E diela kish ardhur disi e veçantë, me rrezet e forta të diellit që dukej sikur paralajmëronin stinën e nxehtë të verës dhe ditët që kishin nisur të numëroheshin deri në datën e koncertit. Periudha para koncerteve ishte tejet e ngarkuar. Përtej emrit të aktivitetit që kish arritur tashmë në ediconin e 12 –të, gjithë situata ngjante me një maratonë përpjekjesh, obligimesh, derisa gjithçka të përfundonte kuruar deri në detaje. Ditët para koncerteve ngarkoheshin me orë të tëra studimi, prova, një ritual që përsëritej para çdo eventi të tillë, që fillonte me realizimin e ftesave e vazhdonte me plot gjëra të tjera të vogla në dukje, por që ndikonin në përfundimin me sukses të aktivitetit.
Rruga për në Terminalin e Autobuzave Ndërkombëtarë, ngjitur me qendrën e madhe tregtare ish e qetë, thuajse e diela kish pushuar dhe trafikun e rënduar në atë zonë të kryeqytetit. Temperatura e lartë i kish zhvendosur lëvizjet ndoshta jashtë Tiranës e më shumë drejt bregdetit. Kish ndaluar makinën në parkimin e qendrës tregtare për të vazhduar në të djathtë, duke zbritur me shkallët elektrike në një platfomë ku iknin e vinin autobuzat e linjave ndërkombëtare. Nuk kish zbritur në ato ambjente më parë, ndërsa midis dyqaneve, bareve, kish kërkuar me sy emrin e agjencisë së udhëtimit, autobusi i së cilës duhej të kish mbërritur atë mëngjes herët nga Athina, siç i ish komunikuar një ditë më parë.
Kish pritur derisa zyra e agjencisë të boshatisej disi e punonjësja t’i zbriste nga rafti përballë e t’i dorëzonte një çantë të bardhë letre të shkëlqyer, lidhur me një fjongo të kuqe . Nga njëra anë e pakos ishe shkruar emri i saj dhe vizatuar një zemër, nga ana tjetër emri i dërgueses dhe një zemër tjetër me ngjyrë kë kuqe. Në të vërtetë të dyja kishin të njëjtin mbiemër, edhe pse nuk njiheshin e mbiemri ishte rastësi. I vetmi kontakt ishte facebook -u.
Këtë koncert e kish titulluar “ Greetings from Tirana “, ndërsa pakoja e e kuruar në detaje ishtë një përshëndetje plot dashuri që vinte nga Athina.
Kish kujtuar të tjera histori, po kjo përshëndetje ish tërësisht ndryshe , një formë dashurie mes shqiptarësh, shqiptarësh të mirë e të talentuar, duarartë , artdashës që e kishin ndërtuar jetën përtej kufirit me përkushtim, sakrificë e pasion. Pakon e kish mbajtur me kujdes, edhe pse kurioziteti e shtynte të lëvizte menjëherë ngjitëset transparente në të.
E kish lënë ashtu për ata shijuar momentin e hapjes më vonë e në qetësi . “ Që të shkëlqesh në koncert e të na nderosh jashtë vendit ”- kish qënë mesazhi që i ishte shkruar në messenger stilistja shqiptare duarartë, që prej vitesh shijonte suksesin e punës e talentit të saj në kryeqytetin e vendit fqinj, Athinë . Në pakon e vogël gjendej një fustan madhështor , me disa shtresa tyli dhe copë të qëndisur në një larmi ngjyrash e lulesh nazike, në një veshje sa koncertore, fine, punuar nga shqiptarja e talentuar. Materiali i lehtë kish mundësuar përfshirjen e fustanit në atë çantë të vogël, ndërsa më pas shtresat e tylit njëra mbi tjetrën teksa hapeshin sikur i ngjasonin mallit e dashurisë së shqiptarëve përtej vendit !
Fustanin e kish pagëzuar si “Fustani i Ornelës “, ndërsa pjesët e kompozuara që interpretonte në këtë koncert ishin veshur me dashurinë që vinte përtej kufijve . E kish treguar si një ngjarje të rrallë historinë e fustanit që është vërtet i bukur , e bashkë me të ky gjest fisnik, domethënës shqiptarësh artdashës.
Kjo dashuri pa kufinj paketuar në pakon e vogël udhëtoi natën për të mbërritur në Tiranë e për t’u shndërruar në tinguj muzikorë, ndoshta për të udhëtuar sërisht në pamje e tinguj nga Tirana.
Kjo dashuri shqiptarësh ardhur nga anë të ndryshme të botës, nga Amerika me partet e muzikës shqiptare për violinë, nëpërmjet Nekës së Bibliotekës Noliane nga Bostoni, me shkrimet në zërin e shqiptarve VOAL nga Zvicra , me fustanin nga duart e Ornelës e kish shoqëruar në gjithë maratonat e koncertet.
Kjo dashuri shqiptarësh përtej kufijve ish modeli i dashurisë mes nesh, modeli i fisnik për të qënë pranë artit e muzikës shqiptare.
Koncerti i parë i” Maratonës Violinistike” kish mbaruar me sukses, ndërsa historinë e fustanit që udhëtoi gjatë natës me autobus nga Athina për të mbërritur në koncert vazhdonte ta tregonte si një ngjarje të veçantë e speciale . Fustani i Ornelës u bë pjesë e koncertit, ndërsa “ Violinistic greetings from Tirana “ me tinguj përshëndeti dhe gjithë ata shqiptarë të mrekullueshëm që shpirtërisht i kemi pranë si modele suksesi e dashurie.