Për librin e ri “ Psherëtimë ëndrrash” të Hasan Selimit
Shtëpia Botuese “ Beqir Musliu”, Gjilan 2023
Ndoshta titulli i librit duhej të ishte ky:” Frymëmarrje në shtjellë”… Asnjë tjetër nuk e përcakton më së miri fiziologjinë poetike të autorit Hasan Muzli Selimi pas tetë librash me poezi të botuar në një hark kohor të shkurtër.
Poezia e tij ka qënë një akumulim i gjatë shpirtëror por edhe fizik në brendinë e tij, ndërsa i dyzuar hullive të vështira të jetës ka kërkuar me sakrifica të dhembshme aprovimin dhe më pas guximin e shpalljes së saj si një psherëtimë e gjatë nga gjoksi dhe mendja e një të rrituri.
Që e ka ruajtur prirjen dhe dallgët e saj të mundimshme kalvarit jetësor, kur përpara se të shpallje kumtin e të qënit poet a krijues, duhej më parë të zgjidhje vendimmarrje më të rëndësishme. Jeta në kapërcyell të moteve dhe sistemeve, familja, ikja e hershme e prindërve, gjetja e vetvetes në lojën e jetës, arsimimi, mloja e re e shtëpisë së vjetër , kryerja e amaneteve të të parëve, fëmijët që rriten aq shpejt, lufta që dikur trokiti te pragu i portës, pastaj aroma e dehëse e lirisë dhe andrra e bashkimit të trojeve të ndara shekujve..
Ashtu si fundit të detit, në brendësi të guaskave të lira tashmë nga krijesa e tyre, rëra dhe kripa e detit formësojnë ashtu pakuptuar një margaritar të bukur, që një ditë do të dalë në sipërfaqe për të mrekulluar pejsazhin apo gjuetarin e dëshpëruar në kërkimin e tij të rrezikshëm dhe bukur të gjatë, ashtu dhe brengat, kujtimet, lotët dhe buzëqeshjet, malli dhe nostalgjia, frika e rënies dhe andrra e ngadhnjimit, mundësia e humbjes dhe shansi i ngritjes nga humbëtira drejt qiellit të merituar krijuan te Hasan Selimi djepin e parë të poezisë, që hap pas hapi përkundi një krijesë të bukur në trajtë poetike, sintetizuar në libra të shumëpritur dhe të vlerësuar.
…Rrugë kërkova n’kalim motesh
Varka e zgjedhur qeshi
Gur nuk ka
Brigjet mungojnë
Deti vallëzonte vallen e ditës
N’lagështirën e natës ne avullonim…
Poezia e tij është unike për strukturën tematike, sinqeritetin tronditës të shprehjes poetike, guximin për ta shpaluar shpirtin e tij vertetë të trazuar kohës së tij rrugëtare si dhe sjellja para lexuesit të një realiteti të çuditshëm alternativ, ku përfytyrimi dhe fuqia e elementëve të andrrës janë mekanizmi i joshjes së leximit, janë sfondi ku portrete dhe karaktere mes së vertetës dhe trillimit sajojnë shtjellën marrëmendëse të saj.
…U përlot qielli
Unë turrem gëzimeve në tokat e blerueme
Lotin e fundit hedh në trendafilin tim
Dritarja ndezet në të kuqe
Jam dashuria, therret…
Hasan Selimi është një poet nga ata që kurrë nuk gjen qetësi apo shpreson në prehjen mashtruese pas lindjes apo përqafimit të vargut të vet, brënda vargut të tij shkruar herë në dialekt e herë në gjuhën standarte, miksuar ëmbël dhe me ton të butë dhe pranues nga çdo lexues pavarësisht vendit nga vjen apo cilit rrafsh gjuhësor i përket. Sepse motivet që kanë nxitur dhe frymëzuar autorin janë pjesë e thellësive shpirtërore, dashnia e munguar, pengu i dashnive të humbura apo të parealizuara, dhembjet e hershme në formën e humbjeve, ideja e vdekjes dhe raporti i qenies dhe shpirtit…
…I dhashë dorën shpirtit
Kohës i kam kthyer fytyrën
Numëroj gjetjet çdo njëmijë vjet
Ngritun nga hiçi deri n’perëndim
Përralla kam dëgjuar ngahera
Mplakë me to
Tash duken të verteta…
Poeti e konsideron veten si “Rrugëtar i ngopur me uri”… Në tekstin e tij të gjerë poetik fryma e urisë, vdekjes dhe kujtimit kanë krijuar një trini me dykuptimësi dhe antiteza mes sendeve, ngjarjeve dhe njerëzve në udhëtimin e tyre jetësor, poeti bëhet njësh me lexuesin e tij si rrëfimtar i një lloji të veçantë. Rrëfen dhe njëkohësisht dialogon me të tjerët në mënyrë retorike,
njehësohet me fatet paralele dhe kësisoj shkrin mundësinë e moskuptimit apo terratisjes së vargut ndërsa figuracioni i tij shpesh i ngarkuar dhe me fuqi befasuese të shtyn në hapësita të mistershme:
…Do të vjedh një grusht dhe’ nga vorri i nanës
Me erën e nanës do të shkoj tej këmishës së ozonit
Diku në një galaktikë tjetër
Do të kërkoj kodin tim gjenetik
Nga grushti im dheu do të bjerë…
Përrallë apo mistikë?!
Kjo dilemë sa shpirtërore, poaq dhe reale në jetësimin e tij poetik është shndrruar në një risi e shprehjes dhe ngarkesës së mesazhit poetik, ku vlerë padyshim përbën larmia tematike, ku kursori i poetit në tastierën e tij të krijimit ndalet që nga çasti i një murgeshe në meditimin e saj, tek magjia e dashnisë e cila sipas poetit shuan dhe detin,tek zjarri i rrënjëve që më pas ushqen rilindjen e gjelbër, tek etja e fjalës që pikon vrerin dhe mjaltin e jetës, shkrirë të gjitha në një psherëtimë të madhe andrrash:
…Ndrrimi i kohës djeg rininë
Në trupin tënd përfytyroj qumësht
Lëkura jote afsh molle
Mbetë në kapërcyellin e kohës…
Libri në tërësinë e tij është një antologji, një përmbledhje poezish të zgjedhura nga redaktori Anton Nikë Berisha, dora e të cilit ka qëmtuar me qetësi profesionale, ka ditur të sjellë pikat e ndritshme të Hasan Selimit, në një botim dinjitoz të shtëpisë botuese Beqir Musliu dhe botuesit Sabit Rrustemi, të cilin do ta dëshironte çdo krijues, sidomos kur korpusi i vlerave të tij tashmë është vënë në piskamën e vëmendjes së ithtarëve besnikë të poezisë së vertetë.
Nisur nga ky fakt përgjegjshmëria e poetit, maturia dhe përqëndrimi kah niveli më i pjekur i poezisë, kujdesi i shtuar për të shmangur ndonjëherë përsëritje motivesh dhe mungesa të qartësisë të mesazhit poetik bëhet domosdoshmëri, pavarësisht se është plotësisht i justifikuar nxitimi për të nxjerrë nga kaleidoskopi i tij gjithçka që vlon dhe shpreson sa më shpejt të shfaqet para lexuesit me dëshirën e mirë për të rrëfyer shumçka, që mund të ketë ndodhur dhe ka lënë gjurmë të pashlyeshme në subkoshiencën e tij. ..
…Lutem të zbardhet kujtesa
Të hiqet perdja
Që ma mbulon atë që kam kaluar
Nga trishtimi i mosgjetjes të asaj që kam humbur
Kam mbetur të prek me dorë si i verbri…
Lexojeni këtë antologji, poeti Hasan Selimi prek fort ëmbëlsisht…