(Sigmund Freud, 6 maj 1856- 23 shtator 1939)
„Acheronta movebo“ – Edhe ferrin do ta trazoj
Në dorëshkrimin e veprës së tij madhore „Interpretimi i ëndrrave”, Frojdi kishte shkruar anash termat latine: „Acheronta movebo“ – që do të thotë „Edhe ferrin do ta trazoj“. Dhe jo më kot. Frojdi (Freud) e dinte se po shkelte në terrene të pashkelura më parë, në zona të errta të shpirtit njerëzor ku askush nuk kishte shkelur më parë: madje në botën e ëndrrave. Cili ishte ky ferr? Vallë ishte vërtet një ferr apo diçka e lindur bashkë me „’homo sapiens“? Sigurisht, diçka që vinte nga mugëtira e kohrave, nga shekujt e largët të gjenezës së shoqërisë njerëzore, nga qytetërimet e vjetra e më pas ato greko-romake. Dhe ferri u trazua. Frojdi filloi të depërtojë në errësirat e thella, në atë që atëhere konsiderohej „anomalitë njerëzore“. Frojdi ishte i bindur në misionin e tij dhe se po zbulonte diçka të madhe shkencore edhe pse e pranonte, siç do të shkruante ai më pas në një letër dërguar mikeshës dhe pacientes së tij Marie Bonaparte, stërmbesës së Napoleonit, se „Gjenitë janë njerëz të padëshirueshëm. Familja ime mund t’ju thotë se sa i kollajshëm jam në jetën e përditëshme. Pra nuk jam një gjeni“. Megjithatë Frojdi e la gjurmën e tij historike si një gjeni. Që nga vdekja e tij më 1939, korrente të shumta filozofike përqafuan idetë e tij, duke përshkuar shtigje të tjera të psikoanalizës, një prej të cilëve ishte francezi i famshëm jacques Lacan.
Në këtë 150 vjetor të lindjes së tij, përkujtimi i emrit të Frojdit vjen fill pas përkujtimit të 250 vjetorit të Amadeus Mozart, vjenezit tjetër të madh, i cili e ngriti muzikën në piedestalet dhe në shkëlqimet më të mëdha. Qindra veprimtari i janë kushtuar themeluesit të psikoanalizës: ekspozita, konferenca, kolokiume, retrospektiva kinematografike e dokumentare, etj që lidhen me jetën dhe veprën e Frojdit. Mijra vizitorë vizituan shtëpinë e tij në Vienë, në 19 Bergasse, ku ai kishte dhe kabinetin e tij dhe ku kaloi 78 vjet të jetës së tij, apo shtëpinë e tij ku kaloi momentet e fundit të jetës, në Hampstead të Londrës (në 20 Maresfield Gardeus), kur u detyrua të largohet nga histeria naziste meqë ishte çifut, dhe ku është divani i famshëm (origjinali) i Frojdit ku për 40 vjet ai vendoste mbi të pacientët e tij për të bërë analizën e psikikës së tyre. Pikërisht atje në Londër, shtëpia ku më pas do qëndronte vajza e tij psikoanaliste, Ana Frojd, do të kthehej nga ajo në muze, ku gjënden gjithashtu dhe 6 mijë letra të Frojdit. Interesant është fakti që ai divan u kthye në një lloj simboli apo miti, i cili tërhoqi artistë të mëdhenj si Andy Warhold apo Marx Erns, të cilët i u referuan në veprat e tyre divanit të Frojdit.
Influenca e Frojdit gjatë shekullit XX-të ka qënë padyshim e jashtëzakonëshme, edhe pse të tjerë psikoanalistë shkuan në drejtime të tjera, apo filozofë të tjerë e kundërshtuan atë (filozofi francez Gilles Deleuze me veprën e tij “Anti-Edipi”), por baza e tij, studimi i inkoshiencës, ishte një revolucion i madh, të cilin disa historianë e kanë krahasuar me zbulimet e mëdha në fushën e shkencës, duke kujtuar Kopernikun, Galileun e të tjerë. Mendimi i Frojdit ishte padyshim një rrugë e re dhe revolucionare për të kuptuar thelbin e shoqërisë njerëzore dhe të njeriut vetë. Shumë studjues, biografë e kanë përqasur gjithashtu teorinë frojdiane dhe me inferioritetin femëror, nisur nga jeta personale e intime e tij. Dhe në fakt vetë Frojdi e ka shprehur kërtë nël ibrin e tij „Seksualiteti femëror“, duke shkruar se „gruaja e njeh faktin e kastracionit (ndrydhjes së dhunëshme) dhe me këtë ajo njeh gjithashtu superioritetin e burrit me inferioritetin e saj“. Të kutojmë se bëhet fjalë për fundin e shekullit XIX-të, kohë kur gruaja ishte ende nën pushtetin e burrit. Në fakt këto ide të Frojdit lidheshin dhe me jetën e tij bashkëshortore, pra me Martha Bernayes, e cila ishte totalisht e eklipsuar nga jeta shkencore dhe publike e Frojdit, duke ju përkushtuar familjes. Nga ana e tij, Frojdi kishte adhurueset e veta, të cilat ishin njëkohësisht dhe pacientet e tij si Marie Bonaparte, Lou-Andreas Salomé, një nga gratë më të bukura e të çuditshme të asaj kohe, etj.
Psikoanaliza do të jetë thelbi i vetë jetës së Frojdit. Interesant është dhe fakti kur një ditë, për ti shpjeguar vajzës së tij 14 vjeçare, Ana, se çfarë ishte psikoanaliza, ai i kishte thënë: “A i shikon ato ndërtesa me façada të bukura? Por gjërat nuk janë gjithnjë kaq të bukura sa ç’shihen në façadë. E njëjta gjë ndodh dhe me qëniet njerëzore”. Dhe kështu Frojdi vazhdonte të depërtonte dhe analizonte atë ç’ka fshihej pas fasadës njerëzore. Padyshim nje kërkim i vështirë, i lodhshëm, cfilitës dhe me njëmijë pyetje të cilave vështirë t’i përgjigjeshe. Një nga kërkimet e tij interesante ishte “seksualiteti fëminor”. Tek Frojdi, “seksualiteti fëminor” nuk është aktiviteti seksual siç është tek të rriturit, por më tepër “kërkimi i kënaqësisë”. Cdo individ, pavarësisht nga mosha është në kërkim të kënaqëisë dhe kërkon ta plotësojë këtë nevoje duke përdorur një pjesë të trupit të tij apo të mjedisit që e rrethon. “Seksualitetin fëminor” Frojdi e ndante në disa periudha të moshës fëminore si stadi oral (nga lindja deri në moshën 18 muajshe); stadi anal (deri në moshën 3-4 vjeç); stadi “phallique”, pra ai i penisit apo më pas “kompleksi i Edipit”, ku pikaset agresiviteti dhe xhelozia në marrëdhëniet at-bir e më gjërë.
Eshtë e njohur sudimi i tij rreth “Hansit të vogël”, djalit të një mikut të tij. Frojdi shkruan se si lindja e motrës së tij të vogël e vendos atë në një gjëndje xhelozie, pasi ai humb vëndin e të qënit objekti i vetëm i dëshirës së nënës së tij. Po kështu thëniet e nënës së tij se “po bëre faj do ti themi doktorit që të ta presë bibilushin”, fëmijën e tmerron. Ai fillon të identifikohet me penisin… Nga imagjinarja, fëmija kthehet në realiteti, duke parë penisin si produkt të vetvetes. Por Frojdi kërkon të depërtojë dhe në jetën apo fëmijërinë e gjenive të artit, siç bëri ai me studimin që botoi për jetën dhe krijimtarinë e Leonardo Da Vinçit, nisur nga refleksionet rreth disa episodeve të relatuara nga jeta e Da Vinçit. Edhe pse faktet më pas nuk dolën se ishin reale, pavarësisht nga kjo, në planin e përpunimit të teorisë së tij, ato janë mjaft domethënëse. Pikërisht në tekstin “Një kujtim fëmijërie e Leonardo Da Vinçit”, shfaqen idetë e tij të para mbi narcisizmin. Por ky tekst është njëkohësisht dhe mjaft kuptimplotë rreth sublimitetit dhe krijimit të artit.
Frojdi hapi padyshim një shteg që të çonte në depërtimin e botës njerëzore gjer në skutat më të fshehta dhe më të errta të saj. Por njeriut të sotëm i mbetet ende shumë rrugë për të bërë në këtë fushë, për të dshifruar atë çka ndodh në të vërtetë në trurin dhe shpirtin tonë, në endrat, përfytyrimet dhe fantazmat tona, në pasionet, jetën seksuale, frikën ndaj vdekjes, ankthet, emocionet në gjithshka që përmbledh impulset e jetës sonë. Vallë gaboi Frojdi që vuri „libido“-n në bazë të teorisë së tij? Libido! Bota e çliruar me shfaqjen e feminizmit modern dhe bota e dikurshme apo dhe e sotme e kastruar (ku ndrydhen ndjesitë dhe dëshirat seksuale) në botën fetaro-muslimane apo atë të mirëfilltë totalitare, ku njdjenjat ndrydheshin me anë të forcës, burgut, internimit, me dënimin e homoseksualëv me burgje të rënda dhe përçmim “vrasës”, dhe ku nuk mund të flitej për fjalën „libido“, edhe pse një gjeneral i famshëm, besnik i partisë, masturbohej për të shfryrë dëshirat e tij përballë asaj që ishte e „pamundur“. A është vallë „libido“ në esencë të akteve tona? Libido + koshience (ndërgjegje) + inkoshiencë.
Frojdi, ky pesimist i madh që influencoi mendimin e shekullit të XX-të duket se na ka treguar udhën për të deshifruar diçka nga ëndrrat dhe dëshirat tona…
Kush ishte Sigmund Frojd?
Sigmund Frojd, një nga gjigandët e filozofisë dhe mjeksisë moderne, lindi më 6 maj të vitit 1856 në një qytezë të vogël në Freiberg të Moravisë, (sot Pribor i Republikës Çeke, 200 km larg Vienës), në një familje hebre gjermanofone. Babai i tij ishte një tregëtar i stofrave, por 3 vjet më vonë ai do të falimentonte dhe familja u detyrua të instalohej në Lajpcing. Një vit më vonë ata u larguan që andej dhe u vendosën në një lagje çifute të Vjenës. Në adoleshncë, për provimet e shkollës, Frojdi përktheu veprën e Sofokliut „Edipi mbret“ dhe që atëherë Edipi do të bëhej një personazh qëndror në jetën e tij filozofike. 16 vjeçar, ai kaloi një aventurë me nënën e një prej shokëve të tij të shkollës. Në vitet universitare studjoi filozofinë dhe i përkushtohet fiziologjisë dhe mjeksisë. Në moshën 20 vjeçare ai hyri në rrethet shencore të Vjenës dhe studioi biologjinë në Trieste të Italisë. Më pas u lidh me shkencëtarin e njohur Josef Breuer. Pikërisht në këtë kohë ai e ndroi emrin e tij Sigismund në Sigmund. Më 1882 ra në dashuri me Martha Bernayes, e cila ishte pesë vjet më e madhe se ai. Një vit më vonë provoi kënaqësinë e kokainës. Botoi studimin “Uber coca”, rreth efekteve të dobishme të kokainës në terapi, çka solli sulmet e kolegëve të tij vienezë. Në këtë kohë filloi të shkruajë për ëndrat dhe interpretimin e tyre. Me filozofin Ernst Brucko ai studjoi efektet e kokainës mbi organizmin e njeriut. Më 1886, në Vjenë, ai hapi një klinikë private ku punoi si neurolog duke perdorur gjithashtu dhe elektro-terapinë. Me Martën do të kenë 6 fëmijë, 3 djem dhe 3 vajza. Në vitin 1887 ai filloi të praktikojë hipnozën dhe u zgjodh anëtar i Shoqatës Mjeksore të Vjenës. Botoi disa studime dhe përmes një burse filloi të punojë në Francë, së pari pranë një prej profesorëve më të shquar të kohës në fushën e neurologjisë dhe histerisë, profesori Jean Charcot. Ai do ta adhuronte profesorin francez dhe do t’i shkruante të dashurës së tij se „Charcot po i shkatërron idetë e mia. Vallë fara e tij a do të prodhojë tek unë frutet e veta? Nuk e di, por dije se askush gjer më sot nuk ka patur një influencë kaq të madhe tek unë se sa ai“. Në këtë kohë Frojdi studjon fenomenet e histerisë, të hipnozës dhe të sugjestionit. Ai do të thellohej në idenë e profesorit Charcot se për të shëruar histerinë duhej shkuar drejt “gjësë gjenitale”. Më pas ai praktikoi metodën „catharsis“ të përpunuar nga Breuer, ku i kërkohet pacientit të hipnotizuar që të kërkojë në kujtesën e tij rrethanat e shfaqjes së simptomave të sëmundjes. Duke shkruar rreth histerisë ai do të nënvizonte : “Njeriu sëmuret nga histeria në sajë të një kujtimi. Eshtë ringjallja haluçinante e një skene që ka luajtur një rol të veçantë dhe të rëndësishëm në sëmundjen“. Më 1895, bashkë me Breuer, botoi „Studime mbi histerinë“, ku ai shkruan për „Ana O.“ një nga pacientet e tij dhe që është hapi i parë i teorisë frojdiane dhe frut i një pune dhjetë vjeçare me pacientët që vinin në kabinetin e tij. Pas kësaj ai do të përdorte termin „psiko-analizë“. Më 1887 ai i shkruan mikut të tij Wilhelm Fliess se „i sëmuri që më preokupon më shumë është vetja ime“. Gjëndja e tij ishte mjaft e rëndë, por sidoqoftë studimet e tij njohin suksese të veçanta. Më së fundi ai e braktisi teorinë e histerisë dhe i u kushtua psikoanalizës, duke pohuar se ka zbuluar „kompleksin e Edipit“. Eshtë koha kur ai vazhdon të përdorë kokainën dhe të pijë shumë duhan. Më 1898 botoi veprën e tij „Seksualiteti dhe etiologjia e neurozave“. „Shkaqet më domethënëse të çdo semundje neorotike, – shkruante ai, – duhen kërkuar tek faktorët që lidhen me jetën seksuale“. Një vit më vonë botoi „Interpretimi i ëndrrave“ dhe më pas emërohet professor në universitetin e Vjenës me titullin „Dozent“. Në këtë periudhë ai u njoh me psikiatrin e famshëm zviceran Carl Jung me të cilin do të ketë një miqësi të gjatë dhe një admirim të veçantë. Më 1905 botoi „Tri ese mbi teorinë seksuale“, ku flet gjërësisht mbi seksualitetin në moshën fëminore. Më 1914, Frojdi nuk u deklarua kundër luftës që shpërtheu në Europë dhe dy djemtë e tij u mobilizuan për të shkuar në front. Çuditërisht, emrat e fëmijëve të tij ishin të lidhura gjithnjë me njerëz të shkencës dhe politikës që ai kishte amdiruar: Olivieri ishte quajtur kështu në kujtim të Oliver Cramwell, politikanit që kishte ndihmuar çifutët për tu vendosur në Angli; Ernst, në kujtim të mikut të tij, fiziologjistit Ernst von Brücke; Sofia, në kujtim të emrit të mbesës së mikut të tij profesorit Hammerschlag apo Anna në kujtim të bijës së këtij profesori, etj.
Botimet e tij shkencore u bënë gjithnjë e më të njohura në rrethet shkencore të të gjithë botës. Por shoqëria e tij e gjatë me Jung, më së fund mori fund. Më 1915 botoi librin “Inkoshienca” dhe një vit më vonë “Mësime paraprake në psiko-analizë”, “Zija dhe Melankolia” (ku fut nocionin e ndjenjës së fajit), etj. Në vitin 1918 filloi analizën me vajzën e tij Ann (Ana) Frojd, me të cilën kishte lidhje shumë të afërta, fakt që u bë i njohur vetëm në vitin 1960. Madje Ana dinte dhe historitë e fshehta dashurore të Frojdit, në një kohë që nëna e saj, apo gruaja e Frojdit, ishte në shtëpi. Analiza me të bijën u zhvillua nga viti 1918 gjer në vitin 1921, për tu përsëritur përsëri në vitet 1924-1925. Megjithatë shënimet rreth kësaj analize psikike nuk janë bërë ende të njohura dhe mbahen në arkivat e “Muzeut Frojd”. Një pjesë e këtyre arkivave do të happen vetëm në vitin 2013.
Në vitin 1920, Frojdit i vdes vajza e tij Sofia. Ndërkohë, Ana Frojd futet në Komitetin e fshehtë të Psikoanalizës që ishte krijuar nga Frojdi dhe miqtë e tij. Më 1925 Frojdit i shfaqet një kancer në gojë. Djali i vajzës së tij i vdes ne moshën 4 vjeçare nga turbekulozi dhe kjo ngjarje e trondit rëndë. “Nuk mund ta duroj këtë dhimbje të madhe, – shkruan ai. – Më duket se kurrë në jetën time nuk kam provuar një dëshpërim të tillë”. Por vetë Frojdi është një i sëmurë rëndë. Atij i duhet të verë një protezë në gojë, në nofullën e sipërme, në mënyrë që të flasë, të hajë apo të pijë duhan. Më 1925 ai takoi në Berlin gjeniun tjetër të shekullit, Anjshtajnin dhe më pas u njoh me shkrimtarin e madh francez Romain Rolland. Ai tashmë ishte një personalitet mjaft i njohur dhe Hollivudi i propozoi 100 mijë dollarë për një film për dashuritë e tij të famëshme, por ai nuk i pranoi. Ndërkohë u njoh dhe me shkrimtarin e shquar gjerman Thomas Mann. Më 1933, librat e tij janë në turrën e librave që digjen nga nazistët në sheshet publike. Madje në vitin 1938, një grup nazistësh kontrollojnë në shtëpinë e tij dhe arrestojnë të bijën, Anën, të cilën më pas e lëshojnë. Pas botimit “Le Moi et le Ça” (1923), të “Pengesa, simptoma dhe ankthi” (1926), të «Aveniri i iluzionit » (1927), « Gjëndja e vështirë e kulturës » (1930), në vitin e fundit të jetës së tij ai arriti të botonte dhe « Moisiu dhe Monoteizmi », lidhur me refleksionet e tij mbi qytetërimin judeo-kristian. Gjëndja e tij në këtë kohë ishte tepër e vështirë, pasi ai në fund të fundit ishte një çifut. Ja pse me ndërhyrjen e presidentit amerikan Ruzvelt, ai mundi të shkonte në Londër, ku turmat entusiazte londoneze e presin si një hero të vërtetë. “Për herë të parë dhe në moshë të thyer, – shkruan ai, – kuptova se çdo të thotë të jesh i famshëm”. Por dhimbjet e kancerit i u bënë të padurueshme. Atëhere, i vendosur, ai i kërkoi mjekut të tij personal që ti bëjë një inxheksion me një dozë të fortë morfine që të mund ti japë fund jetës së tij. Por njeriu i madh, darvinisti që filloi të interesohej për monoteizmin në fundin e jetës së tij, tashmë e kishte trazuar ferrin njerëzor: „Acheronta movebo“…Ky ferr ka mbetur i trazuar ende dhe sot.
Askush nuk mund ta mohojë gjeninë e tij
Intervistë me filozofen franceze Elisabeth Rudinesco./
– Këtë vit festohet 150 vjetori i lindjes së Frojdit. Por cili është akti themeltar i veprës së tij?
– E.R. – Janë disa dhe së pari libri i tij “Studime mbi histerinë” e vitit 1895. Akti i dytë është futja e fjalës psikoanalizë në vitin 1986, nisur nga punimet e kolegut të tij Josef Breuer për të cilësuar psikoterapinë, pra kurënmjeksore perms fjalës. Akti i tretë është braktisja në vitin 1987 e teorisë së tij të seduksionit sipas të cilës neuroza ka për origjinë një lloj abuzimi ose një trauma reale seksuale. Frojdi hoqi dorë të shpjedonte neurozën nga traumatizmi. Hipoteza se femrat hiqsterike kishin qënë vajza mbi të cilat kishin abuzuar në fëmijërinë e tyre, ai e zëvëndësoi me idenë e habitëshme se ne vetë vuajmë nga “fantazmat” tona, brënda nesh. Kështu frojdi kalon në anën e inkoshiencës (jo-ndërgjegjes) dhe fillon te analizojë ëndrat, çka e bëri vetëm ai. Edhe dijetarë të tjerë janë interesuar për të njejtat gjëra por jo në të njëjtën mënyrë. Ai krijoi njësistem metafizik, një teori të përgjithëshme të inkoshiencës njerëzore dhe të psiqizmit, për çka i u drejtua tragjedisë së Edipit, të cilës i dha një vlerëm itike universale, ashtu si dhe figurave të Eros-it, të Thanatos, etj.
– A mund të flitet për psikoanalizën?
– sigurisht, edhe pse disa rryma janë distancuar nga ajo, duke filluar nga vitet 1930. Psikoanaliza është metoda teurapetike frojdiane e praktikuar nga të gjitha korentet shkencore që mbahen si frojdiste, pavarësishte nga divergjencat që kanë rreth teorisë së seksualitetit. Qëllimi është që permes fjalës tëm jekohen sëmundjet psiqike;
– Pram und të themi se si bazë do të ishte inkoshienca ?
– Po, inkoshienca, por dhe seksualiteti dhe dëshira. Inkosheinca është fjala që gjetur më shumë kundërshti. Ka disa që thonë se kjo ka ekzistuar gjithnjë, çka është e vërtetë, por ata harrojnë se Frojdi e ngriti atë si teori në një mënyrë krejt moderne. Ka të tjerë që thonë se kjo se është thjesht diçka shpirtëzrore e cila nuk provohet, pra nuk shihet në skaner. Të tjerë pranojnë se e kanë inkoshiencën por e paraqesin atë duke thënë se ajo nuk influencon dhe nuk përcakton veprimtarinë e tyre. Përsa i përket dëshirës, Frojdi i ka anashkaluar praktikave seksuale dhedimensionit gjenital për të krijuar një teori të dëshirës, të “libido”-s, të pilsimeve dhe vrullit seksual. I ndikuar nga darvinizmi, Frojdi e mendon njeriun si një përzjerje kafshore në impulsionet dhe aspiratën e tij nsublimitetin apo zotërimin e pasioneve. Në këtë vështrim, Frojdi ishte një teoricien e lirisë dhe jo i kënaqësisë seksuale. Ai kishte një concept mjaft romantik të emancipimit dhe një reference të dyfishtë në ndryshimet që kanë dy sekset mes tyre. Kjo diferencë, në sytë e tij është po aq “natyrale” sa dhe e “ndërtuar”, po aq “anatomike” sa dhe “identitare”. Në këtë kuadër, në ditët tona kemi një lloj regresi. Ne lëmë fushën e dëshirës për tu interesuar kryesisht për praktikat seksuale me kusht që ato të kushtëzohen nga morali. Ne shkojmë apo hepohemi midis pornografisë dhe puritanizmit, ndërkohë që mendimi frojdist nuk ishte as për njërën dhe as për tjetrën, as për kënaqësinë seksuale pa kufi dhe as për frustracionin që të bën fajtor. Në SHBA gjejmë të dy fenomenet: kërkesa për një trup që kënaqet plotësisht dhe nga ana tjetër ku nje Zot e ndalon lirinë e seksit. Këto shoqëri bëhen perverse.
– U fol për aktet themeluese, por cilat janë ato që krijuan pikerisht shkuputjen me të kaluarën?
– Mund të citojmë “Interpretimin e ëndrrave” të vitit 1900. Frojdi largohet nga nocioni kyç i ëndrrave dhe përpiqet të gjejë domethënien racionale të ëndrrave duke u nisur nga asociacionet e lira që mund të bëjë ai që ka ëndëruar pikërisht në momentin e zgjimit të tij. Më 1905 kemi studimin e tij “Tri ese mbi seksualitetin”. Më pas, vitet 1914-1917-1923, janë vitet që lidhen me „aparatin metafizik apo e quajtur ndryshe metafiziologjik, që i lejon atij të formulojë teorinë me konceptet e tij të famshme si inkoshienca, prekoshienca, „unë“, „le ça“, „surmoi“, etj. Duke filluar nga viti 1919, të nesërmen e mbarimit të Luftës së Parë Botërore, kemi një epokë tjetër: Frojdi fut idenë e pulsionit të vdekjes. Më vonë, duke filluar nga viti 1930 ai orientohet drejt një refleksioni mbi trashëgiminë hebraiko-kristiane dhe gjenezën e qytetërimeve përmes botimit të librit të tij „Gjëndja e vështirë e kulturës”, „Aveniri i një iluzioni“ dhe së fundi “Moisiu dhe feja monoteiste“. Frojdi ishte një hebre pa Zot, i ç’hebraizuar. Ai ishte ateist. Kategoritë e së mirës dhe të keqes ai i mendon tashmë nën dritën e një kundërvënieje midis qytetërimit dhe barbarisë, duke kuptuar se qytetërimi nuk është e thënë se është vetëm perëndimor dhe se barbaria nuk mund të shihet vetëm te „Tjetri“ apo i „Huaji“, por brënda vete njerëzimit. Pra ajo është universale. Frojdi i përket gjeneratës së mendimtarëve të epokës „Lumière“, pra të atyre që besonin njëherësh si në perfeksionin human ashtu dhe në mundësinë e një regresi të mundshëm drejt së keqes.
– Atëhere seksualiteti fëminor ka qënë një skandal i madh, apo jo?
– Në vitet 1850-1888, një debat i madh dhe i pasionuar zhvillohej mbi seksualitetin fëminor. Ç’ishte vallë masturbimi fëminor? Vallë fëmija ishte një i çmëndur? Ishte pervers apo gjysëm i çmëndur? Atëhere masturbimi fëminor mjekohej me trajtime organike, kirurgjikale dhe dhunë fizike. Gjatë dhjetë vjetëve (1886-1896) Frojdi ka punuar në pediatri. Si neurolog ai konsultoi 275 fëmijë të sëmurë nervorë, para se të krijonte teorinë e psikoanalizës. Ai ishte kundër dhunës fizike ndaj fëmijëve, si një trajtim mjeksor. Kështu, pyetjes nëse masturbimi fëminor apo i të rriturve ishte patalogjik ai i u përgjigj përmes teorisë së seksualitetit fëminor. Ideja e tij ishte se çdo qënie fëminore është një lloj „perversi polimorf“. Masturbimi, eksitimet seksuale fëminore janë patologjike, por janë dhe normale. Kjo gjë atëhere u quajt skandaloze. „Vetëm në moshë të rritur, individi arrin stadin e seksualitetit „non objectale“, pra që nuk e shesh vetveten si objekt i dëshirës së tij. Teza e shkollës vieneze, pra e Sigmund Frojdit dhe Ana Frojdit ishte se nuk mund të analizohen fëmijët në mënyrë të drejtpërdrejtë. Ajo bëhej atëhere përmes thënieve dhe tregimeve të prindërve të tyre.
– Ç’mund të shënohet nga fëmijëria dhe marrëdhëniet e tij me prindërit?
– Ai e adhuronte nënën e tij dhe ishte shumë i ndjeshëm ndaj poshtërimeve që i bënte asaj i jati i tij. Kishte dobësi të veçantë për nënën. Ja pse ai e kuptoi më mirë revoltën e djemve ndaj baballarëve se atë të vajzave ndaj nënave dhe etërve të tyre. Në korespondencën e tij me Wilhelm Fliess gjëndet një frazë përçmimi ndaj babait të tij të cilin ai e sheh si një „pervers seksual“ që abuzon, në një kohë kur ai ishte ende dishepull i teorisë së seduksionit.
– A ka influencuar dhimbja e tij pothuaj 20 vjeçare, (nga një kancer në nofull), për refleksionet e tij?
– Nuk dimë nëse Frojdi, idenë e pulsioneve të vdekjes e shprehu ne mënyrë teorike para apo pasi i u shfaq kanceri. Pas vdekjes së vajzës së tij, Sofia, në vitin 1920, dhe vdekjes së nipit të tij, ai u dëshpërua shumë. Por vetë ai thotë se mbi këtë ide kishte menduar që në vitin 1914. Sidoqoftë të gjitha këto ngjarje të dhimbshme kanë ndikuar tek ai dhe mendimet e tij. Frojdi mendonte shumë për vdekjen. Ai tmerrohej nga ditëlindjet. Por megjithatë ishte dhe një stoik ndaj vdekjes siç e tregoi në fund, duke vendosur vetë për largimin e tij nga kjo botë.
– A është psikoanaliza një shkencë?
– Po, psikoanaliza është një shkencë humane, pra nuk është një shkencë e natyrës edhe pse Frojdi do të donte ta lidhte atë me shkencat e natyrës. Ishte si të thuash ekuivalente me sociologjinë dhe antropologjinë. Ajo mbështetet mbi proçedura racionale. Ajo nuk është pjesë e mjeksisë. Ditën që ajo u bë shkencë, ajo la pas shumë dhimbje. Ndërkohë, shekulli XIX nuk mendonte më se vdekja i përkiste zotit. Që nga ajo kohë do të ishte mjeku që do të konstatonte lindjen apo vdekjen e njeriut.
– Dhe megjithatë Frojdi e cilesonte veten si shkencëtar.
– Po, si një dijetar « darvinist », meqë ai kishte përpunuar një teori që shpresonte të konfirmohej nga biologjia. Në fillimet e tij ai ishte i pasionuar pas fiziologjisë. Por pas martesës së tij me Martha Bernays, ai duhej të fitonte para që të mbante familjen, duke u angazhuar si neurolog dhe aspak si psiqiatër. Frojdi nuk interesohej shumë ndaj psikozës. Ai nuk e kishte menduar se të parët që do të merreshin me psikoanalizën do të ishin psiqiatrit.
– Çfarë mbetet sot nga frojdizmi dhe pse frojdizmi është një teori e rëndësishme?
– Ne jetomë në një shoqëri që e di se inkoshienca ekziston. Ne e dime se kur flasim, ne themi jo atë që besojmë se duam të themi. Lapsuset, lojrat e fjalëve, etj, kanë një efekt që lidhen me të vërtetën dhe kjo gjë sot nuk kundërshtohet. E gjithë terminologjia frojdiane bën pjesë në kulturën tonë (inkoshienca, klivazhi, « refoulement », fantazmat që krijojmë, etj). Aq më tepër që vepra e Frojdit studiohet në të gjitha universitetet e vëndeve perëndimore, herë si letërsi e herë si filozofi. Gjenia e Frojdit është se ai i u drejtua legjendës së Edipit të tragjedisë së Sofokliut për ta shndruar të gjithën në një diçka krejt tjetër dhe për të krijuar një mit të familjes evropiane. Frojdi bën diçka tjetër me Edipin dhe Hamletin, ndryshe nga Sofokliu dhe Shekspiri. Një nga arësyet se përse Frojdi e bëri botën për vete është se së pari ai i riaktivizoi mitet greke, se ai mendoi për problemet tona psikologjike në dritën e tragjedive të mëdha. Nëse nuk do ti kishte shkruar këto raste si romane, Frojdi nuk do të ishte veç thjesht një profesor i psikologjisë. Ai i dha forcën e një miti themeltar dhe e bëri inkoshiencën fatin e psikikës moderne.
Universaliteti i mitit të Edipit/
Mikkel Borch-Jacobson mbi Frojdin dhe kompleksin e Edipit/
Profesori i letërsisë së krahasuar në universitetin e Uashingtonit, Mikkel Morch-Jacobson, duke i u referuar mitit të Edipit dhe transformimit në teori nga ana e Frojdit, shkruan :
« Për Frojdin dhe dishepujt e tij, ishte « auto-analiza » e bërë në nëntor të vitit 1897 ajo që i lejoi atij të zbulonte kompleksin e Edipit. Në një letër dërguar Wilhem Fliess, Frojdi kujton një udhëtim me tren me nënën e tij, nga Lajpcingu drejt Vienës, kur ai ishte dy vjeç e gjysëm. Ai mendon se në këtë moment ai e ka parë të jëmën nudo dhe ka ndjerë « libido », pra kënaqësi ndaj saj ». Më pas, Frojdi i shkruan mikut të tij se « kam zbuluar ndjenjën e dashurisë ndaj nënës dhe të xhelozisë ndaj babait, dhe këtë e konsideroj si një ngjarje universale të fëmijërisë së njeriut në përgjithësi ». Duke bërë këtë përgjithësim fantastik, ai na la pas teorinë e universalitetit të kompleksit të Edipit ».
Thënie dhe citime nga vepra e Frojdit/
« Doktrinat fetare janë që të gjitha iluzione, të patregueshme, ku askush nuk është i detyruar ti shohë si të vërteta dhe ti besojë ato. Disa prej tyre janë të pabesueshme dhe me shumë kontadiksione në gjithshka që i përbën. Eksperienca na ka mësuar me mundim realitetin e kësaj bote ndryshe nga këto teori që duke patur parasysh ndryshimet psikologjike mund ti krahasojmë ato me ide delirante. Në shumicën e këtyre doktrinave nuk mund të gjykojmë në vlerën e së vërtetës ». (« Aveniri i një iluzioni »)
« Kur bëhet fjalë për çeshtjet fetare, njerëzit ndjehen fajtorë për të gjitha të këqiat e mundëshme të këaj bote. Filozofët tjerrin domethënien e disa fjalëve gjersa ato të ruajnë diçka nga kuptimi i origjinës së tyre. Ata quajnë Zot abstraksionet e vagëta që janë krijuar, dhe tashmë, përballë botës së Zotit dhe besimtarëve që besojnë tek ai, ata mund të krenohen se kanë njohur një lloj koncepti më të pastër e më superior mbi Zotin, edhe pse ky Zot është veçse një hije pa substancë ». ( « Aveniri i një iluzioni »)
« Ne kemi pikasur se deformimi qe a pengon të kuptojmë ëndrën është efekt i një çenzure që e ushtron veprimin e saj kundër dëshirave të papranueshme dhe inkoshiente ». Por ne nuk kemi pohuar natyrisht, se çenzura është i vetmi faktor që krijon deformimin. Studimi më i thellë i ëndrës na lejon në fakt të kostatojmë që në këtë gjë, në shfaqjen e këtij fenomeni, marin pjesë dhe faktorë të tjerë krahas çenzurës.
(« Simbolizmi tek ëndrrat »)
« Trajtimi psikoanalitik përbën në vetvete veçse një shkëmbim fjalësh midis pacientit (ai që analizohet) dhe mjekut. Pacienti flet, tregon ngjarje të së kaluarës së tij, ankohet, tregon dëshirat që ka provuar dhe emocionet e tij. Ndërsa mjeku preokupohet për ecurinë e ideve të pacientit, i zgjon atij kujtimet, e orienton vëmëndjen e tij në disa drejtime, i jep atij shpjegime dhe vëzhgon tek ai reagimin e kuptimit apo të mos-kuptimit që shkaktohet tek i sëmuri“.
« Në thelb, askush nuk beson në vdekjen e vetvetes, dhe në inkoshiencën e tij, secili është i bindur në pavdekësinë e tij. »
« Dialli është ende marifeti më i mirë për ta shfajësuar Zotin ».
« Idetë fetare që na shfaqen si dogma nuk janë produkt i një eksperience apo rezultati përfundimtar i një refleksioni. Ato janë iluzione, pra realizim i dëshirave më të herëshme, më të forta dhe më të ngutshme të njerëzimit : sekreti i forcës së tyre është është forca e këtyre dëshirave. Por ne e dimë tashmë : përshtypja e tmerrëshme e dëshpërimit fëminor ka zghuar dëshirën për të qënë i mbrojtur dhe duke dashur të duhemi njëkohësisht, pra nevoja që ati e ka plotësuar këtë. Por meqë ky dëshpërim zgjat gjithë jetën, kjo ka bërë që njeriu të jetëdhënë fort paz një ati tjetër, një at kësaj rradhe akoma më i fuqishëm ».
(« Aveniri i një iluzioni »)
Leksik/
Inkoshiencë : Në gjuhën e zakonëshme nënkupton teorinë e proçeseve mendore që nuk janë të menduara me ndërgjegje. Në studimet e para, Frojdi e përcakton atë si një sistem të përbërë nga gjëra të larguara në thellësi të vetvetes, që i kanë shpëtuar instancave të tjera (prekoshiencës dhe koshiencës, pra ndërgjegjes).
Libido : Frojdi e përdor këtë term latin për të nënkuptuar dëshirën seksuale, për të përcaktuar një manifestim dinamik të pulsimeve seksuale në jetën psikike.
Neurozë : Nënkupton tërësinë e simptomave që flasin për ekzistencën e një konflikti psikik, rrënjët e të cilit gjënden kryesisht në histori fëminore të individit.
Edipi : Në referencë me mitin e Edipit, ky term nënkupton kompleksin e identifikuar nga Frojdi në të cilin ai fut tërësinë e dëshirave dashurore që një fëmijë ndjen për prindërit e tij.
Psiko-analizë : Kjo fjalë shfaqet nga pena e Frojdit në vitin 1896 në frëngjisht në termin « psycho-analise ». Psiko-analiza është metoda terapetike frojdiane e praktikuar në ansamblin e të gjitha korenteve që mbahen si frojdiste. Karakteristika e saj është që përmes fjalës të trajtosh shqetësimet e psikizmit të njeriut.
Pulsioni i vdekjes : Me origjinë nga inkoshienca, ai bën që personi në mënyrë përsëritëse vendoset në gjëndje të dhimbëshme, si pasojë e eksperiencave të kaluara më parë.
« Refoulement » : Eshtë një proçes ku tentohet që ide apo shfaqje që lidhen me pulsime, të qëndrojnë në sferën e inkoshiencës, dhe si të tilla ato shkaktojnë një gjëndje jo të mirë dhe të dhimbshme tek individi.
Disa vepra kryesore të Sigmund Freud (Frojd)
– Studime mbi histerinë, 1895
– Interpretimi i ëndrave, 1900
– Mbi ëndrën, 1901
– Tri ese mbi teorinë e seksualitetit,1905
– Mbi psikoanalizën, 1910
– Një kujtim i fëmijërisë së Leonardo Da Vinçit, 1910
– Totem dhe tabu, 1913
– Inkoshienca, 1915
– Mësime paraprake në psiko-analizë, 1916
– Zija dhe Melankolia, 1917
– Hyrje në psikoanalizë, 1917
– Përtej principit të kënaqësisë, 1920
– Aveniri i një iluzioni, 1927
– Gjëndja e vështirë e një qytetërimi, 1930
– Moisiu dhe feja monoteiste, 1930
– Mbi seksualitetin femëror, 1931(bot. në “Udhëkryqet e kohës”, L.Rama)
Komentet