Lagja e Trimave në Kumanovë ngadalë po synon t’i kthehet normalitetit. Fëmijët kanë filluar të kthehen në shkollë, ndërkohë që banorët presin komisionin qeveritar për të vlerësuar dëmet, të cilat është zotuar se do t’i mbulojë 100%.
Shumë familjarë kanë ardhur për t’u qëndruar të afërmve të prekur nga konflikti i 9 dhe 10 majit, i cili përfundoi me 22 të vrarë.
“Gjithçka është e riparueshme, pos tmerrit që përjetuam pa pasur pikë faji”, thonë qytetarët e Kumanovës.
“Jam zgjuar në orën 4 e 20 minuta dhe shkova në xhami për namazin e mëngjesit. Kur dola nga xhamia, filluan të shtënat dhe menjëherë erdhi policia, dhe mua nuk më lëshuan të lëviz nga aty”, rrëfen Azem Ibrahimi, shtëpia e të cilit është djegur tërësisht nga granatimi më 9 maj, gjatë përleshjes mes grupit të armatosur dhe forcave policore.
Zoti Ibrahimi thotë se të shtënat, familjarët e tij i kanë gjetur në gjumë.
“Djali me bashkëshorten e tij dhe bashkëshortja ime ishin në gjumë; me t’u zgjuar nga breshëria e plumbave kanë zbritur në bodrum dhe aty kanë qëndruar që nga ora pesë e mëngjesit deri në orën dy pasdite. Pasi merr flakë shtëpia dhe kanë vërejtur që ka rënë çatia nga flakët e marra, përmes dritares kanë kaluar tek oborri i vëllait tim dhe sërish janë strehuar te bodrumi i shtëpisë”, thotë Azem Ibrahimi.
Banorët e Lagjes së e Trimave në Kumanovë thonë se nuk kanë parë asnjë lëvizje të dyshimtë në lagjen e tyre paraprakisht, apo grumbullim të armatimit nga ana e grupeve të armatosura.
“Ta kisha ditur se diçka ndodh këtu…kam një djalë të vetëm, pasurinë e botës sikur të ma jepnin, kurrë nuk do e lejoja të qëndronte këtu. Nuk e kisha lënë familjen këtu në atë rast”, thotë Azem Ibrahimi.
“Çdo minutë e kemi pritur vdekjen. Ajo ditë [9 maji] për mua ka qenë dita më e trishtueshme. Në orën gjashtë dola në oborr për të kërkuar ndihmë nga policia, po në atë moment ata gjuajtën brenda në shtëpi; aty ku ne qëndronim të shtrirë, dhe djali i vëllait në atë moment ka marë një plagë të lehtë në kraharor”, thotë Qamil Azemi, i cili është i verbër.
Ndërkohë, vëllai i tij, Skënder Azemi, hedh dyshimet e tij për gjithë aksionin policor.
Azemi: “Kjo është ‘kurdisje’ e Gruevskit, krejt ky aksion është punë e montuar. Kot thonë se ka pasur terroristë ose armatim që është bartur këtu”.
REL: Pse mendoni kështu?
Azemi: “Po sepse Zaevi i jepte informatat se do i shperthejë ‘Bombat e Monstrës’, dhe ky këndej i heshti bombat duke na sulmuar ne”.
Rasti “Monstra” ka të bëjë me dënimit e gjashtë shqiptarëve me burgim të përjetshëm, pasi u shpallën fajtorë për vrasjen e pesë maqedonasve në prill të vitit 2012.
Luljeta, është në ankth për fatin e bashkëshortit të saj që mbahet në arrest.
Ajo thotë se bashkëshorti i saj pa të drejtë mbahet nën arrest nga policia maqedonase. Ajo tregon se në ditën e aksionit policor, ai nga shtëpia është nxjerrë me pizhame.
“Burrin tim e thirrën në orën gjashtë e gjysmë të shkojë në punë, sepse ai është punëtor i thjeshtë, në ndërtimtari punon, ku mundet të gjejë punë, punon. Ai i tha pronarit se nuk mund të dalë nga shtëpia se kokën s’mund ta çonim ga plumbat, vetëm të shtrirë përtokë qëndronim”.
“Fëmijët janë traumatizuar. Djalin e madh ende nuk po arrij ta qetësoj. Ju lutem, të gjithë ata të cilët dinë çfarëdo qoftë për fatin e Besnik Ajdinit, të na thonë. Nga momenti që u nxorr nga shtëpia teksa i mbante në krah fëmijët, ne s’e kemi parë më”, thotë Luljeta.
Edhe banorët tjerë të kësaj lagjeje shprehen të habitur nga lajmet e mediave maqedonase, se dy banorë të kësaj lagjeje, policia pretendon se janë pjestarë të grupit të armatosur.
“Këto dy të cilët janë nga lagja jonë, me të padrejtë janë burgosur. Irfani është berber në këtë lagje, jeton në fukarallëk, me atë brisk kujdeset për gruan dhe dy fëmijët e tij, është një puntor i thjeshtë, askujt keq nuk i ka bë. Ai tjetri, Besniku, barkun me bukë se ka ngopur kurrë; nga ai presin tre fëmijët e tij, gruaja, motra dhe dy prindërit e tij të moshuar”.
“Unë habitem kur dëgjoj në lajme se Irfani, berberi i lagjes është terrorist apo Besniku. Irfani e hapte qe ne mëngjes dyqanin dhe deri në mbremje priste ndonjë myshteri për të nxjerrë ndonjë denar. Apo Besniku qe punonte nga mengjesi deri me natë çfarëdo pune”, rrëfen për Radion Evropa e Lirë, Xhevrie Shabani.
Xhevirja po rrinte para shtëpisë së rrënuar duke pritur komisionin e qeverisë për vlershmin e dëmeve.
“Tek unë ende s’ka ardhur komisioni i qeverisë. Erdhi deri diku dhe u kthyen. Këtu jam prej orës shtatë të mëngjesit, por ata s’janë askund. Thanë se do të vijnë, po nuk erdhën. Nuk ishin pajtuar për mënyrën e velersimit dhe ishin kthyer. E shihni këtë shtëpi, ajo qëndron në këmbë, po zjarri e ka bërë betonin pluhur, ju mund ta lyeni, por është dobësuar. Prandaj duhet të rrënohet në themel dhe të fillojë ndërtimi nga e para”, thotë zonja Xhevrie Shabani.
Banorët e Lagjes së Trimave me shtëpi të rrënuara, mbeten ende pa rryme dhe ujë.
Në këtë zonë u zhvilluan përleshje të ashpra që përfunduan me 22 të vrarë, prej tyre 8 pjestarë të forcave të sigurimit dhe 14 nga grupi i armatosur.
Gjatë përleshjeve janë plagosur 37 policë, ndërsa janë dorëzuar rreth 30 persona nga grupi i armatosur, për të cilin autoritetet pretendojnë se planifikonin “sulme terroriste mbi institucionet shtetërore të Maqedonisë”.
Autoritetet kanë bërë të ditur gjithashtu 18 pjesëtarë të këtij grupi janë shtetas nga Kosova. rel
Komentet