100 vjetori i vdekjes së Franc Kafkës është shënuar në Bibliotekën kombëtare me një ekspozitë dhe dy kumtesa të studiuesve austriake e çeke. Nga letërsia te jeta plot tallaze që u mbyll shpejt për shkak të sëmundjes, takimi rikthen në vëmendje kontributin e tij letrar
“E dashur Milena ka kaq kohë që këtu jupret një copëz letre, por nuk arrij ta përfundoj, sepse vuajtjet e vjetra më kanë gjetur edhe këtu, më sulmuan dhe më hodhën poshtë”.
Kjo është veçse një nga letrat që shkrimtari i njohur Franc Kafka i drejtonte Milenës, një prej grave më të rëndësishme të jetës së tij. Për shumë kohë, pyetja ka qenë, a shkoi Milena ta takonte në Austri, ndërsa ai kurohej dhe priste fundin? Studiuesja austriake Charlote Aigner i jep përgjigje kësaj pyetjeje.
“Unë kam gjetur regjistrime audio në arkiva që tregojnë për këtë vizitë të sajën në vendin ku ai kurohej dhe jo vetëm që e ka vizituar por kjo është dëshmia e vetme për pamjen e tij në ditët e fundit të jetës”, tha Charlote Aigner.
Në 100 vjetorin e vdekjes së shkrimtarit të njohur me origjinë hebre, që jetoi në Çeki, shkroi gjermanisht e vdiq në Austri, në Bibliotekën Kombëtare u ekspozuan veprat e tij përkthyera në shqip ndërsa ambasadori çek, Karel Urban dhe ai austriak Christian Steiner , vlerësuan shkrimtarin.
Ambasadori Çek: Besoj se nuk jam i vetmi që mendoj, se kush ishte Franc Kafka në të vërtetë? A ishte çek apo gjerman? Kam dëgjuar një shprehje interesante për të, që gjatë jetës së tij kishte probleme me botën dhe tani ka bota probleme me Kafkën, si ta kuptojë veprën e tij.
Ambasadori Austriak, Steiner tha se “Jam i lumtur jo vetëm në mënyrë zyrtare por edhe personale sepse Franc Kafka dhe vepra e tij më pëlqejnë shumë”.
Përtej diplomacisë së dy shteteve, portreti i imtë i shkrimtarit që u shenjua nga elementet e ekzistencializmit dhe i dha mbiemrin e tij përshkrimeve për pasardhësit, Kafka u përshkrua edhe si ëndërrimtari të cilit bota i rrinte ngushtë.
“Franc Kafka shihej si një vëzhgues i qetë dhe një person ku dukej se qëndronte gjithë pesha e botës. Si është e mundur që ky njeri modest që vështirë ta vësh re, që u diplomua në drejtësi dhe botoi vetëm disa tregime gjatë jetës së tij u bë një nga shkrimtarët e shek 20. Një djalë i butë dhe i ndjeshëm që jetoi në ëndrrat e tij dhe u përplas me një baba pragmatik dhe nëna Pragë ka kthetra që nuk të lëshojnë kurrë”, tha studiuesja çeke, Marketa Malisova.
‘Kështjella’, ‘Metamorfoza’, ‘Procesi’, ‘ Letra Babait’, apo ‘Letra Milenës’, janë disa prej veprave të tij më të njohura. Në shqip ai erdhi vetëm pas ‘90-ës ndërsa siç vërejti nëndrejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, shqiptari që pati admirimin e Pragës ishte Aleksandër Moisiu.
(BalkanWeb)