Rrjeti i madh televiziv amerikan, Fox News, raporton se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ishte në dijeni të sulmit që ndodhi në veri të Kosovës.
“Dëshmi të reja shpërthyese nga Kosova pretendojnë se presidenti i Serbisë kishte dijeni për një sulm të paramenduar që vrau një polic javën e kaluar, duke ndezur tensionet mes dy vendeve ballkanike.
Të paktën 30 persona të armatosur hapën zjarr ndaj policisë në fshatin Banjska, të mbizotëruar nga serbët në veri të Kosovës dhe më pas mësynë në një manastir ortodoks, duke vrarë një oficer policie dhe plagosur dy të tjerë. Policia e Kosovës sekuestroi 24 automjete, 29 granatahedhës, 150 dinamitë shpërthyes, 142 predha mortajash, 75 granata dore, 7 raketahedhës dhe 8 mina antitank,” raporton Fox News.
“Këto nuk ishin armë të vogla që ranë nga një kamion në vitet 1990 ose që janë blerë në një version ballkanik të Walmart. Është e qartë se këto armë duhet ta kenë origjinën nga një burim shtetëror dhe origjina më e dukshme duket të jetë Beogradi,” tha Leon Hartwell, një studiues në Qendrën për Analizën e Politikave Europiane.
Burime diplomatike në rajon thanë për Fox News se sulmi ishte pjesë e një plani më të madh dhe të qëllimshëm nga Serbia- me ndihmën e Rusisë, për të nxitur një rebelim në veriun e trazuar të Kosovës.
“Rebelimi do të shërbente si një pretekst për ushtrinë serbe për të hyrë në Kosovën veriore dhe për ta justifikuar këtë veprim si mbrojtje të pakicave serbe dhe se trashëgimia kulturore dhe fetare ortodokse ishte në rrezik,” thanë burimet.
“Ky ishte një incident i paramenduar, siç e ka pranuar edhe vetë lideri serb i Kosovës, Radoiçiç. Arsenali masiv i armëve të sekuestruara, mjaftueshëm për të nisur një luftë të vogël, e vërteton këtë fakt dhe tregon sërish se regjimi i Vuçiçit në Serbi vepron si sponsor shtetëror i terrorizmit dhe punon me pretekste të ngjashme me Putinin për pushtimin e veriut të Kosovës,” tha për Fox News, Agim Nesho, ish-ambasador i Shqipërisë në SHBA dhe OKB dhe një analist kryesor për rajonin.