Zvicra dhe Shqipëria dëshirojnë të forcojnë marrëdhëniet
Presidentja e Konfederatës Helvetike Doris Leuthard dhe njëkohësisht Këshilltarja Federale e Departamentit të Ambientit,Transportit, Energjisë dhe Komunikacionit priti për një vizitë zyrtare Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë Edi Rama. Kjo ishte vizita e parë e një kryeministri shqiptar në Zvicër që nga viti 1994.
Pritja u bë në kështjellën Lohn, në afërsi të Bernës, një nga rezidencat qeveritare e vizituar nga burra dhe gra shteti të llojit nga Churchill tek Angela Merkel.
Në oborrin e bukur të kështjellës Lohn, ku valviteshin mrekullisht flamujt e kuq me kryq të bardhë e shqiponjë dykrenore dhe nën tingujt e hymneve zvicerane e shqiptare, për nder të kryeministrit Rama dhe delegacionit që e shoqëronte u bë parakalimi solemn nga garda ushtarake.
Kështu nisi vizita zyrtare e kryeministrit shqiptar në Zvicër.
Tema qendrore e bisedimeve ishte marrëdhëniet politike dhe ekonomike mes dy vendeve si dhe situata në Ballkanin Perëndimor.
Të dy vendet vunë në dukje intensifikimin dhe thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe në vitet e fundit. Delegacionet janë fokusuar ndër të tjera në angazhimin e pandërprerë të Zvicrës në Shqipëri.
Qëllimi i Zvicrës është të mbështesë Shqipërinë – një nga vendet prioritare të bashkëpunimit për zhvillim – në projektet e reformave drejt integrimit evropian. Aktualisht, Zvicra është një nga donatorët kryesorë dypalësh në Shqipëri duke zënë vendin e gjashtë.
Në takimin ndërshtetëror u nënshkruan dy marrëveshje në fushën e formimit profesional dhe decentralizimit në vlerë prej dhjetë milionë franga. Konkretisht, ministrja për Zhvillim Urban e Shqipërisë, Eglantina Gjermeni dhe ambasadori Manuel Sager, drejtor federal i DEZA-s kanë nënshkruar projektmarrëveshjen për programin e zhvillimit rajonal në Shqipëri. Ndërsa ministrja për Mirëqenie Sociale dhe e Rinisë e Republikës së Shqipërisë, Olta Xhaçka ka nënshkruar Projektmarëveshjen për arsimin profesional në tregun e punës në Shqipëri. Nga ana zvicerane nënshkrues i kësaj marrëveshjeje ishte po zoti Manuel Sager, drejtor federal i Drejtorisë për Zhvillim dhe Bashkëpunim i Zvicrës.
Ministrat diskutuan gjithashtu për reformën e drejtësisë përmes të cilës do të përmirësohet klima e investimeve në Shqipëri, bashkëpunimin në çështjet e emigracionit, bashkëpunim në çështjet e policisë dhe situatën në Ballkanin Perëndimor.
Trendi pozitiv në marrëdhëniet ekonomike
Marrëdhëniet diplomatike mes Zvicrës dhe Shqipërisë kanë nisur në vitin 1970.
Edhe pse marrëdhëniet politike janë të shkëlqyera dhe ato ekonomike kanë trend pozitiv, tregtia midis dy vendeve mbetet relativisht modeste. Aktualisht kompanitë zvicerane në Shqipëri janë rreth tridhjetë. Një konsorcium ndërkombëtar me qendër në Zvicër gjithashtu merr pjesë në ndërtimin e Trans-Adriatik (TAP, Trans-Adriatik-Pipeline).
Komuniteti shqiptar prej më tepër se 250 000 vetësh jeton në Zvicër, pjesa më e madhe tashmë të natyralizuar, por që kanë lidhje me rajonin e gjuhës shqipe. Kjo është një arsye më tepër që marrëdhëniet me Republikën e Shqipërisë dhe Zvicrës mund të rriten edhe më shumë, madje edhe në sferën ekonomike.
Pas nënshkrimit të marrëveshjeve, respektivisht Presidentja e Konfederatës Doris Leuthard dhe Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama bënë deklaratat e tyre në konferencë për shtyp përpara gazetarëve.
Presidentja e Konfederatës, zonja Doris Leuthard nënvizoi se vizita e kryeministrit Edi Rama është historike dhe po ashtu shprehu vlerësimin për rolin konstruktiv të Shqipërisë dhe theksoi se sa e rëndësishme është për Zvicrën që Tirana të vijojë angazhimet e saj. Presidentja e Zvicrës e komplimentoi kryeministrin e Shqipërisë dhe qeverinë e tij për reformat që ka ndërmarrë tre vitet e fundit, reforma që lidhen me shtetin e së drejtës, sidomos reforma në drejtësi që është shumë e rëndësishme për Zvicrën por edhe në procesin e integrimit të Shqipërisë në Europë. Ajo kujtoi se si 25 vjet më parë, në vitin 1992, Zvicra hapi ambasadën në Tiranë dhe kjo përkon edhe me vizitën e një kreu shteti nga Shqipëria. Presidentja Leuthard theksoi domosdoshmërinë e luftës kundër korrupsionit dhe krimit në favor të shtetit të së drejtës. Gjithashtu shprehu shqetësim rreth rritjes së tensioneve dhe krizës në rajon.
Edhe nga ana e tij kryeministri i Shqipërisë Edi Rama konfirmoi faktin se marrëdhëniet në mes të dy vendeve janë të shkëlqyera. Ai kujtoi vitin 1935 kur është hapur përfaqësia e parë diplomatike e Shqipërisë në Zvicër. Duke mos harruar të kujtojë edhe rolin e emigracionit shqiptar dhe sidomos të futbollistëve. Me këtë rast kryeministri shqiptar bëri edhe një shaka, duke u kujtuar zviceranëve se fitoret në futboll iu dedikohen djemve shqiptarë.
Pastaj në konferencën për shtyp Presidentja Leuthard dhe Kryeministri Rama i janë përgjigjur pyetjeve të gazetarëve. Pyetjet ishin në lidhje me vendosjen e një linje të drejtpërdrejtë ajrore në relacionin Zvicër Shqipëri, mësimin plotësues në gjuhën shqipe në Zvicër. Kryeministri i Shqipërisë është pyetur nga televizioni zviceran sfr edhe për ish-oficerin e drogës Dritan Zagani.
Pas drekës zyrtare me Presidenten Leuthard, Kryeministri Rama me delegacionin ka vijuar takimin në Parlamentin e Zvicrës, me kryetarin e tij Jürg Stahl./Për Voal: Elida Buçpapaj
Komentet