Avokati Genc Gjokutaj thirrje për t’iu bashkuar protestës sot në ora 18:00: Shqipëria po vdes nga një kupolë kriminale!

Avokati Genc Gjokutaj në rrjetin social bën thirrje për protestën e sotme në ora 18:00 :

Ligjin nuk mund ta bëjnë dot Rama dhe Balukeprera!
As GjK as Parlamenti as SPAK dhe GjKKO
nuk mund të komandohen
nga filiali i Ndragheta-s dhe Burgu 313 në Tiranë!
As nga Sinaloa, McGonigal etj!
Gjyqi i Popullit ta gjejë, ta lidhë dhe ta sjellë poshtë ish zyrës së tij që të japë llogari!
Në orën 18.00!
Shqipëria po vdes nga një kupolë kriminale!

Bardhi publikon pjesë nga dosja e AKSHI-t, skema që përdorej për të paracaktuar fituesit e tenderave! Bisedat e Ergys Agasit

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka publikuar një pjesë nga dosja e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) të SPAK, i cili lëshoi pak ditë më parë 8 masa sigurie, 6 prej të cilave u ekzekutuan.


Drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj dhe zëvendësja e saj, Hava Delibashi u lanë në arrest shtëpie, ndërsa dy biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, ndaj të cilëve është dhënë masa e arrestit në burg, janë në kërkim. Të përfshirë janë edhe Andis Papa, Gëzim Hoxha, Rogers Rryta, si edhe zëvendës drejtori i Policisë së Tiranës, Erion Ismaili, i cili u pezullua nga detyra. Të gjithë të përfshirët, SPAK i akuzon se kanë vepruar si grup i strukturuar kriminalë.

Në pjesën e dosjes së publikuar nga Bardhi, theksohet se si Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri vepronin për të përfituar në mënyrë të paligjshme fondet e marra nga kontratat publike me AKSHI. Sipas dosjes, kompania “EA Solution” e Agasit ka kryer faturime fiktive ndaj tre kompanive të tjera “Fastech” rreth 23.2 milionë euro, 1.4 milionë euro  te “First” dhe 5.4 milionë euro te “Soft & Solution”, me qëllim përfitimin e parave që rrjedhin nga procedurat e prokurimeve të paracaktuara nga grupi kriminal.

Po ashtu në pjesën e publikuar zbardhen disa biseda të Agasit, i cili flet për një projekt dhe thotë që “projekti bën 2 milionë, ne do ta bëjmë 4. Në një tjetër bisedë, ai shton: “T’ia them…ka një gjë që, i them Kapos që e ka gjithë një raport”, që sipas Bardhit, i referohet Ramës.

foto1

foto 4

“Hetimet tregojnë se në sistemin “@CATS” të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve rezulton se subjekti “EA Solution” ka faturuar shitje në drejtim të subjektit “Fastech” sh.p.k. për periudhën 11.12.2024 – 26.09.2025 shumën prej 2 235 761 543 ALL. Në drejtim të subjektit “First” sh.p.k. shumën prej 139 317 172 ALL. Në drejtim të subjektit “Soft & Solution” sh.p.k. shumën prej 527 765 506 ALL. Si konkluzion, rezulton se faturimet e kryera nga “EA Solution” sh.p.k. në drejtim të tre subjekteve të tjera të përshkruara më sipër janë fiktive dhe me qëllim përfitimin e parave që rrjedhin nga procedurat e prokurimeve të paracaktuara nga grupi kriminal. Ky fiktivitet konstatohet në faktin që subjekti “EA Solution” sh.p.k. nuk ka ambiente për realizimin e aktivitetit të biznesit por përdor ambientet e “Soft & Solution” sh.p.k., punonjësit e deklaruar në emër të këtij subjekti janë rekrutuar nga punonjës të burimeve njerëzore të subjektit “Soft & Solution” sh.p.k. dhe nuk kanë pasur asnjëherë kontakt me administratorin e subjektit “EA Solution” sh.p.k., shtetasen Ina Ciko. Nga ana tjetër kjo e fundit nuk ka kryer asnjë veprimtari dhe nuk ka asnjë dijeni lidhur me kontraktimin e punëve që merren nga subjektet e tjera. Gjithashtu, në deklarimet e shtetasit Andis Papa dhe Gëzim Hoxha thuhet se ata kanë kontraktuar shërbimet në “EA Solution” nëpërmjet shtetasit Ermal Beqiri i cili i ka drejtuar te ky subjekt. Pra, të gjitha aktivitetet drejtohen nga shtetasit Ermal Beqiri dhe Ergys Agasi me qëllimin përfundimtar përfitimin e paligjshëm të fondeve të marra nga kontratat publike me institucionin e AKSHI.”, thuhet në dosje.

foto2

Në pjesën e publikuar nga Bardhi përmendet edhe skema e organizuar nga të akuzuarit për të përtifuar fondet publike në mënyrë të paligjshme. Sipas SPAK, kjo skemë konsistonte në përcaktimin e paligjshëm të kritereve konkurruese për procedurat e prokurimit, të cilat vendoseshin me qëllim për përjashtimin nga gara të operatorëve ekonomikë ofertues dhe paracaktimin e fituesit duke nxjerrë arsye të ndryshme për skualifikim. Ndaj operatorëve ekonomikë të skualifikuar, që kërkonin informacion përmes ankimit te Autoriteti Kontraktor dhe te Komisioni i Prokurimit përdornin dhunë, heqje të paligjshme të lirisë për t’i detyruar me forcë që të tërhiqeshin nga ankimimimet.

Nga kontrollet e ushtruara në banesat dhe bizneset në emër të Ergys Agasit dhe bashkëshortes Megi Agasi, Prokuroria thotë se janë sekuestruar disa aparate celularë, kamera, kompjuter dhe dokumente fizike”.

“Ndër to është sekuestruar dhe pajisja kompjuterike “4 – Smart battery camera” e cila është ekspertuar me Aktin e Ekspertimit Kompjuterik me nr. 207, datë 17.07.2025. Nga ekspertimi kompjuterik janë ekstraktuar të dhëna kompjuterike. Nga këqyrja e këtyre të dhënave rezulton se në këtë pajisje gjendet dosje kompjuterike e emërtuar “DCIM”. Brenda kësaj dosje ndodhen disa nën-dosje elektronike të emërtuara me datë, muaj dhe vit. Secila nga këto nën-dosje përmban të dhëna kompjuterike të formatit “MP4 Video File”, me emërtime të veçanta. Nga këqyrja e këtyre të dhënave kompjuterike janë konstatuar pamje filmike me interes për hetimin. Nëpërmjet aplikacionit VLC Media Player, pikërisht funksioni “Take Snapshot”, u fiksuan fotografi të gjendura në filmimin video si dhe u transkriptuan komunikimet e kryera gjatë këtij …”, thuhet në dosje.

foto3

Krahas fotove që ka publikuar, Bardhi thotë se “Rama  ka rënë në rrjetë dhe është në hall të madh”, duke shtuar se vetëm qytetarët shpëtojnë vetëm me largimin e tij. Ai thotë se përmes kësaj skeme, Agasi ka përfituar 30 mln euro vetëm nga AKSHI “për një tender sekret që fondin limit ia kanë caktuar 60 milion euro”.

“Sipas SPAK-ut vetëm për 9 muaj, për periudhën 11.12.2024-26.9.2025, përmes kësaj skeme, vetëm nga fondet e AKSHI-t, Ergys Agasi, krahu i djathtë i lidhjeve me krimin e organizuar i Edi Ramës, ka përfituar plot 30.2 milion euro. Po po, 30.2 milion euro për 9 muaj ka përfituar taksë korrupsioni vetëm nga AKSHI, për një tender sekret që fondin limit ia kanë caktuar 60 milion euro.”, shkruan mes të tjerash Bardhi.

Reagimi i plote i Bardhit:

Nga “Palloshi i gjatë” i Belinda Ballukut, tek “Kapo” i Ergys Agasit! Edi Rama ka rënë në rrjetë dhe është në hall të madh. Largimi i tij i menjëhershëm është shpëtimi i vetëm për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ai ka kryer genocid ndaj Buxhetit të Shtetit dhe parave të qytetarëve shqiptarë!

Dosja e AKSHI-t provon se skema korruptive e ndjekur është identike me atë që kemi parë edhe në çështjet e tjera. Paracaktim i kritereve, paracaktimi i fitueseve, dyfishimi i fondit limit, ndarja e parave mes kompanisë fituese dhe autoritetit që përcakton fituesin. Sepse korrupsioni nuk është një akt i izoluar i Belinda Ballukut apo dikujt tjetër, por skemë qeverisjeje e Edi Ramës.

Logjika që ndiqet është se, nëse shërbimi kushton 2 milion, fondi limit bëhet 4 milion. Pra, taksa e korrupsionit merret po nga paratë e Buxhetit të Shtetit, jo nga vlera e fitimit të kompanive private.

Sipas SPAK-ut vetëm për 9 muaj, për periudhën 11.12.2024-26.9.2025, përmes kësaj skeme, vetëm nga fondet e AKSHI-t, Ergys Agasi, krahu i djathtë i lidhjeve me krimin e organizuar i Edi Ramës, ka përfituar plot 30.2 milion euro. Po po, 30.2 milion euro për 9 muaj ka përfituar taksë korrupsioni vetëm nga AKSHI, për një tender sekret që fondin limit ia kanë caktuar 60 milion euro.

Kjo nuk është vjedhje! Ky është genocid ndaj Buxhetit të Shtetit. Prandaj nuk kanë fonde për të rritur pensionet dhe pagat. Prandaj nuk kanë fonde për t’u dhënë punonjësve të shtetit shpërblim për fundvit, prandaj s’kanë fonde për të ndihmuar njerëzit në nevojë.

Këta nuk janë Qeveri. Këta janë një bandë që ka marrë peng vendin përmes një Kryeministri të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar, që ndryshe nga Belinda Balluku që e quante “Palloshi i gjatë”, Ergys Agasi e respektonte dhe e quante “Kapo”! Prandaj, ka nisur pengimin e drejtësisë, sepse e ka kuptuar që ka rënë në rrjetën e drejtësisë, në mos si “Palloshi i gjatë”, ka rënë si “Kapo”!

Mes propagandës dhe bidonit, kur lekët e rrogës shkojnë për ujë dhe letër higjienike- Nga LEONARD VEIZI

 


“Ditën që erdhi haberi… dilni se erdhi E…”

Prisni se ngatërrova regjistër. E nisim sërish, da capo:

— Grua, doli dielli edhe për ne! Je abdejtuar me të fundit? Qeveria rriti rrogat e klasës punëtore dhe shtresave në nevojë, që ia marrsha të keqen!

Por, siç ndodh rëndom në familjet tona, entuziazmi i burrit që lexon titujt e lajmeve u përplas me muret e ftohta të realitetit që mban në dorë gruaja – ekonomistja e vërtetë e familjeve tona me buxhet të kufizuar. Ajo tundi kokën, pa asnjë shenjë gëzimi, dhe aty buzëqeshja më ngriu në fytyrë.

— Më pëlqen ky entuziazmi yt. Po kur ta mbash ti llogarinë e shtëpisë, do ta shohësh rritjen e vërtetë, — më tha me një zë që parashikonte stuhinë.

E ekzagjerove, – iu kundërvura unë. – Tani jemi në kohën kur mund të heqim dhe ndonjë lek mënjanë.

Pas kësaj ndërhyrjeje, me sa duket krejtësisht të pamotivuar, fytyra e gruas u nxi edhe më shumë.

— Sa kafe në ditë pi zotrote? — më pyeti ajo. Kështu nisi “seanca” e llogaritjes; jo me makroekonominë e ministrisë, por me mikroekonominë e bidonit të ujit.

— Dy, – iu përgjigja unë i habitur nga kthesa e gruas. – Të tretën ma ka ndaluar doktori se më ngrihet tensioni.

— Dhe sigurisht i shoqëron me nga një bidon ujë, apo jo?

Nënqesha hidhur. Hajde grua, hajde.

— Po ke parë të pihet kafja pa ujë? Dhe duhet nga ai i paketuari, se po pive nga ai i çezmës, të zë purtha e përfundon tek Infektivi.

Për çudinë time gruaja filloi të avanconte duke u thelluar:

— Po sa ujë paguajmë në muaj si faturë bashkie, e di? Eja të bëjmë një llogari bashkë.

Unë, i gatshëm në punët e shtëpisë, hapa kalkulatorin. Dava uji! Sa rëndoka në buxhetin e familjes?

— Sa ishte fatura e ujit këtë muaj?

— 22 mijë lekë.

Birinxhi. Çfarë janë 22 mijë lekë në fund të fundit? Hiçgjë

— Sa ujë me bidonë konsumojmë në muaj?

Nisa të mendohem.

-Besoj nja 13–15 nga ai 10-litërshi që, me 1200 lekë bidoni, na rezulton nja 20 mijë lekë të tjera.

Kishin ikur më shumë se 40 mijë lekë nga kuleta dhe nuk kisha kuptuar gjë.

— Po katër të rritur në shtëpinë tonë, sa ujë konsumojmë rrugëve, kafeneve apo në zyrë?

Shfryva. Se me këtë punën e matematikës nuk është se i kam pasur punët mirë.

— Po e lëmë me tre bidonë mesatarisht në ditë, nga ata që kushtojnë 700 deri në 900 lekë… — zëri filloi të më dridhej, llogaria po më shtrëngonte fytin.

Fluturuan dhe nja 80 mijë lekë. Bo, bo… u katandis kokoshi një thelë.

— E sheh? — ndërhyri ajo. — Të paktën 120 mijë lekë vetëm ujë! Pra, rreth 22 për qind e 500 mijë lekëshit shkon vetëm për të shuar etjen e për të larë surratin.

Kulmi! Ishim në mesin e dimrit, por gryka m’u tha. Vajta të rrëmbeja një bidon, por kur mendova koston, bërtita:

— Sikter me gjithë ujë! Edhe qumësht dhie të pinim, do na dilte më lirë!

Por nuk mbaroi me kaq. U hap thesi… dhe lista bashkë me të.

— Vazhdojmë me artikujt higjienikë, — vijoi bashkëshortja me tonin standard të ministres së Financave. Më kishte ardhur në majë të hundës dhe vendi s’po më nxinte.

— Po pse, moj grua, u sosën gazetat kështu?

Le që ne në gazeta punojmë, e kemi lëndën e parë falas.

— Eh, po kanë plumb! Mjekët thonë se plumbi është i keq për organizmin. Pastaj shtëpia ka nevojë për letër higjienike, peceta higjienike, solucione higjienike… ka lloj-lloj asortimentesh higjienike sot.

—Po te pjata e gjellës kur do shkojmë?

—Do vemë dhe aty, po prit se ka radhë puna.

— Lëre me kaq! — i thashë duke ngritur duart përpjetë, si i dorëzuar para fatit. —

Se e shoh që, kur të vijë puna te buka, do përfundojmë te misri foragjere, nga ai që përdoret si silazh për lopët e mushkat. Se për brekë, kanotiere e ndonjë bluzë për ndërresë, e kemi gjetur zgjidhjen te “Gabi”.

— Jo po doje edhe pushime në Jug ti…, — shtrembëroi fytyrën ajo, si për ta mbyllur përfundimisht bisedën dhe për ta zbehur deri në fund entuziazmin tim.

— Kështu siç përfunduam, do t’i marr çelësat e tarracës Bajramit. Blejmë dy karrige portative dhe një çadër dhe ja ku e bëmë plazhin, — propozova unë.

Gruaja buzëqeshi dhe aprovoi me një “OK”-ej të plotë.

—E sheh? Filluan të të vijnë mend.

Dhe unë për kompensim i dhashë një tjetër “OK”, sigurisht po aq të plotë.

Qeveria mund të shtojë zero në rrogat tona, por për sa kohë kostoja e jetesës galopon më shpejt se vendimet e Këshillit të Ministrave, ne do ta kapërcejmë gjithnjë me borxhe pragun e shtëpisë. Në fund të ditës, suksesi i një rritjeje rroge nuk matet me duartrokitjet në parlament, por me faktin nëse gruaja do ta tundë kokën për miratim apo si dëshpërim kur të shohë listën e pazarit.

Për momentin, dielli që “doli” mbi strehën e shtëpisë sonë u mbulua sërish nga retë e zeza të bidonëve me ujë, dhe… letrave higjienike.

/Gazeta Panorama 

“Petrit Dume na mbajti për kafe, pasi ai ishte në dijeni të skenarit për Teme Sejkon dhe na tha…” Dëshmia e rrallë e gjeneral-lejitnant Rrahman Parllakut, për ish-Kundëradmiralin e Flotës Detare

Takimet me gjeneral Rrahman Parllakun i kisha jo të shpeshta, por si kryetari i Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Luftës, ai ishte gjithnjë i respektuar, aq më tepër kur mori vesh se isha nga Filati i Çamërisë dhe kisha shkruar një artikull për të ashtuquajturin “Grupi i Teme Sejkos”. Për këtë rast Parllaku dinte të fliste sinqerisht, se ishin të vërtetat e një kohe të jetuar nga ai. Është e njohur se të vërtetat gjithnjë mbeten si të tilla, sado kohë të kalojnë. Aq më tepër kur ato i thonë dëshmitarët okularë që i kanë përjetuar ato në kohën që kanë ndodhur. Kjo i shkonte përshtat gjeneral-lejtënant Rrahman Parllakut, që pasi mbushi 100 vjet të jetës së tij, ndjehej i fortë në kujtesë dhe i drejtë dhe me logjikë të fortë për ato që thoshte.

Edhe pse ai u largua nga jeta, të vërtetat që ai ka thënë janë të pakontestueshme se para së gjithash, ai ishte një burrë malësie dhe një atdhetar i mirë. Mosha e madhe e gjeneral-lejtnant në pension Rrahman Parllaku, nuk e pengonin që të risillte në kujtesë ngjarje historike që kishin lënë gjurmë në kujtesën historike të shqiptarëve dhe që kanë përcaktuar fate tragjike të personaliteteve me emër në historinë e Shqipërisë.

I ndodhur në një moment meditimi dhe me një kujtesë fantastike, gjenerali i nderuar edhe nga opinioni publik, “u rrëfye” sinqerisht, për momente që i kishin lënë jo vetëm kujtime, por edhe brenga të mëdha, siç ishte ajo e ndodhur më 28 korrik 1960, me arrestimin e personaliteteve nga Çamëria, që ishin në pozita të rëndësishme, siç njihen publikisht Teme dhe Taho Sejko apo dhe Tahir Demi, Avdul Resuli etj..

Përjetimet e atyre ditëve gjeneral Parllaku i kujtonte me shumë vërtetësi kur shprehej se: “Me Temen nuk më ka takuar fati të njihem në Luftën Nacionalçlirimtare, po u njoha kur ai u kthye nga studimet e pambaruara në ish-Bashkimin Sovjetik, bashkë me Mehmet Shehun, Tahir Kadarenë e Abaz Fejzon, të thirrur nga qeveria shqiptare për të drejtuar e transformuar ushtrinë, nga ushtri partizane, në ushtri kombëtare. Mehmeti u emërua Shef i Shtabit të Përgjithshëm, Tahiri, zëvendës i tij; dy të rinjtë, Temja dhe Abazi, shefa shtabi divizionesh: Temja në Gjirokastër, Abazi në Korçë.

Ishin këta dy të rinj, dy ish-udhëheqës të Luftës Nacionalçlirimtare, me përgatitje të lartë ushtarake, dy të rinj të dalluar në luftë, por që po shkëlqenin edhe në studimet akademike. Unë në atë kohë isha drejtor i personelit të Ushtrisë. Jam njohur që në atë kohë me Teme Sejkon.

Më vonë, mbasi unë mbarova studimet e larta ushtarake në ish-Bashkimin Sovjetik, kur u ktheva më 1951, Temen e gjeta në detyrën e Shefit të Zbulimit. U bëmë kolegë pune në organet e Shtabit të Përgjithshëm. Këtu fillon hoqëria jonë e pandarë, deri ditën e arrestimit të Temes”.

Vrasja e Ali Demit

Shumë e shumë janë thënë dhe vazhdojnë të thuhen, por këto që kanë thënë këta dëshmitarë okularë, janë të vërtetat e pamohueshme dhe që për fatin e keq ka një lloj tërheqjeje dhe hezitimi në prononcimet për këtë ngjarje ose, ka tendenca abuzimi me thënie e kundërthënie që janë sajesa të Sigurimit të Shtetit dhe që na sillen në formën e të vërtetave që dinin t’i thurnin vetëm pinjollët e këtij Sigurimi famëkeq. E gjithë kjo vetëm e vetëm që të justifikonin sajesën e akuzave. Më tej gjeneral Parllaku, që ishte edhe ky një viktimë e atij sistemi kriminal, shton:

“Shokët e mi më të afërt në luftë u bënë çamët, dy luftëtarë të shquar, Ali Demi e Ilmi Seiti, për të cilët kam shkruar e folur. Aliun e njoha në gusht 1943 kur erdhi në Vlorë, pas daljes nga burgu nëpërmjet tunelit që vetë e kishte ideuar e drejtuar punimet, nën hundën e fashistëve. Ai fillimisht erdhi pranë Komitetit të Partisë Komuniste të Qarkut Vlorë dhe me kalimin e Hysni Kapos në radhët e ushtrisë, u bë sekretar politik këtij Qarkori komunist. Ardhja e tij në këtë detyrë ndryshoi stilin e drejtimit i dha fund ekstremizmit e përçarjeve që na kish lënë trashëgim Dushan Mugosha, e zbatuar me zell nga udhëheqësit e mëparshëm. Vrasja e tij qe një humbje e madhe”.

Edhe pse në Vlorë dhe Kaninë e dinë mirë se si u vra pas shpine Ali Demi nga shoqëruesi i tij i vënë me porosi nga njerëz të Partisë Komuniste Shqiptare, që t’i zinin vendin si sekretar politik, gjeneral Parllaku preferoi të heshte, duke më shikuar në sy e duke më thënë; “qerrata i madh je o Hyqmet, i gjurmon të vërtetat”! Dhe më tej shtoi: “Për Ilmi Seitin kam shkruar gjatë, për karakterin e tij burrëror, për zgjuarsinë e tij të jashtëzakonshme dhe qëndrimin e tij humanist, edhe në sektorin ku punonte.

Këtë e pamë më mirë unë e Temja, kur i organizuam ceremoninë e varrimit, ku pothuajse mori pjesë i gjithë populli i Shkodrës dhe shikonim burra e gra me lot në sy. Dhe këtë e bënin për ish-drejtuesin e Sigurimit. Të gjithë e dimë se çfarë krimesh ka bërë diktatura në Shkodër, por burrëria, çiltërsia e humanizmi i Ilmi Seitit, u vlerësuan nga populli i Shkodrës. Nuk dua të lë pa përmendur një mikun tim çam, që ishte nga burrat më të moshuar të Brigadës, komisarin Abdyl Resuli, që e drejtonte batalionin në të gjitha luftimet dhe i gjithë efektivi e respektonte, pasi sillej me ta jo si drejtues, por kujdesej si prind”.

Dhe për në e madhe të gjithë këta burra çamë i “hëngri pabesia” e udhëheqjes komuniste të Enver Hoxhës dhe shokëve të tij, siç bëri më pas edhe me vetë këta “shokë” të partisë deri në prag të vdekjes, duke lënë vetëm Ramiz Alinë, për të cilin thuhet se ka qenë dora e zgjatur e UDB-së në Shqipëri, që nga koha e masakrës së Tivarit.

Dosja për Teme Sejkon

Me koshiencën e një idealisti dhe me barrën e madhe të përjetimeve të kohërave të trazuara të diktaturës, gjeneral-lejtnant në pension, thelloi dozën e kujtimeve për Teme Sejkon: “Njohja me Temen dhe shoqëria me të vazhdoi jo vetëm gjatë kohës që punuam bashkë në Ministrinë e Mbrojtjes, por edhe kur ai u caktua në detyrën e Komandantit të Flotës Luftarake Detare, pasi detyra ime si zëvendësministër për përgatitjen luftarake, më bënte të kisha kontakte të shpeshta me të. Gjithnjë kisha gjetur mirëkuptim e ndjehesha i kënaqur për punën që bëhej në repartet e Flotës, për përgatitjen luftarake e përvetësimin e teknikë së re me të cilën po pajisej Flota.

Por fatkeqësisht, kur Temja ishte në kulmin e aktivitetit të tij, kur po shprehte aftësitë e pjekurinë e tij në kryerjen e detyrës së lartë, u godit nga diktatura. Dhe kjo nuk qe një goditje individuale, por goditje ndaj grupit të intelektualëve çamë. U gëzova kur Temja erdhi në Tiranë dhe më tha se do të shkonte për mbarimin e studimeve të larta Akademike. Në këtë kohë, takimet e shoqërimi im me Temen u shtuan. Ndiqnim bashkë ndeshjet sportive të ekipeve, jo vetëm të futbollit, por edhe volejbollit e basketbollit.

Dilnim shpesh bashkë në Shtëpinë e Ushtarakëve. Pritja e tij u zgjat, po Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i ngarkonte detyra. Unë kërkoja t’i ndodhesha në shoqëri, pa e ditur se ç’e priste. Kisha planizuar të organizoja e drejtoja një stërvitje në Vlorë me trupa, që do të vazhdonte 5-6 ditë. I them Temes: – Eja me mua, qëndro pranë familjes, të lë edhe veturën se do udhëtoj me ‘Gaz’. Vij, – më tha, po më ka ngarkuar shefi një detyrë që e kam mbaruar, po nuk i kam raportuar, pasi ai është me pushime në Durrës. Eja, – i thashë, se e takojmë Petritin, dhe i them se e mora Temen të rrijë pranë familjes dhe kthehemi bashkë.

Petriti, pyeti Temen: E mbarove materialin, dhe ai iu përgjigj se e kishte mbaruar. Na mbajti për kafe, si duket do t’i dërgonte ndjekësit e Temes në Vlorë, pasi Petriti ishte në dijeni të skenarit që po përgatitej për Temen. Drejtuesi i grupit, pas arrestimit të Temes, deklaroi se kur ndalonte makina ime, shtrihej në sedilje të mos e shihja kur kaloja!

U kthyem me Temen, me shpresën se ai do të shkonte të mbaronte studimet, dhe isha i bindur se do t’i mbaronte me Medalje të Artë, si shoku i tij Abaz Fejzo. Por diktatura, u kishte caktuar të dyve fundin tragjik: Temja vdes në tortura, kurse arkivolin e Abazit e përcolla më 12 janar 1987 nga burgu i Burrelit. Të dy këta heronj të luftës, që vunë talentin e tyre në shërbim të mbrojtjes së atdheut, duke komanduar dy armët elitë të ushtrisë. Temja komandoi Flotën Luftarake, kurse Abazi komandoi forcat tankise, u trajtuan në mënyrë barbare nga diktatura. Dhe bashkë me ta, nga ai gjenocid i pashembullt u shkatërruan edhe familjet e tyre, si edhe të mijëra kuadrove e luftëtarëve të shquar”, – ka rrëfyer Parllaku.

Në kafazin e burgut

Burrëria e një njeriu malësor si Rrahman Parllaku, ka qenë i lavdëruar nga shumë të njohur të tij, ndaj dhe rrëfimi i tij bëhet edhe më i besueshëm, sepse janë dozat e të thënave të elementeve që opinioni nuk i di dhe duhet ti, di se janë të vërtetat e përjetuara me shumë dhimbje.

Për këto Rrahmani kujton: “Të them të drejtën, kur e dëgjova Temen në gjyq, mbeta i zhgënjyer, por e besova kur më ra mua ta provoja, kur më futën në qeli e brenda saj në kafaz si kafshët e egra, ku jetova 11 muaj i izoluar nga bota dhe për 15 muaj pa asnjë lidhje me familjen, pa ditur nëse i kam gjallë! Kur u them njerëzve që kam jetuar në kafaz, nuk u besohet! Po u them të takojnë e të pyesin hetuesin tim Pirro Dautajn e, prokurorin Murat Komanin.

I përsëris këto, se diktatura i ka detyruar njerëzit të dalin nga vetja, kur përveç torturave fizike e psikologjike të kërcënonin edhe me shfarosjen e familjes. Vetëm kur të kesh kaluar nga ferri i diktaturës mund ta kuptosh gjendjen e atyre njerëzve që janë detyruar të dalin nga vetvetja.

Po diktatura është treguar tepër e ashpër dhe kriminale ndaj kosovarëve e çamëve që kanë vuajtur gjenocidin e pashembullt, si nga serbët e grekët, por edhe në Shqipëri dhe që nuk dinë as sot varret e të afërmve. Ose të krimeve të Drenicës e Tivarit, që u përsëritën edhe nga Millosheviçi. Përse diktatura mbajti këtë qëndrim ndaj dhjetëra mijëra qytetarëve shqiptarë?

Unë në këtë moshë jam tepër i zhgënjyer që nuk ka një dënim kombëtar të diktaturës. Ende ruhen simbolet e saj, edhe sot e kësaj dite nuk i janë hequr diktatorit Enver Hoxha titujt. I vdekuri nuk gjykohet, por parlamenti duhet të vendos dhe të mos mbeten të barazuar viktima me xhelatin”.

I vendosur në idetë që shprehte dhe i saktë në kujtimin e ngjarjeve, gjeneral-lejtnant atëherë në pension Rrahman Parllaku, ndjehej po aq i angazhuar për çështjen kombëtare siç është edhe kauza e Çamërisë, kur shprehej: “Çështja çame sot është problem kombëtar, siç ishte Kosova dje dhe më vjen mirë që ajo gjen gjithnjë e më shumë mbështetje. Është detyrë e çdo qeverie të mos reshtë së ngrituri këtë çështje me ndërkombëtarët, deri sa të gjejë zgjidhjen e merituar”.

Ndoshta është momenti të kujtoj një thënie të një personaliteti si Shrëder që ka thënë se; “Një njeri mund ta nxjerrësh nga shtëpia e tij, por shtëpinë nuk ia heq dot nga mendja”, çka do ta referoja edhe në një formë tjetër se sido që të jetë historia dhe fati i një populli, bëmat e tij nuk mund të tjetërsohen, ato mbesin në kujtesë siç edhe bëri ky malësor, ushtarak i lartë që atë ditë që bisedova me atë kishte kaluar të 100 vjetët. Lavdia e tij dhe e të vërtetave të thëna prej tij do të jetojnë se janë dëshmitarët okularë të ngjarjeve që kanë lënë gjurmë në historinë tonë kombëtare.

Brezat dhe historia do të kenë nevojë për fjalën dhe lavdinë e gjeneral Parllakut, ndërsa ai nuk kishte nevojë për të pathënat dhe të pabërat e diktaturës që na u shitën si të vërteta. Në portretin e këtij personaliteti të ushtrisë shqiptare, gjen vend shprehja latine “O popuj, ruani dhe nderoni të mëdhenjtë e kombit tuaj, se përmes tyre do ju njohë e ardhmja”.

Para disa vjetësh dhe këto ditë të këtij shtatori kur takova Rajmondin, djalin e Teme Sejkos, përmes fjalëve të tij nga bisedat e bëra dhe nga leximet e shkrimeve të ndryshme, më thotë se; “Ato që janë thënë dhe janë shkruar janë një pjesë e vogël e atyre se çfarë janë bërë në kurriz të këtij populli.

Familja ime e provoi keqas, babai, xhaxhallarët, vëllai dhe trashëgimtarë të tjerë që kishin mbiemrin Sejko. Ajo që më ka mbetur peng është mos gjetja e eshtrave të babait dhe të vëllait Sokolit dhe që ata burra çamë që u pushkatuan mbetën të fajshëm pa bërë asnjë faj edhe sot e kësaj dite”. / Memorie.al


Send this to a friend