Autori i një libri të ri për Shqipërinë që botohet sot, kritikon elitën politike shqiptare të 25 viteve të fundit si më e prirur nga interesat vetjake sesa për t’i shërbyer vendit. Fred Abrahams, i Organizatës Human Rights Watch, punoi 15 vjet për të shkruar librin “Modern Albania: From Dictatorship to Democracy in Europe”, “Shqipëria Moderne: Nga Diktatura në Demokraci në Evropë”, që mbulon periudhën nga 1990 deri në 2014. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Abrahams që ka jetuar edhe vetë në Shqipëri, flet për dokumentat e qeverisë amerikane rreth asaj kohe, për gjetjet që e befasuan më shumë dhe këndvështrimin e tij për protagonistët e politikës shqiptare.
Zëri i Amerikës: Zoti Abrahams, në Shqipëri janë shkruar shkumë libra veçanërisht për gjysmën e parë të viteve ’90. Çfarë të reje mendoni se sjell libri juaj përsa i takon letërsisë së periudhës së tranzicionit në Shqipëri pas përmbysjes së komunizmit?
Fred Abrahams: Mendoj se ky libër është një pjesë e mozaikut. Janë shkruar shumë libra nga shqiptarët dhe nga të huaj dhe do të ketë edhe të tjerë, prandaj ky është një kontribut për të kuptuar këtë periudhë. Në këndvështrimin tim, deri sot askush nuk ka analizuar të gjithë periudhën nga viti 1990 deri në 2014. Gjithashtu unë kisha një avantazh të veçantë: Isha i jashtëm, por disi edhe i brendshëm. Pra unë isha në Shqipëri për shumë nga këto vite, arrita të njoh shumë prej protagonistëve të procesit politik, por isha edhe një vëzhgues i jashtëm. Kështu që shpresoj që libri të sjellë një perspektive të pavarur, por që përfshin të kuptuarin e detajeve dhe nuancave të shoqërisë shqiptare.
Zëri i Amerikës: Libri përfshin kërkime të shumta për një periudhë të gjatë kohe. Çfarë ndikimi pati qasja tek dokumentat e qeverisë amerikane dhe intervistat me protagonistët amerikanë, tek forma që mori libri?
Fred Abrahams: Pati një ndikim shumë të madh. U deshën 15 vjet që unë ta mbaroja librin dhe avantazhi në këtë drejtim ishte se të jep kohë që të kesh qasje në dokumenta përmes Aktit për Lirinë e Informimit, prandaj unë kërkova dokumenta nga Departamenti i Shtetit, madje edhe nga CIA dhe pas një periudhe 15 vjeçare arrita t’i marr disa prej tyre. Ato ofrojnë një dritare të veçantë dhe një vështrim të brendshëm tek pikëpamjet dhe analiza e qeverisë amerikane për këtë periudhë. E njëjta gjë vlen edhe për të intervistuarit. Unë arrita të flas me pothuajse të gjithë zyrtarët kryesorë amerikanë që nga ambasadori Ryerson, Christopher Hill, shumë nga ambasadorët e tjerë që shërbyen në Tiranë dhe kjo falë kohës që u desh për të shkruar librin. Unë arrita t’i kontaktoja, të ulesha me ta dhe të flisja me ta. Diçka që duhet të theksoj është se ishte avantazhi i kohës që më dha mundësinë të flisja me shumë nga protagonistët kyçë të Shqipërisë, sepse në një hark të tillë kohor, njerëzit ishin në pushtet, pastaj jo më, u kthyen në pushtet dhe e humbën përsëri dhe unë isha në gjendje që të prisja momentin e duhur që të flisja me ta kur nuk ishin në pushtet dhe ky është një avantazh i rëndësishëm sepse njerëzit janë më lirshëm të flasin dhe sjellin perspektivën e tyre sepse së pari kanë më shumë kohë në dispozicion dhe së dyti nuk janë të kufizuar nga posti.
Zëri i Amerikës: Ju i jetuat vetë disa nga këto ngjarje dhe më pas bëtë kërkimet për të njëjtat ngjarje. Çfarë ju befasoi më shumë nga ato që gjetët?
Fred Abrahams: Një nga befasitë ishte se sa rëndësi kishte rajoni për qeverinë amerikane. E dinim pak a shumë, por në dokumenta kjo doli në pah vazhdimisht. Po sjell një shembull: Në fillimet e hershme të Partisë Demokratike, në ditët e para të vitit 1990, PD-ja po fliste me një gjuhë shumë të fortë për Kosovën, madje edhe për ndryshim kufijsh dhe bashkimin e territoreve me shqiptarë. Kjo nuk u prit mirë në Uashington. Në atë kohë, në kushtet e luftës në ish-Jugosllavi, kishte një presion të madh kundër lëvizjeve nacionaliste. Kur Gramoz Pashko dhe Sali Berisha vizituan për herë të parë Shtetet e Bashkuara në vitin 1991, pati shënime (nga amerikanët) lidhur me atë vizitë ku thuhej se “jemi të shqetësuar nga disa nga qëndrimet e PD-së” në atë kohë. Me kalimin e kohës, Partia (Demokratike) e moderoi qëndrimin në përputhje me komunitetin ndërkombëtar dhe kjo del shumë qartë në dokumentat amerikane.
Zëri i Amerikës: Ju keni edhe një kapitull për luftën e Kosovës në libër në lidhje me zhvillimet në Shqipëri. Le të qendrojmë pak tek rajoni. Gjendja vazhdon të jetë e brishtë edhe pas kaq vitesh dhe tensionet e fundit në Maqedoni e dëshmojnë një gjë të tillë, apo jo?
Fred Abrahams: Kanë kaluar shumë vjet nga marrëveshja e Ohrit dhe lufta në ish-Jugosllavi por tensionet vazhdojnë të jenë shumë të larta dhe dhuna në Kumanovë e tregon qartë këtë. Marrëveshja e Ohrit pothuajse e ngriu konfliktin dhe në Maqedoni nuk është arritur që të zgjidhen problemet kryesore të marrëdhënieve ndëretnike dhe të drejtave të njeriut në atë vend. Prandaj dhuna që pamë në Kumanovë ishte për fat të keq e parashikueshme dhe druhem se do të vazhdojë, nëse thelbi i këtyre problemeve: ndërtimi i Maqedonisë si shtet ligjor, ndërtimi i institucioneve demokratike në Maqedoni, nuk zgjidhet së shpejti.
Zëri i Amerikës: Libri juaj flet për pothuajse të gjithë protagonistët politikë në këto 25 vitet e fundit. Megjithatë më korrigjoni nëse e kam gabim, ju kritikoni më ashpër ish-Presidentin Berisha. Por klima e acaruar politike që vazhdon të ekzistojë në Shqipëri tregon se problemet janë shumë më të gjëra sesa një person i vetëm. Si e arsyetoni portretizimin e zotit Berisha në libër?
Fred Abrahams: Libri është shumë kritik ndaj Sali Berishës, kjo nuk ka diskutim. Unë mendoj se ai bëri gabime kritike, pasojat e të cilave vazhdojnë ende. Por mendoj se është e gabuar të thuhet që libri nuk është kritik ndaj protagonistëve të tjerë. Është kritik ndaj Partisë Demokratike dhe Sali Berishës. Është gjithashtu shumë kritik ndaj Partisë Socialiste, Fatos Nanos dhe udhëheqësve të tjerë socialistë. Periudha e qeverisjes socialiste në vitin 1998 ishte e mbizotëruar nga keqmenaxhimi dhe korrupsioni dhe kjo është trajtuar me detaje të hollësishme në libër. Sipas mendimit tim, çështja nuk është a po kritikohet një palë, apo një tjetër, ose një individ apo një individ tjetër Është një vështrim kritik ndaj elitës politike të Shqipërisë dhe kjo për arsyen sepse udhëheqësit e Shqipërisë i shohin së tepërmi postet e tyre, si shanse për mundësi në vend të përgjegjësisë. Dhe kjo është e përgjithshme, i tejkalon përkatësitë politike. Sali Berisha ka qenë lojtari kryesor politik në historinë post-komuniste të Shqipërisë dhe nuk po hezitoj ta kritikoj atë, por unë kritikoj po njëlloj edhe lojtarët e tjerë politikë.
Zëri i Amerikës: Kanë kaluar 25 vjet nga përmbysja e komunizmit dhe ende po flasim për tranzicion. A nuk është një periudhë shumë e gjatë për një tranzicion dhe çfarë përgjegjësie ka pikërisht elita politike për mosarritjen ende të objektivave të integrimit dhe demokracisë?
Fred Abrahams: Çdo vend që del nga katër dekada të një diktature aq të errët dhe shtypëse si Shqipëria, do të kalojë një tranzicion të gjatë dhe të vështirë. Është naive të mendosh se demokracia vjen thjesht nga zgjedhjet e lira dhe ekonomia e tregut. Jo, duhet të ndërtosh institucione dhe një kulturë të demokracisë. Unë mendoj se Shqipëria ka përparuar shumë në këto 25 vjet por mendoj se ka ende shumë për të bërë dhe kjo është edhe pika qendrore e librit. Nuk bëhet fjalë të krahasosh Shqipërinë e sotme me Shqipërinë e së kaluarës. Sigurisht që Shqipëria është shumë më mirë sot. Por a ka ecur aq përpara sa ç’mund të kishte ecur? Përgjigjia ime është jo, është që Shqipëria mund të ishte duke u zhvilluar më shumë, mund të ishte më demokratike, më e begatë dhe libri është një përpjekje për ta analizuar këtë, jo për të hedhur fajin. Bëhet fjalë për të kuptuar se çfarë ka ndodhur në Shqipëri në këto 25 vjet, çfarë është bërë mirë, çfarë mund të ishte bërë më mirë dhe shpresa është që të nxirren disa mësime për të nxitur një të ardhme më demokratike dhe më të begatë.
Zëri i Amerikës: Atëherë çfarë duhet të bëjë klasa e sotme politike për të përshpejtuar këtë përparim?
Fred Abrahams: Për mendimin tim, klasa politike duhet të kritikohet ashpër, sepse shumë shpesh ata i shohin postet si një mundësi për t’u pasuruar dhe jo si një mundësi për shërbim publik, ose i shërbejnë një segmenti të ngushtë të shoqërisë, çka do të thotë përkrahësve të tyre politikë ose partisë së tyre dhe jo Shqipërisë si vend dhe kjo është kritika ime themelore e klasës politike shqiptare deri më sot: Mosmarrja e përgjegjësisë për atë që ka nevojë vendi dhe për të ecur përpara. Klima vazhdon të jetë shumë partiake, e shpërqendruar nga lufta politike në vend që të përqendrohet tek një vizion strategjik për ekonominë e Shqipërisë, për ushtrinë, sistemin e arsimit dhe shëndetësisë, çështjet themelore që prekin shumë njerëz, për të cilat interesohen shumë shqiptarë dhe deri tani udhëheqësit politikë dhe partitë politike nuk e kanë pasur atë vizion të gjerë, vizioni ka qenë shumë partiak.
Zëri i Amerikës: Duket se vetë shoqëria ka rënë në një apati, sidomos së fundmi. Cili është mendimi juaj për vetë mentalitetin e shoqërisë dhe se si mund të ushtrojë ajo presion ndaj klasës politike për ta përmirësuar gjendjen?
Fred Abrahams: Për mendimin tim, zhvillimi politik i Shqipërisë varet nga dy faktorë kryesorë. Së pari nga udhëheqës dhe politikanë që të marrin përgjegjësinë dhe ta shohin vendin si një të tërë dhe të veprojnë për të mirën e gjithë vendit. Së dyti është kultura demokratike nga poshtë sepse për një kohë shumë të gjatë tradita e qytetarëve shqiptarë ishte që të prisnin nga lart, kjo është trashëgimia e diktaturës. Dhe deri më sot, aktivizimi i qytetarëve nuk ka qenë i mjaftueshëm. Ka pasur disa nisma të rëndësishme dhe shumë të mirë por jo të mjaftueshme. Demokracia është më shumë sesa zgjedhje. Udhëheqësit politikë nuk do të ndryshojnë deri kur qytetarët ta kërkojnë këtë ndryshim, në kutitë e votimit por edhe nga një zgjedhje në tjetrën. Dhe deri tani mendoj se marrëdhënia është ende shumë pasive, një trashëgimi e komunizmit, në vend të një marrjeje përgjegjësie që kërkon demokracia.
Zëri i Amerikës: Në gjithë këto vite, Partia Socialiste dhe ajo demokratike e kanë mbizotëruar relievin politik. Por nga ana tjetër është elektorati që ka votuar për to. Pra ç’do të thotë fakti që këto dy parti kanë mbizotëruar skenën politike por edhe fakti që votuesit duket se janë dakord me një gjë të tillë?
Fred Abrahams: Mbizotërimi i këtyre dy partive nuk është i shëndetshëm për demokracinë e Shqipërisë dhe nuk bëhet fjalë vetëm për kontroll politik, por edhe për kontroll ekonomik dhe biznesi nga ana e dy partive. Dhe për mendimin tim, kjo nuk ka lejuar grupe dhe parti më të vogla që të dalin në pah, sepse është e vështirë që të thyesh monopolin e pushtetit që kanë këta dy lojtarë të fuqishëm. Unë e shoh si trashëgimi të komunizmit sepse kishim dy forca kryesore sociale nga katër dekadat e fundit, që do të thotë Partia e vjetër e Punës dhe lëvizja e re, brezi i ri që u shfaq në vitin 1990. Sfida për Shqipërinë tani është krijimi i një hapësire për të pasur një pluralizëm zërash, sepse besoj se qytetarët do t’i mbështesnin grupet e tjera dhe parti të tjera politike nëse do të kishin shansin të dilnin në pah dhe të luanin një rol. Dhe një mendim i fundit: Unë mendoj se megjithëse PD-ja dhe PS-ja gjithë kohës sulmojnë njëra-tjetrën dhe kanë një rivalitet të fortë, ka një lloj marrëveshje të pashprehur mes tyre dhe të dyja palët janë dakord me mbizotërimin e sistemit dypartiak. Në këtë kuptim, ato ndihmojnë njëra-tjetrën sepse mund ta këmbejnë pushtetin mes njëra-tjetrës
Komentet