Në vitin 1941, fotografi hebre Mosha Mandil, me gruan dhe dy fëmijë të vegjël kishte mbërritur në Tiranë nga Beogradi për t‘i shpëtuar përndjekjes së atjeshme nga nazistët.
Për të jetuar ai kërkoi punë në studion fotografike NESHA në qendër të Tiranës së atëhershme, atje ku sot është Pallati i Kulturës, ku punonte si fotograf Refik Veseli.
Në Beograd, Mosha Mandil, kishte qenë një fotograf i mirënjohur profesionist. Filloi punë menjëherë dhe u bë pjesë e rëndësishme e studios NESHA.
“Familjen, me dy fëmijët e vegjël, djalin Gavro dhe vajzën Ela, pronari i studios dhe babai im, asokohe 18 vjeçar i strehuan në disa magazina, ngjitur me studion”, – tregon për DW, Fatmir Veseli, djali i Refikut.
Rreziku i zbulimit të tyre u rrit. Nazistët bënin kontrolle të shpeshta në Tiranë për të kapur hebrejtë dhe për t‘i dërguar në kampet e shfarrosjes.
“Babai im vendosi ta largojë familjen e hebreut Mosha Mandil nga Tirana. I veshi si fshatarë, me qeleshe dhe rroba karakteristike, i hipi në mushka dhe i shoqëroi vetë në shtëpinë e prindërve të tij në Krujë. Pas disa muajve po aty u strehuan edhe dy vëllezërit hebrej Jozef.
Më pas, babai im e la punën në Tiranë dhe iu bashkua forcave çlirimtare. Famlija e Mosha Mandilit dhe vëllezërit Jozef qendruan në Krujë, me familjen e gjyshit tim deri në çlirimin e vendit nga pushtimi nazist”, – tregon Fatmiri.
Për 55 vjet me rradhë deri sa Refik Veseli ndërroi jetë në vitin 2000 familja e Mosha Mandilit i ruajti lidhjet me atë që quante “pjesa shqiptare e familjes sime”.
Në vitin 1990, Refik Veseli, shkoi në Jeruzalem duke u bërë shqiptari i parë që mori titullin “Qytetar nderi mes Kombeve”. Më pas dy pjesët e familjes së Mosha Mandilit u bashkuan shpesh në Tiranë dhe Izrael.
Refiku, hebreu Mosha dhe djali i tij Gavro tanimë nuk jetojnë. Ata nuk arritën të gëzojnë suprizën që do t’u sillte në vitin 2014 një grup nxënësish nga Berlini.
Janë pasardhësit e Refik Veselit dhe të Mosha Mandilit që mbajnë gjallë historinë e familjeve të tyre dhe e kalojnë nga brezi në brez. Historia vazhdon të jetojë edhe tek vizitorët e Yad Vashem nga shpjegimet e ciceronëve, produktet dixhitale dhe dokumentarët që shfaqen atje.
Një grup të rinjsh dhe të rejash gjermanë, nxënës në një shkollë të mesme në Berlin, që vizituan në vitin 2013 Yad Vashem u njohën edhe me historinë e shpëtimit të familjes së hebreut Mosha Mandil nga familja e fotografit shqiptar mysliman Refik Veseli.
Historiau la mbresa të thella nxënësve gjermanë. Meqënëse shkolla e tyre në Friedrichshain-Kreuzberg në Berlin, nuk kishte ende një emër, ata u propozuan autoriteteve përkatëse që ta emërtonin atë “Refik Veseli.” Kërkesa e tyre u pranua.
“Emocion i madh edhe për mua kur më ftuan për inagurimin e emërtimit të shkollës me emrin e babait tim. Mbajmë lidhje me brezin e ri, djemtë e mi me fëmijët e Gavros dhe të Elës, vajzës së Mosha Mandilit. Vendosëm që djemve tanë t’u vinim të njëjtin emër: djali im dhe ai i Gavro Mandilit kanë të njëjtin emër: Ron“, tregon për DW, Fatmiri.