Pas rasteve kur në aktivitete të ndryshme lidhur me luftën, homazheve në varreza dëshmorësh, që ngrinin krye simbole të komunizmit, foto të diktatorit e me radhë, tashmë në aktivitete zyrtare dalin në tribuna edhe ish-anëtarë të Byrosë.
Në ceremoninë e organizuar nga Bashkia e Sarandës, me rastin e 34-vjetorit të Divizionit “Asim Zeneli”, bie në sy edhe pjesëmarrja e Kiço Mustaqit, ish-ministrit të Mbrojtjes në kohën e diktaturës, njëherazi ish-anëtarit të Byrosë Politike.
Referuar fotos që “BalkanWeb” ka siguruar nga ky aktivitet, Mustaqi, dallohet qartësisht si i ftuar nderi në tribunën ku janë ulur krah tij edhe kryetarja socialiste e Bashkisë së Sarandës, Florjana Koka dhe zv/ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi.
Kujtojmë se vetëm para një viti e gjysmë shkaktoi debat të madh vendimi i Ministrisë së Mbrojtjes për dekorimin me rastin e festës së Çlirimit, të drejtuesve të lartë të PPSH-së, ish-Sigurimit të Shtetit deri edhe tek xhelatët e diktaturës, siç ishte rasti i torturuesit të At Zef Pllumit.
Reagon Petro Koçi
Në një reagim për “BalkanWeb”, Koçi është shprehur se “Kiço Mustaqi nuk ishte i ftuari im në atë ceremoni, unë ashtu si edhe ai isha vetë i ftuar. Ceremonia nuk ishte organizuar nga ministria e Mbrojtjes. Pra nuk ishte një ceremoni zyrtare. Mund t’ju them se ishte një drekë me rastin e 34-vjetorit të Divizionit “Asim Zeneli” ku isha i ftuar të merrja pjesë dhe në të cilën mbajta edhe një fjalë të rastit”, – është shprehur Koçi.
Komentet