Konferenca e cila do të mbahet në datat 26-27 prill, do të fokusohet në planet bilaterale vjetore për vitin 2018 midis MFSK-së dhe partnerëve bilateral, si dhe nevojat dhe kërkesat e FSK-së për zhvillim të mëtejshëm
PRISHTINË – Sot është hapur konferenca e 8-të me temë “FSK dhe Partnerët’’ e organizuar nga Ministra për Forcën e Sigurisë së Kosovës (MFSK), me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të shteteve anëtare të NATO-s, ambasadorëve dhe atasheve ushtarak të akredituar në Kosovë.
Konferenca e cila do të mbahet në datat 26-27 prill, do të fokusohet në planet bilaterale vjetore për vitin 2018 midis MFSK-së dhe partnerëve bilateral, si dhe nevojat dhe kërkesat e FSK-së për zhvillim të mëtejshëm për 2019/2020.
Ministri i FSK-së, Rrustem Berisha në fjalën hyrëse të konferencës ku foli për të arriturat e FSK-së tha se është kaluar kuota 10 përqindëshe për integrimin e komunitetit joshumicë në FSK. Ai tha se kjo kuotë tani më është mbi 10 për qind me rekrutimin e fundit të mbi 30 rekrutëve nga komuniteti joshumicë dhe komuniteti serb nga pjesa veriore e Kosovës.
Duke nënvizuar edhe synimet e FSK-së Berisha tha se FSK dëshiron të anëtarësohet në iniciativat rajonale dhe në Kartën e Adriatikut A5 që mbahet në Mal të Zi dhe poashtu edhe t’i vendos kontaktet në mes të FSK-së dhe shteteve që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës.
“Po ashtu jemi duke punuar shumë për rritjen e kapaciteteve tona operacionale që ta përgatisim FSK-në drejt tranzicionit në të ardhmen. Apeloj që të na ndihmoni që edhe partia Lista Serbe ta kuptojë realitetin e ri dhe të jetë pjesë e këtij transformimi, tha Berisha.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se partnerët ndërkombëtar të FSK-së kanë qenë pranë në momentet kritike të cilët edhe sot vazhdojnë të jenë. Duke u shprehur se FSK-ja është reflektim i realitetit të Kosovës, kreu i qeverisë tha se çdo qytetar apo pjesëtar i FSK-së qoftë shqiptar, serb, turk, romë, ashkalinjë, egjiptian apo boshnjak është në shtëpinë e tij.
“Në realitetin tonë kjo nuk është diçka e çuditshme sepse ne kemi jetuar së bashku këtu me shekuj. Por kemi kaluar nëpër kohëra të vështira në të kaluarën dhe tani jemi duke e ndërtuar besimin. Tranzicioni i FSK-së dhe një mandat i ri konstitucional nuk do ta ndryshonte bazën e shtetit tonë dhe bazën e misionit dhe vizionit të shoqërisë sonë. Kjo ka të bëjë me partneritet dhe me forcimin e të vërtetës sonë që secili është në shtëpinë e tij dhe që FSK-ja është shtëpia e secilit që jeton në këtë shtet’, tha Haradinaj.
Ai tha se tranzicioni i FSK nuk është zëvendësim i rolit të KFOR it në Kosovës. Sipas tij KFOR-i është ombrella e madhe e sigurisë së Kosovës dhe garanci për siguri dhe stabilitet jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon.
Duke folur për rajonin e Ballkanit, ai tha se “jemi të lumtur që po shohim zhvillim tek fqinjët”. Haradinaj tha se aspirata është e njëjta me Shqipërinë, Malin e Zi të cilët iu janë bashkuar NATO-s kohë më parë duke theksuar se do ta gëzonte fakti që nëse do ju bashkohet edhe Maqedonia së shpejti.
Komandanti i KFOR-it, gjeneral major Salvatori Cuoci tha se KFOR-i dhe FSK-ja kanë një marrëdhënie të veçantë dhe aktivitete të shumta të përbashkëta. “Në arritjen e qëllimit të misionit tonë që është siguria në Kosovë, KFOR-i mbështetë Forcat profesionale dhe multietnike të Sigurisë së Kosovës. Unë jam i lumtur që gjithashtu në bazë të sondazheve FSK-ja ka dalë njëra nga institucionet në të cilën popullsia beson më së shumti. Dua të përmend suksesin e fushatës së rekrutimit të fundit e cila ka kontribut të madh në përfshirjen e të gjitha komuniteteve në këtë Forcë”, tha Cuoci. aa
Komentet