‘National Geographic’, realizoi në numrin e tetorit 1980, një reportazh në Shqipërinë e izoluar prej regjimit komunist. Plot 36 vjet më vonë, ky shkrim i gazetarit turk, Mehmet Biber, zbulon kureshti që kanë nisur të mbulohen nga pluhuri i viteve…! “Të realizojmë të gjitha detyrat dhe të shkatërrojmë bllokadën”, dikton kjo tabelë në qytetin shqiptar të Shkodrës, por izolimi i Shqipërisë nga bota është rezultat i politikës së brendshme. Pa aleatë dhe e rrethuar nga kombe që kanë pasur synime historike aneksuese ndaj tokës së saj, Shqipëria është e mobilizuar që të ecë e vetme nën diktaturën e rreptë të Enver Hoxhës, i cili ka mbajtur pushtetin për 36 vjet. Simbolet e kazmës dhe pushkës, dominojnë skenat publike. Një marksist-leninist dogmatik, Hoxha prishi marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, të cilin e konsideron “revizionist”, më 1961, dhe i prishi lidhjet me Republikën Popullore të Kinës, dy vjet më parë. Rruga e vetëmjaftueshmërisë është shpesh një rrugë e vështirë.

Automobilat privatë janë të ndaluar, kështu që shqiptarët udhëtojnë me biçikleta. Vizitat nga gazetarët janë të rralla. Vitin e kaluar, Mehmet Biber, një fotograf turk që jetonte në Stamboll në atë kohë, mori një vizë vetëm disa muaj, pasi gazetari Sami Kohen, një tjetër rezident i Stambollit, kishte vizituar vendin. Nga bisedat me z. Kohen dhe nga përvojat e tij, z. Biber solli të parin raport të plotë nga Shqipëria, që shfaqet në një revistë amerikane pas shumë vjetësh.