Nuk ka qenë e lehtë të arrinim ti përgjigjeshim kësaj pyetjeje, për shumë arsye. Së pari, termi është i tmershëm, fatal për një popull, sidomos në epokën moderne. Së dyti, termi është katastrofik, biblik, dhe shume më tepër se pasqyrë e diktaturës, nëse flasim për një qeveri të dalë me votën e popullit të vet. Dhe së fundi, ngaqë nuk donim që nuhatja jonë politike dhe hamendësimi i shumë viteve më parë të dilte i vërtetë. Na e thoshte mendja, arsyeja, por nuk na e donte zemra të pranonim se ndaj shqiptarëve ishte programuar dhe projektuar një gjenocid politik.
Ngjarjet e fundit me censusin dhe fshehjen vrastare të të dhënave të tij, ishin pika që e mbushi kupën e argumentimit tonë. Gjatë rrjedhës së kësaj dekade është menduar disa herë se shpopullimi nuk është thjesht një pasojë e gjendjes shqiptare në sfondin e trendit botëror të emigrimit, por një gur i qenësishëm themeli për të kryer një krim të disafishtë ndaj shqiptarëve, me synimin e vetëm ruajtjen e vazhdueshme të pushtetit. Pse vallë është e vërtetë dicka e tillë? Nga ana e jashtme, qeveria e ka anashkaluar në një mënyrë të tmershme dhe sistematike këtë problem në të gjitha nivelet: politike dhe mediatike. Si ka mundësi vallë që askush nuk e përmend, asnjë ministër në një dekadë a më shumë nuk e ben pjesë të politikës së vet, asnjë legjislaturë nuk shkruan qoftë edhe një rresht për këtë problem. Si ka mundësi që gjithcka mbulohet me nje hir të trashë heshtjeje, dhe një errësirë e plotë mediash që flasin dhe për gjërat më bajate të ditës, kanë zero interest të flasin për shpopullimin.
Si ka mundësi që fraza “ ky është trend botëror, nuk kemi ca të bëjmë” është papagalli më i zjarrtë mbrojtës kundra kësaj tragjedie. Epo, ja që censusi ia cjorri maskën kësaj gënjeshtre të stisur me paramendim, me dashje dhe me projekt. Po, po, të treja bashkë qëndrojnë si përgjigje, sepse nuk ka asnjë mundësi, qoftë edhe pragmatiste, që të justifikojë që një popullsi 2.8 milionë, të shpopullohet me gjysmën e saj për 11 vjet. Së dyti, nuk ka asnjë edhe një shkak që të fshihet prej muajsh një e dhënë e tillë, qoftë edhe pse mund të manuipulohet si shifër, sic është bërë rëndom me statitiskat e INSTAT. Dhe ajo që është më e tmershmja, ka shumë mundësi që ky census me shifrat e tij, pra me numrin e votuesve që jetojnë në Shqipëri, të na japë një provë ulëritëse të katrahurës dhe shtimit artificial të votave që është bërë sistematikisht në zgjedhjet e gjithë kësaj dekade.
I bie që mijra shqiptarë të jenë dyndur masivisht për të votuar, në një kohë që kjo gjë ska ndodhur kurrë. Megjithatë kjo është e keqja më e vogël. Fshehja e kësaj të vërtete, mos-debatimi, mos-përgatitja e paketave të posacme ekonomike dhe sociale, për të ndaluar këtë process, qoftë edhe për sy e faqe, qoftë edhe për propagandë, në një periudhë kaq të gjatë kohe, tregon shumë për të vërtetën që fshihet pas plagës së shpopullimit. Ajo ka qenë projekt politik, në kurriz të shqiptarëve, varfërisë dhe etjes së tyre për jetë më të mirë, pikërisht për ta shfrytëzuar atë në favor të mbajtjes së pushtetit. Tashmë është fakt që shumica e heshtur që largohet është demokrate, tashmë është fakt që largimi dhe shpopullimi përdoret gjerësisht në zgjedhje për votime fiktive, tashmë është fakt që vota e emigrantëve është gogol për pushtetin.
Po përsëri kjo nuk është e keqja më e madhe? Ne po flasim për gjenocid, të dashur ndërkombëtarë, kudo që jeni dhe të gjithë kësaj dekade që keni qenë këtu, dhe duhet ta kishit parë me sytë tuaj. Nuk ka qeveri më shurdhmemece në botë, që i ikën gjysma e popullit dhe nuk flet kurrë për këtë problem. Cinikët na përmendin 1 milionshin e ikjes së viteve 90-të. Mirëpo kjo ike është tërësisht ndryshe. Ajo ishte vërtet ikje e lirisë, e ndryshimit të rregjimit, por që nuk e vrau shpresën.
Shqiptarët që qëndruan besuan dhe kishin shpresë se Shqipëria do të ndryshonte, si gjithë Europa komuniste. Kjo ikje e shumicës së heshtur është një rrjedhje e pjesës më të mirë, më të shkolluar, më të kultivuar të popullit, që prapa nuk ka lënë asnjë shpresë, pikërisht se asaj i kanë masakruar shpresën. Ja, ky është guri i provës së gjenocidit që kjo qeveri po i bën shqiptarëve. Si një vrasëse e ftohtë, e kalkuluar, që i fut në gjak popullit helmin e arratisë, bën jo një vrasje, të dy apo të katër njerëzve, por të një populli të tërë. I ngjan atyre vrasësve supër të sofistikuar, që helmojnë gjakun e një njeriu, pa bërë që ai ta kuptojë apo ta ndjejë, por që pas shumë kohe përfundon i shtruar dhe i dergjur në spital në shtratin e vdekjes.
Ja, kjo është vrasja që ka bërë kjo qeveri, ka shkulur indin social, më të kualifikuar, ka shklulur shtresën e mesme, nga trupi i këtij populli dhe e ka lënë të dergjet për shumë nga vitet që do të vijnë. Jemi kthyer “republika e pensionistëve”, skemi njerëz për turizëm, për të punuar fushat, për të punuar në fasoneri, e kështu me rradhë, pra jemi në shtratin e “vdekjes ekonomike”.
Ndërkombëtarë, a ka më vrasje kolevktive se kjo? A ka më gjenocid të projektuar se ky? Po drejtohemi tek ju, sepse as nuk kemi shpresën më minimale të dëgjohemi nga kjo qeveri. Ajo është “shurdhmemecja e vrasjes së shekullit”, me ndërgjegjen e heshtjes dhe ostracizmit më të plotë ndaj problemit të shpopullimit. Lexojeni censusin dhe historinë social-ekonomike dhe intelektuale të Shqipërisë këtë dekadë dhe do kuptoni se në çfarë gjendje kemi arritur.
Kur ndodh një gjenocid i tillë në mes të syve të Europës dhe perëndimit, dhimbja dhe zhgënjimi partjetër duhet të bjerë edhe mbi ju. Deri tani ne i kemi patur sytë nga ju. Tani e tutje, do vazhdojmë po njësoj, se kjo është busulla jonë, ama sytë, zemrën, gjakun dhe mëndjen do t’i kemi me helmin që na ka injektuar kjo qeveri dhe ky gjenocid. Që sot tutje kujtojeni këtë, sa herë që mendoni dhe shihni Shqipërinë.