Për shumëkënd ishulli Sazan në Vlorë të Shqipërisë ishte mister për dekada.
Aty dihej se ishte një bazë e rëndësishme ushtarake para dhe gjatë kohës së Shqipërisë komuniste.
Herë pas here ishulli përdoret edhe për stërvitje nga ushtria shqiptare dhe nga NATO-ja.
Por, në vitin 2017, Qeveria e Shqipërisë, vendosi ta lejojë qasjen për vizitorë nga maji deri në muajin tetor.
Vëmendja në këtë ishull u rikthye para pak javësh kur dhëndri i ish-presidentit amerikan, Donald Trump, Jared Kushner, shprehu interesim për ndërtimin e një kompleksi turistik.
Kur dhe si mund të shkohet në ishull?
Nga maji deri në tetor, për të shkuar në Sazan është i nevojshëm udhëtimi me anije.
Udhëtimi zgjat nga 20 deri në 45 minuta.
Kohëzgjatja e udhëtimit varet shumë edhe nga moti.
Distanca më e afërt e Vlorës me Sazanin është rreth 8 kilometra.
Kur të nisë udhëtimi, sa më shumë që anija i afrohet ishullit, aq më shumë vërehen objektet e vjetra që dekada më parë shfrytëzoheshin nga ushtarakët.
Aty ishte krijuar një mini-qytet, ku oficerët jetonin me familjet e tyre.
Kishte edhe shkollë për fëmijët.
Niko Leraj, një ish-ushtarak nga Vlora, jetoi 9 vjet në Sazan në vitet ‘80.
Ushtrimet dhe përgatitjet ushtarake thotë ai, ishin rutina e ushtarakëve në ishull.
“Përditshmëria do të thoshte stërvitje, përgatitje dhe vetëm përgatitje dhe gatishmëri për mbrojtjen e atdheut, ashtu siç ishte teoria”, tha Leraj për Radion Evropa e Lirë.
“Sazani, duke qenë i izoluar nga toka, nuk kishte dritë elektrike të pandërprerë, nuk kishte ujë të rrjedhshëm, as 24 orë e as me orë të ndërprera. Sazani, ujin e kishte me cisternë që vinte nga Vlora”, tha Leraj për Radion Evropa e Lirë.
Në ishull ende nuk ka ujë të pijshëm e as energji elektrike.
Ishulli i Sazanit ka sipërfaqe rreth 6 kilometra katrorë dhe vijë bregdetare me gjatësi rreth 15 kilometra katrorë.
Çfarë ka mbetur në Sazan?
Në Sazan ndodhet një port i vogël në afërsi të të cilit ditën që Radio Evropa e Lirë vizitoi ishullin, më 19 mars, dy ushtarë u panë teksa patrullonin.
Ishulli ka shumë bunkerë.
Numri i saktë i tyre nuk dihet.
Por, ata janë në çdo cep të ishullit.
Ishulli ka shumë tunele, në të cilat nuk lejohet hyrja.
Numri i tyre nuk dihet.
Në ishull ka shumë magazina ushtarake boshe.
Në shumë prej tyre kanë mbetur shishe të vjetra me dekada.
Në shumë pjesë të ishullit shihen dhjetëra objekte të dëmtuara.
Asnjë prej tyre nuk duket të jetë funksionale.
Në disa vende shihen edhe automjete të vjetra e të shkatërruara.
Radios Evropa e Lirë iu desh leje e posaçme nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë për të hyrë në ishull dhe gjatë gjithë vizitës u përcoll nga një pjesëtar i ushtrisë shqiptare.
Çfarë planifikon të bëjë dhëndri i Trumpit?
Në mes të mendimeve për dhe kundër ndërtimit në Sazan, në Shqipëri u konfirmua se një kompani, në pronësi të Jared Kushner, ka dorëzuar një aplikim për investim në këtë ishull.
Aplikimi ende nuk është publik, por vetë Kushner ka publikuar fotografi të planit ideor.
Kompania amerikane Atlantic Incubator Partners LLC, ka dorëzuar këtë aplikim përmes të cilit shpreh interes për investim në Sazan më 27 dhjetor 2023.
Realizimi eventual i projektit ngriti shqetësime tek organizata ambientaliste në Shqipëri.
“Presioni më i madh është me ndotjen, në radhë të parë me ujërat e zeza…në ujërat e zeza përfshihen edhe të gjitha kimikatet, detergjentet”, i tha REL-it, Simo Ribaj nga organizata Rrjeti “Vizioni i Gjelbër”.