Ndahet nga jeta nje personalitet ne fushen e futbollit shqiptar. Në moshën 78-vjeçare është ndarë nga jeta ish-portieri i Kombëtares së Shqipërisë dhe njëherësh i Partizanit, Mikel Janku.
Janku ka lindur në Tiranë më 25 tetor 1941. Ai ka qene aviator, e me tej, portieri i kombëtares, kampion dhe fituesi i kupave me Partizanin, opinionist dhe gazetar.
Ne nje speciale te Panorama Sport te vitit 2015, eshte botuar nje shkrim per ish-portietin Janku:
Nga Uvil Zajmi
Nga një karrierë ushtarake, tek një tjetër e famshme sportive. Nga një pilot helikopteri mbi Vollga e Don, në një portier i shquar i futbollit shqiptar. Nga Bellova që e zbuloi, prishja me rusët, tek Bekenbauer, golat e Mylerit, Bestit, turneu i Hanoit, Boriçi, Pano, dhe Maliqati… Gjithçka në një tregim të rrallë… Çfarë bën sot Mikel Janku, aviatori, portieri kombëtares, kampion dhe fituesi i kupave me Partizanin, opinionisti, gazetari, vëllai i madh i famljes, të gjithë protagonistë me një klub të vetëm?
Vetëm 17-vjeç, në Bashkimin Sovjetik
Është nxënës i shkëlyqer i vitit të tretë, kur e kanë përzgjdhur të jetë në kursin e aviacionit në Shkollën Skënderbej. Vetëm një herë në qiell nga fusha e aviacionit në Shijak, me “Jak 18”, një avion i shpejtë, prodhim rus i luftës së dytë botërore dhe instruktorin Flamuar Micka. Ndonëse rrotat nuk janë hapur në zbritje e kanë detyruar të qëndrojë 45 minuta në ajër. Ishte viti 1958, muaji korrik dhe kur ende nuk ka bërë 17 vjeç, i ka hipur vaporrit “Bjelloostrov” për në Odesë. I përcjellë nga familjarët, me dëshirën për të shkuar e studiuar për tri vite në shkollën e njohur të fluturimit në Bashkimin Sovjetik, fillimisht në Pugacov, pastaj në Batacjk të Rostovit, ku specializohet si pilot për helikopterë transporti. Fluturime në zonën e Vollgës, në hapësirat mbi Don, hedhje me parashutë, ndërkohë që ushtronte sport e fliste mirë rusisht. Luan me shkollën si portier, por edhe baskteboll, gjimnastikë, ski, patinazh në akull. Ndiqte kampionatin rus, tifoz i “Partizanit” që para nisjes nga Shqipëria dhe i Rostovit e CSKA Moskës. Admironte futbollistin legjendar rus, Viktor Poniedelnik.
Bellova, ai që i hapi portën
Nuk e kishte menduar të bëhej pilot, ndërsa futbollist po, pasi luante futboll me lagjet, “Mine Peza”-“Rruga Fotuzi”, ku ishin Pano, Halili, Plangaricat, etj. Diçka nga i ati Andrea, futbollist në rininë e tij, kur në Shkollën Skënderbej, Ismet Bellova mësues i fizkulturës ishte ai që gjatë orës së mësimit e stërviste si portier te gropa e kërcimit. Pastaj në ndeshje midis klasave, ndërkaq Bellova do ti hapë kështu një dritare të vogël, për tu bërë e madhe më vonë. Me profesorin, mikun, pedagogun, radiokronistin, gazetarin, do të ruajë miqësinë, madje do të jenë bashkë në një kabinë të radios përballë një mikrofoni, shumë vite më pas.
Prishja me rusët,mungesa e helikopterit
Kur ishte në vitin e fundit dhe përgatitej për kthim, bashkë me grupet në Shqipëri vinin edhe helikopetrë “MI-4”. Madje ishin paketuar, por kur studentët erdhën në fund të gushtit 1961, helikopterët jo. Sidoqoftë, u sistemua në repartin e helikopterëve në hangaret e aviacionit (sot Pallati i Sportit Asllan Rusi). Të informuar se ky kontigjent ishte përgatitur për bazën ushtarake të Pasha Limanit, kundër nëndetseve. Por duke mos patur fluturime (vetëm një helikopter ishte në gatishëmri), bënin mësime teorike e luanin futboll. Në vitin 1962 zhvillohet Spartakiada Ushtarake në Tiranë dhe kur ajo përfundoi u organizua një takim në stadiumin “Dinamo” midis Partizanit ku luanin Pano, Resmja dhe një seleksionimi të skuadrave të Sparakiadës. Janku vihet në fokus, por, duke qenë pilot ushtarak i aviacionit nuk lejohej aktivizmi me klube dhe propozimit të Besim Fagut, Boriçit e Spahiut, ai i përgjigjet që më parë duhet të bisedojnë me Ministrinë e Mbrojtjes. Kur i thanë se se “për ty djalosh është marrë leje dhe do të fillosh stërvitje me Partizanin”, as komandanti i aviacionit, Edip Ohri, që e kundërshtoi fillimisht, nuk mundi ta ndalojë urdhërin e Ballukut e Dumes. Fillon kështu stërvitja me ekipin e parë, përkrah Maliqatit, Zija Danit, Resmes, Deliallisit, Papadhopullit, Ndinit, Merjes, Shllakut, Jasharit, T. Shehut, Panos, Dingut, Frashërit, etj, ndërkohë që aktivizohet me ekipin e rezervave me trajner Sllave Llambin.
Debutimi ilidhur me Maliqatin
I datëlindjes 41, i pari i katër vëllezërve Janku, ndonëse joshtatlart, ka qenë një portier tej mase elastik, akrobat, modern për kohën, duke sjellë një filozofi të re në lojën portierëve në dalje të guximshme nga porta në topat ajrorë. Luante me dorën e majtën dhe godiste me këmbën e djathtë në të cilën vendoste një kaviliere të bardhë që e mbante pas një dëmtimi kohë më parë. Kur erdhi tek Partizani gjeti një kolos në portë, Sulejman Maliqatin, me të cilin e lidhin dy janë momentet vendimtare: Në prill të 62-shit për Kupën e 60-të Vjetorit të Çlirimit, në stadiumin “Dinamo”, Maliqati ka bërë edhe nxemjen, por i dëmtuar pak para se të fillojë takimi i thotë Boriçit se ka shqetësime. “Nuk ka problem, zhvishu” – i drejtohet Jankut, që shënon debutimin e tij me Partizanin. Në shtator të 62-shit, ndërsa Maliqati aktivizohet luan në Suedi ndaj Norceping, në ndeshjen e kthimit është i dëmtuar. Ndërsa skuadra është e grumbulluar, kur trajneri Spahiu i thotë Jankut të përgatitet dhe në Partizani-Norceping 1-1 (gol Kindrall 9’ dhe Kraja 50’), në portë është ai. “Si ëndërr e shoh ende dhe jo sikur ta kem luajtur atë ndeshje”, – thotë Janku. Pa përvojë në futbollin e madh shqiptar, me aktivizime sporadike e pa asnjë ndeshje të plotë, ka qenë vetëm 21 vjeç kur ka debutuar në Kupën e Kampioneve. Pastaj në kampionat, kundër Spartakut dhe Këlnit dhe kur në shtatorin e 1964 legjenda Maliqati largohet përfundimisht nga Partizani, porta e klubit të famshëm do të ketë një tjetër protagonist: Mikel Jankun.
Kur Besti imitonte Beatles-at
Kanë qenë në avion bashkë më Fatmir Frëshërin duke udhëtuar drejt Belfastit, kur në një revistë kanë parë një foto me flokë të shkurtëra të Xhorxh Bestit. Ndërsa kanë dalë në nxemje, e kanë njohur, por ai ishte me flokë të gjata. Frashëri që komunikonte anglisht, bashkë me Jankun i janë afruar dhe e pyesin: “Pse me flokë të gjata, dukeni më simpatik me të shkurtëra”- i thonë. “Imitoj Beatles-at”- ishte përgjigja. Dhe realisht, Xhorxh Best njihet si i pari fubollist në botë, që imitoi Beatles për nga flokët, mënyrën e jetës, veshjes, etj. Nga Belfasti Janku ruan edhe një detaj: Duke u futur në fushë për të filluar lojën, Xhenings, portieri irlandez e shihte nga lart poshtë pa ja hequr sytë. Vetëm pas ndeshjes në banket ai i ka thënë: “Ti bën një heroizëm të madh që luan si portier”. Nga Belfasti kujton edhe një palë doreza që ja bleu Alfred Kazanxhi, kryetari i FSHF-së para ndeshjes, pasi ishte lagështirë. Kushtonin vetëm 7 dollarë…
Bekenbauer dhe golat e Mylerit
Në Dortmund ka disa kujtime: Ishte prill i vitit 1967, luhet e para përballje historike sportive RF Gjermane-Shqipëri. Takimi mbyllet 6-0 për vendasit, nënkapionë bote ku luajnë nga Tillkosvki, Overat tek Bekenbauer, dhe golat realizohen nga Gerd Myler (4) e Lohr 2. Janë vitet kur portieri nuk zëvendësohet gjatë ndeshjes, vetëm në rastet kur është i dëmtuar rëndë dhe Janku ka qenë i detyruar të qëndrojë në portë deri në 90-tën. Nga ai takim kujton se ka patur rastin të njihet me portierin Tillkovskin, njeriun e ndeshjes finale të botërorit Angli 66: “Janë të paharruar lotët dhe dëshpërimi i tij pas atij goli fantazëm të Hurst. “Kishim një natyrë dhe ngjashmëri në lojë”, – tregon Janku. Pastaj katër golat e shënuar nga një legjendë, si Gerd Myler. I kujton të gjitha, si pjesë pjesë të veçanta të asaj sfide. Dhe e fundit: Në të vetmen ndeshje që ka qenë kapiten i ekipit, me Bekenbuerin kanë shkëmbyer flamurët para fillimit të lojës. E para dhe e fundit, pasi në Tiranë, në takimin e kthimit, as Janku as Bekenbauer, as Tillkovki e as Myler nuk ishin në fushë. I pari rezervë, ndërsa gjermanët e njohur nuk erdhën.
Me kombëtaren, protagonist
Portier i kombëtares është e kufizuar vetëm në tre vite: 1964-1967, duke luajtur 9 takime zyrtare të FIFA-s e UEFA-s. Ka debutuar në Roterdam, në majin e vitit 1964, Holandë-Shqipëri 2-0 i aktivizuar nga trajneri Zyber Konçi. Pastaj, në sfidën e kthimit me “portokallinjtë”, dy herë me Zvicrën, kundër të cilës kujton penalltinë inekzistente që dha arbitri, pas një devijim i topit për korne. Ndërsa futbollistët e kujtuan për goditje këndi, vërshëllima e tij urdhëronte për 11-të metërsh. Por edhe Irlandën e Veriut, në veçanti është titullar në “Qemal Stafa” në atë 90-të minutësh histori pas barazimit 1-1. Në prill të 1967, në Dortmund, RF Gjermane-Shqipëri 6-0, për të vijuar në Tiranë, më 14 maj Shqipëri-Jugosllavi 0-2 dhe kjo është edhe ndeshja e fundit e Jankut në portën e kombëtares, pasi në Jugosllavi-Shqipëri 4-0, me 12 nëndor në portë do të jetë Jani Rama. Për sfidën e 17 dhjetorit të 67-tës ndaj RFGJ-së, Boriçi do të zbulojë Koço Dinellën, ndërsa Janku do të jetë rezerva e tij.
Nga Norcepingu në Torino
E ka filluar me klube debutimin në Europë. Fillimisht në Suedi ndaj Norcepingut, si rezervë, pastaj me Spartakun, për të vazhduar në Gjermani kundër Këlnit. Këtu kujton Overatin, që shënoi golin e dytë në fund të ndeshjes si dhe Shefer, kampionin e botës 1954. Pastaj në Skoci me 17 Nëntorin, viti 1965, ishin lojtarët tiranas që ja kërkuan trajnerit Alla si përforcim. Janku luajti në të dyja takimet, vetëm një gol i pësuar kur kishin mbetur pak minuta dhe mendohej Parisi si vendi asnjanës, për takimin e tretë. Dhe e fundit me FC Torinon në Kupën e Kupave në shtator të 68-tës. Si e para sfidë me një klub të futbollit italian, të Rivës, Riverës e Macolës, të sapo shpallur kampionë Europe. Në skuadër janë trajnerin Fabri, Vieri, Puia, Agropi, francezi Komben dhe Mondoniko, autori i golit të tretë. Kujton rastin e humbur të Panos në “Qemal Stafa” kur topi u devijua nga një plis në fushë. Kujton fundin e ndeshjes në Torino, kur drejtuesit e Partizanit urdhëruan skuadrën të mos dilte nga fusha. Ishte një keqinterpretim i rezultatit pasi ishte viti i parë i golit të dyfishtë në transfertë dhe menduan se pas 1-0 e 1-3, duhet të luhej koha shtesë.
Banketi që çmendi gjermanët
Banketi pas ndeshjes më Këlnin (0-0) nuk u shtrua në Hotel Dajti, por në sallën e madhe të SHQUP-it në Rrugën e Kavajës sot. U ftuan edhe gazetarët gjermanë, hera e parë që nuk u respektua protokolli, pasi u ftuan edhe gazetarët gjermanë. Këngë dhe aheng deri pas mesnate me këngëtarët e njohur A. Mula, M. Xhemali. Futbollistë gjermanë e shqiptarë që vallzonin në grup me qeleshet në kokë, dhuratë e klubit. Në Këln Partizanin e priti kryebashkiaku, duke i falenderuar u dhuroi nga një kuti, brenda të cilës ishte një shishe me parfum, e prodhuar pikërisht në “Shtëpinë e Kolonjës”, me qëndër në Këln e njohur dhe me famë botërore.
Boriçi, i pari dhe i fundit
Loro Boriçi ka qenë trajneri që i hapi dhe i “mbylli” karrierën e cila përmblidhet në 7 vite intensive, nga 1962 deri në 1969 si portier i Partizanit dhe i Kombëtares. Boriçi ishte ai që e mori duke e aktivizuar, por edhe ai prej të cilit u largua nga futbolli, kur ishte 28-vjeç. Tek Partizanit kishte ardhur Bashkim Muhedini, një portier i gjatë, elegant, të cilin Boriçi e pëlqente duke e integruar te Partizani dhe në skuadrën kombëtare. Edhe Muhedini vinte nga Shkolla Skënderbej, edhe ai jo me profil portieri: Një basktebollist i lindur, por me cilësitë e një portieri. Birçe e pat nuhatur duke i devijuar karrierën. Janku qëndron disa kohë si rezerva e Muhedinit dhe në qershorin e 69-ës, kur skuadra grumbullohet për të filluar sezonin, nuk e ka emrin në listë. Duke u kthyer në shtëpi ka kuptuar se për të, të dyja portat tashmë janë mbyllur: Ajo e Partizanit, e Kombëtares dhe fund karriere… I propozuan të luajë futboll në Vlorë me Flamurtarin duke qenë edhe pedagog në Shkollën e Aviacionit, e vetmja në atë kohë pikërisht në atë qytet, por nuk pranoi. I vjen urdhëri se “duhet të fluturosh”, por ishte e pamundur pasi koha e kishte lënë mbrapa me teknikën e fluturimit. U rikthye në klub, si zv.shef, njëherësh trajner me Kolec Krajën.
Një familje e gjitha me Partizanin
Mund të jetë rasti i vetëm ky, kur katër vëllezër kanë luajtur me një klub të vetëm, si Mikel, Virgjil, Agim dhe Vladimir Janku, të gjithë me Partizanin. Mikel Janku dhjetë vjet, absolut i dyfishtë i portës së klubit e kombëtares; pastaj Virgjili si portier, sulmues, vazhdoi në Lezhë me “Fitoren”, madje në Kupën e Republikës, në vitin 1964 në takimin Partizani-Fitore kanë qenë të dy në fushë. Për të vijuar me Agim Jankun, një ndër sulmuesit dhe talentet më të mëdha e të spikatur të futbollit shqiptar në vitet 70-80 edhe ky një emër i shquar i klubit, ekipeve kombëtare. Dhe i fundit Vladimir Janku, sulmues krahu, titullar me të rinjtë dhe skuadrën e parë, si dhe të kombëtaren U-21. Të gjithë të diplomuar. Me Agim Jankun ka edhe një episod historik… Qershor 1968: në stadiumin “Dinamo” luhet Partizani-Dinamo dhe Janku ka pësuar gol. Ndërsa loja ende nuk ka filluar, Agimi i afrohet dhe i thotë në vesh: “Mos u mërzit”. Ka marrë topin nga qëndra ka dribluar, një, dy kundërshtarë dhe ka barazuar. Por, edhe në Torino bashkë kanë qenë, ndonëse Janku i madh në fushë, Gimi i vogël në stol.
Ndeshja që nuk harrohet
Është ajo e tetorit të 65-ës, në “Qemal Stafa”, Partizani-17 Nëndori 1-0. Për shumë arsye, por më kryesorja ai ka qenë protagonist absolut e sfidës. Ka pritur çdo gjuajtje, çdo tentativë për gol të kundërshtarëve, që është ilustruar më pas në gazetën “Sporti” me një karikaturë sportive të Bujar Kapexhiut: një portier gjigant që ka mbuluar një portë të vogël. Por ajo ndeshje kujtohet edhe si takimi që u shemb stadiumi, goli i Qojles dhe kur tifozët e entuziazmuar pas ndeshjes e kanë mbajtur në krah deri në shtëpinë e tij, pranë stadiumit “Dinamo”. Dhe banketi në Shtëpinë Qëndrore të Ushtrisë një festë me gra e të fejuara.
Padrejtësia e një dënimi
Kështu e përmbledh atë çfarë ndodhi pas ndeshjes Partziani-17 Nëntori, kur skuadrat u përjashtuan nga vazhdimi i kampionatit të 67-tës. Ka qenë një ndër protagonistët e takimit të “një 90 minutëshi të tensinuar në fushë, por gjithçka e përfunduar normalisht. Një grindje në korridore që më shumë bëri bujë se realisht ishte. Pastaj një vendim absurd”, thotë Janku. Edhe sot e kujton atë ndeshje, ndjen keqardhje dhe e konsideron një moment të errët për futbollin, spostistët, tifozët, për vetë historinë.
Në Urale, kur u vra Kenedi
Turneu i Hanoit me klubet ushtarake të vendeve demokartike lindore (përfshirë edhe Kinën e Korenë e Veriut) është një pjesë e rëndësishme e karrierës së Jankut. I nisur nga Tirana me linjën ajrore Tiranë-Moskë-Pekin turneu ka filluar me 20 nëntor të 1963. Ai moment është e lidhur me një ngjarje historike: ndërsa është bërë një ndalesë në Irkutsk, në Urale, në televizionin e aeroportit jepet lajmi se është vrarë presidenti amerikan Xhon Kenedi. Pastaj dhjetë ditë përgatitje në Nianin, ku u festua edhe 28 e 29 nëntori. E aktivizuan si rezervë në një ndeshje miqësore, çka e bënë të dyshojë. Por në Hanoi do të ishte në formacion në të gjitha sfidat.
Me CSKA-në pas prishjes
Pesë kanë qenë takimet zyrtare të turneut: Fitoret në grup ndaj CDNA të Sofjes 2-1, Honved Budapest 4-0, ajo e jashtëzakonshme 3-1 ndaj Forverst të Berlinit në çerekfinale. Përsëri me Honved 1-0 në gjysëm finale dhe në finale do të luajnë Partizani-CSKA e Moskës. Nga frika për ndonjë parregullsi në ndeshje, si pasojë e marrëdhenieve jo të mira Shqipëri-Bashkimi Sovjetik, por me qëllimin për të zbutur situatën, skuadrat u vendosën në një hotel dhe një ditë para takimit u thirrën nga Ministri i Mbrojtjes së Vietnamit. Ndeshja u luajt në Hanoi pa probleme. 0-0, pastaj 2-0 për sovjetikët që shënojnë në shtesë. Kjo mbetet para dhe e fundit përballje sportive me klubet ruse, pas prishjes me to. Disa ditë qëndrimi në Vietnam, kthimi në Shangai, ku festohet edhe viti i ri, si dhe telegramet e urimit që vinin pambarimisht nga Shqipëria e që lexoheshin para çdo takimi miqësor. Pastaj udhëtimi njëjavor Pekin-Moskë, me tren nga Siberia dhe me 20 janar të 64-tës, avioni presidencial i linjës Budapest-Tiranë, uli rrotat në aeroportin e Rinasit.
Cilët kanë qenë
protagonistët “vietnamezë”?
Kërkon ti kujtojë, ata që kanë qenë në Vietnam, në atë turne të paharruar: Besim Fagu, kryetar delegacioni; Vasil Naço komisar grupi i MB; Dionis Miho shoqërues; pastaj trajnerët Boriçi e Spahiu dhe mjeku M.Karanxha. Skuadra: Maliqati, Janku, Deliallisi, Papdhopulli, Shllaku, Frashëri F. Ndini, O. Mema, T. Shehu, Jashari, Bukoviku, Zaho, Bytyci, Resmja, F. Andoni dhe I. Dingu flamurmbajtës. Duke qenë se Resmja u sëmur nuk luajti asnjë takim, kapiten u vendos Papadhopulli. I dëmtuar në Plovdiv, një muaj më parë, për në Vietnam nuk udhëtoi as Kolec Kraja.
Pse Jorgaqi nuk
qëndroi me Partiznain
Pse Jorgaqi nuk qëndroi me Partizanin
Eshtë një moment i rëndësishëm për historinë e klubit dhe karrierën e mbrojtësit të njohur Frederik Jorgaqi (nuk jeton). Kryente shërbimin ushtarak te Partizani, kur klubi u nis për në Hanoi, por nuk e mori. Pa asnjë motiv, ndonëse Besim Fagu kishte këmbëngulur për ta marrë, pasi Jorgaqi ishte në projektet e Partizanit, për të qëndruar aty edhe pas përfundimit të ushtrisë. Në fund të dhjetorit, kur Jorgaqi ka përfunduar shërbimin ushtarak dhe Partiznai ndodhte në Hanoi, ai është kthyer në Elbasan. I fyer nga mos marrja në Hanoi, ai nuk ka qëndruar në klub. Ky është edhe motivi pse Jorgaqi, mbrojtësi i famshëm i kombëtares, nuk luajti me Partizanin në vitet që vijuan.
Miqësia me Panon dhe golat e Hanoit
Ndër të paktët që e ka parë legjendën në ndeshje jashtë shtetit, madje në kulmin e formës së tij. Ish-nxënës të 10 Korrikut, pastaj bashkë te Partizani e në Kombëtare, Janku ruan nga Pano shumë kujtime, por ndër to veçon një të rrallë: Tre golat në Hanoi që Pano realizoi kundër Forverstit, kanë qenë të jashtëzakonshëm. “Sa keq që nuk ka asnjë pjesë filmike”, -thotë. Kanë qëndruar bashkë me orë të gjata pas stërvitjes pastaj në dhomë e hotele, një miqësi që vazhdoi edhe më vonë. Edhe tani që Pano nuk jeton, takohet me familjarët.
Opinionist dhe
gazetar sportiv
E ka filluar rastësisht, por mikrofoni, gazeta do të jenë një pjesë e rëndësishme e aktivitetit të tij. Zbulues ka qenë Ahmet Shqarri, që e merr si komentues në disa ndeshje në televizon me Lirim Zallën. Gazetari i njohur, krijuesi i të famshmes “Nga njëra ndeshje tek tjetra” do ta aktivizojë në vitet 80-të pranë mikrofonit të “Radio Tiranës” duke qenë për një dekadë ndër opinionistët kryesorë në krah të Bellovës e Radës në ndeshjet e kampionateve kombëtare. Pastaj me Fatmir Mnerin dhe kryeredaktorin Andi Bushati ideojnë, e nxjerrin të parën gazetë sportive post 90-të, kur në vitin 1995 del “Sport Ekspres”. Një tjetër epokë kjo me të përditshmen sportive, duke qenë fitues i të parit çmim “Anton Mazreku” që jepet për gazetarë sportivë.
Çfarë bën sot Mikel Janku?
Nga gushti i 1958, kur u nis me vapor deri në ditët e sotme ka kaluar shumë kohë. Djaloshi 17-vjeçar, që e filloi për t’u bërë një ushtarak i lartë, as që e kishe menduar se jeta do ti ofronte një tjetër karrierë, gjithashtu të lavdishme, si ajo e futbollit. Martesa me Sandrën kur ishte 25-vjeç, pastaj dy fëmijë, piloti e helikopterit, portieri i Partizanit, i Kombëtares, drejtuesi, trajneri, shefi i katedrës në “Zall Herr”, pedagogu, zyrtari i Ministrisë Mbrojtjes, sot është në pension. Nga 67-ta viti që hoqën gradat deri në 90-tën kur u rikthyen, nga Toger, u gradua Major, por shumë pak e shijoi këtë ofiq të lartë, pasi reforma në ushtri e goditi edhe pse ishte i ri, vetëm 51 vjeç. Vallzon e këndon mirë këngët ruse, të cilat i mësoi atje. Ka qenë deciziv në aktivizimin e Perlat Mustës në portën e Partizanit. Ndërkohë djali Albano, me profesion inxhinier ndërtimi, tentoi të ndiqte të atin, luajti me të rinjë e klubit, për të vazhduar si arbitër futbolli, ndër më të njohurit, me stemën e FIFA-s për shumë vite. Një familje e madhe sportive kjo e Jankut. Jeta e Mikelit vijoi dhe vazhdon e tillë, gjithmonë pranë sportit. E megjithatë sot kujton me nostalgji miq e shokë aviatorë, levën e uljes e të ngritjes që kërkonte forcë, por helikopterit nuk iu kthye më…
1. Janku pilot
2. Me Zvicrën
3. Kundër Irlandës V. në Tiranë
4. Në dyluftim me Gerd Mylerin
5. Partizani-17 Nëntori, S. Gjika, Shule, F. Andoni dhe B. Bukoviku
6. Një pritje spektakolare
7. Me Partizanin si zv.trajner i Krajës në Kinë: Kraja, Balluku, Shaqiri, Dalipi, Murati, Pano, Janku. Ulur nga e majta: Seferi, Vaso, Cani, Ismaili, Ziu, Berisha.
8. Gazetar duke intervistuar Skolarin.
9. Me Maliqatin.
10. Partizani-Këlni 0-0: Nga e majta: Deliallisi, Janku, Frashëri, Vaso, Shllaku, O.Mema. Ulur majtas: Jashari, Pano, Ndini, Bespalla, Kraja
11. Vëllezërit Janku: Agim, Mikel dhe Vladimir.
Komentet