Liberalizimi i vizave, ishte “karta” e të gjithë pushtetarëve të pas 17 shkurtit 2008.
Pas votimit në PE në favor të liberalizimit të vizave, tek pushtetarët dhe qytetarët e vendit shpërtheu një eufori e paparë, gati sa nuk u shndërrua në festë shtetërore. Në njërën anë festuan pushtetarët për shpërqendrimin total të vëmendjes së opinionit kosovar nga problemet e mëdha të përditshmërisë, në tjetrën anë festuan qytetarët, duke e uruar njëri-tjetrin për largimin sa më parë nga ferri që u krijuan pushtetarët në Kosovën e lirë dhe të pavarur.
Padyshim liberalizimi i vizave është mundësi e mirë, por jo edhe zgjidhja e më e duhur! Për shkak se, nëse iu referohemi kushteve ekonomike të vendit tonë, atëherë vetëm një pjesë e vogël e popullatës mund ta shijojnë këtë gjysmë-liberalizim të kushtëzuar.
Fundi i vitit po e zë Kosovës pa lajmin për liberalizim të vizave, pa ushtri dhe pa asnjë përspektivë zhvillimore.
Lajm më i mirë dhe shpresëdhënës për qytetarët se sa liberalizimi i vizave do të ishte: krijimi i vendeve të punës, investimet kapitale, përmirësimi i sistemit të drejtësisë si kusht për luftimin serioz të krimit të organizuar dhe korrupsionit në vend, etj.
Shitja moderne e vendit dhe mbrojtja primitive janë e njëjta gjë
Dualizmi i veprimeve të pushtetarëve, përveç qytetarëve të vendit i ka vënë në lajthitje edhe ndërkombëtarët.
Përderisa presidenti i vendit po lobon dhe nuk po lë gur pa lëizuar për faljen e territorit të vendit pushtuesve shekullorë, kryeministri ndërmerr veprime krejtësisht tjera, në dukje të parë të drejta, vështirë të realizueshme dhe pa llogaritur konseguencat për qytetarët e vendit.
Veprimet e ndara dhe kokë në vete të dy liderëve shetëror, përkatësisht presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj i kanë shkaktuar dëme jashtëzakonisht të pariparueshme Kosovës në rrugën e integrimeve evropiane.
Me këtë kurs qeverisës, politikanët tanë, Kosovën janë duke e dërguar pashmangshëm në greminë, apo në rrugë të pa krye dhe të pambarim, sepse orekset serbomëdha ndaj Kosovës nuk do të mbarojnë me ndarjen e veriut.
Me këtë diskurs të politikës kosovare, Serbia do të vazhdojë edhe më tutje agresionin e saj politik ndaj shtetit tonë, pasi pushtetarët e papërgjegjshëm kosovarë, integritetin dhe sovranitetin tonë e kanë vënë në “ankand publik”, duke e shndërruar në tortë të shijëshme për orekset garbitëçare, ku secili nga fqinjët dëshiron të merr pjesën që dëshiron!
Pushtetarët servilë e bënë Serbinë hisedare në Kosovë
Nënshkrimet nga ana e Thaçit dhe Mustafës e (mos) marrëveshjeve me Daçiqin dhe Vuçiqin në Bruksel, Serbinë gjakatare e bënë hisedare në sovranitetin e shtetit të Kosovës në njërën anë, ndërsa në tjetrën i hapën rrugën Serbisë për anëtarësim në BE, përderisa kjo e fundit kosovarëve të viktimizuar ua ofroj liberalizimin e vizave me kushtin e humbjes së territorit të shtetit,…për ironi të faktit edhe kësaj pushtetarët kosovar i thonë sukses!
Po i thonë kështu pushtetarët sepse dështimet dhe rrëshqitjet e njëpasnjëshme janë bërë çelës i suksesit të tyre personal, në pasurimin dhe ngritjen e tyre politike.
Dilemat pas votimit në Parlamentin Europian
Votimi politik në parlamentin evropian në mesin e shtatorit të këtij viti për liberalizimin e vizave për Kosovën, pa e plotësuar Kosova kushtin themeltar për liberalizim-atë të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, e kishte lenë derën hapur për mëdyshje të mëdha!
Tre muaj më pas u vërtetua se askush nuk të falë asgjë pa një arsye të fortë. Liberallizimi i vizave për shtetasit kosovarë, pa përmbushjen kushtit themeltarë nga ana e pushtetarëve, flet qartë për prapaskenat e vendimeve të “mira”.
Në rrethana të tilla, vendimi i PE-së për më shumë se liberalizim i vizave për qytetarët, nënkupton liberalizim të krimit dhe korrupsionit, favorizim të pushtetarëve të korruptuar dhe stimulim i gjyqtarëve dhe prokurorëve të shantazhuar kosovarë.
Zbrazja e Kosovës nga të rinjtë e saj
Një shoqëri njerëzore që mbanë në pushtet një klasë tërësisht të korruptuar dhe inkriminuar politike, nuk ka pse pret liberalizimin vrastar të vizave! Ngase liberalizimi i vizave në rrethanat aktuale, të uzurpimit të shtetit nga antivlerat, gjegjësisht të kapjes së tmerrshme të institucioneve të shtetit nga grupet kriminale,…keqqeverisja e vendit, parregullsitë dhe anarkia në sistemin gjyqësorë do të vazhdojnë akoma, ndoshta deri në pambarim.
Derisa të vie në pushtet një klasë e përgjegjshme politike, me etikë dhe integritet profesional për të udhëhequr shtetin dhe dikasteret përkatëse qeveritare, të gjitha dëshirat dhe shpresat e qytetarëve do të mbesin iluzione.
Mbase sjelljet e fundit të pushtetarëve, përkatësisht dualizmi i veprimeve të pushtetarëve aktualë do të jenë një “alibi” më shumë për getoizimin e mëtutjeshëm të qytetarëve të këtij vendi dhe talljen me liderët shtetëror të Kosovës dhe mosdhënjen e vizave nga shtetet e BE-së.
Si pasojë e kësaj, javëve dhe ditëve të fundit është shtuar dukshëm fluksi i qytetarëve kosovar para ambasadave të huaja në Prishtinë, për të kërkuar vizën për largim nga ferri që u shkaktuan politikanët e papërgjegjshëm në dekadën e fundit në shtetin e lirë dhe të pavarur të Kosovës pa mirëqënje qytetare dhe pa asnjë përspektivë zhvillimore.
Përderisa gënjeshtrat e pushtetarëve zgjasin getoizimin e qytetarëve, vazhdon zbrazja në heshtje e Kosovës nga të rinjët e saj!
Komentet