Vllaznia është fituese e kupës së Shqipërisë në futbollin e femrave, pasi ka mundur thellësisht skuadrën e Tiranës me rezultatin 6 me 1. Shkodranet nuk hasën rezistencë nga kryeqytetaset që u dorëzuan pa kushte, kjo edhe për shkak të diferencave në kualitete të ekipeve në fushë. Sa i përket golave, serinë e hapi Gjegji, për të vijuar më pas me Gjinin, dopietën e Doksanës, Grudës dhe golin e Doçit në fund. Për Tiranën golin e Flamurit e shënoi Atjok në fundin e pjesës së parë.
PJESA E PARË – Diktati i ekipit të Vllaznisë në fushën e lojës ndihet që në fillim, pasi sfida do të niste me gol pa kaluar mirë tetë minuta lojë. E vetme në zonë pas një inkursioni të gjatë, Gjegji nuk e ka të vështirë ta dërgojë sferën në rrjetë. Më miër se kaq nuk mund të niste sfida për ta, për më tepër që katër minuta më pas është Gjini ajo që dyfishon rezultatin. Në fushë ka vetëm një skuadër, ajo e Vllaznisë, e cila nuk ka ndërmend të ndalet, por shënon të tretin me anë të Djegsinës në minutën e 29. Praktikisht ndeshja është “vrarë” pa u luajtur mirë gjysmë ore lojë, duke parë që vajzat e Tiranës e kanë të pamundur të kundërpërgjigjen. Gjashtë minuta nga fundi i pjesës së parë, është sërish Djegsina ajo që shënon, duke e dërguar rezultatin në 4 me 0. Gjithsesi, kur u mendua se ky fraksion loje do të mbyllej në këto shifra, është Atjok për Tiranën që me një devijim të lehtë shënon golin e nderit për bardheblutë.
PJESA E DYTË – Ky fraksion do të niste thjesht sa për formalitet, pasi me atë që u tregua pjesën e parë nuk kishte askush dyshime për fituesin e kupës. Për minuta të tëra loja nuk ka emocione dhe duket sikur skuadrat janë pajtuar me rezultatin në fushë. Megjithatë, është Gruda në të 72-ën ajo që përfiton si duhet nga një gabim i portieres Popa dhe me portën e boshatisur nuk e ka të vështrië ta ndalë topin në rrjetë. Minutat kalojnë dhe skuadrat janë në pritje të mbylljes së sfidës, duke qenë se gjithçka është e mbyllur. Mirëpo, nuk e ka thënë ende fjalën e saj Doçi, e cila ia del të shënojë me anë të një penalltie në minutat shtesë duke i dërguar shifrat përfundimtare në 6 me 1. Kështu, Vllaznia konfirmohet si skuadra më e mirë e futbolluit shqipar për femra.
NAMIK DANGJIA (tr. Tiranës)– “Kemi vetëm 3-4 muaj që po përgatitemi me këtë ekip dhe mund të them se kemi bërë një punë të madhe. Nuk është e lehtë të shkosh në finale, por kjo erdhi si rezultat i punës dhe grupit që kemi. Megjithatë, të gjithë e dimë që Vllaznia është ekipi kampion dhe finalja është një ndeshje e vetme që vendoset edhe nga episodet. Gjithsesi, në fund u uroj suksese të dyja ekipeve finaliste”.
NIKOLIN LEKA (tr. Vllaznisë) – “Diferencat në futbollin shqiptar të femrva janë të njohura ndoshta, por për ne më e rëndësishme është fitorja. Më pëlqeu mënyra sesi luajtëm dhe atë që treguam në fushën e lojës. Ne kërkojmë që ekipi të ecë sa më mirë, jo vetëm në Shqipëri por edhe në Europë. Do punojmë për t’u rritur sa më shumë”.
TIRANA AS – VLLAZNIA 1 – 6
GOLAT: Atjok 45’+2/ Gjegji 8′, Gjini 12′, Djegsina 29′, 39′, Gruda 72′, Doçi 90’+2 (p)
TIRANA AS: A. Popa (Dizdari 74′), Beqiraga, Kotarja, Kolgjini (Obogo 87′), Aliaj (Mica 85′), Kodra, Koldashi, Leba, Begallo, Tota (Mema 36′), Atjok (V. Popa 57′). Trajner: N. Dangjia
VLLAZNIA: Raxhimi, Rrahmani, Gjini, Bajraktari, Maliqi (Tamniku 46′), Djegsina (Mustafa 46′), Paviçeviç (Pirani 77′), Franja, Doçi, Muja (Gruda 46′), Gjegji (Amullia 79′). Trajner: N. Leka
KARTONË TE VERDHË: Beqiraga, Begallo, Kotarja/ Paviçeviç, Doçi
GJYQTARË: E. Rusta, E. Kume, A. Kapxhiu
DELEGAT: Endi Hyka (Tiranë)
Komentet