Gazetari Amerikan Fred Abrahams, njëkohësisht raportuesi për të drejtat e njeriut i Human Rights Watch përpara një auditori me studentë shqiptarë, këtë javë nga Zyrihu ka paraqitur librin e tij më të ri «Shqipëria e re. Nga Diktatura në demokraci në Europë».
Abrahams, njohës i realiteteve shqiptare, si dëshmitar i tyre, në Shqipëri e Kosovë u thotë studentëve pa pikë dyshimi dhe asnjë lloj dileme se në Shqipëri nuk ka patur revolucion, ashtu sikur pretendohet.
Abrahams argumenton se ndryshimi i sistemeve ishte një menaxhim i Ramiz Alisë, i cili arriti deri aty sa t’ua marrte kauzën e pluralizmit lëvizjes studentore dhe ta shpallte pluralizmin, ndërkohë që reformat ishin një orkestrim nga lart dhe me impulse nga poshtë.
Duke folur për liderët, Fred Abrahams, u tha studentëve se Sali Berisha ishte zgjedhje e Perëndimit. Atë e kishin preferuar sidomos amerikanët.
Fred Abrahams sugjeron që kjo në ato rrethana ishte konsideruar si zgjidhja më e mirë, sepse komunistët ishin të diskualifikuar si partnerë për ndërtimin e një shoqërie të ekonomisë së tregut. Aq më tepër që edhe drejtuesit e Partisë Demokratike, duke përfshirë edhe Sali Berishën, kishin vazhduar edhe për një kohë të ishin anëtarë të partisë komuniste.
Berisha përshkruhej si i zgjuar, i disiplinuar, me formim të mirë dhe me njohje të gjuhëve të huaja. «Atij nuk ka nevojë t’ia shpjegosh një gjë dy herë», ishte shprehur një politikan perëndimor.
Ndërsa perëndimorëve në atë periudhë iu duhej një garant i qetësisë në rajon. Sidomos në Kosovë. Dhe, një ndër motivet e favorizimit të Berishës kishin qenë lidhjet që kishte me Kosovën zona e Tropojës nga vinte ai. Sidomos në një vizitë të Sali Berishës dhe liderit tjetër të Partisë Demokratike, Gramoz Pashko, në Shtetet e Bashkuara, me çrast ishin rivendosur marrëdhëniet diplomatike midis SHBA-ve dhe Shqipërisë, iu ishte bërë e qartë një gjë e tillë, ndërsa si garantues i stabilitetit në Kosovë ishte gjetur Ibrahim Rugova.
Fred Abrahams mendon se Berisha në shkëmbim të këtij roli, kishte fituar duart e lira për të sunduar jetën politike shqiptare. Ndërkombëtarët kishin mbyllur sytë përpara deformimeve të procesit të demokratizimit. Si rrjedhojë e kësaj kishte dështuar ndërtimi i institucioneve demokratike. Kishin filluar proceset e parregullta ndaj opozitës dhe shkelja e lirive dhe të drejtave të njeriut.
Ngrihen skemat mashtruese piramidale, të cilat fundja shërbyen për trazirat masovike të 1997-tës, që praktikisht çuan në shuarjen për një kohë të shtetit.Fred Abrahams shkapërderdhjen e shtetit dhe qarkullimin e pashembullt të armëve të të gjitha llojeve, me çrast në duart e civilëve ra edhe aviacioni i shtetit, e sheh si minierën nga u furnizua kryengritja e armatosur në Kosovë. Ai nuk është në gjendje ta mbështesë tezën që anarkia në Shqipëri dhe incidenti i hapjes së depove të jetë një skenar për ta spontanizuar kryengritjen e Kosovës. Por gjithsesi identifikon një kauzalitet, lidhje shkak-pasojë, midis këtyre dy ngjarjeve.
Abrahams mbron tezën se ky është një dështim i Perëndimit, sepse vendosja e stabilitetit para demokracisë është një politikë e gabuar.
Për autorin e «Shqipërisë së re», vendi ndërkohë ka ndryshuar për të mirë. Tirana është bërë një bulevard me qytet, nga bulevard pa qytet si e kishte përshkruar Tiranën dikur një gjeneral italian… Shqiptarëve nuk iu mungojnë idealet, por idetë. Institucionet e pavarura nuk janë konsoliduar akoma. Sistemi i drejtësisë është një ndër temat më të nxehta aktuale. Korrupsioni është një kryefjalë. Mungon përgjegjësia për detyrën dhe fuksionet shihen më tepër si një shans për t’u pasuruar. Lypsen njerëz me shumë energji dhe të vendosur. Dhe, ka hapësirë për kuadrot nga Perëndimi, thotë Abrahams në takimin që pati me studentët./dp
Komentet