Një njeri i armatosur me thikë vrau tre persona në një kishë të enjten në qytetin francez të Nisës.
Rreth orës 9 të mëngjesit, njeriu me thikë hyri në kishën Notre Dame të qytetit dhe i preu fytin kujdestarit të kishës, i preu kokën pjesërisht një gruaje të moshuar dhe plagosi rëndë një grua të tretë, sipas një burimi të policisë.
Kujdestari i kishës dhe gruaja e moshuar vdiqën në vend, ndërsa gruaja e tretë mundi të dilte nga kisha dhe të shkonte në një kafene aty pranë, por edhe ajo vdiq nga plagët.
Kryetari i bashkisë, Christian Estrosi, e cilësoi si një sulm terrorist ngjarjen, e treta e këtij lloji në Francë brenda dy muajve.
“Ai vazhdonte të përsëriste fjalët Allahu Akbar ‘(Zoti është i Madh) edhe kur ishte nën ndikimin e ilaçeve” pas plagosjes gjatë arrestimit nga policia” tha kryebashkiaku.
Prokurorët kundër terrorizmit kanë filluar një hetim mbi vrasjet, të cilat vijnë pas prerjes së kokës të mësuesit Samuel Pati në fillim të këtij muaji. Autori i atij sulmi, me origjinë çeçene, tha se donte ta ndëshkonte mësuesin sepse u tregoi nxënësve karikaturat e Profetit Muhamet gjatë një ore mësimi për edukimin qytetar.
Nuk është e qartë nëse vrasjet e së enjtes ishin të lidhura me karikaturat, të cilat konsiderohen fyerje nga myslimanët.
Që nga vrasja e mësuesit Samuel Pati, zyrtarët francezë, me mbështetje të gjerë nga publiku, kanë ripohuar të drejtën e tyre për të shfaqur karikaturat, shumë prej të cilave janë shfaqur gjerësisht gjatë marshimeve në solidaritet me mësuesin.
Shfaqja publike e imazheve ka shkaktuar një zemërim të thellë në botën myslimane dhe disa qeveri kanë akuzuar Presidentin Emmanuel Macron për ndjekjen e një axhende kundër fesë islame.
Nisa ishte shënjestër e një prej sulmeve më vdekjeprurëse në Francë vitet e fundit. Një tunizian 31-vjeçar drejtoi një kamion mbi turmën që ishte duke kremtuar Ditën e Bastijës më 14 korrik të vitit 2016, duke vrarë 86 veta.
zëri i amerikës
Komentet