Lojtarët e Kombëtares së futbollit të Shqipërisë sot u pritën si heronj në Tiranë, pasi u kualifikuan për Kampionatin Evropian në vitin 2016, që është pjesëmarrja e parë e Shqipërisë.
Simpatizuesit e entuziazmuar janë tubuar në Aeroportin Nëna Tereze në Tiranë, për t’i pritur futobllistët, që u kthyen nga Armenia, ku mbrëmë fituan me rezultat 3:0 dhe u radhitën në vendin e dytë në Grupin I të kualifikimeve, pas Portugalisë.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i ka pritur lojtarët në zyrën e tij, pasi në aeroport u përqafua me futbollistët.
Presidenti Bujar Nishani, u ka dhënë futbollistëve çmimin më të lartë civil, Nderi i Kombit.
“Mbrëmë, një ëndërr e pamundshme përfundoi dhe u bë realitet, u tha lojtarëve kryeministri Rama, derisa i nderoi ata me mirënjohje të ndara.
Pastaj, ai ka premtuar se do të vazhdojnë planet për ndërtimin e stadiumit të ri konmbëtar të futbollit, ku do të jetë pllaka e artë me emrat e anëtarëve të tashëm të seleksionit të Shqipërisë.
Pjesa më e madhe e Tiranës, mbrëmë vonë pas fitores në Erevan të Armenisë, ishte e stolisur me ngjyrat kombëtare, kuq e zi, ndërsa festimet kanë vazhduar deri në mëngjes.
Komentet