Hipur përmbi mushka për ku shkojnë vallë…
Kapërcejnë gryka, hedhin vrahe, valë.
.
Shqipëri e zhveshur pa bukë e pa ujë,
ku t’i çojnë djemtë? Larg, në vend të huaj?
.
Trak e truk patkonjtë, trok i mushkave…
Qielli me re përmbi mëmëdhe…
.
Trak e truk patkonjtë, mbi baltë e shkëmbinj,
tre vëllezër sipër, të tre frashërllinj.
.
I madhi , Avdyli në mushkën e parë,
si yll mbi humnera errësirën çan.
I dyti, Naimi..Kjo zemër poeti
si do rrijë larg tokës që e rriti?
Mbi të tretën ti, Shemshedin Sami,
kokën e mban lart…dhe bën profeci.
* * *
Eh moj Shqipëri, netëve ç’të mundon?
Tre yje mbi ty si kostelacion.
I pari hedh pushkë në male për ty,
i dyti thurr këngë për ty Shqipëri,
po ç’bën më i vogli…? Po bën profeci..
.
Shqipërinë e sheh në llohë, në rrebesh…
”Shqipëri ç’ke qenë, ç’je e çdo të jesh.”
S’do të kesh këneta, s’do kesh më moçale,
do kesh hekurudha dhe hidrocentrale.
* * *
Moj Europë plakë, Angli dhe Rusi,
pa dëgjo dy fjalë për një Shqipëri.
Në mes të Ballkanit dergjet dhe rënkon,
në mes të kallkanit heq e nuk tregon.
–
Ç’male plot me borë ! Ç’tokë e larë me gjak!
Vetëtimat mbjellin lule rreth e qark.
Nën dritë vetëtimash fermanët i gris
dhe vet nënshkruan me gjak të lirisë.
.
Bjeri portës fort, po s’dëgjon Europa.
S’dëgjoka me fjalë? Mos e do me topa?
Mblidhen në Prizren nëpër borë e shi…
Çfarë po bëjnë vallë? Bëjnë Shqipëri.
* * *
Shaluar mbi kohra kush po vjen kështu?
Çka që gëzon toka, çdo gur e çdo dru…
Po të kthehen djemtë nga kurbet i shkretë,
i kish pritur nëna eshtrat, kaq vjetë.
Të tre i sjell kënga,të tre i sjell malli,
të tre i do nëna që t’i puth te balli.
.
Balli i trimërisë, balli i poezisë,
balli i diturisë…te balli i lavdisë.
.
T’u thotë:”Bijtë e mi, zbardhi ajo ditë,
që ju ëndërronit, plot gëzim dhe dritë.”
Komentet