Tiranë
Pas humbjes që pësoi Kombëtarja e Shqipërisë me rezultat 0:2 në përballjen me Turqinë, Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), ka ndërprerë bashkëpunim me trajnerin e ekipit kombëtar Christian Panucci, transmeton Anadolu Agency (AA).
FSHF ka njoftuar se ditën e sotme ka ndërprerë zyrtarisht bashkëpunimin me trajnerin Panucci, pa dhënë informacione shtesë.
“E falënderojmë trajnerin Panucci për punën e zhvilluar deri më tani dhe i urojmë suksese në vazhdimin e karrierës”, thuhet në njoftimin e shkurtër të FSHF-së.
Burimet zyrtare nga FSHF kanë njoftuar se ai tashmë do të largohet gjatë ditës së sotme nga Shqipëria.
Kujtojmë se gjatë ndeshjes Shqipëri-Turqi, që u zhvillua në Shkodër, për fazën eliminatore të “EURO 2020″, nga tifozët pati thirrje kundër trajnerit Panucci.
Ndërkohë në konferencën për mediat pas përfundimit të ndeshjes me Turqinë, Panucci, tha se nuk ka ndërmend të japë dorëheqje.
Kombëtarja e Shqipërisë në ndeshjen e dytë zyrtare eliminatore kundër Andorrës në transfertë do të drejtohet nga Ervin Bulku dhe Sulejman Mema, si edhe pjesa tjetër e stafit aktual të ekipit.
Për fazën eliminatore të “EURO 2020” Shqipëria dhe Turqia janë në grupin H, së bashku me Francën, Islandën, Moldavinë dhe Andorrën, ndërsa sfida e ardhshme e Shqipërisë është më 25 mars me Andorrën
Christian Panucci drejtonte Kombëtaren e Shqipërisë në Futboll që nga korriku i vitit 2017.
Komentet