Historia e futbollit kosovar është aq e bujshme, saqë prej tij mund të nxirret një film rrëqethës. Futbolli ishte krenaria e shqiptarëve të Kosovës në ish-Jugosllavi. Futbolli paralajmëroi pavarësinë e Kosovës qysh në vitin 1991, kur e braktisi futbollin e ish-Jugosllavisë. Hakmarrja e egër e Sllobodan Millosheviqit nuk arriti ta ndalë futbollin tonë, i cili vazhdoi të zhvillohet nëpër ara e livadhe, pavarësisht rreziqeve që vinin nga policia serbe. Izolimi vazhdoi edhe në liri. Ndërsa, sot jemi aty ku u nisëm në vitin 1992 – në UEFA
Historia e futbollit të Kosovës mund të shërbejë për realizimin e ndonjë filmi fantastik. Kjo pasi në pyetje janë afro 100 vitet shumë të bujshme të tij, të cilat te populli shqiptar në Kosovë, por edhe më gjerë, kanë sjellë shumë vuajtje e që Kosova dhe populli i saj kanë ditur t’i shndërrojnë edhe në krenari.
“Zëri” ua sjell historikun e futbollit kosovar nga viti 1919, që prej kohës kur në tokën tonë është rrokullisur topi i parë e deri te 3 maji i vitit 2016, kur UEFA pranoi Kosovën, duke e bërë shtetin tonë të barabartë me vendet tjera të Evropës. Këtu nis etapa e pestë, më e reja, mbi të gjitha më e mira për futbollin tonë.
Austro-hungarezët na sollën topin e parë
Arkiva thotë se topi i parë i futbollit është sjellë në Kosovë në vitin e largët 1919. Sipas burimeve thuhet se më 1914 futboll kanë luajtur austro-hungarezët, të cilët kanë shërbyer në Kosovë në atë kohë.
Mirëpo, klubet e para në vendin tonë janë formuar në vitin 1922, fillimisht në Gjakovë e Prishtinë për të vazhduar masivizimi edhe në vendet e tjera. Megjithëkëtë, mungesa e stabilitetit në vend ka pamundësuar gara të rregullta. Kjo konsiderohet etapa e parë.
Kosova në ish-Jugosllavi
Pas Luftës së Dytë Botërore futbolli i Kosovës filloi një kapitull të ri, që nis në vitin 1945 për të vazhduar deri në vitin 1991. Gjatë kësaj periudhe përparon shumë futbolli në ish-Jugosllavi, bashkë me të edhe ai në Kosovë.
Madje, më 1948 u formua edhe Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), që vepronte nën ombrellën e Federatës së Futbollit të ish-Jugosllavisë. Kosova e kishte ligën e vet të parë, ndërsa kampioni i saj kualifikohej në ligën e dytë të ish-Jugosllavisë dhe nga aty kërkonte inkuadrimin në ligën e parë jugosllave, dy rangje këto në të cilat merrnin pjesë edhe ekipet e Serbisë, Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës e Hercegovinës, Malit të Zi, Vojvodinës e Maqedonisë.
Prishtina, e më pas edhe Trepça, përfaqësonin Kosovën në garat e nivelit më të lartë në ish-Jugosllavi, kurse në nivelin e dytë garonin edhe tri-katër ekipe tjera kosovare. Njëherësh, gjatë asaj kohe Kosova kishte reprezentues, gjyqtarë dhe punëtorë të shumtë në nivelin më të lartë të ish-Jugosllavisë.
Pavarësimi i futbollit kosovar
Viti 1991 hapi një kapitull tepër të vështirë për futbollin kosovar, si rrjedhojë e rrethanave politike. Ishte e pamundur të luhej futboll, sidomos në Kosovë.
Klubi kryesor i Kosovës, Prishtina, që ishte krenaria dhe përfaqësuesja e ndritshme e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, vendosi ta braktisë elitën e futbollit jugosllav. Kjo pasi as futbollistët nuk ndiheshin të sigurt e lëre më tifozët shqiptarë të tyre nga Kosova.
Menjëherë erdhi hakmarrja e Sllobodan Millosheviqit, i cili i suprimoi të gjitha klubet sportive kosovare, duke i larguar edhe nga fushat e veta, njësoj siç la punëtorë të shumtë në rrugë. Regjimi serb shkatërroi ligat e futbollit të Kosovës.
Por, shqiptarët e Kosovës nuk u dorëzuan. Ata dëshmuan se nuk mund të jetojnë pa futboll, ndërsa një grup futbolldashësish u mobilizuan, rrezikuan veten dhe familjet e tyre duke e formuar në kushte dhe situatë të rëndë Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), të cilën e shpallën të pavarur nga ajo jugosllave. FFK-ja u bë me kryetar, bord, komisione, shoqata, lidhje rajonale, etj. Ndeshja e parë e futbollit të pavarur kosovar u zhvillua më 13 shtator të vitit 1991 në mes të Flamurtarit e Prishtinës.
Liga e parë e Kosovës kishte 20 klube, por ishte edhe liga e dytë. Derisa vetëm pakica serbe që jetonte në Kosovë kishte të drejtë t’i shfrytëzonte stadiumet, shqiptarët ndeshjet e tyre i zhvillonin nëpër ara e livadhe, në kushte katastrofale, nëpër lloç të madh, në rrezik permanent nga policia serbe. Në një improvizim total, në një izolim të tmerrshëm, ku të gjithë luanin dhe vepronin vullnetarisht, pa para, kurse shpenzimet i kryenin siç mundnin disi.
Në ato kushte, në ato kohë të vështira, UEFA ishte njoftuar se Kosova po e heq të “zinjtë e ullirit”. FFK-ja kishte aplikuar në vitin 1992 për anëtarësim, por pa sukses. Ky avaz vazhdoi deri në vitin 1999, kur nisi lufta në Kosovë.
Izolimi në liri!
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, filloi një kapitull i ri për futbollin kosovar. Largimi i regjimit serb nga Kosova lehtësoi pak frymëmarrjen e futbollit kosovar. Me përfundimin e luftës, FFK-ja u konsolidua.
Klubet po ashtu. Futbolli kosovar u kthye në stadiumet prej të cilave ishte dëbuar dhunshëm nga ish-regjimi i Millosheviqit. Filloi zbatimi gradual i rregullave të UEFA-s e të FIFA-s. Nisën kërkesat për anëtarësim, por hasnin në refuzime.
Futbolli tani luhej në një vend të lirë nga regjimi, por të izoluar tmerrësisht nga bota e futbollit.
Donatorët ndanin kafshatën e gojës për ta mbajtur gjallë futbollin. Shumë biznesmenë lanë gjithë pasurinë në futboll. Kishte nga ata që shisnin jo vetëm pasuri të patundshme, por edhe bagëtinë për ta mbajtur gjallë klubin.
Afro 150 klube nuk arritën të mbijetojnë, kurse klubet tjera që ende veprojnë mezi mbijetuan, me shpresën se do të vijnë ditë më të mira. Pas një zvarritje të tepruar, të panevojshme, të paarsyeshme, pas një diskriminimi të pastër, më në fund më 13 maj në Budapest, Kongresi i UEFA-s pranoi Kosovën, duke i hapur rrugë FIFA-s që të njëjtën gjë ta bëjë më 13 maj.
Tani futbolli kosovar ka hyrë në një fazë të re. Jemi të barabartë me popujt e tjerë.
Kjo është një fitore e madhe jo vetëm për Kosovën, por edhe për vetë UEFA-n, sepse e njohu një “tokë pjellore”, prej së cilës kanë dalë futbollistë të mëdhenj, edhe atë në një izolim të tmerrshëm, që zgjati 25 vjet.
Komentet