Nga Chris Massaro, Fox News
Sekretari i Shtetit, Antony Blinken u përball me kritika nga një aleat i ngushtë pasi tensionet etnike janë ndezur sërish në Ballkan.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, iu kundërpërgjigj Blinkenit, i cili kishte kritikuar qeverinë e Kosovës për “veprimet që ajo ndërmori kundër këshillës së Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë të Kosovës”, tha Blinken në një deklaratë.
Kurti nuk u intimidua, dhe tha për The Guardian në një intervistë javën e kaluar: “Unë mendoj se nuk është thjesht e padrejtë, e gabuar dhe lënduese, por në të njëjtën kohë shumë naive”. Ai tha edhe se këto komente merrnin me të mirë presidentin serb Aleksandar Vuçiç.
Kurti injoroi kërkesën e Blinken për të ndryshuar kurs dhe për t’u frenuar në veprimet që do të nxisnin tensionet. Kryeministri tha se policia e Kosovës do të qëndrojë në rajonin e veriut, një veprim për të cilin SHBA beson se nuk do të ndihmojë në zbutjen e situatës. Si përgjigje, SHBA bëri të ditur se do të anulonte pjesëmarrjen e Kosovës në stërvitjet e ardhshme ushtarake të NATO-s.
I pyetur për kritikat e Kurtit, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit e referoi Fox News Digital te komentet e Blinken në Norvegji të enjten, ku ai tha: “Përshkallëzimi dhe veprimet e ndërmarra atje e çojnë Kosovën dhe Serbinë në drejtimin e gabuar, sepse përgjigja që ne kërkojmë që është de-përshkallëzimi, shmangia e çdo veprimi të njëanshëm dhe kthimi në këtë proces të normalizimit dhe përpjekjes së udhëhequr nga BE, kjo është ajo që u premton të dyve një të ardhme integrimi në komunitetin euroatlantik”, tha Blinken gjatë konferencës për shtyp në Oslo.
Blinken tha se SHBA do të kundërshtojë çdo veprim që mund të ndërmarrë secili nga vendet e që do ta bënte integrimin në BE një perspektivë më të largët.
“Ne kemi qenë shumë të qartë në shqetësimet tona për disa nga veprimet e fundit. Këtë ua kemi thënë drejtpërdrejt liderëve të përfshirë, përfshirë kryeministrin Kurti. Ne kërkojmë që të dy të veprojnë me përgjegjësi këtej e tutje”, shtoi Blinken.
Edhe presidenti francez Emmanuel Macron fajësoi drejtpërdrejt Kurtin dhe Kosovën për konfrontimin. Me qortimin e aleatit Kurti, SHBA është akuzuar nga disa qarqe diplomatike se ka marrë anën e Vuçiçit, i cili është aleat i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin.
“Unë nuk mendoj se deklaratat e fundit nga Shtetet e Bashkuara apo Franca nënkuptojnë domosdoshmërisht se ato janë në anën e Vuçiçit, por janë thjesht kritika ndaj vendimit të qeverisë Kurti për të futur kryetarët e komunave në zyrat e tyre dhe këmbëngulin se ata kanë legjitimitet për të qeverisur, duke e ditur shumë mirë se kjo kishte gjasa të ndezte tensione”, tha për Fox News Digital Helena Ivanov, partnere në Henry Jackson Society.
“Përgjithësisht, mendoj se Perëndimi vetëm dëshiron që gjërat të qëndrojnë të qeta dhe do të kritikojë çdo lëvizje që ka gjasa të ndezë tensione – prej nga vjen edhe toni kritik ndaj Kosovës”, shtoi ajo.
Duke u përballur me presionin në rritje nga evropianët, presidentët e Serbisë dhe Kosovës u takuan në Moldavi për të diskutuar mënyrat e uljes së tensioneve të enjten. Reuters raportoi se pas takimit të saj me Vuçiç, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e akuzoi atë se “qahet e ankohet dhe … nuk thotë të vërtetën”.
Osmani, megjithatë, ofroi disa shpresa duke thënë se Kosova mund të mbajë zgjedhje të reja në veri me pjesëmarrjen e serbëve nëse ato do të nxiteshin ligjërisht. Vuçiç u largua pa komentuar për median.
Dhuna shpërtheu pasi kryetarët shqiptarë etnikë morën detyrën në veri të Kosovës, një enklavë me shumicë serbe, pas zgjedhjeve të prillit që u bojkotuan nga partitë politike serbe dhe mbështetësit e tyre. SHBA i kërkoi Kurtit të mos i zhvillonte zgjedhjet, nga frika se rezultati do të ishte i paligjshëm në sytë e serbëve vendas. Bojkoti rezultoi në një pjesëmarrje jashtëzakonisht të ulët prej 3.5%, duke bërë që shumë në Perëndim të pretendonin se zgjedhjet ishin vërtet të paligjshme.
Serbët u përpoqën të bllokonin kryetarët shqiptarë etnikë që të hynin në zyra dhe policia kosovare u përgjigj duke hedhur gaz lotsjellës, çka përshkallëzoi tensionet. Dhuna u shtua kur serbët u përleshën me policinë e Kosovës dhe trupat paqeruajtëse të NATO-s. Serbia, nga ana e saj, u përgjigj duke dërguar trupa në kufirin me Kosovën dhe i vendosi forcat e saj të armatosura në gatishmëri të lartë.
“NATO dënon fuqishëm sulmet e paprovokuara kundër trupave të KFOR-it në veri të Kosovës, të cilat çuan në plagosjen e një numri prej tyre. Sulme të tilla janë krejtësisht të papranueshme”, thuhet në një deklaratë nga një zëdhënës i NATO-s.
Njëmbëdhjetë ushtarë italianë dhe 19 trupa hungareze pësuan lëndime të shumta, “përfshirë fraktura dhe djegie nga mjetet ndezëse shpërthyese të improvizuara”. Tre ushtarë hungarezë u plagosën nga armët e zjarrit, sipas një deklarate të KFOR.
Kurti fajësoi Vuçiç për nxitjen e tensioneve dhe ndezjen e asaj që ai e quajti “turmë fashiste” që sulmoi forcat e NATO-s.
Dhuna e re është një tjetër pengesë në procesin e ndërmjetësuar nga BE për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, i cili ka vazhduar prej vitesh. BE e ka bërë të qartë se normalizimi i marrëdhënieve është një hap i domosdoshëm dhe i nevojshëm për anëtarësimin në bllok.
“Mesazhi ynë si për Beogradin ashtu edhe për Prishtinën është se ata duhet të angazhohen me mirëbesim në dialogun e lehtësuar nga BE”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në një konferencë për shtyp të enjten. “Kjo është rruga e vetme drejt paqes, por në të njëjtën kohë, NATO ka përgjegjësi për të siguruar stabilitet në Kosovë dhe kjo është arsyeja pse ne kemi qenë atje për shumë vite dhe pse po rrisim tani praninë tonë në rajon”. syri.net