Presidenti francez Emmanuel Macron tha të enjten se Franca dhe Gjermania u kërkuan udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë që të organizojnë zgjedhje të reja në veri të Kosovës sa më parë që është e mundur.
Ai i bëri këto komente në një konferencë në Kishinau duke theksuar se javët në vijim do të ketë “vendime të qarta” për situatën në veri të Kosovës.
Presidenti Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz u takuan me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiç në kuadër të takimit të Komunitetit Politik Evropian në kryeqytetin e Moldavisë.
Ai tha se nga presidentët kërkuan vendime të qarta që javën e ardhshme.
“Ajo që kërkuam nga të dyja palët është shumë e thjeshtë: organizimi sa më parë i zgjedhjeve të reja në këto katër komuna si angazhim nga ana e Kosovës, pjesëmarrje e qartë e partive serbe në këto zgjedhje dhe zgjidhje të shpejtë të çështjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe nga ana e Kosovës”, tha presidenti Macron, duke nënvizuar se “secila palë do të këshillohet dhe do të kthehen javën e ardhshme me përgjigje të qarta”.
Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i cili mori pjesë në takim tha se dështimi për t’i përmbushur të tri kërkesat “do të ketë pasoja të rënda për marrëdhëniet tona”.
Kancelari gjerman Olaf Sholz, tha se palët duhet të bëjnë gjithçka për të ulur tensionet dhe për të ecur përpara.
“Kjo kërkon guxim nga të gjithë të përfshirët, sepse ata do të duhet të luajnë rolin e tyre në kuadër të përgjegjësisë politike për të siguruar që ulja e tensioneve të ketë sukses”, tha kancelari gjerman.
Presidentja Osmani tha se takimi me presidentin Vuçiç “nuk ishte negociatë”, ndërsa nënvizoi se “Kosova është gati për të mbajtur zgjedhje të reja në veri nëse zhvillohen përmes procesit ligjor”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shprehu ndërkaq përkushtimin e tij “për të punuar me Shtetet e Bashkuara për të ulur tensionet” në veri të Kosovës.
Përmes postimeve në rrjetet sociale ai tha se se ka biseduar me zëvendës këshilltarin amerikan për siguri kombëtare, Jon Finer, dhe senatorët Chris Murphy, Pete Ricketts dhe Jeanne Shaheen.
“Ulja e tensioneve kërkon përfundim të menjëhershëm të dhunës nga turmat e mbështetura nga Beogradi kundër zyrtarëve të sigurisë deri në zgjedhjet e reja në ato komuna”, shkroi ai.
Diplomacia perëndimore është vënë në përpjekje për të zbutur krizën në veri të Kosovës, ku të hënën 30 trupa paqeruajtëse të NATO-s u plagosën në përplasje me protestues serbë.
Tensionet në zonë u rritën pasi të premten e kaluar kryetarët shqiptarë që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit, të cilat u bojkotuan nga serbët, hynë në ndërtesat komunale për të marrë detyrën.
Protestuesit serbë kërkojnë largimin e kryetarëve shqiptarë si dhe largimin e njësive të posaçme të policisë nga ndërtesat e komunave.
Trazirat nxitën shqetësimin për ripërtëritjen e konflikteve në rajon dhe NATO-ja vendosi shtimin e trupave në Kosovë.
Beogradi i cili kundërshton pavarësinë e Kosovës, vendosi javën e kaluar ngritjen e shkallës së gatishmërisë ushtarake dhe urdhëroi trupat të vendosen pranë kufirit me Kosovën.
Shtetet e Bashkuara e kanë fajësuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve, duke thënë se përdorimi i forcës për të futur në zyra kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe, dëmtoi përpjekjet për të normalizuar marrëdhëniet me Serbinë.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, i bëri thirrje kryeministrit të Kosovës Albin Kurti që të largojë policinë nga zyrat komunale dhe që kryetarët të punojnë në zyra alternative. Ndërsa presidentit serb Aleksandar Vuçiç të ulë nivelin e gatishmërisë së forcave ushtarake serbe dhe t’u bëjë thirrje banorëve serbë të Kosovës të mos kundërshtojnë KFOR-in dhe të mos kryejnë veprime të dhunshme.
Sektretari Blinken u bëri thirrje enjten Kosovës dhe Serbisë të marrin hapa të menjëhershëm për uljen e tensioneve, duke paralajmëruar se situata aktuale pengon proceset e integrimit euroatlantik të të dyja vendeve.