Edhe VOAL ia uron gëzuar ditëlindjen mikut dhe kolegut tonë të nderuar Frank Shkreli! E falënderojmë nga zemra për bashkëpunimin e frytshëm prej shumë vitesh me opinionet e tij dhe urojmë ta vazhdojmë edhe për shumë vite të tjera këtë bashkëpunim!
Botuesit: Elida Buçpapaj dhe Skënder Buçpapaj
9 Qershori ngjarje e veçantë që shënon 74-vjetorin e lindjes dhe 50 vjetorin e fillimit të misionit në Zërin e Amerikës. Ja intervista e ish-shefit të “Zërit të Amerikës” për “Telegraf” : Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane e kanë zanafillën në shekullin e 20-të, kur Presidenti i SHBA-ve Wilson përkrahu pavarësinë e shtetit të ri shqiptar. Mbrritja në Shqipëri si anëtari i delegacionit të parë të DASH dhe si e hapëm ambasadën e SHBA-së në Tiranë pas 45 vitesh
Gëzuar 9 qershorin e ditëlindjes miku ynë Frank Shkreli. Në emër të Gazetës “Telegraf”, shtafit të saj dhe personalisht të Botuesit Agim Çiraku, Ju urojmë shëndet, lumturi dhe gëzime në këtë ditë të veçantë të 74-vjetorit të lindjes.
I dashur Frank!
9 Qershori shënon edhe një tjetër ngjarje të veçantë për Ju dhe që rrallë ndodh në jetën e njerëzve, por që të gjithë do ta dëshironin. 9 Qershori i vitit 1974, përveç 74-vjetorit të lindjes, shënon edhe 50 vjetorin e fillimit të punës suaj të gjatë në Zërin e Amerikës. Ishte pikërisht 9 qershori 1974 , data e cila bëri të mundur që një personalitet me gjak dhe zemër shqiptare, të regjistronte emrin në librin e artë të kreut të Zërit të Amerikës për Europën dhe Azinë, si dhe Drejtues Politik i saj. Shkrimet dhe këshillat tuaja janë një shkollë e vëtetë për gazetarët e “Telegraf” në këto 14 vite njohje dhe bashkëpunimi me Ju.
Me shumë mirënjohje
Drejtori i Gazetës “Telegraf”
Engjëll Musai
Intervista e parë në tetor 2011/ Frank Shkreli, ish-shefi i “Zërit të Amerikës” flet për “Telegraf” me rastin e dy dekadave të miqësisë shqiptare me SHBA-të
Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane e kanë zanafillën në shekullin e 20-të, kur Presidenti i SHBA-ve Wilson përkrahu pavarësinë e shtetit të ri shqiptar
Është kënaqësi që në përvjetorin e njëzetë të rilidhjes së marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara, të bashkëbisedosh me një personalitet që ka ndikuar drejtpërdrejt në vendosjen e këtyre marrëdhënieve dhe për forcimin e urave të miqësisë dhe të bashkëpunimit me shtetin më të fuqishëm të botës. Ky është Frank Shkreli, ish-shef i seksionit të gjuhës shqipe “Zërit të Amerikës” dhe më pas drejtor për Euro-Azinë. Ka drejtuar edhe Këshillin Kombëtar Shqiptaro-Amerikan. Frank Shkreli është dhe një mik e bashkëpunëtor i afërt i gazetës “Telegraf”, i cili nuk rresht së na dërguari materiale të freskëta dhe origjinale nga Shtetet e Bashkuara për lexuesit tanë të shumtë. Në këtë intervistë ekskluzive, ai përcjell emocionet dhe mbresat e njëzet viteve më parë kur u rivendosën këto marrëdhënieve, se si janë forcuar ato gjatë këtyre viteve dhe mbi perspektivën e këtyre lidhjeve tashmë të konsoliduara. Në kuadrin e 30 vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, “Telegraf” po e riboton intervistën e plot të dhënë për Telegraf në tetor 2011
Zoti Frank, këto ditë në Tiranë po festohet 20-vjetori i rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe SHBA. Sipas jush, ku qëndron rëndësia e këtyre marrëdhënieve?
20-vjetori i rihapjes së Ambasadës Amerikane në Tiranë është me të vërtetë një rast historik për të shprehur krenarinë dhe kënaqësinë për miqësinë që ekziston sot midis Shteteve të Bashkuara dhe kombit shqiptar. Rëndësia e këtyre marrëdhënieve, besoj se mund të vlerësohet, duke iu përgjigjur pyetjes: A është Shqipëria dhe kombi shqiptar në përgjithësi, më mirë sot se ç’ishte 20-vjet më parë kurë nuk kishte marrëdhënie zyrtare me Shtetet e Bashkuara? Besoj se përgjigjja është e qartë për të gjithë. Marrëdhëniet midis dy vendeve gjatë këtyre 20 vjetëve të kaluar, besoj se mund të cilësohen si shumë të mira, me përjashtim të një periudhe të shkurtër në vitin 1997. Besoj se rëndësia e marrëdhënieve të ngushta e shumë miqësore midis dy popujve vlerësohet jo vetëm nga të dy palët, por edhe nga të tjerët. Pasi kombi shqiptar ka vuajtur gjatë gjithë shekujve nga okupues të jashtëm dhe nga diktatura komuniste, rëndësia që shqiptarët i akordojnë marrëdhënieve me Amerikën, bazohet, jo në ideologji ose interesa të përkohshme, por në ndarjen e vlerave të përbashkëta, në lirinë dhe në dinjitetin e individit dhe në standardet e ndërtimit të një shoqërie demokratike për të gjithë, pa dallim.
Në thelb, unë besoj se rëndësia e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane 20-vjet e këtej, është se Shqipëria dhe kombi shqiptar, falë këtyre marrëdhënieve dhe përkrahjes amerikane, kurrë në historinë e tij nuk ka qenë me i lirë, zot i vetvetes në trojet e tij, më afër se kurrë realizimit të aspiratave të tij shekullore. Falë përkrahjes së vendosur të Shteteve të Bashkuara, Shqipëria është anëtare e NATO-s, aleancës më të madhe ushtarake që ka njohur bota, jo e mbyllur brenda vetes, por kontribuuese dhe pjesëmarrëse e përhapjes së paqes dhe sigurisë dhe e të drejtave universale. Kosova është shtet i pavarur dhe shqiptarët kudo në trojet e tyre gëzojnë më shumë se kurrë të drejtat dhe liritë e tyre. Shtetet e Bashkuara përkrahin vendosmërisht Shqipërinë në përpjekjet e saj në forcimin e shtetit ligjor dhe të institucioneve demokratike në përgjithësi, në rrugën e saj për të siguruar anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Le të shërbej 20-vjetori i rihapjes së Ambasadës Amerikane në Tiranë si një rast i mirë dhe i nevojshëm për të vlerësuar rrugën e bërë deri tani dhe arritjet e përbashkëta në këto marrëdhënie si edhe miqësinë midis dy popujve – dhe në të njëjtën kohë të përcaktohen edhe parime të përbashkëta për përforcimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve. Unë besoj se marrëdhëniet amerikano-shqiptare do të zhvillohen dhe marrëdhëniet midis dy kombeve do të forcohen edhe më shumë në të ardhmen, jo vetëm në përfitim të dy palëve, por edhe në interes të paqes dhe sigurisë në rajon si edhe të zhvillimit ekonomik të shqiptarëve. Rëndësia e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane në këtë përvjetor dhe shpresoj në përvjetorët e ardhshëm, është se si asgjë tjetër, do të ndihmojnë drejtë realizimit të sukseseve të mëtejshme të një Shqipëri moderne, demokratike, e hapur dhe dinamike për fatet e veta dhe të mbarë kombit shqiptar.
Ju kini qenë ndër të parët që, në emër të Shteteve të Bashkuara keni shkelur në Shqipëri për lidhjen e këtyre marrëdhënieve. Cila është përshtypja juaj nga ato ditë kur bisedohej për rivendosjen e marrëdhënieve?
Është e vërtetë se unë kisha fatin dhe privilegjin e veçantë të isha anëtar i delegacionit të parë diplomatik të Shteteve të bashkuara që arriti në Tiranë, marsin e vitit 1991, menjëherë pas nënshkrimit të Memorandumit për rivendosjen e marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Ishte si një ëndërr, sidomos për mua, por edhe për kolegët e delegacionit. Por në të njëjtën kohë ishte një moment i cili pritej dhe për të cilin shpresohej për një kohë të gjatë. Ishte një ndjenjë ankthi, për mua personalisht dhe për komunitetin shqiptaro-amerikan, familjet e të cilit, i cili si asnjë grup tjetër etnik në Amerikë, ishin të ndara e për fatin e të cilëve nuk dinin gjë me dekada. Vallë a do vinte dita që shumë prej tyre prisnin të ktheheshin në atdhe?
A do i gjenin gjallë të afërmit e tyre, të arrestuar e të dërguar në kampe përqendrimi, ndoshta vetëm e vetëm se këta ishin arratisur në Shtetet e Bashkuara. Edhe diplomatët amerikanë ishin të shqetësuar se si do të na prisnin. Para se të arrinim në Tiranë, kaluam një ditë e natë në Ambasadën Amerikane në Romë, për të mësuar nga diplomatët amerikanë aty, si post diplomatik amerikan më afër Shqipërisë. Por, ata duke na kërkuar falje, na thanë se fatkeqësisht nuk kishin asnjë informacion që ne mund ta gjenim të dobishëm për vizitën tonë disajavëshe në Shqipërinë komuniste të asaj kohe, me përjashtim të disa hartave dhe literaturë propagandë-komuniste që shpërndante ambasada shqiptare në Romë. Fat të mirë!(Good luck)- na thanë dhe kini kujdes, na këshilluan diplomatët amerikanë në Romë.
Ndonjë mbresë nga vizita juaj e parë në Tiranë?
Me të thënë të drejtën, fjala që mund të përshkruante ndjenjat tona kur zbritëm në aeroportin e Tiranës, ishte një shokim, një tronditje e dhimbshme shpirtërore. Shikoje rreth e rrotull atij aeroporti, sikur lexoje fjalën izolim, izolim na bota, pasi aeroporti ishte bosh, por edhe të izol
uar nga njëri -tjetri, ndonëse dukej se edhe nëpunës e policë që ishin aty sikur nuk flisnin me njëri- tjetrin. Fatkeqësisht, por e vërtetë, më përshkoi një ndjenjë depresioni, e cila nuk mu nda për disa ditë, nga përshtypjet e para. Kishte dalë të na priste drejtori i protokollit të Ministrisë së Jashtme. U vendosëm në hotel “Dajti”, ku flinim, hanim drekë e darkë, por edhe nga ku zhvillonim takime, mbledhje, me një fjalë një dhomë e kishim kthyer në zyrë të përfaqësisë së parë amerikane në Tiranë.
Në makinën që kishim marrë me qira nga Ministria e Jashtme dhe me të cilën udhëtonim nëpër qytete të ndryshme, vendosëm flamurin amerikan, gjë që vumë re se natyrisht kjo ngjalli kuriozitetin e pritshëm,dhe në disa raste frikë, pasi ky flamur nuk ishte parë në Shqipëri, në pothuaj 50-vjet. Ndërsa udhëtonim nëpër Shqipëri, kur ndodhnin grumbuj njerëzish merrnin guximin të na afroheshin për të parë se kush ishim ne me flamur amerikan në makinë, pasi disa të rinj në Tiranë na patën njoftuar,se çuditërisht shtypi zyrtar i kohës nuk kishte bërë asnjë njoftim për arritjen tonë në vend. Por, në shumë raste, kur përpiqeshim të flisnim me ndonjë person që ndodhej vetëm në rrugë ose në qytet, ai ose ajo largohej duke rrudhë krahët, siç duket nga frika, pasi shikonin flamurin amerikan në makinë. Njerëzit në grumbuj e ndienin veten më të sigurt dhe ishin më të guximshëm dhe më të sinqertë ne biseda me ne. Eventualisht, grumbujt e njerëzve rreth nesh dhe makinës kudo shkonim, sa vinin e shtoheshin – dhe në shumë raste arritja e jonë shndërrohej pothuaj në një karnaval, kështu që akulli që mund të ekzistonte ndaj nesh në fillim, më në fund u shkri dhe ndjenjat e shqiptarëve për Amerikën ishin pothuaj të papërmbajtura. Mirëpo, megjithëse disa ditë më parë ishin rivendosur marrëdhëniet midis dy vendeve, këto ndjenja nuk viheshin re në radhët e zyrtarëve të kohës ndaj prezencës së parë amerikane në Tiranë.
A e vërenit hendekun midis udhëheqjes së atëhershme dhe popullit lidhur me dëshirën për rivendosjen e këtyre marrëdhënieve?
Absolutisht. Si thashë edhe më lart, siç duket Tirana zyrtare kishte vendosur që të mos e bënte bujë arritjen e delegacionit të parë amerikan në Shqipëri. Vetëm gazeta Rilindja Demokratike, pas një takimi që patëm me një delegacion të Partisë Demokratike të posa formuar, njoftoi publikun shqiptar për praninë tonë në Shqipëri. Regjimi i atëhershëm besoj se dukej i izoluar, sepse delegacioni ynë dhe delegacione të tjera sidomos ato të Kongresit amerikan të kryesuara nga Senatori Kljeborn Pell dhe Senatori Denis DiKoncini, ia kishim kushtuar të gjithë vëmendjen opozitës së re shqiptare të asaj kohe. Mesazhi për sistemin komunist ishte, koha e juaj ka kaluar, një ditë e re po lindë për Shqipërinë. Megjithëse autoritetet e atëhershme shpresonin të vazhdonin të ruanin pushtetin në një mënyrë ose në një tjetër, shumica e shqiptarëve, sidomos të rinjve, me të cilët vinim në kontakt, ishin të bindur se valëvitja e flamurit amerikan në Tiranë, së pari në një makinë diplomatike, e më vonë para ambasadës së përhershme amerikane, ishte fundi i një regjimi që kishte shkaktuar aq shumë vrasje e persekutime, dhimbje, vuajtje e tmerr për shumë familje të pafajshme shqiptare.
Në periudhën e errët të regjimit komunist, si punonte SHBA për të ndihmuar popullin shqiptar?
Megjithëse marrëdhëniet shqiptaro-amerikane e kanë zanafillën në vitet e para të shekullit të 20-të, kur Presidenti i atëhershëm amerikan Uodrou Uilson përkrahu pavarësinë e shtetit të ri shqiptar, nuk mund të flitet për marrëdhënie serioze midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara deri në Mars të vitit 1991, kur në Uashington u nënshkrua Memorandumi për rivendosjen e marrëdhënieve. Por e vërteta është se edhe gjatë periudhës së errët të regjimit komunist, këto marrëdhënie nuk u harruan kurrë as nga Uashingtoni zyrtar dhe as nga komuniteti shqiptaro-amerikan. Megjithëse kishte njerëz të komunitetit shqiptaro-amerikan, që pas disa dekadave ishin “dorëzuar”, duke thënë se sistemi komunist nuk do të ndryshonte kurrë dhe se është humbje kohe për t’u marrë me këtë punë, pjesa dërmuese e komunitetit shqiptar të Amerikës nuk pushoi kurrë së punuari për realizimin e ditës që shënon ky përvjetor, d.m.th. të rivendosjes së marrëdhënieve midis atdheut të lindjes, Shqipërisë dhe atdheut të adaptuar Amerikës. Edhe zyrtarët dhe diplomatët amerikanë, në çdo rast e kohë, gjithmonë bënin thirrje për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve – duke u kundërshtuar gjithmonë nga regjimi komunist shqiptar, i cili ngulte këmbë se kurrë nuk do të pajtohej me “imperializmin amerikan”. Stejt Departmenti e kishte bërë si litani, që çdo vit me rastin e 28 Nëntorit të bënte një deklaratë për Zërin e Amerikës në favor të normalizimit të marrëdhënieve me Tiranën, me shpresë se eventualisht Tirana e kuqe do t’i përgjigjej pozitivisht thirrjes së Uashingtonit për normalizim të marrëdhënieve. Kjo fatkeqësisht nuk ndodhi deri në rrëzimin e atij sistemi.
Si një nga drejtuesit e “Zërit të Amerikës” në gjuhën shqipe, mund të na tregoni ndonjë episod nga pritja që i bënin shqiptarët mesazheve që vinin nga Uashingtoni?
Fakti është se ne nuk kishim ndonjë kontakt me shqiptarët brenda Shqipërisë gjatë asaj periudhe dhe si të tillë nuk kishim as reagime ndaj deklaratave amerikane të njëpasnjëshme të Uashingtonit për rivendosjen e lidhjeve diplomatike midis dy vendeve. Ne merrnin reagime pozitive ndaj deklaratave zyrtare të Uashingtonit drejtuar Shqipërisë, natyrisht nga komuniteti shqiptaro-amerikan dhe përfaqësues të tij, por edhe nga Kosova dhe diaspora shqiptare në Evropë. Besoj se, gjatë 80-ave shumë intelektualë dhe përfaqësues të shqiptarëve të Kosovës ishin bindur se e ardhmja afat gjatë e Kosovës dhe e kombit shqiptar do varej nga rivendosja e miqësisë zyrtare midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Në fakt ashtu edhe ndodhi, ishte kjo miqësi që mori hov pas vitit 1991 e që më në fund ndihmoi në mobilizimin e botës në përkrahje të shqiptarëve të Kosovës dhe mbarë kombit.
Si e vlerësoni ecurinë e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA gjatë njëzet viteve të fundit? Po për perspektivën e këtyre marrëdhënieve, ç’mund të thoni?
Besoj se, siç thashë edhe më lartë, me përjashtim të periudhës ‘96/97, këto marrëdhënie janë karakterizuar nga një frymë respekti të përbashkët, ndërkohë që përfaqësues të dy palëve kurrë nuk hezitojnë të theksojnë rëndësinë e “marrëdhënieve historike” midis dy vendeve. A mund të jenë këto marrëdhënie edhe më të forta edhe me fitimprurëse për të dy palët? Absolutisht! Por kjo nevojit angazhimin e plotë të të dy palëve. Nuk dua ta teproj që si shtetas amerikan, por me origjinë shqiptar, të them me bindje të plotë se nuk besoj se ka ndonjë vend tjetër si Amerika, që Shqipërisë dhe shqiptarëve t’ua dëshiroj të mirën dhe pa asnjë kusht paraprak. Ambasadori amerikan në Tiranë, gjatë një pritjeje me rastin e këtij përvjetori, në emër të Shteteve të Bashkuara, u citua të ketë thënë nga Zëri i Amerikës se: “Ne kemi qenë gjithmonë në anën e kombit shqiptar dhe do të vazhdojmë të mbështesim përparimin dhe avancimin e vazhdueshëm të Shqipërisë. Integrimi euroatlantik, një shtet i fortë ligjor, një ekonomi e begatë e orientuar nga tregu dhe institucione të pavaruara e demokratike. Këto janë aspiratat e popullit shqiptar. Ju keni të drejtë t’i prisni këto”, tha ambasadori amerikan në Tiranë. Ky është një mesazh me të cilin unë pajtohem plotësisht. Marrëdhëniet e 20-vjetëve të fundit, për mire ose për keq, nuk janë afektuar nga interesat e kundërta midis njëra tjetrës siç ndodhë normalisht midis shtetesh, por janë afektuar, kryesisht për keq, nga gjendja e brendshme politike në Shqipëri, nga mosmarrëveshjet midis pozitës dhe opozitës gjatë dy dekadave të fundit. Në qoftë se mund të quhet kusht, i vetmi kusht që Shtetet e Bashkuara kanë për Shqipërinë e sidomos për klasën politike të vendit, është që të bashkëpunojnë për të mirën e vendit e të kombit. Ka shumë për t’u bërë në marrëdhëniet dypalëshe, por besoj se dy palët janë të gatshme të përdorin këtë përvjetor, që së bashku, si dy miq të punojnë për marrëdhënie edhe më të mira midis dy popujve, dhe si ortakë edhe në skenën ndërkombëtare për një të ardhme të begatë e stabile në paqe për të dy palët dhe për rajonin.
Ju keni drejtuar edhe një shoqatë të shqiptarëve të Amerikës. Sa ka kontribuar shoqata juaj për këto marrëdhënie?
Unë kam drejtuar kohë më parë Këshillin Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, (KKSHA), i cili së bashku me organizata si Vatra e të tjera, si edhe individë të ndryshëm kanë dhënë kontributin e tyre të paçmueshëm dhe gjithnjë vazhdojnë të ndihmojnë në përforcimin e këtyre marrëdhënieve, pasi kemi të bëjmë me një komunitet që e do shumë Shqipërinë dhe interesohet për fatin e kombit. Ky kontribut në të vërtetë njihet nga autoritetet e të dy vendeve.