Ftesë
Ju ftojmë të bëheni pjesë e promovimit të romanit
“Laokooni” të shkrimtarit Kadrush Radogoshi.
Në këtë promovim do të referojnë:
Prof. dr. Ymer Çiraku
Dr. Resmie Kryeziu (studiuese e letërsisë)
Rushit Ramabaja (shkrimtar)
E premte, 20 prill, ora 11:00.
Salla “Libri Akademik”, Akademia e Shkencave e Shqipërisë – Tiranë
Ju mirëpresim!
Bashkëngjitur do të gjeni:
– Ftesën
– Fragment nga romani
Me respekt,
Irena Toçi
Drejtore e Përgjithshme
Botimet Toena
Kadrush Radogoshi “Laokooni”
Roman, f. 368, 13 x 20 cm, 1100 lekë
Fragment nga romani
I dashur,
kur u takuam të shtunën e kaluar më pyete për suksesin tim në fundin e gjysmëvjetorit të parë dhe, kur ta tregova, e pashë që u gëzove shumë.
“Dashurisë sonë i duhet dituria, e cila, kur shndërrohet në mbështjellëse të saj, e mbron nga mikrobet e smirës dhe injorancës”, the duke buzëqeshur.
Në mungesë të përgjigjes, unë buzëqesha.
“Mendjet e ndritura nga drita e diturisë dhe e dashurisë u kanë paraprirë ndryshimeve pozitive gjatë historisë së zhvillimit të shoqërisë njerëzore. Dituria dhe dashuria gjithmonë kanë qenë dhe janë kategori universale, kurse injoranca dhe urrejtja janë kategori që kanë errësuar dhe errësojnë mendjet e njerëzve, të cilat, për fat të keq, si shumëkund në botën e pazhvilluar mund të jenë të veshura me pushtet. Në raste të tilla, këto mendje shndërrohen në instrumente të dhunës e të terrorit me qëllim që të ruhet gjendja ekzistuese në të cilën gjërat e pavlershme shpallen vlera, ndërsa vlerat e vërteta përbuzen. A e ke vërejtur se si ushqehet ndjenja e lokalizmit në këtë qytet, duke u mbështetur në personalitete të njohura historike, arsimore, kulturore, të cilat kanë lindur këtu, por pjesa më e madhe e tyre janë formuar jashtë këtij qyteti. Periudhat më të ndritura të këtij qyteti kanë qenë atëherë, kur rrethanat e favorshme historike kanë sjellë në krye të tij mendje të hapura, të cilat kanë parë përtej interesave të ngushta të qytetit, duke e shndërruar atë në qendër që rrezatonte liri, barazi dhe zhvillim për të gjithë. Identifikimi i maskarenjve të sotëm me vlerat e së kaluarës, bëhet për të penguar krijimin e vlerave të sotme. Atyre u mjafton moçali që kanë krijuar nga qyteti i dikurshëm. Më fal se u stërgjata!”, the në fund të analizës tënde.
Unë buzëqesha në shenjë aprovimi të mendimeve të tua, të cilave kisha prirjen t’u besoja pa dyshimin më të vogël. Mendimet e tua më nxitën të mendoja se dashuria jonë dhe ne së bashku me të qenkemi në një kontekst shoqëror jo fort miqësor. Ky mendim më frikësoi.
Ti, si ta kishe kuptuar frikën time, ma zgjate dorën në qafë dhe pastaj më puthe në ballë, në sy, në buzë.
Zana
Komentet