Vjeshtë, 2024
1.
O Princshtegu im, ti thjeshtësi e përkorë. Pikërisht ty të përulem e adhuroj: rraskapitjet tua, pusitë, lodhjen, rënjet, ngjitjen sfilitëse…
E përqas me gaz vetminë e muzgjeve, pastaj përmallohem në çast si para një fotoje të vjetër e të zbërdhylur, për shtëpinë pa ballkon, për sofrën me pak bukë e verë dhe pyetjet e tim biri që nisnin përherë me shprehjen kurioze: babi e ke ditur këtë?
Të admiroj i uruari, tirani im i hekurt që s’të mbaj mëri kurrë. Ti gardian i dënimit pa afat me ngujore të rëndë ndër duar e ngërdheshje në fytyrë…Por unë thyej prangat tua e dal përmbi gropën e qivurtë me armën e përvujtnisë, të mohit e përçmimit për shkëlqimet e rreme a pushtetet e dhjamosura që përmbysen pranverave ringjallëse.
2.
Të përfalem Shtegpari im, edhepse në portë, veç postierit të bezdisshëm, rrallë m’troket kush, pse telefoni shurdhohet nga marazi dhe parmakësh të dritares sime rrethuar telash xhemborë ka kohë që nuk zbret asnjë zog e melankolia ndehet tejendanë…Apo kur në kopshtin e shtëpisë bien fletëverdha vjeshte sipër stolit që pret vetëm hapat e mi të ngadaltë e të rënduar.
Çiltërisht të ndjej dhe kur në bujtinën tek trokas pas udhës kapitëse mespërmes ftigës e tundimit, mungon mirëseardhja e kryehershme e bujtinarit vëngërosh dhe llampa vajgurore thyer është kaherë!..
Nuk indinjohem aspak për këngën e vrarë që mëkonte plagët helmërisht të liga nën ndriçimin e mekur pranë flakëzash loztare kur zëri ëmbëlosh ftonte harrimin, si në baladat me kalë e epilog, ku e Mira mposhtë të Keqen dhe e Bukura – Shëmtinë.
3.
Më pëlqen të të parzmoj hapekrah, o gjurmë e Shtegut tim, megjithëse mbrëmjesh të përhimta, hall e mall përhedhin ndoj’herë tangon e pikëlluar nën hënën e plotë, së cilës i drejtohem me dëshirim: a dritëron kështu zbehtësisht bukur, o fanar i netëve të mia, edhe në Landet e Arbërit, në tokat e përkallura të Babilonisë, në Kordobë, në viset e Vikingëve a në vargmalet e Andeve dhe kur, natyrisht, mosbëzamja qesëndisëse është përgjigja e pagojë e saj!..Një nemitje trillane që arkivon ftohtësisht në vete kujtesën e botës.
Po, për kur vallë? Për Armagedonin? Për gjyqin e fundmë ku shpalohen bëmat e krijesave të poshtme? Cila është dëshmia dhe fjala jote, ti që frymëzon e tërhiqesh pabesisht në përmasën e paqasshme të yllsisë? Ah, sikur të fliste, së paku për dashurinë. Por, jo! Veç peshë e simes do t’mjaftonte që t’i ndalej fryma…
4.
Gjak e flijim i dhashë truallit atnor, por s’jam rrëzuar kur më vodhe atë, apo kur përbetues të fshehtë u dehën orgjisë për disfatën time, sepse unë pranoj kalorësisht edhe humbjet e tua, o i miri, Shtegidhnaku im.
“Ubi bene, ibi patria”, thoshin të urtët latinë. E vështirë ishte. Sa e vështirë kur do t’më ngushtoje të këmbeja identitetin pjalmues me ekzistencën ultësore. Po megjithë globalizmin që rrafshon e, mbase, krijon tabelë të re fuqish e vlerash, nuk kish pse të fillngjizej në mua ideja mondane e shoqërisë civile të rruzullimit.
Përse, ndaj, duhej të isha prova e pangjizshme kantiane, kur kombet e cilësuar historikë ngazëllejnë në reliket e epopeve të tyre? Edhe Poeti nga veriu i Evropës qahej e këlthiste nostalgjie pse në Toronton e largët nuk kishte një Ku’Damm, që s’mund ta merrte me vete vendlindjen e as ti ngarkonte në rimorkio kujtimet kur të kallej poshtë dhéut…
Sërish, ndaj, një trandje vrujon thekshëm. Ndërsa tek Votra, i mbaja në përkitshmëri të ngrohtë, tani përplasem në vorbën Asnjanësisë… E, si për të ndrequr një gabim, një keqkuptim zanafille, bëj ndonjë udhëtim nëpër kohë e fate krejt të ndryshme nga ti, Shtegu im i sertë e lyrak. Por kjo përhihet vetëm në imagjinatën që përpiqet të zhbirojë daljen nga labirinti i gjatë e i molisshëm.
5.
Zymtia do të strehonte në mua, kur udhët u takuan njëherë, dhe kur në zemrën e vashës që desha aq shumë sa s’kish arithmetikë që ti shkonte mbanë sedefërisë së saj të pafund, brymove ti sythin e brishtë të dashurisë. Porse, sa rrezellitëse njëherësh, për ngushëllim mora një sëmbim – një zjarr të pafikur ku ngrohem i këputur thëllimash të liga…Dhe ritjerr akoma fijen e mbetur të shpëtimit, saherë këmbanat lajmërojnë pejsazhin e barbarozës mortore…
T’jam mirënjohës për këtë dhuratë të përafërt me matansinë e padukshme, që kështu dërgon parashfaqjen e saj sublime, o Shtegprijësi hirplotë!
6.
Nuk bluaj kurrësesi yshtjen e mallkimit për ty, i bekuari Shteg-Hyj, as për të korrat e pakta, për shtratin e ngushtë që krikëllon apo kur në tryezë shtrohet shpesh vetëm lutja e kur dita ngryset e agon me ofshâmë për rrethin e mbyllur të pamundësisë dhe as për fundjavën që vjen prorë e shkretuar si plazhi dimëror…
Mbahesha përballshëm, anipse në kufij të rrëzimit, ndanë vështrimit lëndues të vocrrakëve syzmadhuar që përplaset muresh granitike të ndalimit, meqë, ah, ti Shtegsovrani im, i udhëzoje qysh herët për artin dhe madhështinë e durimit…
E, ashtu, ua shndërroje, ligështinë në forcë përballëse për teatrin e jetës përplot mirësi e keqardhje, hile e trathti dhe hekura të skuqur e heronj të shpifur.
7.
Revoltë kundër teje s’gatis dot, o Gurshtegu im, edhe kur miqët shtinjakë merakosen për goditjet e tua, e kur ata të mirët, për çudi, befasohen qeshjethartë, si të kapur në faj, për gëzimet e mia, dendur të jetimta, apo kur neverisin rrjetët e përdhosur socialë ose, madje, kur, si mësonte i bekuari Hess, robtohem të ndryjë trishtimin në pak radhë të drojtura, por që, në vend të cenzurës brutale të dikurshme, një tjetër rrëzomë ka rënë mbi shkrimtarinë që arratiset nga bibliotekat e bredh udhëve thirrakotëse: është shpërfillja e saj!
Një përsekutim tjetërlloj, i pabujshëm, pa pranga e leçitje, në plojën delirante të injorancës dhe sipërfaqësisë, sikundër t’i kam falur dhe fjalëmirat mashtruese, të shtënat pas krahësh, festat e mediokërve a lavdinë e të marrëve…
8.
Nuk e dija, Kryeshtegu im i mirë, se do të fortifikohesh i patundur në bedenat e modestisë së rezervuar, por më pas u mahnita me magjinë e saj. Me lartësinë që lë pas të gjitha hipokrizitë e kësobotshme të atyre që nuk vdesin njëherë, por çdo ditë, në gjiriz ëndjesh të kurmit e pluhurit.
E privuar është galeri e tyre nga kultura e dhimbsurisë, vuajtja elegante për gjethnajën e artë që përbaltet nga era e shiu, piktura e fijeflokut borëtor në male a feksja e vetëtimave para shtrëngatës…
Dhe e huaj, sa e huaj është për ta kënaqësia e parr’fyeshme e kulturimit gjakhollues, dijemira që zbardh horizontet a dhuntia e sakrificës për të drejtën natyrale të të ngjashmit me tè që quhet – njeri!..
Ah, ka dhe të tillë më të pështirosur, të shumtë si milingonat, që nuk përvetësojnë kurrëqysh as kodin e ëngjëjve, e as demoniakun e kreshpërosur në rropamën njerëzore. Një askushnajë impersonale dhe e kërrusur, ky soj luledjellësash në jetë të jetëve!..
9.
Në dukje, kundruar hijadhë nga legjionarë të shastisur që nuk ftillojnë ekulibrin mes Fuqisë e Shpirtësisë, më ke goditur ndonjëherë përdhè… Por, ndonëse m’fanitet terrínës marshi i korteut tim, gjysma e të cilit nënqeshet fshehtë e gjysma vajton, ia dal të ngjitem sipër rèsh, atje ku nuk arrijnë thundrat e tyre. Është funebriteti i tij, që më ndih të ndjej vrullin e papërsëritshëm të Çastit dhe reflektimin paqtues të Transcendencës…
Reale e caksynuese në kufijtë e arsyes dhe përgjëruese deri në vetmohim për të tjerët, anipse disa syresh shkalafiten mëndafshëm në harlisjen rruzare, je ti o Fatlum i irun. E postament i tyre duhmonjës s’janë tjetër veçse mbushëllima shfrenuese dhe këneta morale në çarklëvizjen e përtokshme larg botës së Ëndrrave dhe Frymësisë…
10.
Ah, të dua prandaj, Shtegvështiri im: i papërunjur e sqimatar dhe vetëmjaftues e qëndrestar. Të prajshme e fisnike janë kryqëzimet tua ndanë shkulmeve të bërtimës e skuthërisë…
Të dua, edhepse mbi ty ranë tërbimi i mujsharëve kalimtarë, mizoria e fajit për varrezat pa lule e për të ikurit pa përshpirtje, urrejtja e njeriut tënd, shfytyrimi i brezit, tortura e udhëkryqit dhe zgjedhja e gabuar…
Dhe, poashtu, pse ndërgjegjebréja thurte pëlhurën e qefintë për Nënën e Fëmijën, mes të cilëve je djegur si një lis i lartë në rr’fe stuhish e moskuptimesh, tek ëndrrat humbën të Zo’në e deshpërimi përtallte perënditë…
11.
U përvëlova si flutura pas dritës, ti Ballënalti im, por mu në mes të krusmës, pa u zvargur me gjuhëkeqen pështymore e pa prekur alkiminë e poshtërimit, ngrita shpatën e përbuzjes për vulgun e hierarkëve të përjargur dhe qortimin e turmave të paemër, obskure e ziliqare si verbëria e errësirës.
Zjarri ishte fikur, oxhaku s’tymoste më dhe unë ulesha në bregun e Lumbardhit e sodisja rrëkenë e moçme kthjellore. Jo pse, si urtojnë kinezët, do t’më sillte kokën e armikut apo lajmin e fitores. Diç tjetër duhej të vinte, ajo leva e lashtë e Mëkëmbjes: pasqyrimi i Shpresës në valëzat e tij.
Po nuk e bjerra atë kur, në vend të saj, hijesonte armatë e korbave që shtyhej fushnajës, a kushedi, drejt Alpeve në misionin e zi të species dhe as kur fluskat e shkumës që rrokullisnin dredhkat e tyre mbi shkëmbinj, formonin imazhin e shkronjave të zhgënjimit!..
12.
Sheshet e rrebeshet që i zbrazin ato, mëngjeset mbushur prill e diell a zërat e mbrëmjeve me vesë, kujtonin Orën e vjetër o Shtegkrenari im ngurrimtar që në larginë të besëprerjes qëndroje prorë e fismërisht…Dhe ndaj, smirën e tëhuajsova kur shemrat tua shendonin stinëve të kaltëra, ngase ti më pëshpërisje me shenjëzimin tënd, se s’janë tjetër pos hije të kalesës…
Megjithatë, jetën, valëzimet e saj do zënë në fluturim! Ky, thonë Rojat e grigjës së hutuar, është çelës, Urdhër epror… Por kush, vallë, e pati a zbërtheu atë?
13.
Mësova, o imi Shteg përbetar, që flatra dijedritëse, të refuzoj, jo tashmë dinjitarë e zagarë të hallakatur në saturnalet e motit, por dhe studimtarë të pasmijëra vitesh, që do të pajisen suporesh për eshtërinë time të gjetur në një funddeti a yrt të rroposur.
Më ngjan si vegim, ja sikur i shoh se si gratulohen për zbulesën e vyer: për plagët e dashurisë që nuk i tretë asgjë. As rr’fetë xheloze, as alget, as ujërat e truar, as magma vullkanore e nëndheut…Sepse ajo është vetë esenca sublime Krijimit!..
I fshikulloj, ndaj, që tani, me ngulmërinë e kurajos, dollinë e njatjetimit dhe me ngadhnjimin e Shpirtsisë që prish e asgjëson mburrjen cinike. Kjo është Sfida ime. Pushteti i saj absolut. Një Triumf i përjetshëm që ka lindur bashkë me Jetën dhe vete përtej tyre…
14.
Ti Shtegprijësi im i përndertë e legjendar je unë vetë. Ne jemi një dhe përcaktueshmërisht ind i Ekzistencës unike tek merr shëmbëllesë qiellore dhe kuptim tokësor përmes nyjëtimit triumfal: të Dhimbjes e Dashurisë, si Fron i Adhurimit të vërtetë!
Si të mos kem, pra, admirim të afshët për ty, o Shteg i kadiftë ndër hone shirash, mundues e i munduar, o sfinksi im mjegullor! S’kërkoj pëndesë e të falur prej teje, meqë Një jemi n’përhershmëri, a pse është vonë, tepër vonë, por sepse, të thjeshtë, unë jam Mirëpritësi bujar, Ithtari haremadh e Dashnori yt me lot!..
(R.)