Vogëlushja Jinan pesë vjeçe tani gjendet në spital me një dëmtim të rëndë të këmbës. Vëllai i saj kishte vetëm gërvishtje, ndërsa pjesa tjetër e familjes së tyre vdiq.
Mar Rahal dëgjoi një zë që vinte nga rrënojat, aq i dobët saqë u përpoq të kuptonte nëse mund të ishte zë vetëm në kokën e tij. Një natë më parë, dy tërmete me magnitudë 7.8 dhe 7.6 kishin rrafshuar fshatin e tij, Harem, në provincën e kontrolluar nga rebelët të Idlib në Siri, duke rrafshuar dhjetëra ndërtesa duke përfshirë bllokun e banesave ku kushëriri i tij Mahmoud jetonte me gruan dhe shtatë fëmijët e tyre.
Disa orë më vonë, Rahal, shefi i policisë së zonës, nxitoi në rrënojat e shtëpisë me shpresën për të gjetur gjallë Mahmudin dhe familjen e tij. Gjatë gjithë mëngjesit ai nuk dëgjoi asnjë shenjë jete, por në orën 12:30 në veshët e tij erdhën pesë fjalë të thëna nga ajo që dukej si një vajzë e vogël: “Më nxirrni që këtu”.
Pak metra poshtë majës së grumbullit të mbeturinave, ngulur mes betonit, shtrihej vajza pesëvjeçare e Mahmud, vogëlushja Jinan, së bashku me vëllanë e saj Abdullah nëntë muajsh, të cilin ajo po e ngushëllonte nën rrënoja. Pranë tyre, varrosur nën mbetjet e shtëpisë së saj, ishte trupi i nënës së tyre, Suaad. Polici Rahal mund të shihte vetëm krahun e saj, me të cilin dukej se ishte përpjekur të përqafonte fëmijët e saj për t’i mbrojtur ata.
Polici u përpoq t’i lironte, por kuptoi se nuk mund ta bënte i vetëm. Kështu ai i filmoi dy fëmijët e bllokuar dhe ua dërgoi pamjet kolegëve të tij të policisë, duke u kërkuar që të ndërhynin. Videoja u kalua shpejt nga një telefon në tjetrin, duke kapërcyer kufijtë e Sirisë dhe duke u bërë virale, duke arritur rreth 5 milionë orë shikim vetëm në Tëitter dhe duke u bërë një simbol i tragjedisë në Idlib.
“Njerëzit e mi mbërritën menjëherë dhe më ndihmuan të nxirrja Abdullahun e vogël, i cili fatmirësisht kishte vetëm disa gërvishtje të vogla”, tha Rahal për Guardian. “Por problemi ishte Jinan. Ajo ishte e mbërthye nga një pllakë betoni dhe i ishte fut një shufër hekuri nëpër këmbë.”
Përpjekjet e shpëtimit në Idlib, i cili mbeti kryesisht i mbyllur nga bota e jashtme për dy ditë pas tërmetit, u ngadalësuan nga mungesa e makinerive dhe ndihmave, me njerëzit të detyruar të nxirrnin të dashurit me duart e tyre.
“Për të ngritur bllokun e betonit që e pengonte, ne përdorëm atë levën për ngritjen e makinave kur duhet të ndërrohet goma,” tha Rahal. “Funksionoi. Por Jinan kishte ende një shufër hekuri të ngulur në këmbën e saj. Duhej të pritej.”
Ekipet e shpëtimit u përpoqën ta prisnin shufrën me një sharrë të trashë çeliku ndërsa Jinan qante nga dhimbja. Për t’i bërë gjërat më të komplikuara, pasgoditjet e tërmetit e tronditën sërish fshatin. Ajo pak që mbeti në këmbë nga ndërtesat filloi të shembet.
“Të lutem! Më largoni nga këtu,” iu lut fëmija, burrave.
Nuk kishte kohë për të humbur. “Ne nuk kishim zgjidhje,” tha Rahal. “Rrezikuam të vdisnim dhe të humbnim edhe fëmijën. Prandaj, ne vendosëm të bënim atë që nuk donim kurrë – të nxirrnim Jinan ndërsa këmba e saj ishte ende pjesërisht në shufër.”
Rreth orës 2 të mëngjesit të së martës, pas gati 22 orësh nën rrënoja, e vogla Jinan duke bërtitur u nxor.
Një javë pas shpëtimit, The Guardian vizitoi vogëlushen Jinan dhe vëllanë e saj të vogël në një spital të konvertuar nga një shkollë e mëparshme ku trajtoheshin fëmijët e plagosur të Haremit. Abdullahu flinte i mbështjellë me një batanije leshi, ndërsa Jinah shtrihej, ende me dhimbje, në një shtrat.
“Plaga në këmbën e saj është shumë e rëndë”, tha mjeku i saj, Ëaxhih al-Karrat. “Jinan mund të mos ecë më kurrë si më parë. Unë nuk do të të gënjej. Nëse plaga nuk përmirësohet, ne mund të detyrohemi t’ia presim këmbën.”
Pas publikimit të videos, disa media raportuan gabimisht se babai i Jinan ishte ende gjallë. Mjerisht, nuk është kështu. “Jinah dhe Abullah janë të vetmit që kanë mbetur gjallë në familje,” tha Rahal në lot. Dy fëmijët i janë besuar xhaxhait dhe gruas së tij.
Jinan dhe vëllai i saj janë mes një numri të pallogaritshëm fëmijësh jetimë nga tërmeti në Idlib. Numri i të vdekurve nga tërmeti në Siri është rritur mbi 3,580, pasi zyrtarët e ndihmës së OKB-së bëjnë thirrje për më shumë akses ndihme në veriperëndim të vendit të kontrolluar nga rebelët.
“Është një tragjedi,” tha Karrat me zë të ulët. “Jinan e di se ajo ka mbetur vetëm me vëllanë e saj. Por i sheh këta fëmijë këtu, pranë shtratit të Jinanit, janë gjithashtu jetimë. Dhe shumica ende pyesin se ku janë prindërit e tyre dhe kur do të vijnë t’i takojnë. Së pari, ne duam t’i trajtojmë mirë. Pastaj, në një moment, ne do të detyrohemi t’u themi atyre se edhe ata kanë mbetur jetimë.”