Nga Joe Schoffstall dhe Jessica Chasmar, Fox News
Aktakuza e Jurisë së Madhe në Manhatan të enjten në mbrëmje ndaj ish-presidentit Donald Trump po ndez një debat të ri rreth prokurorit të qarkut, i mbështetur nga George Soros, i cili udhëhoqi hetimin për shkeljet e supozuara të Trump të ligjeve shtetërore për financimin e fushatës.
Ish-presidenti pritet të dorëzohet në zyrën e prokurorit të qarkut, Alvin Bragg në fillim të javës së ardhshme, pas padisë së tij, që rrjedh nga një hetim i Bragg mbi pagesat e supozuara të Trump ndaj yllit të filmave për të rritur, Stormy Daniels në vitin 2016.
Fox News raportoi më parë se në maj të vitit 2021, financieri George Soros dha 1 milion dollarë për organizatën fondmbledhëse ‘Color Of Change’, e cila shpenzoi shumë për të mbështetur kandidaturën e Bragg.
Djali i Soros, Jonathan Soros dhe gruaja e tij, Jennifer Allan Soros, gjithashtu dhuruan drejtpërdrejt për fushatën e Bragg, sipas të dhënave financiare të fushatës në Nju Jork, të shqyrtuara nga Fox News.
Më 26 prill 2021, Jonathan Soros dërgoi një çek prej 10 mijë dollarësh në arkën e prokurorit të qarkut, tregojnë dosjet shtetërore. Tri ditë më vonë, më 29 prill, Jennifer Allan Soros shtoi një kontribut prej 10 mijë dollarësh në fushatë. Ndërsa individë të tjerë siguruan pagesa më direkte për komitetin e tij, çifti ishte në mesin e disa prej donatorëve të tij më të mëdhenj.
Kontributet ishin gjithashtu të pazakonta për çiftin, pasi ata përgjithësisht nuk përfshihen financiarisht në garat për prokurorët e qarkut, megjithëse kanë dhuruar për fushatat e tjera politike në Nju Jork. Jonathan Soros nuk iu përgjigj një kërkese për koment mbi donacionet për Bragg.
George Soros, nga ana tjetër, ka synuar gara të shumta prokurorësh duke derdhur miliona dollarë në vitet e fundit.
Operacionet për prokurorët e qarkut nga Soros zakonisht përfshijnë arkëtaren e tij prej shumë kohësh, Whitney Tymas, duke krijuar komitete të veprimit politik në shtetet ku ai synon garat. Pasi të jetë ngritur komitetet, financuesi injekton paratë në këto komitete, të cilat shkojnë për të mbështetur kandidatët e preferuar të Sorosit. Pas zgjedhjeve, këto komitete shpërbëhen.
Në rastin e Bragg, kjo nuk ndodhi. Në vend të kësaj, Soros dhuroi 1 milion dollarë për organizatën ‘Color of Change’, e cila në javët në vijim shpenzoi para për të mbështetur kandidaturën e Bragg. Koha e parave e ka bërë të mundshme që të ketë ndihmuar përpjekjet.
Zëdhënësi i Soros, Michael Vachon nuk iu përgjigj kërkesës për koment.
Soros ka ofruar mbështetje për dhjetëra kandidatë për prokurorë të krahut të majtë, të cilët ai i sheh si një komponent të rëndësishëm për rishikimin e sistemit penal. Bëhet fjalë për prokurorë kontroversë si Larry Krasner, Kim Foxx, Kim Gardner apo George Gascon.
Akuzat e mundshme të Bragg, të cilat ishin ende të panjohura deri të enjten në mbrëmje, rrjedhin nga një pagesë e supozuar prej 130 mijë dollarësh që avokati i atëhershëm i Trump, Michael Cohen i bëri Daniels- emri ligjor i të cilës është Stephanie Clifford- në javët e para të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016, në këmbim të heshtjes së saj për një takim të dyshuar seksual me Trump në vitin 2006.
Prokurorët federalë në zyrën e avokatëve të SHBA për distriktin jugor të Nju Jorkut, zgjodhën të mos e akuzonin Trump në lidhje me pagesën e Daniels në vitin 2016, edhe pse Cohen e implikoi atë si pjesë e marrëveshjes për pranimin e fajësisë. Komisioni Federal i Zgjedhjeve gjithashtu e hodhi poshtë hetimin për këtë çështje në vitin 2021. syri.net