Rusia ka nisur të zbatojë masa kundër terrorizmit në Kursk, rajonin ku ka nisur inkursion ushtria ukrainase, si dhe në dy rajone të afërta, Brajansk dhe Belgorod.
Njoftimi është bërë në orët e para të 10 gushtit nga Komitetit Kombëtar kundër Terrorizmit.
Në deklaratë është bërë e ditur që vendimi është marrë prej shefit të shërbimit të inteligjencës të Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB), si përgjigje ndaj “tentimit të pashembullt” të Ukrainës për të “destabilizuar situatën në disa rajone”.
Më 9 gusht, Rusia e ka shpallur atë që e ka përshkruar si emergjencë të “nivelit federal” në rajonin Kursk, disa orë pas sulmeve të ushtrisë ukrainase.
Si përgjigje ndaj inkursionit, Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë më 9 gusht se do të transferojë forca shtesë në rajon, përfshirë sistemet raketore Grad, artileri dhe tanke, ka raportuar agjencia ruse e lajmeve Interfax.
Media shtetërore ka raportuar edhe për pozicionim të ushtrisë ruse në Kursk, si dhe ka publikuar disa pamje të ushtrisë duke lëvizur në atë rajon.
Hyrja e ushtrisë ukrainase në rajonin kufitar rus është përshkruar si sulmi më i madh në tokën ruse, prej nisjes së luftës së Moskës në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.
Nuk dihet shumë për inkursionin ukrainas, ndonëse ushtria ruse ka pretenduar që në të janë të përshirë rreth 1.000 trupa dhe dhjetëra tanke.
Prej nisjes së inkursionit, më 6 gusht, trupat ushtarake ukrainase kanë fituar kontrollin e rreth 600 kilometrave katrorë të territorit, dhe të më shumë se dhjetëra vendbanimeve, sipas zyrtarëve lokalë.
Sipas njoftimit të 10 gushtit, Komiteti Kombëtar kundër Terrorizmit, ka thënë se masat përfshijnë shpërnguljen potenciale të banorëve, kufizimin e transportit, si dhe rritjen e sigurisë.
Zyrtarët ukrainas nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht operacionin, mirëpo presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenky, ka thënë më 8 gusht se Rusia duhet t’i përjetojë pasojat e një pushtimi.
“Rusia solli luftë në tokën tonë dhe duhet ta përjetojë atë që ka bërë”, ka thënë Zelensky, pa iu referuar direkt ofensivës.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. REL