Fan Noli dhe Faik Konica janë dy nga figurat më të mëdha të letrave shqiptare. Në vitin 1915, ata ishin të dërguar në Vjenë si të dërguarit e “Vatrës”. Fotoja është publikuar nga gazetari i “Zërit të Amerikës”, Ilir Ikonomi.
Postimi i plotë:
Mendoj se ka shumë rëndësi të shkruash një tekst të mirë shqip, pa u nxituar dhe pa e nënvlerësuar saktësinë e shkronjës e të mendimit, edhe pse jetojmë në kohë më të shpejta. Këtë e kanë bërë disa nga mjeshtrat tanë të mëdhenj, armiq të mediokritetit.
Nga e majta: Faik Konica, Gjergj Pekmezi dhe Fan Noli në Vjenë, në vitin 1915. Të dërguarit e Vatrës në Europë, Konica dhe Noli ishin bllokuar në kryeqytetin austriak për arsye financiare. Gjergj Pekmezi kishte mbaruar Universitetin e Vjenës dhe drejtonte katedrën e shqipes në Universitetin Oriental.
Fatmirësisht janë të tre bashkë, sepse nuk qëllon shpesh që tre njerëz kaq të rëndësishëm të letrave shqipe t’i kesh në një fotografi. Noli tregon një histori interesante nga koha kur është shkrepur ky kujtim:
“Një ditë takova Norbert Joklin, studiuesin e famshëm të shqiptarëve, profesor në Universitetin e Vjenës dhe i thashë se po përpiqesha të përktheja Hamletin, Makbethin, Jul Qezarin e vepra të tjera. Ai më tha të shkoja e t’i lexoja disa nga përkthimet dhe një mbrëmje ne u mblodhëm në grup disa njerëz bashkë. Veç dr. Joklit ishin edhe dr. Gjergj Pekmezi, Ismail Qemali, njeriu i famshëm që ngriti flamurin shqiptar dhe shpalli pavarësinë në vitin 1912, Fazil Pasha Toptani si dhe Faik Konica. U lexova disa pjesë që kisha përkthyer. Dr Jokli foli me entuziazëm dhe më kërkoi që t’i botoja patjetër këta libra.”- rrëfen Noli.
Rasti për t’i botuar përkthimet erdhi kur Noli u kthye nga Vjena në Shtetet e Bashkuara. Ai iu lut Vatrës t’i paguante shpenzimet e udhëtimit me premtimin se do t’ia shlyente ato me libra.
“U thashë atyre se nuk mund t’ua shlyeja ato 500 dollarë me para në dorë, por u premtova se, si shpërblim, ata do të merrnin libra prej meje. Kështu, ata morën Otellon dhe Kasollen e Blasko Ibanjezit, romancierit spanjoll të shekullit të 19. Otelloja u botua në vitin 1916, një vit pas ardhjes sime nga Vjena. Libri i Ibanjezit u botua pas pesë vjetësh.” – sqaron Noli.
Më vonë Noli botoi Jul Qezarin, Makbethin, Hamletin dhe Armiku i Popullit nga Henrik Ibsen, Zonja Inger, përsëri nga Ibsen, Don Kishotin e Servantesit dhe Rubairat e Omar Khajamit.
Komentet